Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 6

A ke besim te mënyra si i bën gjërat Jehovai?

A ke besim te mënyra si i bën gjërat Jehovai?

«Ai është Shkëmbi, e përsosur është çdo gjë që bën, sepse ai gjykon gjithnjë me drejtësi. Një Perëndi besnik që nuk është kurrë i padrejtë; i drejtë dhe i ndershëm është ai.»—LIGJ. 32:4.

KËNGA 3 Jehova, ti më jep forcë, shpresë dhe siguri

PËRMBLEDHJE *

1-2. (a) Pse shumë veta sot e kanë të vështirë t’i besojnë dikujt me autoritet? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

 SOT shumë veta e kanë të vështirë t’i besojnë dikujt që ka autoritet. Ata kanë vërejtur se sistemi ligjor dhe organet qeveritare zakonisht mbajnë anën e njerëzve të pasur e me pushtet dhe nuk i mbrojnë të varfrit. Sa të vërteta janë këto fjalë të Biblës: «Njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij.» (Ekl. 8:9) Veç kësaj, sjellja e disa udhëheqësve fetarë lë shumë për të dëshiruar, e kjo ua ka gërryer disave besimin te Perëndia. Prandaj, kur dikush fillon të studiojë Biblën me ne, na duhet ta ndihmojmë të zhvillojë besim te Jehovai dhe tek ata që e përfaqësojnë në tokë.

2 Natyrisht, studentët e Biblës nuk janë të vetmit që duhet të mësojnë të kenë besim te Jehovai dhe tek organizata e tij. Edhe nëse jemi në të vërtetën prej shumë vitesh, nuk duhet ta humbim kurrë besimin se mënyra si i bën gjërat Jehovai është gjithmonë më e mira. Ndonjëherë mund të lindin situata që na e vënë në provë këtë besim. Le të ndalemi te tri aspekte ku mund të na sprovohet besimi: (1) ndërsa lexojmë disa tregime në Bibël, (2) kur marrim një drejtim nga organizata e Jehovait dhe (3) kur të përballojmë vështirësi në të ardhmen.

KI BESIM TE JEHOVAI NDËRSA LEXON BIBLËN

3. Si mund të na e sprovojnë besimin te Jehovai disa tregime të Biblës?

 3 Ndërsa lexojmë Fjalën e Perëndisë, mund të na lindin pyetje për mënyrën si i trajtoi Jehovai disa njerëz dhe për disa vendime që mori. Për shembull, te libri i Numrave lexojmë se Jehovai e dënoi me vdekje një izraelit ngaqë po mblidhte dru në Sabat. Në librin e dytë të Samuelit mësojmë se shekuj më vonë, Jehovai e fali mbretin David që kreu kurorëshkelje dhe vrau një njeri. (Num. 15:32, 35; 2 Sam. 12:9, 13) Ndoshta pyesim veten: «Pse e fali Jehovai Davidin për vrasje dhe kurorëshkelje, ndërsa atë tjetrin e dënoi me vdekje për një mëkat që nuk duket aq i rëndë sa ato të Davidit?» Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le të ndalemi te tri fakte që bëjmë mirë t’i mbajmë në mendje ndërsa lexojmë Biblën.

4. Si na forcohet besimi te mënyra si gjykon Jehovai nga Zanafilla 18:20, 21 dhe Ligji i përtërirë 10:17?

4 Bibla nuk i jep gjithmonë të tëra hollësitë e një ngjarjeje. Për shembull, e dimë se Davidi u pendua nga zemra për ato që bëri. (Psal. 51:2-4) Por, çfarë njeriu ishte ai që shkeli ligjin e Sabatit? A u pendua për atë mëkat? A i kishte shkelur edhe më parë ligjet e Jehovait? A i kishte shpërfillur ose hedhur poshtë paralajmërimet në të kaluarën? Bibla nuk jep ndonjë informacion për këtë. Sidoqoftë, për një gjë mund të jemi të sigurt: Jehovai «nuk është kurrë i padrejtë». (Ligj. 32:4) Ai i bazon vendimet e tij te të gjitha faktet—jo tek ajo që dëgjon, te paragjykimet a te ndonjë gjë tjetër që shpesh ua shtrembëron gjykimin njerëzve. (Lexo Zanafillën 18:20, 21; Ligjin e përtërirë 10:17.) Sa më mirë ta njohim Jehovain dhe standardet e tij, aq më shumë besim do të kemi te mënyra si gjykon ai. Pra, gjatë leximit të një tregimi nga Bibla mund të na lindin pyetje që s’u japim dot përgjigje tani. Ama, ajo që dimë për Perëndinë tonë na mjafton për të qenë të sigurt se ai «është i drejtë në të gjitha udhët e veta».—Psal. 145:17.

5. Si ndikon papërsosmëria te ndjenja jonë e drejtësisë? (Shih edhe kutinë « Papërsosmëria e shtrembëron pikëpamjen tonë për drejtësinë».)

5 Ndjenja jonë e drejtësisë është dëmtuar nga papërsosmëria. Perëndia na ka bërë sipas imazhit të tij, prandaj duam me gjithë zemër që të tjerët të trajtohen me drejtësi. (Zan. 1:26) Prapëseprapë, për shkak të papërsosmërisë, mund të gjykojmë gabim edhe atëherë kur mendojmë se i dimë të gjitha faktet. Të kujtojmë, për shembull, sa u mërzit Jonai nga vendimi i Jehovait për t’u treguar mëshirë banorëve të Ninevisë. (Jon. 3:10–4:1) Por mendo pak për rezultatet e mëshirës së Jehovait: shpëtuan nga vdekja më shumë se 120.000 ninevitë të penduar! Si përfundim ishte Jonai—jo Jehovai—ai që duhej të ndreqte pikëpamjen.

6. Pse Jehovai nuk është i detyruar të na i shpjegojë arsyet e vendimeve të tij?

6 Jehovai nuk është i detyruar t’ua shpjegojë njerëzve arsyet e vendimeve të tij. Vërtet, në të kaluarën, Jehovai lejoi që disa shërbëtorë të tij t’ia shprehnin meraqet e tyre për vendimet që kishte marrë ose që do të merrte. (Zan. 18:25; Jon. 4:2, 3) E në disa raste, e shpjegoi pse e kishte marrë një vendim. (Jon. 4:10, 11) Gjithsesi, Jehovai nuk është i detyruar të na japë shpjegime. Si Krijuesi ynë, ai nuk ka nevojë për miratimin tonë, as para e as pasi ndërmerr një veprim.—Isa. 40:13, 14; 55:9.

KI BESIM TE JEHOVAI KUR JEPET NJË DREJTIM

7. Çfarë sfide mund të hasim, dhe pse?

7 Pa dyshim që e pranojmë me gjithë zemër se Jehovai bën përherë atë që është e drejtë. Mirëpo, sfida mund të jetë të kemi besim tek ata që e përfaqësojnë në tokë. Mund të dyshojmë nëse ata që kanë njëfarë autoriteti në organizatën e Jehovait veprojnë sipas drejtimit të Tij apo sipas mendjes së tyre. Ka të ngjarë që kështu mendonin disa në kohët kur u shkrua Bibla. Të marrim shembujt e përmendur te  paragrafi 3. Një i afërm i burrit që shkeli ligjin e Sabatit mund të dyshonte nëse Moisiu ishte këshilluar me Jehovain para se të jepte dënimin me vdekje. Gjithashtu, një mik i hititit Uriah, gruaja e të cilit kreu kurorëshkelje me Davidin, mund të mendonte se Davidi shfrytëzoi pozitën si mbret për t’i shpëtuar dënimit që e kishte hak. Gjithsesi, ka një të vërtetë të pakundërshtueshme: nuk mund të themi se kemi besim te Jehovai nëse nuk u besojmë njerëzve te të cilët ka besim ai dhe që e përfaqësojnë në tokë.

8. Çfarë ngjashmërie ka mes asaj që thuhet te Veprat 16:4, 5 dhe mënyrës si funksionon kongregacioni i krishterë sot?

8 Sot Jehovai e udhëheq pjesën tokësore të organizatës së tij nëpërmjet ‘skllavit besnik dhe të mençur’. (Mat. 24:45) Ashtu si trupi udhëheqës i shekullit të parë, ky skllav mbikëqyr popullin e Perëndisë anembanë botës dhe u jep drejtim pleqve të kongregacionit. (Lexo Veprat 16:4, 5.) Pleqtë pastaj sigurohen të ndiqet ky drejtim nëpër kongregacione. Tregojmë se kemi besim te mënyra si i bën gjërat Jehovai duke iu bindur drejtimit që marrim nga organizata dhe nga pleqtë.

9. Kur mund ta kemi të vështirë ta përkrahim një vendim që marrin pleqtë, dhe pse?

9 Hera-herës mund ta kemi të vështirë t’i përkrahim vendimet që marrin pleqtë. Për shembull, vitet e fundit shumë kongregacione dhe qarqe janë riorganizuar. Në disa raste, pleqtë u kanë kërkuar lajmëtarëve të mbështetin një kongregacion tjetër, në mënyrë që të shfrytëzohen sa më mirë vendet për t’u ulur në Sallat tona të Mbretërisë. Nëse na kërkohet të shkojmë në një kongregacion të ri, mund të mos e kemi të lehtë të ndahemi nga miqtë dhe familja. A marrin pleqtë ndonjë drejtim hyjnor se ku ta caktojnë secilin lajmëtar? Jo. Ky fakt mund të na e bëjë të vështirë ta ndjekim drejtimin që marrim. Por Jehovai ua ka besuar pleqve këto vendime, ndaj edhe ne duhet të kemi besim tek ata. *

10. Në harmoni me Hebrenjve 13:17, pse duhet të bashkëpunojmë me pleqtë?

10 Pse duhet të bashkëpunojmë me pleqtë dhe t’i mbështetim vendimet e tyre, edhe kur këto vendime nuk janë siç do të kishim preferuar? Sepse kështu ndihmojmë të ruhet uniteti mes popullit të Perëndisë. (Efes. 4:2, 3) Kur të gjithë i zbatojmë me përulësi vendimet e trupit të pleqve, kongregacionet lulëzojnë. (Lexo Hebrenjve 13:17.) Mbi të gjitha, kur bashkëpunojmë me ata që Jehovai i ka ngarkuar të kujdesen për ne, tregojmë se kemi besim te Perëndia ynë.—Vep. 20:28.

11. Si mund ta forcojmë besimin te drejtimi që japin pleqtë?

11 Mund ta forcojmë besimin te drejtimi që japin pleqtë duke mbajtur parasysh se ata luten për frymën e shenjtë kur shqyrtojnë çështjet që ndikojnë te kongregacioni. Gjithashtu peshojnë me kujdes parimet e Biblës që lidhen me ato çështje dhe udhëzimet nga organizata e Jehovait. Ata duan me gjithë shpirt të kënaqin Jehovain dhe të kujdesen sa më mirë për popullin e tij. Këta burra besnikë e dinë se i japin llogari Perëndisë për mënyrën si i përmbushin përgjegjësitë e tyre. (1 Pjet. 5:2, 3) Mendo pak për këtë: në një botë të përçarë për shkak të racës, fesë dhe politikës, populli i Jehovait është i bashkuar në adhurimin e të vetmit Perëndi të vërtetë. Kjo arrihet vetëm ngaqë Jehovai e bekon organizatën e tij.

12. Çfarë duhet të shqyrtojnë pleqtë kur përcaktojnë nëse dikush është penduar?

12 Jehovai u ka besuar pleqve përgjegjësinë serioze për ta mbajtur të pastër kongregacionin. Kur një Dëshmitar bën një mëkat të rëndë, Jehovai pret që pleqtë të përcaktojnë nëse ai mund të qëndrojë në kongregacion. Ndër të tjera, pleqtë duhet të kuptojnë nëse është penduar vërtet për atë që ka bërë. Mbase thotë se është penduar, por a ndien vërtet urrejtje për atë që ka bërë? A është i vendosur të mos e përsëritë mëkatin? Nëse e shtynë shoqëritë e këqija drejt atij gabimi të rëndë, a është i gatshëm të shkëputet prej tyre? Kur peshojnë faktet, pleqtë luten, shqyrtojnë Shkrimet dhe mbajnë parasysh qëndrimin e mëkatarit ndaj asaj që ka bërë. Pastaj vendosin nëse ai mund të qëndrojë në kongregacion. Në disa raste është e nevojshme të përjashtohet.—1 Kor. 5:11-13.

13. Çfarë meraku mund të kemi nëse përjashtohet një mik ose një i afërmi ynë?

13 Si mund të sprovohet besimi ynë te pleqtë? Nëse ai që përjashtohet nuk është një mik i ngushtë ose një i afërmi ynë, mund ta pranojmë pa problem vendimin e pleqve. Por ta zëmë se i përjashtuari është një miku ynë i afërt. Mbase kemi merak se mos pleqtë nuk i kanë shqyrtuar të gjitha faktet a mbase dyshojmë nëse e kanë gjykuar çështjen siç do ta gjykonte Jehovai. Ç’mund të na ndihmojë të mbajmë qëndrimin e duhur ndaj vendimit të tyre?

14. Çfarë mund të na ndihmojë nëse vendimi i pleqve për një mëkat na prek personalisht?

14 Duhet të mos harrojmë se përjashtimi është një masë nga Jehovai që i sjell dobi kongregacionit e që mund t’i sjellë dobi edhe atij që ka mëkatuar. Nëse lejohet të qëndrojë në kongregacion, një mëkatar i papenduar mund të çojë në udhë të mbrapshtë edhe të tjerë. (Gal. 5:9) Gjithashtu ka të ngjarë që nuk e kupton sa i rëndë është mëkati i tij, e nuk ndihet i motivuar ta ndreqë mënyrën si mendon e si sillet për të rifituar miratimin e Jehovait. (Ekl. 8:11) Mund të jemi të sigurt se kur vendosin nëse dikush duhet përjashtuar, pleqtë e marrin shumë seriozisht përgjegjësinë e tyre. E kanë të qartë se, ashtu si gjykatësit në Izraelin e lashtë, ‘nuk gjykojnë për njeriun, por për Jehovain’.—2 Kron. 19:6, 7.

KI BESIM TE JEHOVAI SOT QË TË PËRGATITESH PËR TË ARDHMEN

Çfarë do të na ndihmojë të kemi besim te drejtimi që do të marrim gjatë shtrëngimit të madh dhe t’i bindemi? (Shih paragrafin 15)

15. Pse sot duhet të kemi besim si kurrë më parë te drejtimi i Jehovait?

15 Ndërsa afrohet fundi i këtij sistemi, na duhet të kemi besim si kurrë më parë te mënyra si i bën gjërat Jehovai. Pse? Sepse gjatë shtrëngimit të madh mund të marrim udhëzime që duken të çuditshme, jopraktike ose të palogjikshme. Sigurisht, Jehovai nuk do të na flasë drejtpërdrejt. Ka shumë mundësi që drejtimin të na e japë nëpërmjet atyre që ka emëruar në tokë. Atëherë nuk do të jetë aspak koha që ta shohim me dyshim ose me skepticizëm drejtimin e tyre, duke vrarë mendjen: «A vjen vërtet nga Jehovai ky drejtim, apo ndoshta vëllezërit përgjegjës po veprojnë sipas mendjes së tyre?!» Si do të veprosh gjatë asaj kohe vendimtare në historinë njerëzore? Përgjigjen mund ta zbulosh duke medituar për mënyrën si e sheh sot drejtimin teokratik. Nëse ke besim te drejtimi që marrim sot dhe i bindesh me gatishmëri, ka shumë të ngjarë që do të veprosh njësoj gjatë shtrëngimit të madh.—Luka 16:10.

16. Si mund të sprovohet në të ardhmen e afërt besimi ynë te gjykimet e Jehovait?

16 Bëjmë mirë të mendojmë edhe për një aspekt tjetër—për gjykimet e Jehovait në fund të këtij sistemi. Tani për tani kemi akoma shpresë për shumë veta që nuk i shërbejnë Jehovait, përfshirë edhe të afërmit tanë që s’janë Dëshmitarë. Por në Armagedon, Jehovai, nëpërmjet Jezuit, do të marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen e tyre. (Mat. 25:31-33; 2 Sel. 1:7-9) Nuk do të jetë në dorën tonë të vendosim kujt do t’i tregojë mëshirë Jehovai dhe kujt jo. (Mat. 25:34, 41, 46) A do të kemi besim te gjykimet e Jehovait, apo do të bëhen shkak pengese për ne? Pa diskutim, na duhet ta forcojmë tani besimin te Jehovai, në mënyrë që të kemi besim absolut tek ai në të ardhmen.

17. Si do të nxjerrim dobi nga gjykimet e Jehovait në fund të këtij sistemi?

17 Imagjino si do të ndihemi në botën e re kur të shohim rezultatet e gjykimeve të Jehovait. Do të jenë zhdukur fetë e rreme, si edhe sistemi tregtar lakmitar dhe sistemi politik që i ka shtypur njerëzit e ka shkaktuar vuajtje të parrëfyeshme gjatë gjithë historisë. Problemet shëndetësore, pleqëria dhe vdekja e njerëzve të dashur nuk do të jenë më realitete të jetës së përditshme. Satanai dhe demonët do të jenë të izoluar për një mijë vjet, dhe pasojat e rebelimit të tyre nuk do të ekzistojnë më. (Zbul. 20:2, 3) Imagjino sa të lumtur do të ndihemi atëherë që treguam besim te mënyra si i bën gjërat Jehovai!

18. Çfarë mësojmë nga shembulli i izraelitëve? (Numrat 11:4-6; 21:5)

18 A do të ndeshim në botën e re vështirësi që mund të na e sprovojnë besimin te mënyra si i bën gjërat Jehovai? Të mendojmë, për shembull, ç’ndodhi pak pasi izraelitët u çliruan nga skllavëria në Egjipt. Disa zunë të qaheshin se i kishte marrë malli për ushqimet e freskëta që shijonin atje dhe e përbuzën manën që kishte siguruar Jehovai. (Lexo Numrat 11:4-6; 21:5.) A mund të ndodhë që të bluajmë mendime të ngjashme pasi të përfundojë shtrëngimi i madh? Nuk e dimë sa punë do të duhet për ta pastruar tokën dhe për ta kthyer avash-avash në parajsë. Ka mundësi që do të duhet të derdhim shumë djersë e të durojmë ca parehati në fillim. A do të arrijmë deri në atë pikë sa të ankohemi për çka do të na sigurojë Jehovai në atë kohë? Një gjë është e sigurt: sa më shumë ta çmojmë sot atë që na siguron Jehovai, aq më shumë gjasa ka ta çmojmë edhe atëherë.

19. Si do t’i përmblidhnit pikat kryesore të këtij artikulli?

19 Mënyra si i bën gjërat Jehovai është gjithmonë e drejtë. Kemi nevojë të jemi plotësisht të bindur për këtë. Kemi nevojë edhe të kemi besim tek ata që Jehovai i ka ngarkuar të veprojnë sipas drejtimit të tij. Mos i harrofshim kurrë këto fjalë që tha Jehovai nëpërmjet profetit Isaia: «Fuqia juaj qëndron në qetësinë dhe në besimin tuaj.»—Isa. 30:15.

KËNGA 98 Shkrimet, dhuratë nga Perëndia

^ par. 5 Ky artikull do të na ndihmojë të kuptojmë sa e rëndësishme është ta forcojmë besimin te Jehovai, si edhe tek ata që e përfaqësojnë në tokë. Do të shohim edhe si nxjerrim dobi sot kur e forcojmë besimin dhe si na përgatit kjo për vështirësitë e së ardhmes.

^ par. 9 Ndonjëherë një individ ose një familje mund të ketë rrethana të veçanta që kërkojnë të qëndrojë në kongregacionin ku është. Shih «Kutinë e pyetjes» te Shërbimi ynë i Mbretërisë, nëntor 2002.