Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 39

Butësia le të jetë forca jote

Butësia le të jetë forca jote

«Skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë i ëmbël me të gjithë.»—2 TIM. 2:24.

KËNGA 120 Të jemi të butë si Krishti

PËRMBLEDHJE a

1. Për çfarë mund të na pyesin në punë ose në shkollë?

 SI NDIHESH kur një shok pune ose një shok shkolle të pyet për bindjet e tua? A je në siklet? Shumica prej nesh ndiejmë njëfarë ankthi. Por pyetja që bën tjetri mund të na ndihmojë të kuptojmë si mendon ose çfarë beson, e kështu e kemi më të lehtë t’i flasim për lajmin e mirë. Ama, ndonjëherë dikush mund të na pyesë për të na provokuar. Kjo s’ka pse të na habitë. Fundja, disa janë të keqinformuar për bindjet tona. (Vep. 28:22) Veç kësaj, jetojmë në «ditët e fundit», në një kohë kur shumë njerëz nuk janë «të gatshëm për asnjë marrëveshje», e madje janë «të egër».—2 Tim. 3:1, 3.

2. Pse dëshirojmë të zhvillojmë butësinë?

2 Ndoshta vret mendjen: «E si mund të flas me ëmbëlsi dhe takt kur dikush përpiqet të hapë sherr për bindjet e mia të bazuara te Bibla?» Çfarë do të të ndihmojë? Përgjigjja me një fjalë të vetme është butësia. Një njeri i butë nuk nevrikoset shpejt, por është në gjendje ta frenojë veten në situata acaruese ose të papritura. (Prov. 16:32) Natyrisht, këtë është më e lehtë ta thuash se ta bësh. Si mund ta zhvillosh butësinë? Si mund të përgjigjesh me butësi kur dikush sfidon bindjet e tua? E nëse je prind, si mund t’i ndihmosh fëmijët të mësojnë ta mbrojnë besimin e tyre me butësi? Le ta shohim.

SI TA ZHVILLOJMË BUTËSINË

3. Pse mund të themi se butësia është një pikë e fortë, jo një dobësi? (2 Timoteut 2:24, 25)

3 Butësia është një pikë e fortë, jo një dobësi. Duhet forcë e brendshme për të ruajtur qetësinë në një situatë të vështirë. Butësia është një aspekt i ‘frytit të frymës’. (Gal. 5:22, 23) Një formë e fjalës greke të përkthyer «butësi» përdorej edhe për të përshkruar një kalë të egër që ishte zbutur. Përfytyro pak një kalë të tillë që është i zbutur, por njëkohësisht i fuqishëm. Po ne si mund ta zhvillojmë butësinë, e në të njëjtën kohë të jemi të fortë? Kjo nuk arrihet thjesht nga forca e vullnetit. Kemi nevojë t’i lutemi Perëndisë të na japë frymën e tij e të na ndihmojë ta zhvillojmë këtë cilësi të bukur. Kemi plot shembuj që tregojnë se mund të mësojmë të jemi të butë. Për shembull, shumë vëllezër e motra kanë reaguar me butësi përballë provokimeve, e kështu kanë lënë përshtypje të mira për shërbëtorët e Jehovait. (Lexo 2 Timoteut 2:24, 25.) Si mund ta bësh butësinë një pikë të fortë?

4. Ç’mund të mësojmë për butësinë nga shembulli i Isakut?

4 Bibla është e mbushur me shembuj që theksojnë vlerën e butësisë. Të marrim rastin e Isakut. Kur shkoi të jetonte në Gerar, një territor filistin, fqinjët e tij ziliqarë ia mbyllën puset që kishin hapur shërbëtorët e të atit. Në vend që të luftonte për të mbrojtur të drejtat e veta, Isaku u largua me gjithë familjen dhe hapi puse diku tjetër. (Zan. 26:12-18) Mirëpo filistinët thanë se edhe uji atje ishte i tyri. Prapë, Isaku u përpoq të ruante paqen. (Zan. 26:19-25) Çfarë e ndihmoi të ishte i butë edhe kur të tjerët dukej se ishin të vendosur ta provokonin? Pa dyshim që ai kishte mësuar shumë nga shembulli i prindërve: nga sjellja paqësore e Abrahamit dhe nga ‘fryma e qetë dhe e butë’ e Sarës.—1 Pjet. 3:4-6; Zan. 21:22-34.

5. Cili shembull tregon se prindërit mund t’ua mësojnë fëmijëve vlerën e butësisë?

5 Prindër, jini të sigurt se edhe ju mund t’ua mësoni fëmijëve tuaj vlerën e butësisë. Të mendojmë për shembullin e Maksensit 17-vjeçar. Ai përballej me njerëz nevrikë në shkollë e në shërbim. Prindërit e ndihmuan me durim të zhvillonte butësinë. Ata thonë: «Maksensi ka arritur të kuptojë se kur të provokojnë, duhet më shumë forcë për ta frenuar veten sesa për t’u përgjigjur me zemërim ose me dhunë.» Sot butësia është bërë një pikë e fortë e Maksensit.

6. Si mund të na ndihmojë lutja të bëhemi më të butë?

6 Ç’mund të bëjmë kur jemi në një situatë të tensionuar, si për shembull kur dikush flet keq për Perëndinë tonë ose tallet me Biblën? Duhet t’i kërkojmë Jehovait të na japë frymën dhe mençurinë e tij, që të reagojmë me butësi. Po nëse më vonë kuptojmë se nuk reaguam ashtu siç duhej? Mund të lutemi prapë për këtë dhe të mendojmë si mund të reagojmë më mirë në të ardhmen. E Jehovai do të na japë frymën e tij të shenjtë që ta mbajmë nën kontroll zemërimin dhe të tregojmë butësi.

7. Nëse mësojmë përmendsh disa vargje, si mund të na ndihmojë kjo të tregojmë vetëpërmbajtje? (Proverbat 15:1, 18)

7 Disa vargje nga Bibla mund të na ndihmojnë t’i vëmë fre gjuhës kur gjendemi në situata të vështira. Fryma e Perëndisë mund të na i sjellë ndër mend këto shkrime. (Gjoni 14:26) Për shembull, parimet që gjejmë në librin e Proverbave mund të na ndihmojnë të jemi të butë. (Lexo Proverbat 15:1, 18.) Ky libër i Biblës nxjerr në pah dobitë që vijnë kur tregojmë vetëpërmbajtje në situata të tensionuara.—Prov. 10:19; 17:27; 21:23; 25:15.

SI NA NDIHMON GJYKIMI I THELLË TË JEMI TË BUTË

8. Pse duhet të mendojmë për arsyen që mund ta ketë shtyrë dikë të na pyesë për bindjet tona?

8 Edhe gjykimi i thellë mund të na ndihmojë të jemi të butë. (Prov. 19:11) Një njeri me gjykim të thellë e frenon veten kur i bëjnë pyetje provokuese për bindjet e tij. Disa nga këto pyetje janë si ajsbergë, pjesa më e madhe e të cilëve gjendet nën sipërfaqe. Pra, kur dikush na bën një pyetje, mund të mos e dimë merakun ose arsyen që fshihet pas saj. Ndaj duhet ta mbajmë parasysh këtë para se t’i përgjigjemi.—Prov. 16:23.

9. Si tregoi Gideoni gjykim të thellë dhe butësi ndaj burrave të Efraimit?

9 Të kujtojmë si iu përgjigj Gideoni burrave të Efraimit. Ata e pyetën tërë nerva pse nuk i kishte thirrur që të luftonin bashkë me të kundër armiqve të Izraelit. Po cila ishte arsyeja pse po përpiqeshin të bënin sherr? Mos ndoshta ishin lënduar në sedër? Cilado të ketë qenë arsyeja, Gideoni tregoi gjykim të thellë. Ai u përpoq të kuptonte pse ndiheshin ashtu dhe iu përgjigj me butësi. Rezultati? Kjo i çarmatosi burrat e Efraimit dhe «ata u qetësuan».—Gjyk. 8:1-3.

10. Ç’do të na ndihmojë të dimë si t’u përgjigjemi atyre që ngrenë dyshime për bindjet tona? (1 Pjetrit 3:15)

10 Mund të ndodhë që një shok pune ose një shok shkolle të na pyesë pse ndjekim normat morale të Biblës në disa aspekte të jetës. Do të bëjmë më të mirën që t’ia shpjegojmë bindjet tona, e në të njëjtën kohë do të respektojmë pikëpamjen e tij. (Lexo 1 Pjetrit 3:15.) Shpesh është e dobishme të mos i shohim pyetje të tilla si një sulm ose kritikë, por si një mënyrë për të mësuar çfarë ka rëndësi për tjetrin. Pavarësisht nga arsyeja pse dikush ngre një pyetje, bëjmë mirë t’i përgjigjemi me butësi dhe mirësjellje. Kjo mund ta nxitë të rishqyrtojë pikëpamjen e tij. Edhe nëse sjellja e tjetrit është harbute ose sarkastike, synimi ynë duhet të jetë të përgjigjemi me mirësi.—Rom. 12:17.

Nëse mendojmë në fillim pse po na ftojnë në një ditëlindje, mund të japim një përgjigje më të mirë (Shih paragrafët 11-12)

11-12. (a) Për çfarë mund të mendojmë para se t’i përgjigjemi një pyetjeje të vështirë? (Shihni edhe figurën.) (b) Jepni një shembull se si kjo mund t’i hapë rrugën një bisede miqësore.

11 Për shembull, nëse një shok a shoqe pune të pyet pse nuk i festojmë ditëlindjet, mendo për këtë: Mos ndoshta dyshon se nuk na lejohet të zbavitemi? Apo mos ka merak se qëndrimi ynë do të prishë atmosferën miqësore në punë? Mund t’ia heqim merakun duke i thënë se e vlerësojmë shumë që interesohet për të tjerët dhe duke e siguruar se edhe ne duam që atmosfera në punë të jetë e këndshme. Kjo mund t’i hapë rrugën një bisede miqësore rreth asaj që kuptojmë nga Bibla për ditëlindjet.

12 Mund veprojmë në mënyrë të ngjashme edhe për pyetje të tjera të vështira. Një shok shkolle mund të thotë se Dëshmitarët e Jehovait duhet të ndryshojnë pikëpamjen për homoseksualizmin. A e thotë këtë ngaqë ka një ide të gabuar për bindjet tona? Apo ndoshta ka një shok ose një të afërm që është homoseksual? Mos mendon se i urrejmë njerëzit që ndjekin atë stil jetese? Mund të jetë e nevojshme ta sigurojmë se ne i duam të gjithë njerëzit dhe se respektojmë të drejtën e gjithsecilit për të bërë zgjedhjet e veta. b (1 Pjet. 2:17) Kjo mund të na japë mundësi t’i përmendim dobitë që vijnë kur jetojmë sipas normave të Biblës.

13. Si mund ta ndihmosh dikë që tallet me besimin te Perëndia?

13 Kur dikush debaton ashpër për një temë, të mos nxjerrim me vrap përfundimin se e dimë çfarë beson. (Titit 3:2) Ta zëmë, për shembull, se një shok shkolle të thotë që është qesharake të besosh te Zoti. A duhet të nxjerrësh përfundimin se beson me fanatizëm tek evolucioni dhe di shumë për këtë temë? Ndoshta ai thjesht po përsërit diçka që ka dëgjuar, pa e vrarë shumë mendjen. Prandaj, në vend që të nisësh një diskutim për shkencën, pse të mos i tregosh diçka që mund ta mendojë me qetësi më vonë? Mbase mund ta drejtosh te një material në jw.org për krijimin. Më pas ai mund të ketë dëshirë të bisedojë për një artikull ose video që ka parë atje. Kështu, një përgjigje me respekt mund ta nxitë dikë të rishqyrtojë pikëpamjen që ka për Biblën.

14. Si e përdori Nili sitin tonë për të sqaruar një ide të gabuar për Dëshmitarët e Jehovait?

14 Një adoleshent që quhet Nili e përdori sitin tonë për të sqaruar një ide të gabuar për Dëshmitarët e Jehovait. Ai tregon: «Një shok klase më thoshte shpesh se nuk kisha besim te shkenca ngaqë i besoja një libri me trillime, jo fakteve.» Meqë shoku i klasës nuk e linte t’ia shpjegonte bindjet e tij, Nili e drejtoi te pjesa «Shkenca dhe Bibla» në jw.org. Më vonë e kuptoi se shoku i klasës duhej ta kishte lexuar materialin dhe ishte më i gatshëm të bisedonin për origjinën e jetës. Edhe ti mund të kesh rezultate të ngjashme.

PËRGATITUNI SI FAMILJE

15. Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët të përgjigjen me butësi kur u bëjnë pyetje provokuese për bindjet e tyre?

15 Prindërit mund t’i mësojnë fëmijët të përgjigjen me butësi kur u bëjnë pyetje provokuese për bindjet e tyre. (Jak. 3:13) Disa praktikohen për këtë gjatë adhurimit familjar. Ata mendojnë për pyetje që mund të ngrihen në shkollë, diskutojnë e demonstrojnë si të përgjigjen dhe i mësojnë fëmijët të flasin me butësi e në një mënyrë tërheqëse.—Shih kutinë « Nxirrni dobi duke u praktikuar si familje».

16-17. Si mund t’i ndihmojnë të rinjtë provat që bëjnë si familje?

16 Këto prova mund t’i ndihmojnë të rinjtë të sigurojnë veten se bindjet e tyre kanë themele të forta e t’u japin edhe të tjerëve arsye bindëse pse e besojnë diçka. Seria «Të rinjtë pyesin» në jw.org përfshin fletë pune për adoleshentët. Ato janë bërë enkas që t’i ndihmojnë të rinjtë të jenë të bindur për atë që besojnë, si edhe të përgatitin përgjigje me fjalët e tyre. Duke studiuar si familje artikujt e kësaj serie, të gjithë mund të mësojmë si ta mbrojmë besimin tonë me butësi dhe në një mënyrë tërheqëse.

17 Një i ri që quhet Methju tregon si e ndihmojnë provat që bëjnë si familje. Në adhurimin familjar, Methju dhe prindërit e tij bëjnë kërkime për tema që mund të diskutohen në klasë. Ai thotë: «Imagjinojmë çfarë situatash mund të krijohen dhe bëjmë prova si të përgjigjem duke u bazuar në kërkimet që kemi bërë. Kur i kam të qarta arsyet e qëndrimit tim, ndihem i sigurt dhe e kam më të lehtë të sillem me butësi.»

18. Sipas Kolosianëve 4:6, çfarë ka vlerë të madhe kur flasim me të tjerët?

18 Natyrisht, arsyetimi logjik mund të mos mjaftojë për t’i bindur disa. Por fjalët e thëna me takt dhe butësi mund të ndihmojnë. (Lexo Kolosianëve 4:6.) T’i flasim dikujt për bindjet tona është si t’i hedhim një top. Mund t’ia hedhim lehtë ose mund t’ia flakim me forcë. Kur e hedhim topin lehtë, lojtari tjetër ka më shumë të ngjarë ta kapë dhe të vazhdojë lojën. Po njësoj, kur flasim me takt dhe butësi, njerëzit mund të jenë më të gatshëm të dëgjojnë dhe ta vazhdojnë bisedën. Sigurisht, nëse dikush do që të grindet ose të tallet me bindjet tona, s’jemi të detyruar të vazhdojmë t’i përgjigjemi. (Prov. 26:4) Por këto janë raste të rralla. Shumë veta mund të jenë të gatshëm të dëgjojnë.

19. Pse duam të tregojmë butësi kur mbrojmë bindjet tona?

19 Pa dyshim, të përpiqemi të zhvillojmë butësinë është një synim me vlerë të madhe. Lutju Jehovait për forcë, që të mos e humbësh butësinë kur u përgjigjesh pyetjeve provokuese ose kritikave të padrejta. Mbaj parasysh se qëndrimi yt i butë mund të ndihmojë që një opinion i ndryshëm të mos çojë në grindje. Madje, përgjigjja jote e butë e me respekt mund t’i nxitë disa të ndryshojnë mendim për ne dhe për të vërtetat e Biblës. ‘Ji gjithnjë gati t’i mbrosh’ bindjet e tua «me butësi dhe respekt të thellë». (1 Pjet. 3:15) Butësia le të jetë forca jote!

KËNGA 88 Më mëso udhët e tua

a Në këtë artikull jepen sugjerime se si mund t’i mbrojmë bindjet tona me butësi kur na provokojnë ose na sulmojnë me fjalë.

b Për sugjerime praktike, shih artikullin «Ç’thotë Bibla për homoseksualizmin?» te revista Zgjohuni! nr. 4 2016.

c Mund të gjesh sugjerime të dobishme te siti jw.org në seritë «Të rinjtë pyesin» dhe «Pyetje që bëhen më shpesh për Dëshmitarët e Jehovait».