ARTIKULLI I STUDIMIT 37
Mbështetu te Jehovai, ashtu si Samsoni
«O Zotëri Sovran Jehova, të lutem, kujtohu për mua! Të lutem, o Perëndi, më jep forcë!»—GJYK. 16:28.
KËNGA 30 Perëndia, Ati dhe Miku im
PËRMBLEDHJE a
1-2. Pse duhet ta studiojmë me interes historinë e Samsonit?
ÇFARË të vjen ndër mend kur dëgjon emrin Samson? Ka shumë të ngjarë që mendon për një burrë me fuqi të paparë. Dhe ashtu ishte. Mirëpo Samsoni mori një vendim të pamend që i solli shumë vuajtje. Gjithsesi, Jehovai u përqendrua te gjithë ato raste kur Samsoni ishte treguar besnik. Dhe shembullin e besnikërisë së tij e ruajti në Bibël për dobinë tonë.
2 Jehovai e përdori Samsonin që të bënte gjëra të mahnitshme për të ndihmuar popullin e Tij të zgjedhur, Izraelin. Shekuj pas vdekjes së Samsonit, Jehovai frymëzoi apostullin Pavël që ta përfshinte emrin e Samsonit në një listë me shërbëtorë të tij që kishin shfaqur besim të jashtëzakonshëm. (Hebr. 11:32-34) Shembulli i Samsonit mund të na inkurajojë. Ai u mbështet te Jehovai edhe në rrethana të vështira. Le të shohim si mund të marrim zemër dhe të nxjerrim mësime praktike nga shembulli i tij.
SAMSONI U MBËSHTET TE JEHOVAI
3. Çfarë caktimi mori Samsoni?
3 Kur lindi Samsoni, izraelitët ishin nën sundimin e filistinëve që i shtypnin. (Gjyk. 13:1) Kombi vuante shumë për shkak të mizorisë së tyre. Jehovai zgjodhi Samsonin që ‘të merrte përsipër ta shpëtonte Izraelin nga duart e filistinëve’. (Gjyk. 13:5) Çfarë detyre e vështirë! Që ta kryente atë caktim sfidues, Samsoni duhej të mbështetej te Jehovai.
4. Si e ndihmoi Jehovai Samsonin që të shpëtonte nga filistinët? (Gjykatësit 15:14-16)
4 Të shohim një shembull se si u mbështet Samsoni te Jehovai dhe si e ndihmoi Ai. Në një rast, forcat ushtarake të filistinëve shkuan ta zinin rob Samsonin në Lehi, që me sa duket ndodhej në Judë. Burrat e Judës u trembën, prandaj vendosën t’ia dorëzonin Samsonin armiqve. Kështu bashkatdhetarët e vet e lidhën mirë me dy litarë të rinj dhe ia çuan filistinëve. (Gjyk. 15:9-13) Mirëpo, «fryma e Jehovait i dha fuqi» Samsonit dhe ai u çlirua nga litarët. Pastaj «gjeti nofullën e një gomari të ngordhur», e mori dhe me të vrau 1.000 filistinë.—Lexo Gjykatësit 15:14-16.
5. Çfarë tregon për besimin e Samsonit fakti që përdori një nofull gomari?
5 Sa e çuditshme të përdorje një nofull gomari si armë! Po pse përdori diçka të tillë Samsoni? Pa dyshim, ai e dinte se suksesi varej nga Jehovai, jo nga arma që kishte në dorë. Kështu ai njeri besnik përdori çfarë pati në dispozicion për të kryer vullnetin e Jehovait. Është e qartë se fitorja e madhe e Samsonit ishte rezultat i mbështetjes me besim te Jehovai.
6. Çfarë mund të mësojmë nga Samsoni ndërsa përmbushim një caktim nga Perëndia?
6 Edhe ne mund të marrim forcë nga Jehovai për të kryer çdo caktim që na jep, edhe atëherë kur na duket i papërballueshëm. E Perëndia mund ta na ndihmojë në një mënyrë që do të na surprizojë. Ki besim se Jehovai, Ai që i dha fuqi Samsonit, do të të ndihmojë të kryesh vullnetin e Tij për sa kohë mbështetesh tek Ai për ndihmë.—Prov. 16:3.
7. Cili shembull tregon se është e rëndësishme të kërkojmë drejtimin e Jehovait?
7 Shumë vëllezër e motra që ndihmojnë në projekte ndërtimi teokratike kanë treguar besim te Jehovai. Në të kaluarën, vëllezërit i projektonin dhe i ndërtonin vetë shumicën e Sallave të Mbretërisë dhe godinave të tjera. Por me kohë, ndërsa organizata e Jehovait rritej, lindi nevoja për një ndryshim. Vëllezërit përgjegjës kërkuan drejtimin e Jehovait dhe përdorën metoda të reja, si për shembull blinin ndërtesa dhe i rinovonin. «Në fillim, disa nuk e patën të lehtë të ndiqnin këtë metodë të re»,—thotë Roberti, që vitet e fundit ka punuar në shumë projekte ndërtimi përreth botës. Ai shton: «Kjo ndryshonte shumë nga mënyra si i kishim bërë gjërat për vite me radhë. Megjithatë, vëllezërit ishin të gatshëm të përshtateshin, dhe kemi parë qartë se Jehovai po i bekon këto ndryshime.» Ky është vetëm një shembull si po e drejton Jehovai popullin e tij për të bërë vullnetin e tij. Të gjithë bëjmë mirë të pyesim veten herë pas here: «A kërkoj drejtimin e Jehovait dhe a vazhdoj të përshtatem që t’i shërbej sa më mirë?»
SAMSONI SHFRYTËZOI ÇDO NDIHMË NGA JEHOVAI
8. Çfarë bëri Samsoni në një rast kur e mori shumë etja?
8 Ka të ngjarë që të vijnë ndër mend edhe bëma të tjera të mahnitshme që kreu Samsoni. Krejt i vetëm, ai mundi një luan dhe më vonë vrau 30 burra në qytetin filistin të Ashkelonit. (Gjyk. 14:5, 6, 19) Samsoni e dinte se nuk mund t’i bënte dot kurrë gjëra të tilla pa ndihmën e Jehovait. Kjo u pa qartë në një rast kur e mori shumë etja pasi kishte vrarë 1.000 filistinë. Çfarë bëri Samsoni? Në vend që të mbështetej te forcat ose te mendja e vet për të gjetur ujë, ai i thirri Jehovait për ndihmë.—Gjyk. 15:18.
9. Si iu përgjigj Jehovai përgjërimit të Samsonit për ndihmë? (Gjykatësit 15:19)
9 Jehovai iu përgjigj thirrjes së Samsonit për ndihmë duke siguruar ujë me anë të një mrekullie. Kur piu nga ai burim uji, Samsonit «iu kthyen fuqitë dhe e mori veten». (Lexo Gjykatësit 15:19.) Me sa duket, ai burim ekzistonte akoma vite më vonë kur Perëndia frymëzoi profetin Samuel të shkruante librin e Gjykatësve. Kur shihnin ujin që rridhte prej atij burimi, izraelitët mund të kujtonin se Jehovai u vjen në ndihmë shërbëtorëve të tij besnikë sa herë që janë në vështirësi.
10. Ç’duhet të bëjmë që të përfitojmë nga ndihma që siguron Jehovai? (Shihni edhe figurën.)
10 Pavarësisht nga talentet, aftësitë ose gjërat që kemi bërë në shërbim të Jehovait, edhe ne duhet t’i mbajmë sytë tek ai për ndihmë. Me modesti, duhet të pranojmë se suksesi i vërtetë arrihet vetëm kur mbështetemi te Jehovai. Ashtu si Samsoni që iu përtërinë forcat kur piu ujin që i siguroi Jehovai, edhe neve na forcohet besimi kur shfrytëzojmë çdo ndihmë që na siguron Jehovai.—Mat. 11:28.
11. Si mund të nxjerrim dobi plotësisht nga ndihma e Jehovait? Jepni një shembull.
11 Të mendojmë për shembullin e Alekseit, një nga vëllezërit tanë në Rusi që po duron përndjekje të egra. Çfarë e ka ndihmuar të qëndrojë i fortë në rrethana tepër stresuese? Ai dhe e shoqja kanë një program të mirë për studimin e Biblës dhe adhurimin. Aleksei thotë: «Bëj çmos të forcoj miqësinë me Jehovain duke pasur një studim të rregullt personal dhe duke lexuar Biblën çdo ditë. Çdo mëngjes, të dy diskutojmë së bashku shkrimin e ditës dhe i lutemi Jehovait.» Ç’na mëson shembulli i tij? Që të mos mbështetemi te vetja, por te Jehovai. Si ta bëjmë këtë? Duke forcuar vazhdimisht besimin nëpërmjet një programi të mirë për studimin e Biblës dhe aktivitetet teokratike. Atëherë Jehovai do t’i bekojë pa kursim përpjekjet tona për t’i shërbyer. Ai i dha fuqi Samsonit, e patjetër do të na japë fuqi edhe neve.
SAMSONI NUK U DORËZUA
12. Çfarë vendimi të gabuar mori Samsoni, dhe si ndryshonte ky nga rastet e mëparshme?
12 Samsoni ishte i papërsosur si ne, prandaj bëri edhe disa zgjedhje të pamenda. Sidomos një nga vendimet që mori, solli pasoja tragjike. Pasi kishte shërbyer njëfarë kohe si gjykatës, Samsoni «ra në dashuri me një grua nga lugina e Sorekut, që quhej Delila». (Gjyk. 16:4) Më parë, Samsoni ishte fejuar me një grua filistine, por ajo lidhje «vinte nga Jehovai», i cili «po kërkonte shkas kundër filistinëve». Më vonë, Samsoni ndenji në shtëpinë e një prostitute në qytetin filistin të Gazës. Në atë rast, Perëndia i dha fuqi Samsonit që të hiqte dyert e portës së qytetit, e kështu dobësoi sistemin mbrojtës të qytetit. (Gjyk. 14:1-4; 16:1-3) Megjithatë, rasti i Delilës mund të ketë qenë ndryshe, sepse ajo ka të ngjarë të ishte izraelite dhe Samsoni veproi me kokën e vet.
13. Si i manovroi gjërat Delila për ta futur në kurth Samsonin?
13 Delila pranoi një shumë të majme parash nga filistinët për ta tradhtuar Samsonin. A ishte vërtet Samsoni aq naiv, aq i verbuar nga dashuria, sa nuk e nuhati ç’po kurdiste Delila? Sido të ketë qenë, Delila ia plaste shpirtin ditë pas dite Samsonit që t’i tregonte burimin e fuqisë së tij, e si përfundim ai u dorëzua para presionit. Mjerisht, Samsoni lejoi ta futnin në një situatë e cila bëri të humbte për njëfarë kohe fuqinë e tij dhe miratimin e Jehovait.—Gjyk. 16:16-20.
14. Çfarë pasojash pati Samsoni ngaqë i besoi Delilës?
14 Samsoni vuajti pasoja të hidhura ngaqë i besoi Delilës, jo Jehovait. Filistinët e zunë rob, e verbuan dhe e burgosën në Gazë, në qytetin që Samsoni më parë e kishte poshtëruar. Atje e vunë të bluante grurë si skllav. Pastaj, filistinët e poshtëruan Samsonin kur u mblodhën për një festë. Ata i bënë një flijim të madh perëndisë së tyre të rremë, Dagonit, sepse besonin që ua kishte dhënë ai në dorë Samsonin. Filistinët e nxorën nga burgu ‘që t’i argëtonte ca’, domethënë që të talleshin me të.—Gjyk. 16:21-25.
15. Si e tregoi Samsoni se po mbështetej prapë te Jehovai? (Gjykatësit 16:28-30) (Shihni figurën e kopertinës.)
15 Samsoni kishte bërë një gabim të rëndë. Megjithatë nuk u dorëzua. Ai kërkoi një mundësi që ta përmbushte caktimin që i kish dhënë Perëndia për të mundur filistinët. (Lexo Gjykatësit 16:28-30.) Samsoni iu përgjërua Jehovait: «Lërmë të hakmerrem kundër filistinëve». Perëndia i vërtetë iu përgjigj lutjes së Samsonit dhe ia ktheu fuqinë e tij të jashtëzakonshme. Si rezultat, fitorja që korri në atë rast Samsoni ishte më e madhe se gjithë fitoret e tjera kundër filistinëve.
16. Ç’mund të mësojmë nga gabimi i Samsonit?
16 Ndonëse po vuante pasojat e hidhura të gabimit të vet, Samsoni nuk i rreshti përpjekjet për të bërë vullnetin e Jehovait. Edhe nëse bëjmë një gabim për shkak të të cilit marrim një korrigjim ose humbim një privilegj, nuk duhet të dorëzohemi. Të mos harrojmë se Jehovai nuk dorëzohet duke na parë si të pandryshueshëm. (Psal. 103:8-10) Pavarësisht nga gabimet tona, Jehovai prapë mund të na japë fuqi të bëjmë vullnetin e tij, siç i dha fuqi Samsonit.
17-18. Si të inkurajon shembulli i Majkëllit? (Shihni edhe figurën.)
17 Të shohim shembullin e një vëllai të ri që quhet Majkëll. Ai përfshihej me zell në aktivitetet teokratike, duke shërbyer si shërbëtor kongregacioni dhe si pionier i rregullt. Por mjerisht bëri një gabim, e si pasojë i humbi privilegjet në kongregacion. Ai thotë: «Deri në atë moment, po ecja përpara me vrull në shërbim të Jehovait. Kur krejt papritur, m’u duk sikur gjendesha para një muri të pakapërcyeshëm. Nuk më shkoi kurrë ndër mend se Jehovai do të më braktiste. Megjithatë vrisja mendjen nëse miqësia ime me të do të kthehej ndonjëherë si më parë a nëse një ditë do të arrija t’i shërbeja si dikur.»
18 Gjithsesi, Majkëlli është një shembull i mirë sepse nuk u dorëzua. Ai shton: «I përqendrova të gjitha forcat që të rimëkëmbja marrëdhënien me Jehovain, duke e bërë zakon t’i zbrazja zemrën në lutje, të studioja dhe të meditoja.» Me kohë, Majkëlli rifitoi një emër të mirë në kongregacion. Sot shërben si plak dhe si pionier i rregullt. Ai thotë: «Mbështetja dhe inkurajimi që mora, sidomos nga pleqtë, më ndihmoi të kuptoja se Jehovai më do akoma. Tani mund të shërbej prapë në kongregacion me ndërgjegje të pastër. Kjo përvojë më ka mësuar se Jehovai fal këdo që pendohet vërtet. Të jemi të sigurt se, edhe nëse kemi gabuar, Jehovai do të na përdorë e do të na bekojë për sa kohë që përpiqemi fort të ndërrojmë rrugë dhe vazhdojmë të mbështetemi tek ai.—Psal. 86:5; Prov. 28:13.
19. Çfarë sigurie të jep shembulli i Samsonit?
19 Në këtë artikull rishikuam disa ngjarje mbresëlënëse nga jeta e Samsonit. Vërtet, ai nuk ishte i përsosur. Ama vazhdoi t’i shërbente Jehovait pa u dorëzuar, edhe pas gabimit me Delilën. E Jehovai nuk u dorëzua duke e parë si të pashpresë, por e përdori prapë Samsonin për një vepër të jashtëzakonshme. Jehovai e shihte ende si një burrë me besim të madh, ndaj e përfshiu në listën e besnikëve që gjejmë te kapitulli 11 i Hebrenjve. Sa zemërdhënëse është që i shërbejmë një Ati kaq të dashur që mezi pret të na japë forcë, sidomos kur jemi të dobët! Ashtu si Samsoni, le t’i përgjërohemi edhe ne Jehovait: «Të lutem, kujtohu për mua! Të lutem, o Perëndi, më jep forcë!»—Gjyk. 16:28.
KËNGA 3 Jehova, ti më jep forcë, shpresë dhe siguri
a Samson—emri i këtij personazhi të Biblës është i mirënjohur, madje edhe për ata që nuk kanë shumë njohuri nga Shkrimet. Historia e tij është treguar në drama, në këngë e në filma. Ama ajo nuk është thjesht një histori interesante. Mund të mësojmë shumë nga ky burrë me besim të fortë.