Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 40

Mund të ecësh para pa u dorëzuar, ashtu si Pjetri

Mund të ecësh para pa u dorëzuar, ashtu si Pjetri

«Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!»—LUKA 5:8.

KËNGA 38 Jehovai të jep fuqi

PËRMBLEDHJE a

1. Si reagoi Pjetri kur zuri shumë peshq falë një mrekullie?

 PJETRI kishte peshkuar gjithë natën dhe nuk kishte zënë gjë. Por për çudi, Jezui i tha: «Shkoni thellë dhe hidhini atje rrjetat që të zini peshk.» (Luka 5:4) Ndonëse dyshonte në do të kapte gjë, Pjetri bëri siç i tha Jezui. Atëherë zunë aq shumë peshq, sa rrjetat filluan të shqyheshin. Pjetri dhe ata që punonin me të «u shtangën nga habia», sepse e kuptuan se kishin parë një mrekulli. E Pjetri tha: «Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!» (Luka 5:6-9) Me sa duket, Pjetri nuk ndihej i denjë as të rrinte pranë Jezuit.

2. Pse nxjerrim dobi nga shqyrtimi i shembullit të Pjetrit?

2 Pjetri kishte të drejtë kur tha «jam njeri mëkatar». Shkrimet tregojnë se ndonjëherë ai thoshte e bënte gjëra për të cilat bëhej pishman më vonë. A ndihesh ndonjëherë si Pjetri? A po lufton me ndonjë të metë ose prirje të gabuar që nxjerr kokë vazhdimisht? Nëse po, studimi i shembullit të Pjetrit mund të të japë zemër. Pse? Mendo për këtë: Jehovai mund të mos i kishte përmendur fare në Bibël të metat e Pjetrit. Por i përfshiu në Shkrime që të mësojmë prej tyre. (2 Tim. 3:16, 17) Shqyrtimi i shembullit të këtij burri që kishte dobësi dhe ndjenja si tonat mund të na ndihmojë të kuptojmë se Jehovai nuk pret përsosmëri nga ne. Ai dëshiron të mos dorëzohemi, por të përpiqemi me ngulm, pavarësisht nga dobësitë tona.

3. Pse nuk duhet të dorëzohemi?

3 Pse duhet të ngulmojmë e të mos dorëzohemi? Një shprehje thotë se «praktika të bën mjeshtër». Ta ilustrojmë: një muzikanti mund t’i duhen vite të tëra që ta zotërojë instrumentin. Gjatë asaj kohe, mund të luajë gabim me mijëra nota, por nëse vazhdon të praktikohet, do të përmirësohet. Ama, edhe po të bëhet muzikant i zoti, mund të bëjë gabime tek-tuk. Prapëseprapë vazhdon të punojë që të përmirësohet pa u dorëzuar. Në mënyrë të ngjashme, ne ndoshta e kemi mposhtur një dobësi, por mund të ndodhë që të rrëzohemi prapë. Gjithsesi vazhdojmë të punojmë që të përmirësohemi. Të gjithë themi ose bëjmë gjëra për të cilat ndihemi keq më vonë. Ama, nëse nuk dorëzohemi, Jehovai do të na ndihmojë të vazhdojmë të ecim para. (1 Pjet. 5:10) Le të shqyrtojmë shembullin e Pjetrit që nuk u dorëzua. Dhembshuria që i tregoi Jezui Pjetrit pavarësisht nga të metat e tij mund të na japë zemër të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait.

BETEJAT DHE BEKIMET E PJETRIT

Si do të reagoje në një situatë të ngjashme me atë të Pjetrit? (Shih paragrafin 4)

4. Sipas Lukës 5:5-10, si e përshkroi veten Pjetri, por çfarë sigurie i dha Jezui?

4 Shkrimet nuk e thonë pse Pjetri e quajti veten «njeri mëkatar» ose çfarë mëkatesh i erdhën në mendje. (Lexo Lukën 5:5-10.) Por ai mund të kishte bërë disa gabime të rënda. Jezui e kuptoi se Pjetri ishte i frikësuar, një frikë që ndoshta vinte nga fakti që ndihej i padenjë. Ama Jezui e dinte se Pjetri mund të qëndronte besnik. Prandaj me dashuri, i tha: «Mos ki më frikë.» Besimi që tregoi Jezui tek ai i ndryshoi gjithë jetën Pjetrit. Më vonë, bashkë me të vëllanë, Andrean, e la biznesin e peshkimit dhe shërbeu në kohë të plotë përkrah Jezuit—një vendim që solli bekime mbresëlënëse.—Mar. 1:16-18.

5. Çfarë bekimesh gëzoi Pjetri ngaqë i mposhti ndjenjat negative dhe pranoi ftesën e Jezuit?

5 Pjetri pati shumë përvoja të mrekullueshme si dishepull i Krishtit. Ai pa Jezuin të shëronte të sëmurë, të dëbonte demonë, e madje të ringjallte të vdekur. b (Mat. 8:14-17; Mar. 5:37, 41, 42) Gjithashtu, Pjetri pa në një vegim lavdinë që do të kishte Jezui si Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë, një ngjarje që i la mbresa të pashlyeshme. (Mar. 9:1-8; 2 Pjet. 1:16-18) Pjetri pa gjëra që nuk do t’i kishte imagjinuar kurrë. Sa i lumtur do të ketë qenë që nuk i lejoi ndjenjat negative për veten ta pengonin t’i shijonte ato bekime!

6. A i mposhti menjëherë Pjetri dobësitë e tij? Shpjegoni.

6 Me gjithë gjërat e mahnitshme që kishte parë e dëgjuar, Pjetri vazhdonte të luftonte me dobësitë e tij. Mendo për këto raste. Kur Jezui i shpjegoi se do të vuante e do të vdiste ashtu siç thoshin profecitë e Biblës, Pjetri e qortoi. (Mar. 8:31-33) Pjetri dhe apostujt e tjerë debatuan sa e sa herë se kush ishte më i madhi. (Mar. 9:33, 34) Natën para se te vdiste Jezui, Pjetri impulsiv i preu veshin një burri. (Gjoni 18:10) Po atë natë, Pjetrin e vuri poshtë frika dhe mohoi tri herë se e njihte mikun e tij, Jezuin. (Mar. 14:66-72) Pas kësaj, Pjetri qau me dënesë.—Mat. 26:75.

7. Pasi u ringjall, çfarë mundësie i dha Jezui Pjetrit?

7 Jezui nuk hoqi dorë nga apostulli i tij zemërlëshuar. Pasi u ringjall, Jezui i dha mundësi Pjetrit t’i përsëriste sa shumë e donte. Ai e ftoi të shërbente me përulësi si bari për delet e tij. (Gjoni 21:15-17) Pjetri e pranoi ftesën me gatishmëri. Kështu, ai ishte në Jerusalem në Festën e Ditës së Pesëdhjetë dhe qe ndër të parët që u mirosën me frymë të shenjtë.

8. Çfarë gabimi të rëndë bëri Pjetri në Antioki?

8 Edhe pasi u bë i mirosur, Pjetrit i duhej të luftonte me dobësitë e tij. Në vitin 36 të e.s., Pjetri ishte i pranishëm në rastin kur Korneli, një jojude i parrethprerë, u miros me frymë të shenjtë. Kjo ishte provë e qartë se «Perëndia nuk është i anshëm» dhe se jojudenjtë mund të bëheshin pjesë e kongregacionit të krishterë. (Vep. 10:34, 44, 45) Pas kësaj, Pjetri filloi të hante pa problem me jojudenjtë, gjë që s’do ta kishte bërë kurrë më parë. (Gal. 2:12) Megjithatë, disa të krishterë judenj mendonin se judenjtë dhe njerëzit e kombeve nuk duhej të hanin së bashku. Kur disa përkrahës të asaj ideje shkuan në Antioki, Pjetri nuk hante më me vëllezërit e tij jojudenj, ndoshta nga frika se mos ofendonte të krishterët judenj. Apostullit Pavël i ra në sy ajo hipokrizi dhe e qortoi Pjetrin para të gjithëve. (Gal. 2:13, 14) Edhe pse bëri atë gabim të rëndë, Pjetri nuk u dorëzua. Çfarë e ndihmoi?

ÇFARË E NDIHMOI PJETRIN TË MOS DORËZOHEJ?

9. Si e tregoi në një rast Pjetri se ishte besnik? (Gjoni 6:68, 69)

9 Pjetri ishte besnik; ai nuk lejoi asgjë që ta bënte të dorëzohej përfundimisht. Në një rast, e tregoi besnikërinë kur Jezui tha diçka që dishepujt nuk e kuptuan. (Lexo Gjonin 6:68, 69.) Shumë veta nuk pritën e as kërkuan që Jezui të jepte një shpjegim, por vendosën të mos e ndiqnin më. Ama Pjetri nuk ishte mes tyre. Ai pranoi se vetëm Jezui kishte «fjalë që të çojnë në jetën e përhershme».

Pse të jep zemër besimi që kishte Jezui te Pjetri? (Shih paragrafin 10)

10. Si e tregoi Jezui se kishte besim te Pjetri? (Shihni edhe figurën.)

10 Jezui nuk e braktisi Pjetrin. Natën e fundit të jetës së tij në tokë, Jezui e dinte se Pjetri dhe apostujt e tjerë do ta braktisnin. Sidoqoftë shprehu sigurinë se Pjetri do ta merrte veten nga kjo e do të qëndronte besnik. (Luka 22:31, 32) Jezui e kuptonte se «zemra është gati, por trupi është i dobët». (Mar. 14:38) Prandaj, edhe pasi Pjetri mohoi se e njihte, Jezui nuk hoqi dorë nga apostulli i tij. Pasi u ringjall, ai iu shfaq Pjetrit—me sa duket kur Pjetri ishte vetëm. (Mar. 16:7; Luka 24:34; 1 Kor. 15:5) Sa shumë duhet t’i ketë dhënë zemër kjo apostullit të shkurajuar!

11. Si e siguroi Jezui Pjetrin se Jehovai do ta mbështeste?

11 Jezui e siguroi Pjetrin se Jehovai do ta mbështeste. Me anë të një mrekullie, Jezui i ringjallur bëri që Pjetri dhe apostujt e tjerë të kapnin përsëri shumë peshq. (Gjoni 21:4-6) Pa diskutim, ajo mrekulli ia forcoi besimin Pjetrit se për Jehovain ishte fare e lehtë t’i siguronte gjërat e nevojshme materiale. Ndoshta në atë rast, apostullit iu kujtuan fjalët e Jezuit se Jehovai u siguron gjërat e nevojshme atyre që ‘vazhdojnë të kërkojnë në radhë të parë Mbretërinë’. (Mat. 6:33) E gjithë kjo e ndihmoi Pjetrin t’i jepte përparësi në jetë shërbimit, jo biznesit të peshkimit. Plot guxim, ai dha dëshmi në Festën e Ditës së Pesëdhjetë më 33 të e.s., duke ndihmuar mijëra veta të pranonin lajmin e mirë. (Vep. 2:14, 37-41) Më vonë, ndihmoi samaritanët dhe jojudenjtë të bëheshin dishepuj të Krishtit. (Vep. 8:14-17; 10:44-48) Pa dyshim, Jehovai e përdori Pjetrin për një vepër madhështore—që të ndihmonte njerëz të çdo lloji të bëheshin pjesë e kongregacionit.

MËSIME PËR NE

12. Si mund të na ndihmojë shembulli i Pjetrit nëse luftojmë pareshtur me një dobësi?

12 Jehovai mund të na ndihmojë të mos dorëzohemi. Ndonjëherë mund ta kemi të vështirë të ecim para, sidomos nëse luftojmë vazhdimisht me një dobësi. Hera-herës, dobësitë tona mund të na duken më sfiduese sesa ato të Pjetrit. Por Jehovai mund të na japë forcë që të mos dorëzohemi. (Psal. 94:17-19) Për shembull, para se të merrte të vërtetën, një vëlla kishte jetuar si homoseksual për shumë vjet. Por me vendosmëri, i flaku tej ato praktike imorale. Megjithatë, prapë luftonte herë pas here me dëshirat e gabuara. Çfarë e ndihmoi të ngulmonte e të mos dorëzohej? Ai shpjegon: «Jehovai na jep forcë.» Pastaj shton: «Ai na ndihmon me frymën e tij . . . , ndaj kam kuptuar se është e mundur të vazhdojmë të ecim në udhën e së vërtetës . . . Jehovai më ka përdorur dhe, pavarësisht nga papërsosmëritë e mia, më jep forcë vazhdimisht.»

Horst Hensheli nisi shërbimin në kohë të plotë më 1 janar 1950. A mendon se u bë pishman që ia kushtoi gjithë jetën shërbimit të Jehovait? (Shih paragrafët 13, 15) d

13. Si mund ta imitojmë shembullin e Pjetrit? (Veprat 4:13, 29, 31) (Shihni edhe figurën.)

13 Siç e kemi parë, Pjetrin e mposhti disa herë frika nga njeriu. Por pasi i lutej Jehovait për guxim, ia dilte ta mposhte frikën. (Lexo Veprat 4:13, 29, 31.) Edhe ne mund t’ia dalim. Të marrim shembullin e Horstit, një vëlla i ri që jetonte në Gjermaninë naziste. Në disa raste, ai iu dorëzua presionit në shkollë për të thënë «Hail Hitler!» Në vend që ta qortonin, prindërit e Horstit luteshin me të dhe i kërkonin Jehovait t’i jepte guxim. Me ndihmën e prindërve dhe duke u mbështetur te Jehovai, dalëngadalë Horsti mori forcë që të qëndronte i palëkundur. Kohë më vonë, ai tha: «Jehovai nuk më braktisi kurrë». c

14. Si mund t’u japin zemër barinjtë e dashur atyre që janë të shkurajuar?

14 Jehovai dhe Jezui nuk do të heqin dorë nga ne. Pasi mohoi Krishtin, Pjetri gjendej para një udhëkryqi të vështirë në jetë. Ç’do të bënte: do të dorëzohej apo do të vazhdonte të ishte dishepull i Krishtit? Jezui i ishte përgjëruar Jehovait që Pjetrit të mos i mpakej besimi. Ai i tregoi Pjetrit për ato lutje dhe shprehu besimin se më vonë Pjetri do të ishte në gjendje të forconte vëllezërit. (Luka 22:31, 32) Kushedi sa i ngrohej zemra Pjetrit kur kujtonte fjalët e Jezuit! Kur gjendemi para një udhëkryqi në jetë, Jehovai mund të përdorë barinjtë e dashur për të na dhënë inkurajimin e nevojshëm që të qëndrojmë besnikë. (Efes. 4:8, 11) Një nga këta barinj të dhembshur është Poli, që shërben si plak prej vitesh. Kur dikush është gati të dorëzohet, ai i kërkon të reflektojë se si e tërhoqi Jehovai drejt së vërtetës. Pastaj e siguron se dashuria besnike nuk e lë Jehovain të heqë dorë prej tij. Poli thotë: «Kam parë shumë të shkurajuar që, falë ndihmës së Jehovait, kanë ecur para pa u dorëzuar.»

15. Si e tregon shembulli i Pjetrit dhe ai i Horstit sa të vërteta janë fjalët e Mateut 6:33?

15 Ashtu siç u siguroi gjërat e nevojshme materiale Pjetrit dhe apostujve të tjerë, Jehovai do të kujdeset të kemi ç’na nevojitet nëse i japim përparësi në jetë shërbimit. (Mat. 6:33) Pas Luftës II Botërore, Horsti, që u përmend më sipër, po mendonte të bëhej pionier. Mirëpo ishte shumë i varfër dhe dyshonte nëse mund ta mbante veten ndërsa shërbente në kohë të plotë. Çfarë do të bënte? Ai vendosi ta vinte në provë Jehovain dhe e kaloi gjithë javën në shërbim gjatë vizitës së mbikëqyrësit qarkor. Në fund të javës, mbeti gojëhapur kur mbikëqyrësi qarkor i dha një zarf nga një dhurues anonim. Zarfi kishte aq para sa t’i mjaftonin për disa muaj në shërbimin si pionier. Horsti e pa këtë dhuratë si një siguri se Jehovai do ta mbështeste. E gjatë gjithë jetës, ai vuri në vend të parë Mbretërinë.—Mal. 3:10.

16. Pse është e dobishme të mësojmë më shumë për Pjetrin dhe për letrat e tij të frymëzuara?

16 Sa i lumtur do të ketë qenë Pjetri që Jezui nuk u largua prej tij, siç i kishte kërkuar ai! Krishti vazhdoi ta stërviste Pjetrin që të ishte një apostull besnik dhe një shembull i shkëlqyer për të krishterët. Nga stërvitja që mori Pjetri, të gjithë mund të nxjerrim mësime të çmuara. Disa prej tyre dhe mësime të tjera, Pjetri i përfshiu në dy letrat e frymëzuara që u shkroi kongregacioneve në shekullin e parë. Në artikullin tjetër do të shohim disa mësime nga këto letra dhe si mund të na ndihmojnë sot.

KËNGA 126 Rri syçelë, i fuqishëm, i patundur

a Ky artikull ka për qëllim t’i sigurojë ata që luftojnë me dobësitë e tyre se mund t’i mposhtin dhe mund të ecin para pa u dorëzuar si shërbëtorë besnikë të Jehovait.

b Shumë nga shkrimet e këtij artikulli janë nga Ungjilli i Markut. Me sa duket, ai dokumentoi atë që kishte dëgjuar nga Pjetri, i cili kishte qenë dëshmitar okular i ngjarjeve.

c Shih jetëshkrimin e Horst Henshelit, «I motivuar nga besnikëria e familjes sime ndaj Perëndisë», në revistën Zgjohuni! të shkurtit 1998.

d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Siç tregohet në këtë inskenim, prindërit e Horst Henshelit luteshin me të dhe i dhanë forcë që të qëndronte i palëkundur.