Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 38

Të rinj, a do të keni sukses në jetë?

Të rinj, a do të keni sukses në jetë?

«Aftësia dalluese do të të mbrojë.»—PROV. 2:11.

KËNGA 135 Ftesa e përzemërt e Jehovait: «Ji i mençur, biri im!»

PËRMBLEDHJE a

1. Në çfarë situate të vështirë u ndodhën Jehoasi, Uziahu dhe Josia?

 SI DO të ndiheshe po të ishe bërë mbret i popullit të Perëndisë në moshë shumë të re? Si do ta përdorje pushtetin ose autoritetin? Në Bibël flitet për disa të rinj që u bënë mbretër në Judë. Për shembull, Jehoasi u bë mbret kur ishte vetëm 7 vjeç, Uziahu kur ishte 16 vjeç dhe Josia kur ishte 8 vjeç. Imagjino sa të vështirë do ta kenë pasur! Gjithsesi, ata të rinj kishin gjithë ndihmën që u duhej për të përballuar sfidat e për të bërë shumë të mira në jetë.

2. Pse duhet t’i kushtojmë vëmendje shembullit të Jehoasit, të Uziahut dhe të Josisë?

2 Ne nuk jemi mbretër ose mbretëresha, por mund të nxjerrim mësime të vyera nga jeta e Jehoasit, e Uziahut dhe e Josisë. Ata morën vendime të mira, por edhe të këqija. Nga shembulli i tyre do të mësojmë pse duhet të zgjedhim miq të mirë, të qëndrojmë të përulur dhe të vazhdojmë të afrohemi me Jehovain.

ZGJIDH MIQ TË MIRË

Ne sot mund ta ndjekim shembullin e Jehoasit duke ua vënë veshin miqve të mirë (Shih paragrafët 3, 7) c

3. Si e ndihmoi kryeprifti Jehojada mbretin Jehoas të merrte vendime të mençura?

3 Mëso nga vendimet e mençura të Jehoasit. Në moshë të re, mbreti Jehoas mori një vendim të mençur. Meqë s’e kishte të atin, ai ndoqi drejtimin e kryepriftit besnik Jehojada. Jehojada e mësoi Jehoasin si ta kishte birin e vetë. Si rezultat, Jehoasi vendosi me mençuri të merrte drejtimin në adhurimin e pastër e t’i shërbente Jehovait. Jehoasi madje mori masa që të meremetohej tempulli i Jehovait.—2 Kron. 24:1, 2, 4, 13, 14.

4. Çfarë dobish vijnë kur i çmojmë urdhërimet e Jehovait? (Proverbat 2:1, 10-12)

4 Nëse prindërit ose dikush tjetër po të mësojnë ta duash Jehovain dhe të jetosh sipas normave të tij, po të bëjnë një dhuratë të çmuar. (Lexo Proverbat 2:1, 10-12.) Prindërit mund të të stërvitin në shumë mënyra. Ja si e ndihmoi i ati një motër që quhet Katja që të merrte vendime të mençura. Çdo ditë, kur i ati e çonte në shkollë, diskutonin bashkë për shkrimin e ditës. Katja thotë: «Ato biseda më ndihmonin të përballoja situata të vështira që dilnin gjatë ditës.» Po nëse drejtimi nga Shkrimet që të japin prindërit të duket sikur po të ndrydh? Çfarë mund të të ndihmojë t’u bindesh? Një motër që quhet Anastasia kujton se prindërit e saj shpenzonin kohë për t’i shpjeguar pse vendosnin disa rregulla. Ajo thotë: «Kjo më ndihmoi t’i shihja kufijtë që vendosnin jo thjesht si kufizime, por si një mbrojtje të dashur.»

5. Si do të ndikojnë veprimet e tua te prindërit dhe te Jehovai? (Proverbat 22:6; 23:15, 24, 25)

5 Nëse i vë në jetë këshillat nga Shkrimet, do t’i lumturosh prindërit. E mbi të gjitha, do t’i gëzosh zemrën Perëndisë e do të forcosh miqësinë me të. (Lexo Proverbat 22:6; 23:15, 24, 25.) A nuk janë këto arsye të vlefshme për të imituar shembullin që la Jehoasi në moshë të re?

6. Këshillat e kujt nisi të dëgjonte Jehoasi, dhe cilat ishin pasojat? (2 Kronikave 24:17, 18)

6 Nxirr mësime nga vendimet e këqija të Jehoasit. Pas vdekjes së Jehojadës, Jehoasi zgjodhi miq të këqij. (Lexo 2 Kronikave 24:17, 18.) Ai vendosi t’u vinte veshin princave të Judës që nuk e donin Jehovain. Me siguri je dakord që Jehoasi nuk duhej të ishte përzier me ata ngatërrestarë. (Prov. 1:10) Mirëpo, ai i dëgjoi ata të ashtuquajtur miq. E kur kushëriri i vet, Zakaria, e qortoi, Jehoasi urdhëroi ta vrisnin. (2 Kron. 24:20, 21; Mat. 23:35) Çfarë marrëzie e tmerrshme! Jehoasi e nisi mirë, por mjerisht u bë apostat e vrasës. Si përfundim, e vranë shërbëtorët e vet. (2 Kron. 24:22-25) Sa ndryshe do të kishte shkuar jeta e tij sikur të kishte vazhduar të dëgjonte Jehovain dhe ata që e donin Jehovain! Çfarë mësimesh dëshiron të nxjerrësh nga ky shembull?

7. Cilët duhet të zgjedhësh si miq? (Shihni edhe figurën.)

7 Një mësim që mund të nxjerrim nga vendimi i keq i Jehoasit është se kemi nevojë të zgjedhim miq që do të kenë influencë të mirë te ne—miq që e duan Jehovain dhe që duan t’ia gëzojnë zemrën. S’ka pse të kufizohemi te miqtë e moshës sonë. Mos harro, Jehoasi ishte shumë më i ri se miku i tij Jehojada. Bëji këto pyetje vetes për sa i përket miqve që zgjedh: «A më ndihmojnë të forcoj besimin te Jehovai? A më inkurajojnë të jetoj sipas normave të Perëndisë? A flasin për Jehovain dhe të vërtetat e çmuara që na ka zbuluar? A tregojnë respekt për normat e Perëndisë? A më thonë thjesht atë që dua të dëgjoj, apo kanë guxim të më korrigjojnë kur e kam gabim?» (Prov. 27:5, 6, 17) Të flasim hapur, nëse miqtë e tu nuk e duan Jehovain, nuk ke nevojë për ta. Por nëse ke miq që e duan Jehovain, mos u nda prej tyre, sepse do të kenë ndikim të mirë te ti.—Prov. 13:20.

8. Nëse përdorim mediat sociale, çfarë duhet të mbajmë parasysh?

8 Mediat sociale mund të jenë një mënyrë e efektshme për t’u lidhur me familjen e miqtë. Por, shumë njerëz i përdorin këto forma komunikimi për të rënë në sy me foto e video të gjërave që kanë blerë a që kanë bërë. Nëse përdor mediat sociale, pyet veten: «A kam si qëllim t’u lë mbresa të tjerëve? A kam si synim të inkurajoj të tjerët apo të tërheq vëmendjen te vetja? A po i lejoj ata që përdorin këto mjete të influencojnë negativisht te mënyra si mendoj, si flas e si veproj?» Vëlla Nejthën Nori, që shërbeu si anëtar i Trupit Udhëheqës, dha këtë këshillë: «Mos u përpiqni t’u pëlqeni njerëzve, përndryshe nuk do t’i pëlqeni askujt. Pëlqejini Jehovait dhe do t’u pëlqeni të gjithë atyre që e duan Jehovain.»

QËNDRO I PËRULUR

9. Çfarë arriti të bënte Uziahu me ndihmën e Jehovait? (2 Kronikave 26:1-5)

9 Mëso nga vendimet e mira të Uziahut. Në moshë të re, mbreti Uziah ishte i përulur. Ai mësoi «të nderonte thellësisht Perëndinë e vërtetë». E Jehovai e bekoi për pjesën më të madhe të 68 vjetëve të jetës së tij. (Lexo 2 Kronikave 26:1-5.) Uziahu mposhti shumë kombe armike dhe forcoi sistemin mbrojtës të Jerusalemit. (2 Kron. 26:6-15) Me siguri, Uziahu ishte i kënaqur me gjithë gjërat që arriti të bënte falë ndihmës së Perëndisë.—Ekl. 3:12, 13.

10. Si përfundoi Uziahu?

10 Nxirr mësime nga vendimet e këqija të Uziahut. Mbreti Uziah ishte mësuar që të tjerët t’u bindeshin urdhrave të tij. Mos ndoshta nga kjo mendonte se mund të bënte çdo gjë që dëshironte? Një ditë, Uziahu vendosi të hynte në tempullin e Jehovait dhe me kryeneçësi u përpoq të digjte temjan në altar, gjë që nuk u lejohej mbretërve. (2 Kron. 26:16-18) Kryeprifti Azariah e qortoi, por Uziahu u xhindos. Mjerisht, Uziahu i vuri shkelmin emrit të mirë që kishte bërë si shërbëtor besnik, dhe Jehovai e dënoi duke e goditur me lebër. (2 Kron. 26:19-21) Sa ndryshe do të kishin vajtur gjërat sikur të kishte qëndruar i përulur!

Në vend që të krenohemi me arritjet tona, duhet t’ia japim Jehovait meritat për gjërat që arrijmë të bëjmë (Shih paragrafin 11) d

11. Cilat veprime mund të tregojnë nëse jemi të përulur? (Shihni edhe figurën.)

11 Kur u bë i fuqishëm, Uziahu harroi se Burimi i fuqisë e i begatisë së tij ishte Jehovai. Cili është mësimi? Duhet t’i kujtojmë vetes se bekimet dhe privilegjet vijnë nga Jehovai. Në vend që të krenohemi me arritjet tona, duhet t’ia japim Jehovait meritat për gjërat që arrijmë të bëjmë. b (1 Kor. 4:7) Duhet të pranojmë me përulësi se jemi të papërsosur dhe kemi nevojë për disiplinë. Një vëlla në të 60-at shkroi: «Kam mësuar të mos i jap tepër rëndësi vetes. Kur marr disiplinë për ndonjë gabim trashanik që bëj, përpiqem të përmirësohem dhe të vazhdoj para.» E vërteta është se kur nderojmë thellësisht Jehovain dhe qëndrojmë të përulur, jeta jonë është e lumtur.—Prov. 22:4.

VAZHDO TË AFROHESH ME JEHOVAIN

12. Kur ishte i ri, si e kërkoi Josia Jehovain? (2 Kronikave 34:1-3)

12 Mëso nga vendimet e mira të Josisë. Josia ishte djalosh kur nisi të kërkonte Jehovain ose të afrohej më shumë me të. Ai donte të mësonte për Jehovain dhe të bënte vullnetin e Tij. Por jeta nuk ishte e lehtë për këtë mbret të ri. I duhej guxim që të luftonte kundër adhurimit të rremë që ishte përhapur në atë kohë. Dhe i guximshëm u tregua! Para se të mbushte 20 vjeç, Josia nisi të pastronte kombin nga adhurimi i rremë.—Lexo 2 Kronikave 34:1-3.

13. Ç’do të thotë për ty t’i kushtohesh Jehovait?

13 Edhe nëse je në moshë mjaft të re, mund të vendosësh të imitosh Josinë duke u afruar më shumë me Jehovain dhe duke mësuar të çmosh cilësitë e Tij. Kjo do të të motivojë t’i kushtosh jetën. Si do të ndikojë ky kushtim në jetën tënde? Luka, që u pagëzua kur ishte 14 vjeç, thotë: «Tani e tutje, gjëja më e rëndësishme në jetën time do të jetë t’i shërbej Jehovait dhe do të përpiqem ta bëj të lumtur.» (Mark 12:30) Çfarë bekimi do të jetë për ty nëse dëshiron të bësh po njëlloj!

14. Jepni shembuj të të rinjve që po imitojnë mbretin Josia.

14 Çfarë sfidash mund të hasësh teksa i shërben Jehovait në moshë të re? Johani, që u pagëzua kur ishte 12 vjeç, tregon për presionin që ka nga shokët e klasës për të përdorur cigaret elektronike. Që të ketë forcë t’i rezistojë presionit, Johani i kujton vetes se cigaret elektronike mund t’i dëmtojnë edhe shëndetin edhe marrëdhënien me Jehovain. Rejçëlli, që u pagëzua në moshën 14-vjeçare, shpjegon çfarë e ndihmon të përballojë sfidat që has në shkollë. Ajo thotë: «Përpiqem të gjej gjëra që më kujtojnë Jehovain dhe mësimet e Biblës. Për shembull, një mësim në histori mund të më kujtojë ndonjë tregim ose profeci nga Bibla. Një bisedë mund të më kujtojë ndonjë varg praktik nga Shkrimet që mund t’ia citoj dikujt.» Sfidat e tua mund të ndryshojnë nga ato që kaloi mbreti Josia. Megjithatë mund të jesh i mençur e besnik, siç ishte ai. Përballimi i sprovave në moshë të re do të të përgatitë për sfidat në vitet e mëvonshme.

15. Çfarë e ndihmoi Josinë t’i shërbente me besnikëri Jehovait? (2 Kronikave 34:14, 18-21)

15 Në moshë më të madhe, mbreti Josia nisi meremetimin e tempullit. Gjatë punës u gjet ‘libri i Ligjit të Jehovait që ishte dhënë me anë të Moisiut’. Me të dëgjuar fjalët e Ligjit, mbreti bëri ndryshime që t’u bindej gjërave të shkruara. (Lexo 2 Kronikave 34:14, 18-21.) A dëshiron ta lexosh rregullisht Biblën? Nëse po përpiqesh ta lexosh, a po kënaqesh? A i shënon vargjet që mund të të ndihmojnë? Luka, që u përmend më sipër, mban shënim pikat që i duken interesante. Diçka e tillë mund të të ndihmojë edhe ty që të kujtosh vargje ose pika që të pëlqejnë. Sa më shumë e studion dhe e çmon Biblën, aq më shumë do të kesh qejf t’i shërbesh Jehovait. Dhe, si mbreti Josia, Fjala e Perëndisë do të të nxitë të veprosh.

16. Pse bëri një gabim të madh Josia, dhe çfarë mësimi nxjerrim?

16 Nxirr mësime nga vendimet e këqija të Josisë. Kur ishte 39 vjeç, Josia bëri një gabim që i kushtoi jetën. I besoi vetes në vend që t’i kërkonte Jehovait udhëheqje. (2 Kron. 35:20-25) Nga kjo nxjerrim një mësim. Pavarësisht nga mosha a nga vitet që po studiojmë Biblën, duhet të vazhdojmë të afrohemi me Jehovain. Kjo përfshin t’i lutemi rregullisht për udhëheqje, të studiojmë Biblën dhe t’ua vëmë veshin këshillave nga vëllezër e motra të pjekur. Kështu do të ketë më pak gjasa të bëjmë gabime të mëdha e më shumë gjasa të jemi të lumtur.—Jak. 1:25.

TË RINJ, MUND TË KENI SUKSES NË JETË

17. Çfarë mësimesh të rëndësishme kemi nxjerrë nga historitë e tre mbretërve të Judës?

17 Rinia është koha e mundësive të arta. Historitë e Jehoasit, Uziahut dhe Josisë ilustrojnë se të rinjtë mund të marrin vendime të mençura e të bëjnë një jetë që e kënaq Jehovain. Kuptohet, siç e pamë deri tani, kjo nuk është garanci që çdo gjë do të vejë mbarë. Megjithatë, nëse imiton gjërat e mira që bënë këta mbretër e shmang gabimet e tyre, atëherë mund të kesh një jetë të lumtur.

Në moshë të re, Davidi iu afrua Jehovait. Ai fitoi pëlqimin e Tij dhe pati një jetë të lumtur (Shih paragrafin 18)

18. Cilët shembuj nga Shkrimet tregojnë se mund të kesh një jetë të lumtur? (Shihni edhe figurën.)

18 Në Shkrime flitet për të rinj të tjerë që u afruan me Jehovain, që kishin miratimin e tij dhe bënë jetë të lumtur. Davidi ishte një prej tyre. Në moshë të re, ai vendosi të ishte mik me Perëndinë dhe më vonë u bë një mbret besnik. Vërtet, në disa raste ai bëri gabime, por Jehovai e konsideroi Davidin besnik. (1 Mbret. 3:6; 9:4, 5; 14:8) Edhe ti mund të marrësh zemër e të motivohesh nëse studion për jetën dhe shërbimin besnik të Davidit. Ose mund të bësh projekte studimi për Markun a Timoteun. Do të shikosh se ata i shërbyen Jehovait që në moshë të re dhe vazhduan të qëndronin besnikë gjithë jetën. Kjo e kënaqi Jehovain dhe i ndihmoi ata të bënin një jetë të lumtur.

19. Çfarë jete mund të kesh?

19 Vendimet që merr tani do të ndikojnë te jeta që do të bësh në të ardhmen. Nëse mbështetesh te Jehovai dhe jo tek aftësia jote për të kuptuar, ai do të të drejtojë që të marrësh vendime të mençura. (Prov. 20:24) Ti mund të bësh një jetë të lumtur e shpërblyese. Mos harro, Jehovai e çmon atë që bën për të. Nuk ka mënyrë më të mirë për ta përdorur jetën sesa t’i shërbesh Atit tënd të dashur!

KËNGA 144 Mbaji sytë e zemrës te çmimi!

a Të rinj, Jehovai e di se përballeni me sfida që mund ta vënë në provë miqësinë që keni me të. Si mund të merrni vendime të mençura që do të kënaqin Atin tuaj qiellor? Do të shqyrtojmë shembullin e tre djemve që u bënë mbretër të Judës. Shiko se ç’mund të mësosh nga vendimet që morën ata.

b Shih kutinë «Kujdes nga modestia e shtirur» tek artikulli në jw.org «Sa i rëndësishëm është popullariteti online?»

c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një motër e pjekur i jep këshilla të mençura një motre më të re.

d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një motër që ka një pjesë në asamble mbështetet te Jehovai dhe ia jep atij meritat.