Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 6

Çfarë na zbulon Bibla për Autorin e saj

Çfarë na zbulon Bibla për Autorin e saj

«Shkruaji në një libër gjithë fjalët që po të them.»—JER. 30:2.

KËNGA 96 Thesar është Libri i Perëndisë

PËRMBLEDHJE a

1. Pse je mirënjohës për Biblën?

 SA MIRËNJOHËS i jemi Perëndisë Jehova që na ka dhënë Fjalën e tij! Përmes saj na jep këshilla të mençura për të na ndihmuar t’i përballojmë me sukses problemet që ndeshim. Gjithashtu na jep një shpresë të mrekullueshme për të ardhmen. Ç’është më e rëndësishmja, nëpërmjet Biblës Jehovai na zbulon shumë aspekte të personalitetit të tij. Ndërsa meditojmë për cilësitë e bukura të Perëndisë tonë, prekemi thellë në zemër e duam të zhvillojmë një miqësi të ngushtë me të.—Psal. 25:14.

2. Në cilat mënyra ka komunikuar Jehovai me njerëzit?

2 Jehovai dëshiron ta njohim. Në të kaluarën, ai komunikoi me disa njerëz nëpërmjet ëndrrave, vegimeve, e madje edhe engjëjve. (Num. 12:6; Vep. 10:3, 4) Por nëse ato ëndrra, vegime e mesazhe nga engjëjt nuk do të ishin hedhur me shkrim, ne sot nuk do të kishim mundësi t’i studionim. Ja pse Jehovai frymëzoi disa burra për t’i shkruar «në një libër» gjërat që donte t’i dinim. (Jer. 30:2) ‘Udha e Perëndisë së vërtetë është e përsosur’, prandaj mund të jemi të sigurt se kjo mënyrë komunikimi është e shkëlqyer dhe e dobishme.—Psal. 18:30.

3. Si u sigurua Jehovai që Bibla të ruhej e saktë? (Isaia 40:8)

3 Lexo Isainë 40:8. Fjala e Perëndisë u ka siguruar udhëheqje të mençur për mijëra vjet burrave e grave besnike. Si është arritur kjo? Pyetje me vend, pasi Bibla u shkrua shumë kohë më parë në materiale që prisheshin dhe sot nuk kemi asnjë nga dokumentet origjinale. Megjithatë, Jehovai u sigurua që të bëheshin kopje të këtij libri të shenjtë. Edhe pse ishin të papërsosur, kopistët punonin gjithë merak e përkushtim. Për shembull, një studiues shkroi për Shkrimet Hebraike: «Mund të thuhet me siguri se asnjë vepër tjetër e lashtësisë nuk është transmetuar kaq saktë.» Pra, me gjithë kohën e gjatë që ka kaluar, përdorimin e materialeve që prisheshin dhe papërsosmëritë e kopistëve, mund të jemi të sigurt se ajo që lexojmë sot në Bibël përcjell mendimet e Autorit të saj, Jehovait.

4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Jehovai është Burimi i ‘çdo dhurate të mirë dhe të përsosur’. (Jak. 1:17) Bibla është një nga dhuratat më të shkëlqyera që na ka dhënë. Një dhuratë tregon diçka për atë që na e jep—sa mirë na njeh dhe sa mirë e di çfarë na duhet. Kjo është e vërtetë edhe për atë që na ka dhuruar Biblën. Ndërsa e shqyrtojmë me kujdes këtë dhuratë, mësojmë shumë për Jehovain. Mësojmë sa mirë na njeh dhe sa mirë e di çfarë na duhet. Në këtë artikull do të shqyrtojmë si i pasqyron Bibla tri cilësi të Jehovait: mençurinë e tij, drejtësinë e tij dhe dashurinë e tij. Le të shohim disa mënyra si pasqyrohet në Bibël mençuria e Perëndisë.

BIBLA PASQYRON MENÇURINË E PERËNDISË

5. Cila është një mënyrë si e pasqyron Bibla mençurinë e Perëndisë?

5 Jehovai e di se kemi nevojë për këshillat e tij të mençura. E dhurata që na ka bërë, Bibla, është burim i pashtershëm mençurie. Këshillat e saj ndikojnë për mirë te njerëzit dhe ua përmirësojnë jetën. Ja çfarë i tha Moisiu popullit të Perëndisë, Izraelit, pasi shkroi librat e parë të Biblës: «Për ju nuk janë fjalë boshe, por janë vetë jeta juaj.» (Ligj. 32:47) Ata që u bindeshin Shkrimeve mund të gëzonin një jetë të lumtur. (Psal. 1:2, 3) Koha nuk e ka shterur fuqinë që ka Fjala e Perëndisë për t’ia përmirësuar jetën njerëzve. Për shembull, në jw.org, te seria «Bibla të ndryshon jetën», mund të gjesh mbi 50 histori reale që tregojnë se Bibla «vepron» fuqishëm te çdo njeri që beson tek ajo.—1 Sel. 2:13.

6. Pse mund të themi se Bibla është si asnjë libër tjetër?

6 Asnjë libër në botë nuk mund të krahasohet me Fjalën e Perëndisë. Pse? Sepse Autori i këtij libri, Perëndia Jehova, është i plotfuqishëm, i përjetshëm dhe ka mençuri të pakrahasueshme. Shumë libra jetojnë më gjatë se autorët e tyre, ama këshillat që përmbajnë shpesh bëhen të pavlefshme me kalimin e kohës. Kurse parimet e mençura të Biblës nuk e humbin vlerën kurrë; ato u kanë sjellë dobi njerëzve në çdo periudhë të historisë. Ndërsa e lexojmë këtë libër të shenjtë dhe meditojmë për gjërat që mësojmë, Autori i tij përdor frymën e shenjtë të fuqishme për të na ndihmuar të kuptojmë se si t’i zbatojmë këshillat e Biblës. (Psal. 119:27; Mal. 3:16; Hebr. 4:12) Po, Autori i Biblës jeton përgjithmonë dhe mezi pret të të ndihmojë. Çfarë motivi i shkëlqyer për ta lexuar Biblën rregullisht!

Si e ka ndihmuar Bibla në të kaluarën dhe sot popullin e Jehovait që të jetë i bashkuar? (Shih paragrafët 7-8)

7. Si e ndihmoi Bibla popullin e Perëndisë në të kaluarën që të ishte i bashkuar?

7 Një mënyrë tjetër e shkëlqyer si e pasqyron Bibla mençurinë hyjnore është fakti që i ndihmon shërbëtorët e Perëndisë të jenë të bashkuar. Kur hynë në Tokën e Premtuar, izraelitët u vendosën me banim në një zonë me sipërfaqe te madhe. Disa u bënë peshkatarë, të tjerë merreshin me blegtori e disa të tjerë me bujqësi. Fare kollaj, izraelitët që jetonin në një zonë mund të bëheshin mospërfillës ndaj mirëqenies së bashkatdhetarëve që jetonin në zona të tjera. Mirëpo Jehovai mori masa që izraelitët të mblidheshin disa herë në vit për të dëgjuar ndërsa lexohej e shpjegohej Fjala e tij e shkruar. (Ligj. 31:10-13; Neh. 8:2, 8, 18) Imagjino si ndihej një izraelit besnik kur mbërrinte në Jerusalem dhe shihte miliona bashkadhurues nga çdo cep i vendit! Në këtë mënyrë, Jehovai e ndihmoi popullin e tij të mbetej i bashkuar. Shekuj më vonë u formua kongregacioni i krishterë. Ai përbëhej nga burra e gra që flitnin një larmi gjuhësh, që vinin nga lloj-lloj shtresash shoqërore dhe që kishin gjendje të ndryshme ekonomike. Por dashuria për Shkrimet i mbante të gjithë të bashkuar në adhurimin e Perëndisë së vërtetë. Ata që bëheshin besimtarë mund ta kuptonin Fjalën e Perëndisë vetëm me ndihmën e vëllezërve e motrave dhe duke marrë pjesë në mbledhje bashkë me ta.—Vep. 2:42; 8:30, 31.

8. Si e ndihmon Bibla sot popullin e Perëndisë që të jetë i bashkuar?

8 Perëndia ynë i mençur vazhdon ta mësojë e ta mbajë të bashkuar popullin e tij me anë të Biblës. Ajo është burimi i ushqimit që na forcon besimin dhe na freskon shpirtin. Ne mblidhemi rregullisht në mbledhjet e kongregacionit, në asamble e kongrese për të dëgjuar ndërsa lexohen, shpjegohen dhe shqyrtohen Shkrimet. Kështu Bibla luan një rol jetësor në plotësimin e qëllimit të Jehovait që adhuruesit e tij t’i shërbejnë «krah për krah».—Sof. 3:9.

9. Cila cilësi është e domosdoshme për të kuptuar Biblën? (Luka 10:21)

9 Të shohim një mënyrë tjetër si e pasqyron Bibla mençurinë e Jehovait. Shumë pjesë të Fjalës së tij janë shkruar në një mënyrë që mund t’i kuptojnë vetëm lexuesit e përulur. (Lexo Lukën 10:21.) Biblën e lexojnë njerëz anekënd botës. Siç tha një studiues, Bibla «është jo vetëm libri më i lexuar, por edhe libri i lexuar me më shumë vëmendje». Ama vetëm të përulurit mund ta kuptojnë vërtet e ta zbatojnë.—2 Kor. 3:15, 16.

10. Cila është një mënyrë tjetër si e pasqyron Bibla mençurinë e Jehovait?

10 Mençuria e Jehovait spikat në Bibël edhe në një mënyrë tjetër. Nëpërmjet Shkrimeve, Jehovai jo vetëm na arsimon si grup, por edhe na mëson e na jep zemër si individë. Teksa lexojmë Fjalën e tij, e ndiejmë se Jehovai interesohet për ne personalisht. (Isa. 30:21) Sa shpesh të ka ndodhur që, ndërsa përballoje një problem, hape Shkrimet dhe lexove një varg që dukej sikur ishte shkruar kastile për ty? Por Bibla u shkrua për miliona njerëz. Si është e mundur, pra, që informacionet e saj janë kaq të kohës dhe përshtaten fiks me nevojat e tua? Kjo është e mundur vetëm ngaqë Autori i Biblës është më i mençuri në univers.—2 Tim. 3:16, 17.

BIBLA PASQYRON DREJTËSINË E PERËNDISË

11. Si tregoi paanshmëri Perëndia kur po shkruhej Bibla?

11 Drejtësia është një cilësi tjetër e Jehovait. (Ligj. 32:4) Ajo lidhet ngushtë me paanshmërinë dhe Jehovai është i paanshëm. (Vep. 10:34, 35; Rom. 2:11) Një dëshmi e paanshmërisë së tij janë gjuhët në të cilat u shkrua Bibla. Tridhjetë e nëntë librat e parë të Biblës u shkruan kryesisht në hebraisht, një gjuhë që shërbëtorët e Perëndisë në atë kohë e kuptonin mirë. Mirëpo në shekullin e parë të e.s. përdorej gjerësisht gjuha greke, prandaj 27 librat e fundit të Biblës u shkruan kryesisht në atë gjuhë. Pra, Jehovai nuk vendosi që Fjala e tij të shkruhej në një gjuhë të vetme. Sot afro 8 miliardë banorët e tokës flasin një numër të madh gjuhësh. Si mund të mësojnë për Jehovain gjithë këta njerëz?

12. Cila është një mënyrë si është plotësuar Danieli 12:4 në ditët e fundit?

12 Me anë të profetit Daniel, Jehovai premtoi se në kohën e fundit «njohuria e vërtetë» që përmban Bibla do të bëhej «e bollshme», pra shumë veta do ta kuptonin. (Lexo Danielin 12:4.) Një mënyrë si është bërë e bollshme kjo njohuri është nëpërmjet përkthimit, botimit dhe shpërndarjes së Biblës e literaturës të bazuar tek ajo. Bibla është bërë libri më i përkthyer e më i përhapur në botë. Ndonjëherë përkthimet e Biblës të shtypura nga kompanitë tregtare kanë çmime stratosferike. Ndërkohë, adhuruesit e Jehovait e kanë përkthyer deri më sot Fjalën e Perëndisë, të plotë ose pjesërisht, në mbi 240 gjuhë, dhe çdokush ka mundësi të marrë falas një Bibël. Si rezultat, njerëz nga të gjitha kombet po e dëgjojnë ‘lajmin e mirë për Mbretërinë’ para se të vijë fundi. (Mat. 24:14) Perëndia i drejtësisë dëshiron t’u japë sa më shumë njerëzve mundësinë që ta njohin duke lexuar Fjalën e tij. Pse e bën këtë? Nga dashuria e thellë që ka për çdo njeri.

BIBLA PASQYRON DASHURINË E PERËNDISË

13. Pse mund të themi se Bibla pasqyron dashurinë e Jehovait? (Gjoni 21:25)

13 Bibla pasqyron cilësinë më të spikatur të Autorit të saj—dashurinë. (1 Gjon. 4:8) Të mendojmë çfarë ka përfshirë Jehovai në Bibël dhe çfarë ka zgjedhur të mos përfshijë. Ai na ka dhënë fiks ç’na nevojitet për të gëzuar miqësinë e tij, për të pasur një jetë të lumtur sot dhe për të jetuar në përjetësi. Gjithsesi, nga dashuria për ne, Jehovai nuk na mbyti me hollësi që do të na bëheshin barrë.—Lexo Gjonin 21:25.

14. Cila është një mënyrë tjetër si e pasqyron Bibla dashurinë e Perëndisë?

14 Jehovai tregoi dashuri edhe duke komunikuar me ne në një mënyrë që na jep dinjitet. Në Bibël, ai nuk na jep një listë të pafund me rregulla për të kontrolluar me imtësi çdo aspekt të jetës sonë. Përkundrazi, përpiqet të na vërë në punë aftësinë për të menduar nëpërmjet historive reale, profecive drithëruese dhe këshillave praktike. Kështu Shkrimet na motivojnë ta duam Perëndinë tonë e t’i bindemi nga zemra.

Pse ia vlen të meditojmë për mënyrën si i trajtonte Jehovai adhuruesit e tij në të kaluarën? (Shih paragrafin 15)

15. (a) Si e ka treguar Jehovai merakun e thellë për lexuesit e Fjalës së tij? (b) Në figurë, për cilin personazh të Biblës po mediton vajza e vogël, vëllai i ri dhe motra e moshuar? (Zan. 39:1, 10-12; 2 Mbret. 5:1-3; Luka 2:25-38)

15 Bibla tregon se Jehovai ka merak të thellë për ne. Si e tregon merakun e tij? Fjala e Perëndisë përmban plot histori ku shpalosen ndjenja njerëzore. E ne mund ta kuptojmë si ndiheshin personazhet e Biblës, sepse ishin njerëz «me ndjenja si tonat». (Jak. 5:17) Mbi të gjitha, ndërsa vërejmë si i ka trajtuar Jehovai ata njerëz me ndjenja si tonat, shohim akoma më qartë se ai «është shumë i dhembshur e i mëshirshëm».—Jak. 5:11.

16. Çfarë mësojmë për Jehovain kur lexojmë në Bibël për disa individë që bënë gabime? (Isaia 55:7)

16 Bibla e tregon edhe në një mënyrë tjetër sa shumë na do Jehovai. Shkrimet na sigurojnë se kur bëjmë gabime, Perëndia ynë nuk na flak tej. Izraelitët mëkatuan sa e sa herë ndaj Jehovait; prapëseprapë, kur pendoheshin sinqerisht, ai i falte. (Lexo Isainë 55:7.) Edhe të krishterët e shekullit të parë e dinin sa e thellë ishte dashuria e Perëndisë për ta. Nën frymëzim, apostulli Pavël i nxiti bashkëbesimtarët ‘të falnin me gjithë zemër dhe të ngushëllonin’ një njeri që kishte praktikuar një mëkat të rëndë, por që ishte penduar. (2 Kor. 2:6, 7; 1 Kor. 5:1-5) Sa prekëse që Jehovai nuk u kthente shpinën adhuruesve të tij kur gabonin! Përkundrazi, u zgjaste dorën me dashuri që t’i ndihmonte e t’i ndreqte dhe i ftonte të ktheheshin në krahët e tij. Jehovai premton se do të bëjë të njëjtën gjë sot për të gjithë mëkatarët e penduar.—Jak. 4:8-10.

ÇMOJE SI THESAR BIBLËN, ‘DHURATËN E MIRË’ TË PERËNDISË

17. Pse Bibla është një dhuratë e pashoqe?

17 Jehovai na ka bërë një dhuratë të bukur, Fjalën e tij. Pse kjo është një dhuratë e pashoqe? Siç e kemi parë, Bibla zbulon se Perëndia është i mençur, i drejtë dhe na do shumë. Në të ka prova pa fund se Jehovai dëshiron ta njohim dhe të bëhemi miqtë e tij.

18. Si mund ta tregojmë mirënjohjen për ‘dhuratën e mirë’ të Jehovait, Biblën?

18 Nuk duam ta humbim çmueshmërinë për këtë ‘dhuratë të mirë’, Fjalën e Perëndisë. (Jak. 1:17) Ndaj le të vazhdojmë të tregojmë sa mirënjohës jemi për të. Këtë mund ta bëjmë duke e lexuar këtë libër të shenjtë dhe duke u lutur e medituar për gjërat që lexojmë. Ndërsa e shprehim mirënjohjen në këtë mënyrë, mund të jemi të sigurt se Autori i madh i Biblës do t’i bekojë përpjekjet tona dhe ‘do të fitojmë njohuri për Perëndinë’.—Prov. 2:5.

KËNGA 98 Shkrimet, dhuratë nga Perëndia

a Bibla na ndihmon të miqësohemi me Jehovain. Ç’na mëson ky libër i shenjtë për mençurinë e tij? Si e pasqyron drejtësinë e Perëndisë? Po dashurinë e tij? Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të na ndihmojnë ta thellojmë çmueshmërinë për Fjalën e Perëndisë dhe ta shohim Biblën ashtu siç është vërtet—një dhuratë nga Ati ynë qiellor.