Pyetje nga lexuesit
A po e ekzagjeronte ose a po tregohej jorealist psalmisti David kur shkroi te Psalmi 61:8 se do ta lëvdonte «përjetë» emrin e Perëndisë?
Jo. Ajo që shkroi Davidi ishte e vërtetë dhe realiste.
Mendo për atë që shkroi në këtë varg e në vargje të ngjashme: «Do t’i këndoj lavde emrit tënd përjetë tek i mbaj zotimet e mia ditë për ditë.» «Me gjithë shpirt të lëvdoj, o Jehova, Perëndia im, përjetë emrit tënd do t’i jap lavdi.» «Në jetë të jetëve, emrin tënd do ta lëvdoj!»—Psal. 61:8; 86:12; 145:1, 2.
Davidi nuk po e ekzagjeronte e as mendonte se nuk do të vdiste kurrë. Ai e dinte se në fillim Jehovai vendosi që mëkati njerëzor do të sillte vdekjen dhe e kishte të qartë se edhe vetë ishte njeri mëkatar. (Zan. 3:3, 17-19; Psal. 51:4, 5) E dinte se edhe burra që gëzonin miratimin e Perëndisë, si Abrahami, Isaku dhe Jakobi, kishin vdekur. Davidi e kuptonte që, me kohë, do të vdiste edhe ai. (Psal. 37:25; 39:4) Megjithatë, fjalët e Psalmit 61:8 pasqyronin dëshirën dhe vendosmërinë e tij për ta lëvduar Perëndinë përjetë, pra sa të ishte gjallë.—2 Sam. 7:12.
Në disa raste Davidi shkroi për gjërat që kishte kaluar në jetë, siç e tregojnë mbishkrimet e Psalmeve 18, 51 dhe 52. Në Psalmin 23, Davidi, që ishte vetë bari, e përshkroi Jehovain si një bari që u prin deleve të tij, i freskon dhe i mbron. Prandaj donte t’i shërbente Perëndisë «çdo ditë të jetës».—Psal. 23:6.
Ama, të mos harrojmë se çdo gjë që shkroi Davidi ishte e frymëzuar nga Jehovai. Ndër gjërat që shkroi, kishte edhe profeci që tregonin ç’do të ndodhte shumë kohë më vonë. Për shembull, te Psalmi 110, Davidi foli për një kohë kur Zotëria i tij ‘do të ulej në të djathtën [e Perëndisë]’ në qiell e do të merrte pushtet të madh. Pushtet për çfarë? Për të nënshtruar armiqtë e Perëndisë e ‘për të ekzekutuar gjykimin e Tij kundër kombeve’ në tokë. Davidi ishte paraardhës i Mesisë, i atij që do të mbretëronte në qiell dhe do të ishte ‘prift në jetë të jetëve’. (Psal. 110:1-6) Jezui tregoi se profecia e Psalmit 110 ishte për të dhe se do të plotësohej në të ardhmen.—Mat. 22:41-45.
Pra, Davidi u frymëzua nga Perëndia që të shkruante qoftë për kohën e tij, qoftë për një të ardhme kur do të ringjallej e do ta lëvdonte Jehovain përjetë. Kjo na ndihmon të kuptojmë se Psalmi 37:10, 11 dhe 29 u përmbush në Izraelin e lashtë e do të përmbushet edhe në të ardhmen anekënd botës kur Perëndia të bëjë realitet premtimet e tij.—Shih paragrafin 8 në artikullin «Ti do të jesh me mua në Parajsë» në këtë numër.
Kështu, Psalmi 61:8 dhe vargje të ngjashme tregojnë se Davidi donte të lëvdonte Jehovain në Izraelin e lashtë sa të ishte gjallë. Gjithashtu pasqyrojnë me realizëm ç’do të bëjë Davidi në të ardhmen kur Jehovai ta kthejë në jetë.