Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 51

Si të gjesh paqe në kohë stresuese

Si të gjesh paqe në kohë stresuese

«Mos lejoni që zemra juaj të trazohet a të mpaket nga frika.»—GJONI 14:27.

KËNGA 112 Jehovai, Perëndia që jep paqe

PËRMBLEDHJE a

1. Çfarë është «paqja e Perëndisë», dhe si na sjell dobi? (Filipianëve 4:6, 7)

 EKZISTON një lloj paqeje që bota nuk e njeh aspak. Është «paqja e Perëndisë», ajo qetësi që buron nga marrëdhënia e çmuar me Atin tonë qiellor. Kur kemi paqen e Perëndisë, ndihemi të sigurt. (Lexo Filipianëve 4:6, 7.) Gëzojmë miqësi të ngushta me ata që e duan Jehovain. Gjithashtu gëzojmë një miqësi të ngrohtë me ‘Perëndinë e paqes’. (1 Sel. 5:23) Kur e njohim, i besojmë dhe i bindemi Atit tonë, «paqja e Perëndisë» mund të na qetësojë zemrën e trazuar nga ankthi në një situatë stresuese.

2. Pse jemi të sigurt se është e mundur të kemi ‘paqen e Perëndisë’?

2 A është vërtet e mundur të gjejmë paqen e Perëndisë përballë një situate stresuese, si një epidemi, një katastrofë, trazira civile ose përndjekje? Në secilën nga këto situata mund të na kaplojë frika. Megjithatë, Jezui i këshilloi dishepujt e tij: «Mos lejoni që zemra juaj të trazohet a të mpaket nga frika.» (Gjoni 14:27) Sa mirë që vëllezërit e motrat e kanë ndjekur këtë këshillë të Jezuit! Me ndihmën e Jehovait, ata kanë arritur të gjejnë paqe mes sprovave të rënda.

SI TË GJESH PAQE GJATË NJË EPIDEMIE

3. Si mund të na e grabitë paqen një epidemi ose pandemi?

3 Një epidemi ose pandemi mund të na ndryshojë rrënjësisht gati çdo aspekt të jetës. Mendo pak si ndikoi te shumë veta pandemia e COVID-19. Në një sondazh, më shumë se gjysma e të anketuarve thanë se kishin probleme me gjumin gjatë pandemisë. Veç kësaj u rritën ndjeshëm problemet me ankthin, depresionin, alkoolin, drogën e dhunën në familje dhe tentativat për vetëvrasje. Nëse aty ku jeton shpërthen një epidemi, si mund ta mbash nën kontroll ankthin dhe të provosh paqen e Perëndisë?

4. Pse na jep paqe profecia e Jezuit për ditët e fundit?

4 Jezui paratha se në ditët e fundit do të kishte murtaja, domethënë sëmundje epidemike, «nga njëri vend në tjetrin». (Luka 21:11) Na jep paqe edhe thjesht fakti që e dimë këtë. Pse? Sepse nuk habitemi kur shpërthen ndonjë epidemi. E kuptojmë se gjërat po ndodhin ashtu siç tha Jezui. Prandaj duam të ndjekim këtë këshillë që dha Jezui për njerëzit që jetojnë në ditët e fundit: «Mos u alarmoni.»—Mat. 24:6.

Bibla ose regjistrimet audio mund të të ndihmojnë të kesh paqe të brendshme gjatë një epidemie (Shih paragrafin 5)

5. (a) Si na ndihmon Filipianëve 4:8, 9 të vendosim për çfarë të lutemi gjatë një epidemie? (b) Si e ndihmuan një motër regjistrimet audio të Biblës, dhe çfarë mund të mësojmë nga shembulli i saj?

5 Një epidemi a pandemi mund të shkaktojë pasiguri, ose edhe panik. Kështu u ndie një motër që quhet Dezi. b Pasi xhaxhai, kushëriri dhe mjeku i saj vdiqën nga COVID-19, ajo kishte frikë mos merrte virusin dhe ia ngjiste mamasë së moshuar. Ishte në merak edhe se mos humbte punën për shkak të pandemisë, ndaj vriste mendjen si do t’ia bënte për të blerë ushqime dhe për të paguar qiranë. Ishte aq e shqetësuar për këto gjëra, sa nuk e zinte gjumi natën. Megjithatë, Dezi e rifitoi paqen. Si? I lutej specifikisht Jehovait për ndihmë që të ishte e qetë e të mendonte në mënyrë pozitive. (Lexo Filipianëve 4:8, 9.) Gjithashtu e dëgjonte Jehovain «t’i fliste» nëpërmjet regjistrimeve audio të Biblës. Ajo thotë: «Zërat qetësues të lexuesve ma fashitnin ankthin dhe më kujtonin sa mëshirë ka Jehovai për mua.»—Psal. 94:19.

6. Si do të të ndihmojnë studimi personal dhe mbledhjet e kongregacionit?

6 Pa dyshim që një epidemi do të ta prishë disi programin, por mos lejo të të pengojë që të bësh studimin personal dhe të ndjekësh mbledhjet. Historitë reale në botimet dhe videot tona do të të kujtojnë se vëllezërit e motrat po mbajnë integritetin ndërsa kalojnë sprova të ngjashme. (1 Pjet. 5:9) Mbledhjet do të ta mbushin mendjen me mendime zemërdhënëse nga Shkrimet. Do të të japin mundësi edhe të inkurajosh të tjerët e të inkurajohesh. (Rom. 1:11, 12) Medito si i ka mbështetur Jehovai adhuruesit e tij kur kanë qenë të sëmurë, të trembur ose të vetmuar. Kështu do të të forcohet besimi e do të ndihesh i sigurt se ka për të të mbështetur edhe ty.

7. Ç’mund të mësosh nga shembulli i apostullit Gjon?

7 Përpiqu të komunikosh me bashkadhuruesit. Një epidemi ose pandemi mund të kërkojë të ruajmë distancën edhe kur jemi me vëllezërit e motrat. Në periudha të tilla, mund të ndihemi si apostulli Gjon. Ai donte të fliste sy për sy me mikun e tij, Gajin. (3 Gjon. 13, 14) Megjithatë e kuptoi se për njëfarë kohe nuk mund ta takonte Gajin. Prandaj Gjoni bëri atë që mundej—i shkroi një letër Gajit. Ndoshta nuk është gjithnjë e mundur t’i takosh personalisht bashkëbesimtarët. Në këto raste, përpiqu t’i marrësh në telefon, t’u bësh një videotelefonatë ose t’u dërgosh një mesazh. Nëse mban lidhjet me vëllezërit e motrat, do të ndiesh më shumë siguri dhe paqe. Gjithashtu, nëse të mbyt ankthi, fol me pleqtë dhe pranoje inkurajimin e dashur që të japin.—Isa. 32:1, 2.

SI TË GJESH PAQE MES NJË KATASTROFE

8. Si mund të na e grabitë paqen një katastrofë?

8 A ka ndodhur ndonjëherë një katastrofë, si një përmbytje, një tërmet ose një zjarr aty ku jeton? Nëse po, ka të ngjarë të kesh ndier ankth të madh edhe shumë kohë më pas. E në rast se humbe njerëz të dashur ose t’u shkatërrua shtëpia dhe gjithë sa kishe, mund të jesh ndier i pikëlluar, i pashpresë ose edhe i zemëruar. Kjo s’do të thotë se je materialist ose nuk ke besim. Kalove një sprovë të rëndë, prandaj edhe të tjerëve mund t’u duket normale të shprehësh disa ndjenja negative. (Jobi 1:11) Por edhe në rrethana sprovuese, është e mundur të gjesh paqe. Si?

9. Çfarë tha Jezui që të na përgatiste për katastrofat?

9 Të kujtojmë çfarë profetizoi Jezui. Vërtet, disa njerëz në botë mendojnë se nuk ka për të ndodhur kurrë ndonjë katastrofë aty ku jetojnë. Ama, ne presim që në ditët tona të ketë më shumë katastrofa, e disa mund të ndodhin në zonën tonë. Jezui u tha dishepujve të tij se, para se të vinte fundi, do të ndodhnin «tërmete të mëdha» e katastrofa të tjera. (Luka 21:11) Profetizoi edhe se do të kishte ‘rritje të ligësisë’, çka shihet qartë te krimet, dhuna dhe sulmet terroriste. (Mat. 24:12) Jezui nuk tha asnjëherë se kur na bien këto të këqija, kjo nënkupton se Jehovai na ka braktisur. Në fakt, shumë shërbëtorë besnikë të Jehovait kanë përjetuar katastrofa. (Isa. 57:1; 2 Kor. 11:25) Jehovai mund të mos na mbrojë me mrekulli nga të gjitha katastrofat, por do të na japë çdo gjë që na nevojitet që të ruajmë qetësinë e të kemi paqe.

10. Pse përgatitja për një katastrofë tani tregon se kemi besim? (Proverbat 22:3)

10 Do ta kemi më të lehtë të ruajmë qetësinë në një emergjencë nëse planifikojmë që më parë si do të veprojmë. Por, a tregon përgatitja se nuk kemi besim te Jehovai? Aspak. Në fakt, përgatitja për një katastrofë tregon se kemi besim që Jehovai është i aftë të kujdeset për ne. Pse e themi këtë? Sepse Fjala e Perëndisë na këshillon të përgatitemi për katastrofat e mundshme. (Lexo Proverbat 22:3.) Gjithashtu, nëpërmjet artikujve të revistave, mbledhjeve të kongregacionit dhe njoftimeve në kohën e duhur, organizata e Perëndisë na nxit vazhdimisht të përgatitemi për ndonjë emergjencë. c A kemi besim te Jehovai? Nëse po, do ta ndjekim këtë këshillë tani—para se të godasë një katastrofë.

Përgatitja kohë më parë mund të të ndihmojë t’i mbijetosh një katastrofe (Shih paragrafin 11) d

11. Çfarë mëson nga shembulli i Margaretës?

11 Të shohim ç’ndodhi me një motër që quhet Margareta. Autoritetet e urdhëruan të largohej nga shtëpia, sepse në zonën përreth kishte shpërthyer një zjarr. Ngaqë shumë veta po përpiqeshin të largoheshin njëkohësisht, rrugët ishin plot me makina dhe njerëzit ngecën në trafik. Ajri u mbush me tym të zi dhe Margareta mbeti e bllokuar në makinë për njëfarë kohe. Megjithatë mbijetoi ngaqë ishte e përgatitur. Në çantë mbante një hartë që mund ta ndihmonte të gjente një rrugë tjetër për t’u larguar nga zona. Kishte udhëtuar edhe më parë me makinë në atë rrugë, që ta kishte kollaj në rast emergjence. Falë përgatitjes, Margareta i mbijetoi asaj katastrofe.

12. Pse u bindemi masave që merren për sigurinë tonë?

12 Për të na mbrojtur ne dhe për të vendosur rendin, autoritetet mund të na kërkojnë t’i bindemi një orari për të mos dalë nga shtëpia, të evakuohemi ose të ndjekim masa të tjera për sigurinë. Disa hezitojnë të binden ose i zvarritin punët se nuk duan të ndahen nga gjërat që zotërojnë. Po shërbëtorët e Perëndisë si reagojnë? Bibla na thotë: «Për hir të Zotërisë, nënshtrojuni çdo autoriteti njerëzor, qoftë mbretit si më i lartë, qoftë guvernatorëve si të dërguar prej tij.» (1 Pjet. 2:13, 14) Veç kësaj, organizata e Perëndisë na jep udhëzime për të na mbrojtur. Ajo na kujton rregullisht t’i përditësojmë pleqtë me informacionet e kontaktit, që të kenë mundësi të komunikojnë me ne gjatë një emergjence. A e ke bërë këtë? Mund të marrim edhe udhëzime për t’u evakuar, për të mos dalë nga shtëpia, për t’u furnizuar me gjërat e nevojshme ose si dhe kur t’i ndihmojmë të tjerët. Nëse nuk bindemi, mund të vëmë në rrezik jetën tonë dhe atë të pleqve. Të mos harrojmë se këta burra besnikë vigjilojnë për ne. (Hebr. 13:17) Margareta tha: «S’kam pikë dyshimi se bindja ndaj udhëzimeve të pleqve dhe të organizatës më shpëtoi jetën.»

13. Si e kanë ruajtur gëzimin dhe paqen shumë vëllezër e motra që kanë lënë shtëpitë?

13 Shumë vëllezër e motra që iu desh të largoheshin nga shtëpitë për shkak të një katastrofe, një lufte a trazire civile, kanë bërë çmos të përshtaten me rrethanat e reja dhe të përfshihen menjëherë në aktivitetet teokratike. Ata vazhdojnë ‘të shpallin lajmin e mirë të fjalës së Perëndisë’, njësoj si të krishterët e hershëm që u shpërndanë për shkak të përndjekjes. (Vep. 8:4) Predikimi i ndihmon të përqendrohen te Mbretëria, jo te rrethanat e vështira. Si rezultat, kanë ruajtur gëzimin dhe paqen në zemër.

SI TË GJESH PAQE PËRBALLË PËRNDJEKJES

14. Si mund të na e grabitë paqen përndjekja?

14 Përndjekja mund të na rrëmbejë shumë gjëra që na ndihmojnë të kemi paqe të brendshme. Kënaqemi dhe ndihemi të lumtur kur jemi të lirë të mblidhemi së bashku, kur predikojmë haptas dhe kur mund të bëjmë aktivitetet e përditshme pa frikën se mos na arrestojnë. Nëse na e heqin lirinë për të bërë këto gjëra, mund të na mbërthejë ankthi e të kemi frikë se ç’do të ndodhë më pas. Është normale të ndihemi kështu. Gjithsesi duhet të bëjmë kujdes. Jezui paralajmëroi për rrezikun që dishepujt e tij mund të humbnin besimin si pasojë e përndjekjes. (Gjoni 16:1, 2) Prandaj, si ta ruajmë paqen kur na përndjekin?

15. Pse nuk duhet t’i frikësohemi përndjekjes? (Gjoni 15:20; 16:33)

15 Fjala e Perëndisë thotë: «Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me përkushtim ndaj Perëndisë në unitet me Krishtin Jezu, do të përndiqen.» (2 Tim. 3:12) Një vëlla që quhet Andrei e kishte të vështirë ta besonte këtë kur vepra në vendin e tij u ndalua. Thoshte me vete: «Këtu jemi tërë ata Dëshmitarë. Si mund të na arrestojnë autoritetet të gjithëve?!» Por në vend që t’i sillte paqe, ky mendim i ngjallte vazhdimisht ankth. Ndërkohë vëllezër të tjerë e lanë gjithçka në dorë të Jehovait, pa u përpjekur të bindin veten se mund t’i shpëtonin arrestimit. Ata e dinin se mund të ndodhte t’i arrestonin, por ndienin më pak ankth se Andrei. Prandaj, Andrei vendosi të imitonte qëndrimin e tyre dhe ta linte veten me besim në duart e Perëndisë. S’kaloi shumë dhe kishte paqe në zemër, e tani gjen gëzim edhe mes problemeve. Po njësoj mund të ndihemi edhe ne në rast përndjekjeje. Ndonëse na tha të presim përndjekje, Jezui na siguroi edhe se është e mundur të qëndrojmë besnikë.—Lexo Gjonin 15:20; 16:33.

16. Cilave udhëzime duhet t’u bindemi gjatë përndjekjes?

16 Kur vepra jonë ndalohet ose kufizohet, mund të marrim udhëzime nga zyra e degës dhe nga pleqtë. Nëpërmjet tyre duan të na mbrojnë, të sigurohen se po vazhdojmë ta ushqejmë besimin dhe të na ndihmojnë të vazhdojmë predikimin sa të jetë e mundur. Bëj çmos t’u bindesh udhëzimeve, edhe në rast se nuk i kupton plotësisht arsyet pse jepen. (Jak. 3:17) Gjithashtu, mos u jep kurrë informacione për vëllezërit e motrat ose për aktivitetet e kongregacionit atyre që nuk u takon.—Ekl. 3:7.

Çfarë do të të ndihmojë të gjesh paqe edhe në kohë të vështira? (Shih paragrafin 17) e

17. Ashtu si apostujt në shekullin e parë, çfarë jemi të vendosur të bëjmë?

17 Një arsye kryesore pse Satanai lufton kundër shërbëtorëve të Perëndisë është se ata «janë caktuar të japin dëshmi për Jezuin». (Zbul. 12:17) Mos e lejo Satanain dhe botën e tij të të frikësojnë. Kur predikojmë dhe i mësojmë të tjerët edhe përballë përndjekjes, provojmë gëzim dhe paqe të brendshme. Në shekullin e parë, autoritetet judaike i urdhëruan apostujt të mos predikonin më, por ata burra besnikë vendosën t’i bindeshin Perëndisë. Vazhduan të predikonin, dhe ajo vepër i mbushte me gëzim. (Vep. 5:27-29, 41, 42) Pa dyshim, kur vepra është e kufizuar, duhet të jemi të kujdesshëm ndërsa predikojmë. (Mat. 10:16) Por nëse bëjmë më të mirën tonë, do të kemi paqe ngaqë po kënaqim Jehovain dhe po u japim njerëzve një lajm jetëshpëtues.

‘PERËNDIA I PAQES DO TË JETË ME TY’

18. Kush është Burimi i vetëm i paqes së vërtetë?

18 Të jemi të sigurt se edhe në kohë tepër stresuese, mund të kemi paqe. Përballë sprovave të rënda, të mos harrojmë që kemi nevojë për paqen e Perëndisë, pra për atë lloj paqeje që mund të na e japë vetëm Jehovai. Mbështetu për ndihmë te Jehovai kur përballesh me një epidemi, me një katastrofë ose me përndjekje. Qëndro i lidhur ngushtë me organizatën e tij. Mbaji sytë tek e ardhmja e mrekullueshme që të pret. Ndërsa i bën këto, ‘Perëndia i paqes do të jetë me ty’. (Filip. 4:9) Në artikullin vijues do të shohim si mund t’i ndihmojmë bashkëbesimtarët të kenë paqen e Perëndisë kur përballojnë vështirësi.

KËNGA 38 Jehovai të jep fuqi

a Jehovai premton t’u japë paqe atyre që e duan. Çfarë është paqja që jep Perëndia, dhe si mund ta përjetojmë këtë paqe? Si mund të na ndihmojë «paqja e Perëndisë» përballë epidemive, katastrofave ose përndjekjes? Ky artikull do t’u përgjigjet këtyre pyetjeve.

b Disa emra janë ndryshuar.

c Shih artikullin «Kur godet një katastrofë—Hapa jetëshpëtues» në Zgjohuni! nr. 5 2017.

d PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Një motër u përgatit që më parë për evakuimin.

e PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Një vëlla, që jeton në një vend ku vepra e predikimit është e kufizuar, vazhdon të predikojë me kujdes.