Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 50

«Ti do të jesh me mua në Parajsë»

«Ti do të jesh me mua në Parajsë»

«Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.»—LUKA 23:43.

KËNGA 145 Parajsa—Premtim nga Ati ynë

PËRMBLEDHJE a

1. Pak para se të vdiste, çfarë i tha Jezui një krimineli që ishte përkrah tij? (Luka 23:39-43)

 JEZUI dhe dy kriminelët përkrah tij ishin në buzë të vdekjes e po vuanin shumë. (Luka 23:32, 33) Ata dy kriminelë ishin tallur me Jezuin, pra s’do mend që nuk ishin dishepuj të tij. (Mat. 27:44; Mar. 15:32) Mirëpo njëri ndryshoi qëndrim dhe i tha: «Jezu, më kujto kur të hysh në Mbretërinë tënde.» Jezui ia ktheu: «Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.» (Lexo Lukën 23:39-43.) Shkrimet nuk tregojnë gjë se ai kriminel e kishte pranuar mesazhin për ‘Mbretërinë e qiejve’ që predikoi Jezui. Gjithashtu, Jezui nuk tha se ai burrë do të hynte në Mbretëri. (Mat. 4:17) Jezui po fliste për Parajsën e ardhshme në tokë. Pse e themi këtë?

Çfarë përfundimi mund të nxjerrim për kriminelin që foli me Jezuin dhe për gjërat që dinte? (Shih paragrafët 2-3)

2. Pse mund të themi se krimineli i penduar ishte jude?

2 Ka shumë të ngjarë që krimineli i penduar të ishte jude. Ai i tha kriminelit tjetër: «Nuk ke fare frikë nga Perëndia, as tani që ke marrë të njëjtin dënim si ai?!» (Luka 23:40) Judenjtë adhuronin vetëm një Perëndi, kurse njerëzit e kombeve besonin në shumë perëndi. (Eks. 20:2, 3; 1 Kor. 8:5, 6) Nëse ata kriminelë do të ishin nga ndonjë komb tjetër, pyetja që bëri njëri prej tyre ka të ngjarë të kishte qenë: «Nuk ke fare frikë nga perënditë?!» Veç kësaj, Jezui nuk ishte dërguar te njerëzit e kombeve, por te «delet e humbura të shtëpisë së Izraelit». (Mat. 15:24) E Perëndia u kishte zbuluar izraelitëve se do t’i ringjallte të vdekurit. Krimineli i penduar mund ta dinte këtë, dhe fjalët e tij tregojnë se mendonte që Jehovai do ta ringjallte Jezuin për të qeverisur në Mbretërinë e Perëndisë. Duket se ai burrë shpresonte se Perëndia do ta ringjallte edhe atë vetë.

3. Për çfarë duhet të ketë menduar krimineli i penduar kur Jezui përmendi Parajsën? Shpjegoni. (Zanafilla 2:15)

3 Si jude, krimineli i penduar duhej ta dinte ç’kishte ndodhur me Adamin, Evën dhe Parajsën ku i vendosi Jehovai. Prandaj ka shumë mundësi që ai besonte se Parajsa që përmendi Jezui do të ishte një kopsht i bukur këtu në tokë.—Lexo Zanafillën 2:15.

4. Për çfarë duhet të na nxitin të mendojmë fjalët që i tha Jezui njërit prej kriminelëve?

4 Ajo që i tha Jezui kriminelit duhet të na nxitë të mendojmë si do të jetë jeta në Parajsë. Në fakt, mund të mësojmë diçka për Parajsën nga mbretërimi paqësor i Solomonit. Shkrimet thonë se Jezui është më i madh se Solomoni. E dimë se, tok me bashkëmbretërit e tij, Jezui do të punojë për të krijuar kushte të mrekullueshme në tokë. (Mat. 12:42) Patjetër që ‘delet e tjera’ kanë dëshirë të dinë se ç’duhet të bëjnë që të kualifikohen për të jetuar përgjithmonë në Parajsë.—Gjoni 10:16.

SI DO TË JETË JETA NË PARAJSË?

5. Si mendon se do të jetë jeta jote në Parajsë?

5 Si e mendon jetën në Parajsë? Ndoshta përfytyron një park të bukur si kopshti i Edenit. (Zan. 2:7-9) A mbase mendon për profecinë e Mikesë që shërbëtorët e Perëndisë do të ulen secili «nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet». (Mik. 4:3, 4) Ndoshta të kujtohen vargje që tregojnë se do të ketë ushqim me bollëk. (Psal. 72:16; Isa. 65:21, 22) Pra mund ta shohësh veten në një kopsht të bukur, ulur në një tryezë plot e përplot me ushqime të shijshme. Mund të imagjinosh si të mbushen mushkëritë me aromën e këndshme të bimëve dhe luleve. E mund të dëgjosh të qeshurat e familjarëve dhe miqve—edhe të atyre që do të jenë ringjallur—ndërsa kënaqen në shoqërinë e njëri-tjetrit. E gjithë kjo nuk është ëndërr me sy hapur. S’ka pikë dyshimi se në tokë kanë për të ndodhur gjëra të tilla. Gjithsesi, në Parajsë do të bëjmë edhe punë që do të na sjellin kënaqësi.

Do të marrim pjesë në veprën e rëndësishme për të mësuar të ringjallurit (Shih paragrafin 6)

6. Çfarë do të bëjmë në Parajsë? (Shih figurën.)

6 Jehovai na ka krijuar me aftësinë për t’u kënaqur me punën e duarve tona. (Ekl. 2:24) Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit do të jemi goxha të zënë me punë. Të mbijetuarit nga shtrëngimi i madh dhe miliona veta që do të ringjallen, do të kenë nevojë për veshje, ushqim e strehim. Prandaj, për të siguruar këto gjëra, do të bëjmë plot punë të kënaqshme. Ashtu si Adami dhe Eva që duhej të kultivonin kopshtin e bukur ku jetonin, ne do të kemi privilegjin të kultivojmë tokën e ta shndërrojmë në Parajsë. Imagjino edhe sa gëzim do të provojmë kur të mësojmë miliona të ringjallur që dinë pak për Jehovain e për qëllimin e tij, si edhe kur t’i ndihmojmë besnikët që jetuan shumë kohë para Jezuit të dinë ç’ndodhi më pas.

7. Për çfarë mund të jemi të sigurt, dhe pse?

7 Mund të jemi të sigurt se jeta në Parajsë do të jetë plot paqe e begati dhe e organizuar më së miri. Pse? Sepse Jehovai, si të thuash, e ka hapur pak perden që të shohim si do të jetë jeta kur të mbretërojë Biri i tij. Këtë e ka bërë nëpërmjet historisë së mbretërimit të Solomonit.

MBRETËRIMI I SOLOMONIT—VEÇ NJË SHIJE E PARAJSËS

8. Si u plotësuan në lashtësi fjalët e Psalmit 37:10, 11 dhe 29? (Shih «Pyetje nga lexuesit» në këtë numër.)

8 Nën frymëzim, mbreti David shkroi si do të ishte jeta në të ardhmen kur të qeveriste një mbret i mençur dhe besnik. (Lexo Psalmin 37:10, 11, 29.) Shpesh ua lexojmë të tjerëve Psalmin 37:11 kur flasim për Parajsën që presim. Kjo është me vend, sepse Jezui e citoi këtë varg në Predikimin në Mal, duke treguar kështu se do të plotësohej në të ardhmen. (Mat. 5:5) Por fjalët e Davidit tregonin edhe si do të ishte jeta në ditët e mbretit Solomon. Gjatë mbretërimit të Solomonit në Izrael, populli i Perëndisë gëzonte paqe e begati pa fund në një vend ‘ku rridhte qumësht e mjaltë’. Perëndia kishte thënë: «Nëse vazhdoni të ndiqni e të zbatoni ligjet dhe urdhërimet e mia, . . . unë do të sjell paqe në vend, dhe ju do të flini pa pasur frikë nga askush.» (Lev. 20:24; 26:3, 6) Ato premtime u plotësuan kur mbretëronte Solomoni. (1 Kron. 22:9; 29:26-28) Jehovai premtoi edhe se të ligjtë ‘nuk do të ishin më’. (Psal. 37:10) Pra, fjalët e Psalmit 37:10, 11 dhe 29 u plotësuan në lashtësi e do të plotësohen edhe në të ardhmen.

9. Çfarë tha mbretëresha e Shebës për mbretërimin e Solomonit?

9 Lajmi se izraelitët gëzonin paqe dhe begati nën qeverisjen e Solomonit arriti deri te mbretëresha e Shebës. Ajo ndërmori udhëtimin e gjatë për në Jerusalem që ta shihte vetë nëse ishte ashtu. (1 Mbret. 10:1) Pasi vëzhgoi me vëmendje mbretërinë e Solomonit, tha: «Nuk më kishin treguar as gjysmën. . . . Lum njerëzit dhe shërbëtorët e tu që qëndrojnë vazhdimisht para teje e dëgjojnë mençurinë tënde!» (1 Mbret. 10:6-8) Megjithatë, kushtet e mira nën mbretërimin e Solomonit ishin veç një shije e asaj që do të bëjë Jehovai për njerëzimin kur të mbretërojë Biri i Tij, Jezui.

10. Në cilat mënyra qëndron më lart se Solomoni Jezui?

10 Jezui qëndron më lart se Solomoni në çdo kuptim. Solomoni ishte një njeri i papërsosur që gjykoi gabim dhe bëri mëkate të rënda, të cilat e futën në telashe popullin e Perëndisë. Kurse Jezui është një Mbret i përsosur që nuk bën asnjë gabim. (Luka 1:32; Hebr. 4:14, 15) Jezui qëndroi besnik në sprovat tmerrësisht të vështira që i shkaktoi Satanai. Krishti ka treguar se kurrë nuk do të mëkatojë ose nuk do të bëjë diçka që do t’i dëmtonte nënshtetasit e tij besnikë. Çfarë nderi është të kemi një Mbret të tillë!

11. Ndihmën e kujt do të ketë Jezui?

11 Jezui do të ketë 144.000 bashkëmbretër të cilët do të punojnë përkrah tij që të kujdesen për njerëzimin dhe të realizojnë qëllimin e Jehovait për tokën. (Zbul. 14:1-3) Ata hoqën shumë sprova dhe vuajtje kur jetonin në tokë si burra e gra, prandaj do të jenë bashkëmbretër të dhembshur. Po çfarë roli do të luajnë konkretisht këta bashkëmbretër?

ÇFARË ROLI DO TË LUAJNË TË MIROSURIT?

12. Çfarë pune do t’u caktojë Jehovai 144.000-ve?

12 Detyra që u caktohet Jezuit dhe bashkëmbretërve të tij është shumë më kolosale se detyra që kishte Solomoni. Ai mbret i Izraelit duhej të kujdesej për miliona njerëz që jetonin në një vend. Ndërsa ata që do të qeverisin në Mbretërinë e Perëndisë, do të kujdesen për miliarda njerëz anembanë globit. Çfarë privilegji të mahnitshëm u jep Jehovai 144.000-ve!

13. Çfarë roli unik do të luajnë bashkëqeveritarët e Jezuit?

13 Ashtu si Jezui, 144.000-ët do të shërbejnë si mbretër e priftërinj. (Zbul. 5:10) Nën Ligjin e Moisiut, përgjegjësia e priftërinjve ishte ta ndihmonin popullin të kishte shëndet të mirë dhe marrëdhënie të fortë me Jehovain. Ligji ishte «një hije e gjërave të mira që do të vijnë», pra është logjike të mendojmë se bashkëqeveritarët e Jezuit do të kenë përgjegjësinë unike ta ndihmojnë popullin e Perëndisë të gëzojë shëndet të mirë dhe marrëdhënie të fortë me Jehovain. (Hebr. 10:1) Koha do ta tregojë si do të komunikojnë këta mbretër e priftërinj me nënshtetasit e Mbretërisë në tokë. Sido që t’i organizojë gjërat Jehovai, mund të jemi të sigurt se në Parajsë, banorët e tokës do të marrin udhëheqjen e nevojshme.—Zbul. 21:3, 4.

Ç’DUHET TË BËJNË ‘DELET E TJERA’ QË TË KUALIFIKOHEN PËR TË JETUAR NË PARAJSË?

14. Çfarë marrëdhënieje kanë ‘delet e tjera’ me vëllezërit e Krishtit?

14 Jezui i quajti ata që do të qeverisin me të një «kope e vogël». (Luka 12:32) Ai foli edhe për një grup të dytë që i quajti «dele të tjera». Këto dy grupe janë një kope e vetme, e bashkuar në unitet. (Gjoni 10:16) Dy grupet po punojnë krah për krah sot e do të vazhdojnë të bashkëpunojnë kur toka të bëhet Parajsë. Natyrisht, atëherë ‘kopeja e vogël’ do të jetë në qiell dhe ‘delet e tjera’ do të kenë perspektivën të jetojnë përgjithmonë në tokë. Por ‘delet e tjera’ duhet të bëjnë disa gjëra që të kualifikohen për të jetuar në Parajsë.

Sot mund të tregojmë se po përgatitemi për të jetuar së shpejti në Parajsë (Shih paragrafin 15) b

15. (a) Si bashkëpunojnë ‘delet e tjera’ me vëllezërit e Krishtit? (b) Si mund ta imitosh shembullin e vëllait në dyqan? (Shih figurën.)

15 Krimineli i penduar vdiq para se të kishte mundësi ta tregonte mirënjohjen për Krishtin. Kurse ‘delet e tjera’ kanë plot mundësi sot të tregojnë si ndihen për Jezuin. Për shembull, e tregojmë dashurinë për të me mënyrën si i trajtojmë vëllezërit e tij të mirosur. Jezui tha se mbi këtë bazë do t’i gjykonte njerëzit si dele. (Mat. 25:31-40) Mund t’i mbështetim vëllezërit e Krishtit duke i ndihmuar me zell në veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve. (Mat. 28:18-20) Ja pse duam t’i përdorim mirë mjetet për studim që na sigurojnë, si libri Gëzoje jetën përgjithmonë. Nëse nuk po drejton akoma një studim, pse të mos vësh si synim t’u ofrosh sa më shumë njerëzve të studiojnë Biblën?

16. Si mund të përgatitemi tani për të qenë nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë?

16 S’ka pse të presim jetën në Parajsë për t’u bërë ata lloj njerëzish që Jehovai dëshiron t’i ketë atje. Qysh tani le të punojmë që fjalët tona të jenë të sinqerta, veprimet tona të jenë të pastra dhe mënyra si jetojmë të jetë e ekuilibruar. Veç kësaj, t’i qëndrojmë besnikë Jehovait, bashkëshortit dhe vëllezërve e motrave. Sa më shumë ta përputhim jetën me standardet e Perëndisë në këtë botë të ligë, aq më të lehtë do ta kemi të jetojmë sipas tyre në Parajsë. Mund të zhvillojmë edhe aftësi e cilësi të tjera që tregojnë se po përgatitemi për të jetuar në botën e re. Për këtë mund të na ndihmojë artikulli «A je gati ‘të trashëgosh tokën’?» që gjendet në këtë revistë.

17. A duhet të na mbytin ndjenjat e fajit për mëkatet e së kaluarës? Shpjegoni.

17 Duhet edhe të përpiqemi të fshijmë nga zemra ndjenjat mbytëse të fajit për shkak të mëkateve serioze të së kaluarës. Natyrisht, kurrë nuk do ta shihnim flijimin shpërblyes si një justifikim ‘për të vazhduar të mëkatojmë me dashje’. (Hebr. 10:26-31) Por nëse jemi penduar sinqerisht për një mëkat serioz, kemi kërkuar ndihmën që siguron Jehovai dhe kemi ndryshuar sjellje, atëherë mund të jemi të sigurt se Ai na ka falur plotësisht, «në masë të madhe». (Isa. 55:7, shën.; Vep. 3:19) Të mos harrojmë çfarë u tha Jezui farisenjve: «Nuk erdha të thërras të drejtët, por mëkatarët.» (Mat. 9:13) Flijimi shpërblyes ka fuqi t’i fshijë të gjitha mëkatet tona!

TI MUND TË JETOSH PËRGJITHMONË NË PARAJSË

18. Për çfarë do të kishe qejf të bisedoje me kriminelin që vdiq përkrah Jezuit?

18 Përfytyroje veten në Parajsë duke biseduar me kriminelin që foli me Jezuin. Pa dyshim, që të dy do të shprehni mirënjohje të thellë për flijimin e Jezuit. Ti ndoshta do t’i kërkosh të të tregojë diçka më shumë për orët e fundit të Jezuit në tokë dhe si u ndie kur Jezui e pranoi kërkesën e tij. Ndërkohë ai mund të të pyesë si ishte të jetoje në ditët e fundit të sistemit të Satanait. Çfarë privilegji do të jetë të studiojmë Fjalën e Perëndisë me njerëz të tillë!—Efes. 4:22-24.

Një vëlla që mezi priste të zhvillonte një talent, po kënaqet gjatë Mijëvjeçarit duke e bërë këtë (Shih paragrafin 19)

19. Pse jeta në Parajsë nuk do të jetë e mërzitshme? (Shih figurën e kopertinës.)

19 Jeta në Parajsë s’ka për të qenë kurrë e mërzitshme. Do të kemi përherë mundësinë të takojmë njerëz interesantë dhe të bëjmë punë domethënëse. E më e bukura do të jetë që çdo ditë do të kemi mundësi ta njohim më mirë Atin tonë qiellor e të shijojmë dhuratat e tij. Nuk do të shterojnë kurrë gjërat e reja që mund të mësojmë për Perëndinë tonë dhe do të zbulojmë pa fund për krijimin e tij. Sa më gjatë të jetojmë, aq më e thellë do të bëhet dashuria që ndiejmë për të. Sa mirënjohës u jemi Jehovait dhe Jezuit për premtimin se mund të jetojmë përgjithmonë në Parajsë!

KËNGA 22 Jezui është në fron—Ardhtë Mbretëria!

a A mendon shpesh si do të jetë jeta në Parajsë? Marrim zemër kur meditojmë për këtë. Sa më shumë të bluajmë në mendje çfarë ka përgatitur Jehovai për ne, aq më me entuziazëm do t’u flasim të tjerëve për botën e re. Ky artikull do të na forcojë besimin te premtimi i Jezuit për një Parajsë në të ardhmen.

b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla që shpreson të marrë pjesë në veprën e arsimimit të të ringjallurve, mëson të tjerët që sot.