A ju kujtohet?
A i keni lexuar me kujdes numrat e Kullës së Rojës të këtij viti? Shihni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
Çfarë përfshin «të përtërish mendjen»? (Rom. 12:2)
Përfshin më shumë sesa të bëjmë ca vepra të mira. Përfshin të shqyrtojmë si jemi përbrenda dhe të bëjmë ndryshime që jeta jonë të përputhet sa më shumë me standardet e Perëndisë.—w23.01, f. 8-9.
Si mund të tregojmë ekuilibër kur shohim ç’ndodh në botë?
Duam të kuptojmë se si ngjarjet e sotme botërore po plotësojnë profecitë. Në vend që të nxjerrim përfundime me hamendje, çka mund të shkaktojë përçarje, bëjmë mirë t’i bazojmë diskutimet tona te materialet e botuara nga organizata. (1 Kor. 1:10)—w23.02, f. 16.
Si ndryshon pagëzimi i Jezuit nga pagëzimi i dishepujve të tij?
Ngaqë lindi në një komb të kushtuar ndaj Perëndisë, Jezui nuk kishte nevojë t’ia kushtonte jetën Jehovait ashtu si ne. Jezui ishte njeri i përsosur, pa mëkat. Pra nuk kishte nevojë të pendohej për mëkatet.—w23.03, f. 5.
Si mund të ndihmojmë që të tjerët të komentojnë në mbledhje?
Mund të bëjmë komente të shkurtra, që t’u japim mundësi edhe të tjerëve të komentojnë. Gjithashtu të mos flasim për shumë pika. Kështu edhe të tjerët do të kenë për çfarë të komentojnë.—w23.04, f. 23.
Çfarë është «Udha e Shenjtërisë» që përmendet tek Isaia 35:8?
Në fillim kjo rrugë e figurshme ishte rruga që bënë judenjtë nga Babilonia për në atdheun e tyre. Po në kohën tonë? Për shumë shekuj para vitit 1919, u bë goxha punë për ta shtruar rrugën. Kjo punë përfshinte përkthimin dhe shtypjen e Biblës. Duke ecur në ‘Udhën e Shenjtërisë’, shërbëtorët e Perëndisë do të vazhdojnë të gëzojnë parajsën e figurshme dhe në fund bekimet që do të sjellë Mbretëria.—w23.05, f. 15-19.
Çfarë këshillash na jepen te kapitulli 9 i Proverbave nëpërmjet dy grave të figurshme?
Te Proverbat flitet për ‘një grua të pamend’; ata që e pranojnë ftesën e saj përfundojnë në ‘Varr’. Flitet edhe për ‘mençurinë e vërtetë’, të personifikuar nga një grua; ata që e pranojnë ftesën e saj ecin në «udhën e arsyes» dhe do të gëzojnë jetën përgjithmonë. (Prov. 9:1, 6, 13, 18)—w23.06, f. 22-24.
Si u tregua i përulur dhe i arsyeshëm Perëndia ndaj Lotit?
Jehovai e udhëzoi Lotin të ikte nga Sodoma për në rajonin malor. Mirëpo, kur Loti iu lut të ikte në Zoar, Perëndia ia plotësoi kërkesën.—w23.07, f. 21.
Ç’mund të bëjë gruaja nëse bashkëshorti shikon pornografi?
Ajo duhet të mbajë në mendje se nuk ka ndonjë faj. Duhet të përqendrohet te marrëdhënia e saj me Perëndinë dhe të meditojë rreth ndonjë tregimi nga Bibla për gra që morën ngushëllim prej tij kur ishin të shqetësuara. Gjithashtu mund të ndihmojë bashkëshortin e saj të shmangë situata tunduese.—w23.08, f. 14-17.
Kur na bëjnë pyetje provokuese për bindjet tona, si mund të na ndihmojë gjykimi i thellë të jemi të butë?
Pyetjet ose dyshimet që ngre dikush mund t’i shohim si një mënyrë për të mësuar çfarë mendon ose çfarë ka rëndësi për të. Kështu jemi më të përgatitur të përgjigjemi me butësi.—w23.09, f. 17.
Sipas shembullit të Marisë, cila është një mënyrë si mund të marrim forcë?
Pasi mori vesh se do të bëhej nëna e Mesisë, Maria mori forcë nga të tjerët. Gabrieli dhe Elizabeta i dhanë zemër Marisë me mendime nga Shkrimet. Edhe ne mund të marrim forcë nga bashkëbesimtarët.—w23.10, f. 15.
Si mund t’u përgjigjet Jehovai lutjeve tona?
Ai premton se do të na i dëgjojë lutjet dhe mban parasysh qëllimin e tij kur e bën këtë. (Jer. 29:12) Vërtet, ai mund t’u përgjigjet në mënyra të ndryshme lutjeve të ngjashme, ama do të na mbështetë gjithmonë.—w23.11, f. 21-22.
Përderisa «shpresa» përmendet te Romakëve 5:2, pse renditet prapë më poshtë në vargun 4?
Pasi dëgjon lajmin e mirë, dikush mund të ketë shpresën që të gëzojë jetën në një tokë parajsore. Por ndërsa kalon shtrëngime, tregon qëndrueshmëri dhe ndien se Perëndia e miraton, shpresa e tij bëhet më e fortë dhe më personale.—w23.12, f. 12-13.