ARTIKULLI I STUDIMIT 50
Falë besimit e veprave mund të konsiderohesh i drejtë
‘Ecni në gjurmët e besimit që kishte ati ynë, Abrahami.’—ROM. 4:12.
KËNGA 119 Besimi që mund botën
PËRMBLEDHJE a
1. Kur mendojmë për besimin e Abrahamit, cila pyetje mund të na lindë?
PLOT njerëz kanë dëgjuar për Abrahamin. Por shumica di fare pak për të. Ndërsa ti di shumë për Abrahamin. Për shembull di që Abrahami është quajtur ‘ati i atyre që kanë besim’. (Rom. 4:11) Mirëpo ndoshta pyet veten: «A mund të eci në gjurmët e Abrahamit dhe të kem një besim aq të fortë sa ai?» Po, mund ta kesh.
2. Pse është e rëndësishme të studiojmë shembullin e Abrahamit? (Jakovi 2:22, 23)
2 Një mënyrë për të zhvilluar një besim si ai i Abrahamit është të studiojmë shembullin e tij. Me urdhër të Perëndisë, ai u shpërngul në një vend të largët, jetoi dekada të tëra në tenda dhe u tregua i gatshëm të flijonte birin e tij të shtrenjtë, Isakun. Të gjitha këto flitnin për një besim të fortë. Falë besimit e veprave, Abrahami gëzoi miratimin dhe miqësinë e Perëndisë. (Lexo Jakovin 2:22, 23.) Jehovai dëshiron që këto bekime t’i gëzojmë edhe ne—edhe ti! Ja pse frymëzoi dy shkrimtarë të Biblës, Pavlin dhe Jakovin, që të flitnin për shembullin e Abrahamit. Le të përqendrohemi tani te shembulli i tij. Për këtë do të na ndihmojnë kapitulli 4 i Romakëve dhe kapitulli 2 i Jakovit. Në të dy këta kapituj citohet një pohim shumë i rëndësishëm që ishte bërë për Abrahamin.
3. Cilin shkrim cituan edhe Pavli, edhe Jakovi?
3 Edhe Pavli, edhe Jakovi cituan Zanafillën 15:6, që thotë: «Abrami tregoi besim te Jehovai, prandaj Ai e konsideroi Abramin të drejtë.» Kur Perëndia e konsideron të drejtë dikë, kjo do të thotë se e sheh si të pafaj dhe është i kënaqur me të. Sa gjë e mahnitshme që Perëndia ta shohë si të pafaj një njeri të papërsosur, mëkatar! Natyrisht, ti dëshiron që Jehovai të të quajë edhe ty të drejtë. E kjo është e mundur. Për të kuptuar si, duam të kuptojmë pse Jehovai e quajti të drejtë Abrahamin.
BESIMI—JETËSOR QË PERËNDIA TË NA KONSIDEROJË TË DREJTË
4. Çfarë i pengon njerëzit të jenë të drejtë?
4 Në letrën që u shkroi romakëve, Pavli tha se të gjithë njerëzit janë mëkatarë. (Rom. 3:23) Po si është e mundur atëherë që Perëndia të na shohë si të drejtë ose të pafaj dhe të jetë i kënaqur me ne? Për të na ndihmuar t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, Pavli përdori shembullin e Abrahamit.
5. Mbi ç’bazë e shpalli Jehovai Abrahamin të drejtë? (Romakëve 4:2-4)
5 Jehovai e shpalli të drejtë Abrahamin ndërkohë që ai jetonte në vendin e Kananit. Po pse mund ta quante të drejtë? Ngaqë Abrahami i bindej në mënyrë të përsosur Ligjit të Moisiut? S’do mend që jo. (Rom. 4:13) Ai Ligj iu dha kombit të Izraelit më shumë se 400 vjet pasi Perëndia e shpalli të drejtë Abrahamin. Pra mbi ç’bazë e quajti Jehovai Abrahamin të drejtë? Duke treguar mirësi të pamerituar ndaj Abrahamit, Jehovai e shpalli të drejtë për shkak të besimit të tij.—Lexo Romakëve 4:2-4.
6. Pse mund ta shpallë Jehovai të drejtë një mëkatar?
6 Më tej Pavli e vazhdoi arsyetimin duke thënë se kur dikush tregon besim te Perëndia, «konsiderohet i drejtë falë besimit». (Rom. 4:5) Pastaj shtoi: «Sa i lumtur është njeriu që Perëndia e konsideron të drejtë, pavarësisht nga veprat, ashtu siç thotë edhe Davidi: ‘Lum ata që u janë falur veprat e liga dhe u janë fshirë mëkatet! Lum njeriu që Jehovai nuk do t’ia llogaritë kurrsesi mëkatin!’» (Rom. 4:6-8; Psal. 32:1, 2) Perëndia ua fal ose ua fshin mëkatet atyre që tregojnë besim tek ai. Ai i fal plotësisht dhe nuk ua llogarit më gabimet. Ngaqë tregojnë besim, Jehovai i sheh si të pafaj e të drejtë.
7. Në ç’kuptim konsideroheshin të drejtë adhuruesit besnikë?
7 Ndonëse Perëndia i shpalli të drejtë, Abrahami, Davidi dhe adhurues të tjerë besnikë prapë ishin mëkatarë të papërsosur. Por falë besimit të tyre, Perëndia i shihte si të pafaj, sidomos karshi njerëzve që nuk e adhuronin. (Efes. 2:12) Siç e bën të qartë Pavli në letrën e tij, besimi është jetësor për të pasur një marrëdhënie personale me Perëndinë. Kështu ishte për Abrahamin dhe Davidin, e kështu është edhe për ne.
SI LIDHEN BESIMI DHE VEPRAT?
8-9. Çfarë përfundimi të gabuar kanë nxjerrë disa nga shkrimet e Pavlit e të Jakovit, dhe pse?
8 Për shekuj të tërë, lidhja mes besimit dhe veprave ka qenë objekt debatesh të zjarrta në krishterim. Ka klerikë që mësojnë se e vetmja gjë që kërkohet për të shpëtuar është të besosh te Zotëria Jezu Krisht. Mbase i ke dëgjuar të thonë: «Prano Jezuin dhe do të shpëtosh.» Disa madje mund të citojnë fjalët e Pavlit: «Perëndia e konsideron të drejtë [njeriun], pavarësisht nga veprat.» (Rom. 4:6) Kurse të tjerë thonë se mund «të shpëtosh veten» duke bërë pelegrinazhe në vende «të shenjta» ose vepra të tjera të mira që kërkon kisha. E për këtë mund të citojnë Jakovin 2:24: «Njeriu shpallet i drejtë nga veprat dhe jo vetëm nga besimi.»
9 Për shkak të këtyre opinioneve të kundërta, disa studiues të Biblës kanë nxjerrë përfundimin se Pavli e Jakovi nuk ishin në një mendje për rolin që luajnë besimi dhe veprat te miratimi i Perëndisë. Klerikët mund të thonë që Pavli besonte se njeriu shpallet i drejtë me anë të besimit e jo falë veprave, kurse Jakovi mësonte se veprat janë të domosdoshme për të pasur miratimin e Perëndisë. Ja si shprehet një profesor i teologjisë: «Jakovi nuk e kuptonte ç’e shtynte Pavlin të këmbëngulte se mjafton besimi [për t’u shpallur i drejtë] e s’ka nevojë për vepra.» Por ishte Jehovai ai që i frymëzoi qoftë Pavlin, qoftë Jakovin. (2 Tim. 3:16) Prandaj duhet të ketë një mënyrë të thjeshtë për t’i harmonizuar pohimet e tyre—ta shqyrtojmë në kontekst atë që shkruan.
10. Për cilat «vepra» e kishte fjalën Pavli? (Romakëve 3:21, 28) (Shihni edhe figurën.)
10 Për cilat «vepra» e kishte fjalën Pavli te kapitujt 3 dhe 4 të Romakëve? Ai po fliste kryesisht për ‘veprat e ligjit’—të Ligjit që iu dha Moisiut në malin Sinai. (Lexo Romakëve 3:21, 28.) Duket se në kohën e Pavlit disa të krishterë judenj e kishin të vështirë ta pranonin se Ligji i Moisiut dhe veprat që kërkonte ai Ligj kishin marrë fund. Prandaj Pavli ua drejtoi vëmendjen te shembulli i Abrahamit si një provë se nuk kishte nevojë të bënin ‘veprat e ligjit’ për të qenë të drejtë në sy të Perëndisë. Për të gëzuar miratimin e Tij, u duhej besim. Kjo na jep zemër sepse na siguron që po të tregojmë besim te Perëndia dhe Krishti, edhe ne mund të gëzojmë miratimin e Tij.
11. Për çfarë «veprash» e kishte fjalën Jakovi?
11 Ndërsa «veprat» e përmendura te kapitulli 2 i Jakovit nuk janë ‘veprat e ligjit’ për të cilat foli Pavli. Jakovi e kishte fjalën për vepra ose aktivitete që bën në jetën e përditshme një shërbëtor i Perëndisë. Vepra të tilla tregojnë nëse ka vërtet besim te Perëndia. Të shohim dy shembuj që përdori Jakovi.
12. Si e shpjegoi Jakovi lidhjen mes besimit dhe veprave? (Shihni edhe figurën.)
12 Në shembullin e parë, Jakovi theksoi sa e nevojshme është të jemi të paanshëm në marrëdhëniet me të tjerët. Këtë e ilustroi me shembullin e dikujt që mbante me hatër një të pasur por shpërfillte një të varfër. Jakovi theksoi se ai njeri mund të thoshte se kishte besim, por veprat e tij flisnin ndryshe. (Jak. 2:1-5, 9) Si shembull të dytë Jakovi mori dikë që shihte se ‘një vëlla a motër nuk kishte rroba ose ushqim’, por nuk i jepte ndihmë praktike. Edhe nëse thoshte se kishte besim, ai nuk e tregonte me vepra. Prandaj besimi i tij ishte pa vlerë. Siç shkroi Jakovi, «besimi në vetvete, pa vepra, është i vdekur».—Jak. 2:14-17.
13. Cilin shembull përdori Jakovi për të treguar se besimi duket nga veprat? (Jakovi 2:25, 26)
13 Jakovi përmendi Rahabën si një shembull të mirë se besimi duket nga veprat. (Lexo Jakovin 2:25, 26.) Ajo kishte dëgjuar për Jehovain dhe e pranonte se izraelitët kishin mbështetjen e tij. (Jos. 2:9-11) E besimin e tregoi me vepra—i mbrojti dy vëzhguesit izraelitë kur u rrezikohej jeta. Si rezultat, ajo joizraelite e papërsosur u shpall e drejtë, njësoj si Abrahami. Shembulli i saj thekson sa rëndësi ka që besimi të shfaqet me vepra.
14. Pse mund të themi se shkrimet e Pavlit dhe të Jakovit janë në harmoni me njëra-tjetrën?
14 Dy shkrimtarët e Biblës, Pavli e Jakovi, thjesht po e shihnin nga këndvështrime të ndryshme rolin e besimit dhe të veprave. Pavli u theksoi të krishterëve judenj se nuk do ta kishin kurrë miratimin e Jehovait thjesht duke bërë atë që kërkonte Ligji i Moisiut. Kurse Jakovi nënvizoi sa e rëndësishme është që të gjithë shërbëtorët e Perëndisë ta tregojnë besimin duke u bërë mirë të tjerëve.
15. Cilat janë disa mënyra si mund ta tregojmë besimin me vepra? (Shihni edhe figurat.)
15 Jehovai nuk thotë që nëse duam të shpallemi të drejtë, duhet të veprojmë fiks si Abrahami. Në fakt ka plot mënyra si ta tregojmë besimin me vepra. Mund të mirëpresim të rinjtë në kongregacion, mund të ndihmojmë vëllezërit e motrat që janë në vështirësi dhe mund t’u bëjmë mirë pjesëtarëve të familjes; e të gjitha këto Perëndia i sheh me miratim dhe i bekon. (Rom. 15:7; 1 Tim. 5:4, 8; 1 Gjon. 3:18) Një nga mënyrat më të shkëlqyera si e tregojmë besimin është t’u japim me zell lajmin e mirë të tjerëve. (1 Tim. 4:16) Me anë të veprave tona, të gjithë mund të provojmë që kemi besim se premtimet e Jehovait do të bëhen realitet dhe se standardet e tij janë më të mirat. Nëse e bëjmë këtë, mund të jemi absolutisht të sigurt se Perëndia do të na konsiderojë të drejtë dhe do të na quajë miku ose mikja e Tij.
SHPRESA—JETËSORE PËR BESIMIN
16. Si lidhej shpresa me besimin e Abrahamit?
16 Kapitulli 4 i Romakëve hedh dritë mbi një mësim tjetër jetësor që nxjerrim nga Abrahami: rëndësia e shpresës. Jehovai premtoi se nëpërmjet Abrahamit do të bekoheshin ‘shumë kombe’. Imagjino çfarë shprese të mrekullueshme kishte! (Zan. 12:3; 15:5; 17:4; Rom. 4:17) Mirëpo Abrahami u bë 100 vjeç e Sara 90 vjeçe, dhe biri i premtuar nuk u kishte lindur ende. Nga pikëpamja njerëzore, dukej e pamundur që Abrahami dhe Sara të bëheshin me djalë. Çfarë sprove e vështirë për Abrahamin! «Megjithatë, falë shpresës, ai pati besim se do të bëhej ati i shumë kombeve.» (Rom. 4:18, 19) E pa diskutim që shpresa e tij u bë realitet. Atij i lindi Isaku, biri që e kishin pritur aq gjatë.—Rom. 4:20-22.
17. Nga e dimë se edhe ne mund të konsiderohemi të drejtë si miq të Perëndisë?
17 Sikurse Abrahami, Perëndia mund të na shohë edhe ne me buzëqeshje miratimi e të na konsiderojë të drejtë si miq të tij. Në fakt Pavli e theksoi këtë kur shkroi: «Fjalët ‘u konsiderua i drejtë’ nuk u shkruan vetëm për [Abrahamin], por edhe për ne që do të konsiderohemi të drejtë ngaqë besojmë tek Ai që ngriti nga të vdekurit Jezuin.» (Rom. 4:23, 24) Njësoj si Abrahami, duhet të kemi qoftë besim të shoqëruar me vepra, qoftë shpresë. Pavli vazhdoi të fliste për shpresën tonë në kapitullin 5 të Romakëve. Këtë do ta shqyrtojmë në artikullin tjetër.
KËNGA 28 Miqësia me Jehovain—Gjithçka që zemra do!
a Ne duam që Perëndia të na miratojë dhe të na shohë si të drejtë. Nëpërmjet shkrimeve të Pavlit dhe të Jakovit do të kuptojmë si është e mundur kjo. Gjithashtu do të kuptojmë pse duhen edhe besimi, edhe veprat për të pasur miratimin e Jehovait.
b PËRSHKRIMI I FIGURAVE : Pavli i nxiti të krishterët judenj të përqendroheshin te besimi, jo te ‘veprat e ligjit’, si vënia e një kordoni të hollë blu te rrobat, kremtimi i Festës së Kalimit dhe respektimi i ritualit të larjes së duarve.
c PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Jakovi i inkurajoi bashkëbesimtarët ta tregonin besimin duke u bërë mirë të tjerëve, si për shembull duke ndihmuar të varfrit.