Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 51

Ngazëllo për shpresën që nuk të zhgënjen

Ngazëllo për shpresën që nuk të zhgënjen

«Shpresa nuk të zhgënjen.»—ROM. 5:5.

KËNGA 142 Spirancë është shpresa jonë!

PËRMBLEDHJE a

1. Pse Abrahami mund të ishte i sigurt se shpresa e tij do të bëhej realitet?

 JEHOVAI i premtoi mikut të vet Abrahamit se gjithë kombet e tokës do të bekoheshin me anë të pasardhësit të tij. (Zan. 15:5; 22:18) Besimi i Abrahamit te Perëndia kishte rrënjë të thella, prandaj ishte i bindur se Ai do ta mbante premtimin. Mirëpo kur Abrahami u bë 100 vjeç dhe gruaja e tij 90 vjeçe, ai çift besnik akoma nuk kishte një djalë. (Zan. 21:1-7) Gjithsesi, Bibla thotë: «Falë shpresës, [Abrahami] pati besim se do të bëhej ati i shumë kombeve, në përputhje me atë që i ishte thënë.» (Rom. 4:18) Ti sot e di që shpresa e Abrahamit u bë realitet. Atij i lindi Isaku, djali që kishin pritur aq gjatë. Po pse Abrahami kishte bindje të patundur se shpresa e tij do të realizohej?

2. Pse Abrahami ishte i bindur se Jehovai do ta mbante premtimin?

2 Ngaqë kishte miqësi të ngushtë me Jehovain, Abrahami ishte «plotësisht i bindur se Ai ishte në gjendje ta bënte realitet atë që i kishte premtuar». (Rom. 4:21) Falë besimit të tij, Jehovai e miratonte dhe e konsideronte të drejtë. (Jak. 2:23) Siç tregon Romakëve 4:18, besimi dhe shpresa e Abrahamit ishin të lidhura fort. Le të shohim tani çfarë thotë apostulli Pavël për shpresën në kapitullin 5 të Romakëve.

3. Çfarë shpjegon Pavli për shpresën tonë?

3 Pavli shpjegon pse mund të jemi të sigurt që «shpresa nuk të zhgënjen». (Rom. 5:5) Gjithashtu na ndihmon të kuptojmë si mund ta forcojmë shpresën tonë për të ardhmen. Te Romakëve 5:1-5, Pavli përshkruan, si të thuash, një zinxhir me disa hallka. Ndërsa shqyrtojmë këto vargje, mendo çfarë ke përjetuar ti vetë. Kështu ka shumë të ngjarë të dallosh se me kohë shpresa jote është bërë më e sigurt. Gjatë këtij diskutimi do të shohësh edhe si mund ta bësh akoma më të fortë shpresën tënde. Por në fillim le të flasim për një shpresë të lavdishme që, siç thotë Pavli, nuk të zhgënjen.

SHPRESA JONË E LAVDISHME

4. Çfarë tregon Romakëve 5:1, 2?

4 Lexo Romakëve 5:1, 2. Pavli ia shkroi këto fjalë kongregacionit të Romës. Vëllezërit e motrat atje kishin mësuar për Jehovain e Jezuin, kishin treguar besim dhe ishin bërë të krishterë. Prandaj Perëndia i ‘shpalli të drejtë falë besimit’ dhe i mirosi me frymë të shenjtë. Kështu, ata kishin një shpresë të mrekullueshme dhe mund të ishin të sigurt se ajo do të bëhej realitet.

5. Çfarë shprese kanë të mirosurit?

5 Më vonë, Pavli u shkroi të mirosurve në Efes për shpresën që u kishte dhënë Perëndia. Ata do të merrnin një «trashëgimi për të shenjtët». (Efes. 1:18) Gjithashtu, Pavli u tregoi kolosianëve ku do ta merrnin atë trashëgimi. U tha se ajo ‘shpresë ruhej për ta në qiej’. (Kolos. 1:4, 5) Pra shpresa e të mirosurve është të ringjallen për të jetuar përgjithmonë në qiell, ku do të mbretërojnë me Krishtin.—1 Sel. 4:13-17; Zbul. 20:6.

Vëlla Frederik Franci shprehu bukur sigurinë që kanë të mirosurit se shpresa e tyre do të bëhet realitet (Shih paragrafin 6)

6. Çfarë tha një vëlla i mirosur për shpresën e tij?

6 Të mirosurit e çmojnë shumë këtë shpresë. Një prej tyre, vëlla Frederik Franci, tha këto fjalë nga zemra: «Shpresa jonë është e sigurt. Ajo do të realizohet plotësisht për secilin nga 144.000 pjesëtarët e kopesë së vogël dhe do të jetë më e mrekullueshme se çdo gjë që kemi imagjinuar.» Në vitin 1991, pasi kishte shërbyer me besnikëri për dekada, ai tha: «Nuk na është venitur aspak vlerësimi për këtë shpresë. . . . Sa më shumë kalon koha, aq më shumë na thellohet çmueshmëria për të. Ia vlen ta presim plotësimin e saj, edhe sikur të na duhet të presim një milion vjet. Jam mirënjohës më shumë se kurrë për shpresën tonë.»

7-8. Çfarë shprese ka shumica prej nesh? (Romakëve 8:20, 21)

7 Shumica e adhuruesve të Jehovait sot ka një shpresë tjetër. Është po ajo shpresë që kishte Abrahami—të jetojnë përgjithmonë në tokë si nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë. (Hebr. 11:8-10, 13) Pavli shkroi për shpërblimin e lavdishëm që i pret. (Lexo Romakëve 8:20, 21.) Çfarë të lumturoi më shumë kur mësove premtimin e Biblës për të ardhmen? A ishte perspektiva se një ditë do të jesh i përsosur e s’do të jesh kurrë më skllav i mëkatit? Apo ndoshta të gufoi zemra nga gëzimi kur mësove se njerëzit e tu të dashur do të kthehen në jetë në një tokë parajsore? «Në bazë të shpresës», ka plot gjëra të mrekullueshme që i pret me zjarr.

8 Pavarësisht nëse presim të shijojmë jetën pa fund në qiell apo në tokë, kemi një shpresë të lavdishme që është burim gëzimi. Më tej, Pavli shpjegon si mund ta bëjmë akoma më të patundur këtë shpresë të bukur. Le të shohim çfarë shkroi për shpresën tonë. Kjo do të na e forcojë sigurinë se shpresa jonë do të bëhet gjithnjë e më reale dhe s’do të na zhgënjejë kurrë.

SI E BËJMË MË TË SIGURT SHPRESËN TONË

Të gjithë shërbëtorët e Perëndisë mund të presin shtrëngime të llojeve të ndryshme (Shih paragrafët 9-10)

9-10. Siç e tregon shembulli i Pavlit, çfarë mund të presin shërbëtorët e Perëndisë? (Romakëve 5:3) (Shihni edhe figurat.)

9 Lexo Romakëve 5:3. Siç tregon shkrimi, kur kemi shtrëngime shpresa jonë mund të bëhet më e sigurt. Mbase na duket e çuditshme kjo. Por në realitet, të gjithë dishepujt e Krishtit mund të presin shtrëngime. Të marrim shembullin e Pavlit. Ai u tha vëllezërve në Selanik: «Kur ishim me ju, jua kishim thënë se do të hasnim vështirësi, dhe kështu ka ndodhur.» (1 Sel. 3:4) Gjithashtu korintasve u shkroi: «Nuk duam të jeni në padije të sprovave që hasëm . . . nuk ishim të sigurt as për vetë jetën.»—2 Kor. 1:8; 11:23-27.

10 Edhe shërbëtorët e Perëndisë sot mund të presin shtrëngime të llojeve të ndryshme. (2 Tim. 3:12) Mendo pak për rastin tënd. Ti ke treguar besim te Jezui dhe po ecën në gjurmët e tij. A ke hasur ndërkohë sprova? Miqtë dhe të afërmit mund të të tallin. Madje mund të jenë bërë armiqësorë ndaj teje. Mos ndoshta vendosmëria për të qenë i ndershëm në çdo gjë të ka hapur probleme në punë? (Hebr. 13:18) A je përballur me kundërshtime nga qeveria ngaqë u flet të tjerëve për shpresën tënde? Çfarëdolloj shtrëngimi të hasim, Pavli thotë se prapëseprapë duhet të gëzojmë. Pse?

11. Pse duhet të jemi të vendosur të tregojmë qëndrueshmëri në çdo sprovë?

11 Mund të gëzojmë kur ndeshim shtrëngime sepse dimë dobitë që do të sjellë kjo. Siç thotë Romakëve 5:3, «shtrëngimet sjellin qëndrueshmëri». Të gjithë shërbëtorët e Perëndisë do të hasin shtrëngime. Prandaj të gjithë duhet të jemi të vendosur të tregojmë qëndrueshmëri në çdo sprovë. Vetëm kështu do të arrijmë ta shohim me sytë tanë se si do të bëhet realitet shpresa që kemi. Nuk duam të jemi si ata që kishte në mendje Jezui kur foli për farat që ranë në vend shkëmbor. Në fillim ata e pranojnë fjalën me gëzim, por «kur vijnë shtrëngimet ose përndjekjet» heqin dorë. (Mat. 13:5, 6, 20, 21) Dihet, nuk është ndonjë kënaqësi dhe as është e lehtë të durojmë kundërshtime ose sprova. Ama është e sigurt se kur tregojmë qëndrueshmëri, korrim fryte të mira. Në ç’kuptim?

12. Si nxjerrim dobi kur tregojmë qëndrueshmëri?

12 Dishepulli Jakov nxori në pah disa dobi që sjell qëndrueshmëria. Ai shkroi: «Lejoni që qëndrueshmëria ta kryejë plotësisht punën e saj, që të jeni të plotë dhe të përkryer në çdo aspekt, e të mos ju mungojë asgjë.» (Jak. 1:2-4) Pra, Jakovi thotë se qëndrueshmëria duhet të kryejë një punë ose një mision. Misioni i saj është të të ndihmojë të zhvillosh më plotësisht cilësi si durimi, besimi dhe siguria se Perëndia do të të mbështetë. Por qëndrueshmëria në sprova sjell edhe një dobi tjetër të madhe.

13-14. Çfarë sjell qëndrueshmëria, dhe si ndikon kjo te shpresa jonë? (Romakëve 5:4)

13 Lexo Romakëve 5:4. Pavli thotë se qëndrueshmëria sjell «miratimin e Perëndisë». Kjo s’do të thotë se Jehovai kënaqet kur përballesh me probleme. Ai nuk miraton sprovat; të miraton ty. Falë qëndrueshmërisë në sprova, ti gëzon miratimin e Jehovait. Çfarë bekimi i mrekullueshëm!—Psal. 5:12.

14 Sill ndër mend se Abrahami qëndroi me besnikëri në sprova, e si rezultat gëzoi miratimin e Perëndisë. Jehovai e shihte si mikun e Tij dhe e konsideronte të drejtë. (Zan. 15:6; Rom. 4:13, 22) Kështu mund të jetë edhe me ne. Miratimi i Perëndisë nuk vjen nga sasia e punës që bëjmë në shërbim të tij a nga caktimet që kemi. Miratimi i tij vjen kur qëndrojmë me besnikëri në sprova. E pavarësisht nga mosha, rrethanat ose aftësitë tona, të gjithë mund të tregojmë qëndrueshmëri. A po qëndron besnik sot përballë një sprove? Nëse po, mos harro se Perëndia po të sheh me buzëqeshje miratimi. Kur e dimë se kemi miratimin e Perëndisë, ndihemi akoma më të sigurt se do t’i shijojmë bekimet që na ka premtuar.

NJË SHPRESË MË E FORTË

15. Çfarë shton më pas Pavli, dhe pse kjo mund t’i habitë disa?

15 Siç shpjegoi Pavli, kur tregojmë qëndrueshmëri në sprova fitojmë miratimin e Jehovait. Pastaj Pavli shtoi: «Miratimi i Perëndisë sjell shpresë, dhe shpresa nuk të zhgënjen.» (Rom. 5:4, 5) Kjo mund t’i habitë disa. Pse? Sepse më parë, te Romakëve 5:2, Pavli kishte thënë se ata të krishterë në Romë e kishin një shpresë, ‘shpresën se do të merrnin lavdi nga Perëndia’. Pra, përderisa kishin tashmë një shpresë, pse Pavli e rendit më poshtë shpresën në diskutimin e tij?

Ajo shpresë që në fillim të bëri për vete, tani është bërë shumë më e çmuar, më personale dhe më e sigurt (Shih paragrafët 16-17)

16. Si hodhi rrënjë shpresa brenda nesh? (Shihni edhe figurat.)

16 Mund ta kuptojmë ç’donte të thoshte Pavli nëse mbajmë parasysh se shpresa është si një bimë që hedh rrënjë e rritet. Mendo pak: a të kujtohet hera e parë kur dëgjove për shpresën e mrekullueshme që përmban Fjala e Perëndisë? Ndoshta atëherë mendimi që të jetoje përgjithmonë në një tokë parajsore t’u duk thjesht një ëndërr e bukur. Mirëpo, sa më shumë mësoje për Jehovain dhe për premtimet e tij, aq më shumë të forcohej bindja se ajo shpresë do të bëhej realitet.

17. Si është forcuar shpresa jonë pas kushtimit dhe pagëzimit?

17 Pas kushtimit e pagëzimit, ndërsa mësoje më shumë për Jehovain e përparoje drejt pjekurisë, shpresa jote vazhdoi të forcohej. (Hebr. 5:13–6:1) Ka shumë të ngjarë që e përjetove vetë atë që thuhet te Romakëve 5:2-4. Kalove gjithfarë shtrëngimesh, por tregove qëndrueshmëri dhe ndjeve se Perëndia të miratonte. Bindja se Perëndia është i kënaqur me ty ta ka forcuar sigurinë se do t’i gëzosh bekimet që ka premtuar. Pra shpresa jote është bërë më fortë se në fillim. Është bërë më reale, më personale. Ndikon më thellë te ti. Ndikon te çdo aspekti i jetës, te mënyra si i trajton pjesëtarët e familjes, si i merr vendimet, e madje edhe si e përdor kohën.

18. Çfarë garancie na jep Jehovai?

18 Apostulli Pavël shton një element shumë të rëndësishëm për shpresën që ke pasi provon miratimin e Perëndisë. Pavli të siguron se shpresa jote do të bëhet realitet. Po pse mund të jesh i sigurt? Ai dha këtë garanci nga Perëndia: «Shpresa nuk të zhgënjen, sepse fryma e shenjtë që na u dha, i ka mbushur zemrat tona me dashurinë e Perëndisë.» (Rom. 5:5) Kështu ke plot arsye që të jesh i sigurt për shpresën që të ka dhënë Jehovai.

19. Çfarë sigurie mund të kesh për shpresën tënde?

19 Mendo për premtimin që i bëri Jehovai Abrahamit, si edhe për faktin që e miratonte dhe e konsideronte mikun e Tij. Shpresa e Abrahamit nuk ishte një shpresë boshe. Bibla thotë: «Pasi priti me durim, Abrahami e mori këtë premtim.» (Hebr. 6:15; 11:9, 18; Rom. 4:20-22) Ai nuk mbeti aspak i zhgënjyer. Ti mund të jesh po aq i sigurt se po të qëndrosh besnik, do ta marrësh shpërblimin që shpreson. Ngazëllo për shpresën tënde; ajo është reale, s’do të të zhgënjejë! (Rom. 12:12) Pavli shkroi: «Perëndia që jep shpresë, ju mbushtë plot gëzim e paqe ngaqë besoni tek ai, që të jeni plot e përplot me shpresë falë fuqisë së frymës së shenjtë!»—Rom. 15:13.

KËNGA 139 Përfytyro agimin e jetës së re

a Në këtë artikull do të shqyrtojmë çfarë përfshin shpresa jonë e krishterë dhe pse mund të jemi të sigurt se do të bëhet realitet. Me ndihmën e kapitullit 5 të Romakëve do të kuptojmë si ndryshon shpresa jonë sot nga shpresa që kishim në fillim kur mësuam të vërtetën.