Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përvetëso pikëpamjen e Jehovait për alkoolin

Përvetëso pikëpamjen e Jehovait për alkoolin

NUK ka dyshim se ti i çmon dhuratat e shumëllojshme të Jehovait. Ndër to është edhe vullneti i lirë për të vendosur si t’i shijosh këto dhurata. Sipas Biblës, vera është dhuratë nga Perëndia. Madje Bibla thotë për verën se «ia gëzon zemrën njeriut». (Psal. 104:15; Ekl. 10:19) Por me siguri do të kesh parë që për disa njerëz alkooli është bërë problem. E veç kësaj, ka lloj-lloj opinionesh e standardesh nëpër kulturat e ndryshme rreth globit. Çfarë mund ta ndihmojë, pra, një shërbëtor të Jehovait të marrë vendime të mençura në lidhje me alkoolin?

Pavarësisht nga vendi ku jetojmë a shoqëria në të cilën jemi rritur, nëse përvetësojmë pikëpamjen e Perëndisë dhe lejojmë që të na drejtojnë këshillat e tij kur marrim vendime, do të kemi një jetë më të lumtur.

Me siguri e ke vërejtur se shumë njerëz në botë pinë shpesh e me tepri. Disa pinë për shkak të qetësisë që u jep alkooli. Të tjerë që të përballojnë problemet. E në disa vende, pirja e alkoolit në sasi të mëdha shihet si tregues i pjekurisë ose i burrërisë.

Megjithatë, shërbëtorët e Jehovait kanë këshilla të mençura nga Krijuesi i tyre i dashur. Për shembull, ai na ka paralajmëruar për pasojat e trishtueshme të pirjes me tepri. Mbase i kemi lexuar Proverbat 23:29-35, ku përshkruhet në mënyrë të detajuar një njeri i dehur e disa nga problemet që vijnë si pasojë. a Danieli, një plak kongregacioni në Evropë, kujton jetën e tij para se të bëhej shërbëtor i Jehovait. Ai thotë: «Pirja me tepri më bënte të merrja vendime të këqija e të përjetoja gjëra shumë të dhembshme. Këto më kanë lënë vraga emocionale.»

Si mund ta ushtrojmë me mençuri vullnetin e lirë për të shmangur problemet që sjell pirja me tepri? Sekreti është të lejojmë që të na drejtojë pikëpamja e Perëndisë në mënyrën si mendojmë dhe veprojmë.

Le të shohim se çfarë thotë Bibla për alkoolin, si edhe arsyet pse disa pinë alkool.

STANDARDI I BIBLËS

Fjala e Perëndisë nuk e dënon pirjen me masë të pijeve alkoolike. Në fakt, Bibla e pranon se të pish verë mund të jetë një gjë e këndshme. Ajo thotë: «Haje me hare ushqimin tënd dhe pije verën tënde me zemër të gëzuar.» (Ekl. 9:7) Jezui pinte verë me raste, e po ashtu edhe shërbëtorë të tjerë besnikë të Jehovait.—Mat. 26:27-29; Luka 7:34; 1 Tim. 5:23.

Sidoqoftë, Fjala e Perëndisë tregon se të pish pak është shumë ndryshe nga dehja. Ajo thotë: «Mos u dehni me verë.» (Efes. 5:18) E madje tregon qartë se «pijanecët . . . nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë». (1 Kor. 6:10) Po, Jehovai e dënon fort pirjen me tepri dhe dehjen. Ne nuk lejojmë të na e diktojë shoqëria ku jetojmë se sa duhet të pimë, por lejojmë pikëpamjen e Perëndisë të na udhëheqë.

Disa mendojnë se mund të pinë sasi të mëdha alkooli pa u dehur. Ama, kjo është shumë e rrezikshme. Shkrimet e tregojnë qartë se një burri (ose një gruaje) mund t’i dëmtohen vlerat morale dhe miqësia me Jehovain nëse bëhet ‘skllav i verës së shumtë’. (Titit 2:3; Prov. 20:1) Madje, Jezui paralajmëroi se «të pirët e tepërt» mund ta pengojë dikë të hyjë në botën e re të Perëndisë. (Luka 21:34-36) Atëherë, çfarë mund ta ndihmojë një shërbëtor të Jehovait të shmangë grackat në të cilat mund të bjerë lehtësisht për shkak të alkoolit?

SHQYRTO MOTIVET DHE ZAKONET

Është e rrezikshme që pikëpamja e dikujt për pirjen e alkoolit të drejtohet nga pikëpamja e shoqërisë ku është rritur. Kur bëhet fjalë për të ngrënët e të pirët, të krishterët e vërtetë bëjnë me mençuri atë që është e pëlqyeshme për Jehovain. Bibla na nxit: «Nëse hani, nëse pini apo nëse bëni diçka tjetër, gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë.» (1 Kor. 10:31) Ja disa pyetje dhe parime nga Bibla për t’i shqyrtuar:

A pi alkool që të pranohem nga të tjerët? Eksodi 23:2 thotë: «Mos shko pas shumicës.» Me këto fjalë, Jehovai po i paralajmëronte izraelitët të mos u bënin qejfin njerëzve që nuk kishin pëlqimin e tij. Ajo këshillë vlen edhe për shërbëtorët e tij sot. Po t’i lejojmë të tjerët të ndikojnë te mënyra si mendojmë e veprojmë në lidhje me alkoolin, mund të ndodhë të largohemi nga Jehovai dhe standardet e tij.—Rom. 12:2.

A pi alkool që të tregoj sa i fortë jam? Në disa kultura, pirja e shpeshtë e me tepri është e zakonshme dhe e pranueshme. (1 Pjet. 4:3) Por shih se çfarë na inkurajon të bëjmë 1 Korintasve 16:13: «Rrini zgjuar! Qëndroni të patundur në besim! Silluni si burrat! Bëhuni të fuqishëm!» A mund ta ndihmojë vërtet alkooli dikë të bëhet i fuqishëm? Krejt e kundërta. Alkooli mund t’i mpijë lehtësisht shqisat e njeriut e ta bëjë të paaftë të mendojë e të veprojë me kthjelltësi. Kështu, të pish sasi të mëdha alkooli është shenjë dobësie, jo force. Isaia 28:7 tregon se dikush që shkon sa andej këtej nga alkooli merr vendime të gabuara.

Fuqia e vërtetë vjen nga Jehovai dhe përfshin që të rrimë zgjuar e të qëndrojmë të patundur në besim. (Psal. 18:32) Një shërbëtor i Jehovait e bën këtë duke qëndruar vigjilent e duke marrë vendime që nuk i dëmtojnë marrëdhënien me Jehovain. Jezui tregoi një fuqi të tillë kur ishte në tokë, dhe shumë njerëz e respektuan ngaqë ishte një burrë i vërtetë—i guximshëm dhe i vendosur të bënte atë që është e drejtë.

A pi alkool që të ngushëllohem kur kam probleme? Një psalmist u frymëzua të shkruante kështu: «Kur kisha përbrenda shumë mendime turbulluese, ngushëllimet e tua [të Jehovait] ma ledhatonin shpirtin.» (Psal. 94:19) Nëse ndihesh përtokë nga problemet, drejtoju Jehovait për lehtësim, jo alkoolit. Një mënyrë e mirë si ta bësh këtë është t’i lutesh më shpesh Jehovait. Gjithashtu, disa e kanë parë të dobishme të kërkojnë këshilla praktike nga një mik i besuar në kongregacion. E vërteta është se të pish alkool për t’u shpëtuar problemeve mund ta dobësojë vendosmërinë tënde për të bërë atë që është e drejtë. (Hoz. 4:11) Danieli, i përmendur më sipër, pranoi: «Vuaja nga ankthi dhe nga ndjenjat e fajit. Pija që të lehtësohesha, por problemet u shtuan dhe humba miqtë e respektin për veten.» Çfarë e ndihmoi vërtet Danielin? Ai thotë: «E kuptova se duhej të mbështetesha te Jehovai, jo tek alkooli. Më në fund isha në gjendje t’i përballoja e t’i kapërceja problemet e mia.» Jehovai është gjithmonë i gatshëm të na ndihmojë, edhe nëse situata duket e pashpresë.—Filip. 4:6, 7; 1 Pjet. 5:7.

Po qe se pi alkool me raste, mund të analizosh nëse duhet të bësh ndonjë ndryshim në shpeshtësinë ose në sasinë që pi. Ja disa pyetje: «A më ka folur ndonjë pjesëtar i familjes ose ndonjë mik i ngushtë për zakonet e mia të të pirit?» Nëse po, mund të jetë një sinjal që po zhvillon një zakon ose ke një problem për të cilin nuk je i vetëdijshëm. «A po pi më shumë se në të kaluarën?» Kështu mund të ndodhë me dikë që, edhe pse nuk është i varur nga alkooli, ka gjasa të jetë drejt asaj rruge. «A e kam të vështirë të rri pa pirë alkool për disa ditë a më shumë?» Nëse po, atëherë pirja mund të të jetë bërë një zakon i rrënjosur ose varësi. Mbase mund të jetë e nevojshme ndihma profesionale për ta kaluar problemin.

Meqë pirja e alkoolit mund të sjellë rreziqe ose probleme, disa vëllezër e motra kanë zgjedhur të mos pinë asnjë lloj pije alkoolike. Disa mund të zgjedhin të mos pinë ngaqë nuk u pëlqen shija e alkoolit. Nëse ndonjë shoku yt bën një zgjedhje të tillë, mund të tregosh dashamirësi duke e respektuar vendimin e tij pa e kritikuar.

Ose ndoshta ti vetë mund të kesh kuptuar se është e mençur të vendosësh disa kufij. Dikush mund të vendosë një kufi për sasinë e alkoolit që do të pijë. A mbase mund të vendosë ndonjë rregull të tijin për shpeshtësinë, si për shembull të pijë një herë në javë ose vetëm pak gjatë vakteve. Disa kanë vënë kufij në llojin e alkoolit që do të pinë, si për shembull të pinë vetëm pak verë ose birrë por jo pije të forta, edhe sikur këto të jenë të përziera në kokteje. Kur dikush vendos kufij të qartë për pijet alkoolike, do të jetë më e lehtë t’u përmbahet atyre. Dhe nuk ka asnjë arsye që një i krishterë i pjekur të jetë në siklet ngaqë ka marrë këto vendime dhe u përmbahet me vendosmëri.

Ndjenjat e të tjerëve janë një faktor tjetër që duhet mbajtur parasysh. Romakëve 14:21 thotë: «Më mirë të mos hash mish, të mos pish verë a të mos bësh ndonjë gjë që e pengon vëllanë tënd.» Si mund ta zbatosh këtë këshillë? Trego dashuri vëllazërore. Nëse mendon se pirja e një gote mund të vërë në siklet dikë, dashuria do të të shtyjë të mos pish në atë rast. Në këtë mënyrë po tregon merak e respekt për ndjenjat e të tjerëve, pra po kërkon të mirën e tyre, jo tënden.—1 Kor. 10:24.

Veç kësaj, qeveria mund të ketë ligje që duhet ta drejtojnë një të krishterë të vërtetë kur merr vendime. Këto ligje mund të përcaktojnë moshën minimale të lejuar për pirjen e alkoolit ose mund të ndalojnë ngarjen e makinës a përdorimin e disa makinerive nëse ke pirë alkool.—Rom. 13:1-5.

Jehovai na ka dhënë dinjitet, na ka dhënë lirinë që të shijojmë dhuratat e tij të shumta. Kjo përfshin dhuratën që të ushtrojmë vullnetin e lirë kur zgjedhim se ç’do të hamë e ç’do të pimë. Tregofshim me zgjedhjet tona sa e çmojmë këtë liri, duke e përdorur në atë mënyrë që i sjell kënaqësi Atit tonë qiellor!

a Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara raporton për rreziqet afatshkurtra të pirjes së alkoolit me tepri. Ato përfshijnë vrasjen, vetëvrasjen, sulme seksuale, dhunë nga partneri, abortin spontan dhe sjellje seksuale që mund të kenë si pasojë shtatzëni të padëshiruara e sëmundje të transmetuara seksualisht.