ARTIKULLI I STUDIMIT 52
Të reja—Bëhuni motra të pjekura
«Gratë duhet të jenë . . . të matura në gjithçka, besnike në gjithçka.»—1 TIM. 3:11, shën.
KËNGA 133 Pranë Jehovait jetoje rininë
PËRMBLEDHJE a
1. Çfarë duhet të bëjmë që të përparojmë drejt pjekurisë?
MAHNITEMI kur shohim sa shpejt rritet një fëmijë. Duket sikur rritet vetvetiu. Ama, të krishterë të pjekur nuk bëhemi vetvetiu. b (1 Kor. 13:11; Hebr. 6:1) Që ta arrijmë këtë synim, na duhet një miqësi e ngushtë me Jehovain. Na duhet edhe fryma e tij e shenjtë ndërsa kultivojmë cilësi që e kënaqin, zhvillojmë aftësi praktike dhe përgatitemi për role që mund të kemi në të ardhmen.—Prov. 1:5.
2. Çfarë mësojmë nga Zanafilla 1:27, dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
2 Jehovai i krijoi njerëzit mashkull dhe femër. (Lexo Zanafillën 1:27.) Natyrisht, burrat dhe gratë ndryshojnë nga njëri-tjetri fizikisht, por edhe në mënyra të tjera. Për shembull, Jehovai i ka krijuar burrat dhe gratë në mënyrë të tillë që të përmbushin role specifike. Prandaj u duhen cilësi dhe aftësi që do t’i ndihmojnë të përmbushin këto përgjegjësi. (Zan. 2:18) Në këtë artikull do të shohim si mund të bëhet një e re motër e pjekur. Në artikullin tjetër do të shohim si mund të bëhet një i ri vëlla i pjekur.
KULTIVO CILËSI QË E KËNAQIN JEHOVAIN
3-4. Ku mund të gjejnë motrat e reja shembuj të mirë për t’i imituar? (Shihni edhe figurën.)
3 Në Bibël përmenden plot gra të shkëlqyera që e donin Jehovain dhe i shërbenin. (Shih në jw.org artikullin «Çfarë mund të mësojmë nga gratë që përmend Bibla?») Siç thotë shkrimi kryesor, ato ishin «të matura në gjithçka» dhe «besnike në gjithçka». Të rejat mund të kenë edhe në kongregacion motra të pjekura që janë shembull i denjë për t’u imituar.
4 Ti motër e re, a njeh motra të pjekura që janë shembull i mirë? Vër re cilësitë e tyre tërheqëse; pastaj mendo si mund t’i shfaqësh edhe ti ato cilësi. Në paragrafët vijues do të shqyrtojmë tri cilësi të rëndësishme që duhet të kenë motrat e pjekura.
5. Pse përulësia është një cilësi e rëndësishme për një motër të pjekur?
5 Përulësia është një cilësi e rëndësishme për çdo të krishterë të pjekur. Kur është e përulur, një grua gëzon marrëdhënie të mirë me Jehovain e me të tjerët. (Jak. 4:6) Për shembull, një grua që e do Jehovain zgjedh me përulësi të përkrahë parimin e kryesisë që ka vendosur Ati i saj qiellor. (1 Kor. 11:3) Ky parim zbatohet në mënyra specifike në kongregacion dhe në familje. c
6. Ç’mund të mësojnë motrat e reja për përulësinë nga shembulli i Rebekës?
6 Të mendojmë për shembullin e Rebekës. Ajo ishte një grua e mençur që, gjatë gjithë jetës, diti të vepronte me vendosmëri dhe të merrte iniciativën në kohën e mënyrën e duhur. (Zan. 24:58; 27:5-17) Por njëkohësisht sillej me respekt dhe nënshtrohej me gatishmëri. (Zan. 24:17, 18, 65) Nëse imiton Rebekën duke mbështetur me përulësi mënyrën si i ka organizuar gjërat Jehovai, do të ndikosh për mirë te familja dhe te kongregacioni.
7. Si mund të tregojnë modesti si Estera motrat e reja?
7 Modestia është një cilësi tjetër që duhet ta kenë të gjithë të krishterët e pjekur. Bibla thotë se «mençuria është me modestët». (Prov. 11:2) Estera ishte një grua modeste që e donte shumë Jehovain. Modestia e mbrojti që të mos i kalonte caqet me arrogancë. Ajo i dëgjonte këshillat e Mordekait, kushëririt të madh, dhe vepronte sipas tyre. (Est. 2:10, 20, 22) Edhe ti mund të tregosh modesti si Estera duke kërkuar këshilla të mira dhe duke i vënë në zbatim.—Titit 2:3-5.
8. Si do ta ndihmojë modestia një motër që të marrë vendime të mençura për veshjen dhe paraqitjen? (1 Timoteut 2:9, 10)
8 Estera tregoi modesti edhe në një mënyrë tjetër. Ajo «kishte trup të bukur dhe ishte shumë e këndshme»; megjithatë nuk përpiqej të binte në sy. (Est. 2:7, 15) Çfarë mund të mësojnë motrat nga shembulli i Esterës? Një mësim e gjejmë te 1 Timoteut 2:9, 10. (Lexoje.) Apostulli Pavël tha se motrat duhet të vishen në një mënyrë që tregon modesti dhe mendje të shëndoshë. Fjalët greke që përdoren këtu përcjellin idenë se veshja e një motre duhet të jetë dinjitoze dhe duhet të tregojë konsideratë për ndjenjat e mendimet e të tjerëve. Sa ju admirojmë ju motra të pjekura që visheni me modesti!
9. Ç’mund të mësojmë nga shembulli i Abigailës?
9 Aftësia dalluese është një cilësi tjetër që duhet të shfaqë çdo motër e pjekur. Çfarë është aftësia dalluese? Është gjykim i shëndoshë—aftësia për të dalluar të drejtën nga e gabuara e për të zgjedhur pastaj rrugën e mençur. Të shohim shembullin e Abigailës. Burri i saj mori një vendim të pamend që do të kishte pasoja serioze te të gjithë pjesëtarët e shtëpisë. Por Abigaila veproi menjëherë. E gjykimi i saj i mirë shpëtoi jetë. (1 Sam. 25:14-23, 32-35) Aftësia dalluese na ndihmon edhe ne të dallojmë kur të flasim e kur të heshtim. Veç kësaj na ndihmon të tregojmë interes për të tjerët në mënyrë të ekuilibruar.—1 Sel. 4:11.
ZHVILLO AFTËSI PRAKTIKE
10-11. Si mund të nxjerrësh dobi ti vetë dhe të tjerët nëse di të lexosh e të shkruash mirë? (Shihni edhe figurën.)
10 Një motër ka nevojë të zhvillojë aftësi praktike. Disa aftësi që një vajzë i mëson në fëmijëri, mund t’i vlejnë gjatë gjithë jetës. Mendo për disa shembuj.
11 Mëso të lexosh e të shkruash mirë. Në disa kultura, leximi dhe shkrimi nuk shihen si aftësi të rëndësishme për gratë. Mirëpo këto janë aftësi të domosdoshme për çdo shërbëtor të Perëndisë. d (1 Tim. 4:13) Prandaj çfarëdo pengese të hasësh, vazhdo të përpiqesh të mësosh mirë lexim e shkrim. Cili do të jetë shpërblimi? Këto aftësi mund të të ndihmojnë të gjesh dhe të mbash një punë. Përveç kësaj, do ta kesh më të lehtë të studiosh Biblën dhe t’ia mësosh të tjerëve. Mbi të gjitha, do të afrohesh më shumë me Jehovain ndërsa lexon Fjalën e tij dhe e bluan në mendje.—Jos. 1:8; 1 Tim. 4:15.
12. Si mund të zhvillosh aftësi të mira komunikimi? (Proverbat 31:26)
12 Zhvillo aftësi të mira komunikimi. Aftësi të tilla janë të rëndësishme për shërbëtorët e Jehovait. Dishepulli Jakov dha këtë këshillë praktike: «Çdo njeri duhet të jetë i shpejtë për të dëgjuar, të mos nxitohet për të folur.» (Jak. 1:19) Kur i dëgjon me vëmendje të tjerët, tregon «empati» ose «ndjenja të përbashkëta». (1 Pjet. 3:8) Nëse nuk je i sigurt çfarë po thotë ose si ndihet dikush, bëj pyetje me vend. Pastaj peshoji fjalët që do të thuash. (Prov. 15:28, shën.) Pyet veten: «A është e vërtetë dhe inkurajuese ajo që do të them? A është me takt dhe mirëdashëse?» Mëso nga motrat e pjekura që dinë të komunikojnë mirë. (Lexo Proverbat 31:26.) Kushtoji vëmendje mënyrës si flasin. Sa më shumë t’i zhvillosh aftësitë për të komunikuar, aq më të mira do t’i kesh marrëdhëniet me të tjerët.
13. Si mund të mësosh të jesh amvisë e mirë? (Shihni edhe figurën.)
13 Mëso të jesh zonjë shtëpie. Në shumë vende, gratë mbajnë barrën më të madhe në shtëpi. Mamaja jote ose një motër që është amvisë e mirë mund të të ndihmojë të mësosh aftësi të nevojshme. Një motër që quhet Sindi thotë: «Një nga dhuratat më me vlerë që më ka bërë mamaja është që më mësoi se puna e palodhur sjell gëzim. Mësova si të gatuaja, si të pastroja, si të qepja dhe si të bëja pazar. Kjo ma bëri jetën më të lehtë dhe më dha mundësi të jepja më shumë në shërbim të Jehovait. Mamaja më mësoi edhe si të isha mikpritëse, e falë kësaj njoha motra e vëllezër të mrekullueshëm që ishin shembull i mirë për mua.» (Prov. 31:15, 21, 22) Një zonjë shtëpie e palodhur dhe mikpritëse është një bekim për familjen e saj e për kongregacionin.—Prov. 31:13, 17, 27; Vep. 16:15.
14. Çfarë të mëson shembulli i Kristalit, dhe ku duhet të përqendrohesh?
14 Mëso të mbash veten. Një synim i rëndësishëm për të gjithë të krishterët e pjekur është të mësojnë të mbajnë veten dhe të kënaqen me atë që kanë. (Filip. 4:11; 2 Sel. 3:7, 8) Një motër që quhet Kristal thotë: «Në shkollë të mesme, prindërit më inkurajonin të zgjidhja lëndë ku do të mësoja aftësi praktike. Babi më nxiti të bëja një kurs për llogaritare, e kjo më vlejti shumë në të ardhmen.» Përveç aftësive të nevojshme për të gjetur një punë, përpiqu të mësosh edhe si të bësh një buxhet e t’i përmbahesh. (Prov. 31:16, 18) Përqendrohu të arrish synime në adhurimin e Jehovait duke shmangur borxhet e panevojshme dhe duke qenë e kënaqur me një jetë të thjeshtë.—1 Tim. 6:8.
PËRGATITU PËR ROLET QË MUND TË KESH
15-16. Pse janë një bekim për të tjerët motrat beqare? (Marku 10:29, 30)
15 Kur zhvillon cilësi që e kënaqin Jehovain dhe aftësi të dobishme, do të jesh më e përgatitur për rolet që mund të kesh në të ardhmen. Mendo për disa shembuj.
16 Mund të zgjedhësh të qëndrosh beqare njëfarë kohe. Nga fjalët e Jezuit kuptojmë se disa mund të zgjedhin të mos martohen, edhe nëse shoqëria ku jetojnë nuk e inkurajon beqarinë. (Mat. 19:10-12) Të tjerë mund të qëndrojnë beqarë për shkak të rrethanave. Ji e sigurt se Jehovai dhe Jezui nuk i shohin me shpërfillje motrat e vëllezërit beqarë. Anekënd botës, motrat beqare janë një bekim i madh për kongregacionin. Dashuria dhe interesi i sinqertë për të tjerët i motivon të jenë si motra dhe si nëna për shumë veta në kongregacion.—Lexo Markun 10:29, 30; 1 Tim. 5:2.
17. Si mund të përgatitet një motër e re për shërbimin në kohë të plotë?
17 Mund të vendosësh të shërbesh në kohë të plotë. Motrat bëjnë një punë kolosale në veprën mbarëbotërore të predikimit. (Psal. 68:11) A mund të planifikosh qysh tani të nisësh shërbimin në kohë të plotë? Mund të shërbesh si pioniere, si vullnetare ndërtimi ose si bethelite. Lutu për synimin tënd. Bisedo me ata që kanë arritur synime të tilla dhe mëso ç’duhet të bësh që të kualifikohesh. Pastaj bëj një plan realist. Nëse e arrin synimin, para teje do të shpalosen plot mundësi fantastike në shërbim të Jehovait.
18. Pse një motër duhet ta zgjedhë me shumë kujdes bashkëshortin? (Shihni edhe figurën.)
18 Mund të zgjedhësh të martohesh. Cilësitë dhe aftësitë që kemi shqyrtuar do të të ndihmojnë të bëhesh një bashkëshorte e zonja. E natyrisht, nëse po mendon të martohesh, duhet ta zgjedhësh me shumë kujdes bashkëshortin. Është një nga vendimet më të rëndësishme që do të marrësh në jetë. Mos harro, burri me të cilin do të martohesh do të jetë kreu yt. (Rom. 7:2; Efes. 5:23, 33) Prandaj pyet veten: «A është një vëlla i pjekur? A po e vë Jehovain në vend të parë në jetë? A merr vendime të mençura? A i pranon gabimet e veta? A i respekton gratë? A ka aftësitë e nevojshme për të më ndihmuar në marrëdhënien me Jehovain, nga ana materiale dhe nga ana emocionale? A i përmbush mirë përgjegjësitë? Për shembull, çfarë caktimesh ka në kongregacion dhe si i kryen?» (Luka 16:10; 1 Tim. 5:8) Patjetër, nëse dëshiron të gjesh një bashkëshort të mirë, duhet të kesh cilësitë dhe aftësitë për të qenë një bashkëshorte e mirë.
19. Pse roli i gruas si «një ndihmë» është një rol dinjitoz?
19 Bibla thotë se një bashkëshorte e mirë është «një ndihmë» dhe «një plotësuese» për të shoqin. (Zan. 2:18) A e ul gruan ky përshkrim? Aspak! Roli i gruas si një ndihmë për të shoqin është një rol dinjitoz. Në fakt, Bibla e quan shpesh Jehovain «ndihma» jonë. (Psal. 54:4; Hebr. 13:6) Një grua është vërtet një ndihmë për bashkëshortin kur e mbështet dhe kur bashkëpunon me të që vendimet e tij për familjen të kenë sukses. Gjithashtu, nga dashuria për Jehovain, bën çmos të nxjerrë në pah cilësitë e mira të bashkëshortit. (Prov. 31:11, 12; 1 Tim. 3:11) Mund të përgatitesh për të qenë një bashkëshorte e mirë në të ardhmen duke thelluar dashurinë për Jehovain dhe duke iu bërë krah të tjerëve në shtëpi e në kongregacion.
20. Si mund të ndikojë një nënë te familja e saj?
20 Mund të bëhesh nënë. Pas martesës, ti dhe bashkëshorti mund të bëheni prindër. (Psal. 127:3) Prandaj është mirë të mendosh që më parë për këtë. Cilësitë dhe aftësitë që kemi shqyrtuar në këtë artikull do të të ndihmojnë nëse do të bëhesh bashkëshorte dhe nënë. Dashuria, mirësia dhe durimi yt do të ndihmojnë që të krijohet një ambient i ngrohtë familjar, ku fëmijët të ndihen të sigurt dhe të rriten të mbarë e të lumtur.—Prov. 24:3.
21. Si ndihemi për motrat tona, dhe pse? (Shihni figurën e kopertinës.)
21 Ju duam shumë ju motra për gjithë sa bëni për Jehovain dhe popullin e tij. (Hebr. 6:10) Ju përpiqeni fort të kultivoni cilësi që e kënaqin Jehovain, të zhvilloni aftësi që pasurojnë jetën tuaj e të atyre që keni përreth dhe të përgatiteni mirë për rolet që mund të keni në të ardhmen. Jeni vërtet një thesar për organizatën e Jehovait!
KËNGA 137 Besnike, të dashura, të vyera
a Ju motra të reja të dashura jeni shumë të çmuara në kongregacion. Mund të bëheni motra të pjekura duke kultivuar cilësi që e kënaqin Jehovain, duke zhvilluar aftësi praktike dhe duke u përgatitur për rolet që mund të keni në të ardhmen. Si rezultat, do të shijoni plot bekime ndërsa i shërbeni Jehovait.
b SHPJEGIMI I SHPREHJES: Një i krishterë i pjekur drejtohet nga fryma e Perëndisë, jo nga mençuria e botës. Ai ose ajo imiton shembullin e Jezuit, përpiqet fort të mbajë një miqësi të ngushtë me Jehovain dhe tregon dashuri vetëmohuese për të tjerët.
d Për të mësuar më shumë sa rëndësi ka leximi i mirë, shih në jw.org artikullin «Pse leximi është i rëndësishëm për fëmijët—Pjesa 1: Të lexojnë apo të shikojnë?»