ARTIKULLI I STUDIMIT 53
Të rinj—Bëhuni vëllezër të pjekur
«Ji i fortë dhe tregohu burrë.»—1 MBRET. 2:2.
KËNGA 135 Ftesa e përzemërt e Jehovait: «Ji i mençur, biri im!»
PËRMBLEDHJE a
1. Çfarë duhet të bëjë një vëlla që të ketë sukses?
MBRETI David e udhëzoi Solomonin: «Ji i fortë dhe tregohu burrë.» (1 Mbret. 2:1-3) Këtë këshillë bëjnë mirë ta zbatojnë të gjithë vëllezërit sot. Që të kenë sukses, ata duhet të mësojnë t’u binden ligjeve të Perëndisë dhe të zbatojnë parimet e Biblës në çdo aspekt të jetës. (Luka 2:52) Pse është shumë e rëndësishme që të rinjtë të bëhen vëllezër të pjekur?
2-3. Pse është e rëndësishme që një vëlla i ri të përparojë drejt pjekurisë?
2 Një burrë që i shërben Jehovait përmbush role të rëndësishme në familje dhe në kongregacion. Pa dyshim, si vëlla i ri ke menduar për përgjegjësitë që mund të mbash në të ardhmen. Mbase ke synimin të shërbesh në kohë të plotë, të bëhesh shërbëtor kongregacioni e më vonë plak. Ndoshta dëshiron edhe të martohesh e të kesh fëmijë. (Efes. 6:4; 1 Tim. 3:1) Që t’i arrish këto synime dhe të kesh sukses, duhet të përparosh drejt pjekurisë së krishterë. b
3 Çfarë mund të të ndihmojë të bëhesh vëlla i pjekur? Duhet të zhvillosh disa aftësi të rëndësishme. Atëherë, si mund të përgatitesh tani për përgjegjësitë e së ardhmes që të kesh sukses?
HAPA DREJT PJEKURISË SË KRISHTERË
4. Ku mund të gjesh shembuj të mirë për t’i imituar? (Shihni edhe figurën.)
4 Zgjidh shembuj të mirë për t’i imituar. Bibla është plot me shembuj të mirë që të rinjtë mund t’i imitojnë. Ata burra të lashtësisë e donin shumë Perëndinë dhe përmbushnin lloj-lloj përgjegjësish ndërsa kujdeseshin për popullin e tij. Shembuj të mirë për ty mund të jenë edhe vëllezërit e pjekur në familje ose në kongregacion. (Hebr. 13:7) Gjithashtu ke shembullin e përsosur të Jezu Krishtit. (1 Pjet. 2:21) Ndërsa studion me vëmendje këta shembuj, mendo për cilësitë që admiron tek ata. (Hebr. 12:1, 2) Pastaj mendo si do t’i imitosh dhe ji i vendosur ta bësh këtë.
5. Si mund ta zhvillosh aftësinë për të menduar mirë, dhe pse është e rëndësishme kjo? (Psalmi 119:9)
5 Zhvillo dhe ‘ruaj aftësinë për të menduar mirë’. (Prov. 3:21) Kush e zhvillon këtë aftësi, i mat mirë hapat para se të vendosë çfarë do të bëjë. Përpiqu fort ta zhvillosh dhe ta ruash aftësinë për të menduar mirë. Pse? Sepse shumica e të rinjve në botë drejtohen thjesht nga idetë ose ndjenjat e veta. (Prov. 7:7; 29:11) Veç kësaj, mediat mund të ndikojnë fuqishëm te mënyra si mendon dhe vepron. Por si ta fitosh aftësinë për të menduar mirë? Në fillim, dallo parimet e Biblës dhe mendo pse janë të dobishme për ty. Pastaj përdori këto parime për të marrë vendime që e kënaqin Jehovain. (Lexo Psalmin 119:9.) Duke mësuar të mendosh në këtë mënyrë, do të hedhësh një hap të rëndësishëm drejt pjekurisë së krishterë. (Prov. 2:11, 12; Hebr. 5:14) Mendo si do të të ndihmojë aftësia për të menduar mirë në dy aspekte: (1) në mënyrën si i trajton motrat dhe (2) në vendimet që merr për veshjen e paraqitjen.
6. Si e ndihmon një vëlla të ri aftësia për të menduar mirë që t’i trajtojë motrat me respekt?
6 Aftësia për të menduar mirë do të të ndihmojë të tregosh respekt për gratë. Për shembull, nuk ka asgjë të keqe që një vëlla i ri të ketë dëshirë ta njohë më mirë një motër. Megjithatë, një i ri që ka mësuar të mendojë si Jehovai nuk thotë, nuk shkruan ose nuk bën asgjë që tregon interes romantik për një motër në rast se nuk dëshiron të martohet me të. (1 Tim. 5:1, 2) Nëse po njihet me një motër, ai e mbron reputacionin e saj të mirë duke qenë gjithmonë të shoqëruar nga një person i pjekur kur janë në vende të veçuara.—1 Kor. 6:18.
7. Si e ndihmon një vëlla të ri aftësia për të menduar mirë kur merr vendime për veshjen dhe paraqitjen?
7 Një vëlla i ri tregon se ka zhvilluar aftësinë për të menduar mirë edhe duke marrë vendime të mençura për veshjen dhe paraqitjen. Shumica e atyre që stilojnë e reklamojnë veshje nuk kanë fare respekt për Jehovain ose bëjnë një jetë imorale. Mentaliteti i tyre imoral pasqyrohet te stilet e veshjeve që shpesh janë të ngjitura pas trupit ose i bëjnë burrat të duken si gra. Një vëlla i ri që po përparon drejt pjekurisë do të udhëhiqet nga parimet e Biblës dhe nga shembujt e mirë në kongregacion kur vendos çfarë do të veshë. Ai mund të pyesë veten: «A tregojnë zgjedhjet e mia se kam mendje të shëndoshë dhe konsideratë për të tjerët? Nga mënyra si vishem, a e dallojnë kollaj të tjerët se i shërbej vërtet Perëndisë?» (1 Kor. 10:31-33; Titit 2:6) Një vëlla i ri me aftësi për të menduar mirë do të fitojë jo vetëm respektin e vëllezërve e motrave, por edhe të Atit të tij qiellor.
8. Si mund të mësojë të jetë i besueshëm një i ri?
8 Ji i besueshëm. Një i ri që është i besueshëm përmbush me merak çdo përgjegjësi. (Luka 16:10) Të shohim shembullin e përsosur të Jezuit. Ai nuk ishte kurrë i shkujdesur ose i papërgjegjshëm. Përkundrazi kryente çdo caktim që i jepte Jehovai, edhe kur e kishte të vështirë. Ai i donte njerëzit—sidomos dishepujt e tij—dhe sakrifikoi jetën për ta me gatishmëri. (Gjoni 13:1) Mund ta imitosh Jezuin duke u përpjekur pa u lodhur që të përmbushësh çfarëdo caktimi. Nëse nuk je i sigurt si ta kryesh një caktim, ji i përulur dhe kërko ndihmë nga vëllezërit e pjekur. Kurrë mos u mjafto thjesht duke bërë minimumin. (Rom. 12:11) Përkundrazi, kryeje plotësisht caktimin tënd, duke e bërë këtë ‘për Jehovain e jo për njerëzit’. (Kolos. 3:23) Natyrisht, nuk je i përsosur, prandaj ji modest dhe pranoji gabimet që bën.—Prov. 11:2.
ZHVILLO AFTËSI PRAKTIKE
9. Pse duhet të zhvillojë aftësi praktike një i ri?
9 Që të bëhesh një vëlla i pjekur, duhet të zhvillosh aftësi praktike. Kjo do të të ndihmojë të marrësh mbi supe përgjegjësi në kongregacion, të mbash një punë që të sigurosh gjërat e nevojshme për veten ose familjen, si edhe të kesh marrëdhënie të mira me të tjerët. Të shohim disa nga këto aftësi të domosdoshme.
10-11. Nëse një vëlla i ri di të lexojë e të shkruajë mirë, si do të nxjerrë dobi ai vetë dhe kongregacioni? (Psalmi 1:1-3) (Shihni edhe figurën.)
10 Mëso të lexosh e të shkruash mirë. Bibla tregon se një njeri që është i lumtur dhe ka sukses, lë kohë çdo ditë që të lexojë Fjalën e Perëndisë e ta bluajë në mendje. (Lexo Psalmin 1:1-3.) Duke lexuar përditë Biblën, do të kuptojë si mendon Jehovai, e kjo do ta ndihmojë të mendojë me kthjelltësi dhe të arsyetojë mirë. (Prov. 1:3, 4) Kongregacioni ka nevojë për burra të tillë. Pse?
11 Bashkëbesimtarët kanë nevojë që vëllezërit në kongregacion të jenë të aftë t’i mësojnë dhe t’i këshillojnë duke u bazuar te Bibla. (Titit 1:9) Nëse di të lexosh dhe shkruash mirë, do të përgatitësh fjalime e komente që u sjellin dobi të tjerëve dhe u forcojnë besimin. Gjithashtu, ndërsa studion ose dëgjon fjalime në mbledhje, asamble e kongrese, do të mbash shënime domethënëse. Këto shënime do të të ndihmojnë të kalitësh besimin tënd dhe t’u japësh zemër të tjerëve.
12. Çfarë do të të ndihmojë të kesh aftësi të mira komunikimi?
12 Zhvillo aftësi të mira komunikimi. Një burrë i krishterë duhet të mësojë të komunikojë mirë. Kjo do të thotë t’i dëgjojë me vëmendje të tjerët dhe të përpiqet të kuptojë mendimet e ndjenjat e tyre. (Prov. 20:5) Gjithashtu mund të mësojë të lexojë tonin e zërit, shprehjet e fytyrës dhe gjestet ose pozicionin e trupit. Këtë nuk e mëson dot pa kaluar kohë me të tjerët. Nëse përdor vazhdimisht pajisjet elektronike për të komunikuar, si për shembull me anë të mesazheve ose emaileve, mund ta kesh më të vështirë të komunikosh personalisht me njerëzit. Prandaj, gjej mënyra për të biseduar ballë për ballë me njerëzit.—2 Gjon. 12.
13. Çfarë duhet të mësojë tjetër një i ri? (1 Timoteut 5:8) (Shihni edhe figurën.)
13 Mëso të mbash veten. Një vëlla i pjekur duhet të jetë në gjendje të sigurojë gjërat e nevojshme për veten dhe për familjen. (Lexo 1 Timoteut 5:8.) Në disa vende, të rinjtë mund të marrin ndonjë zanat nga babai ose nga një i afërm. Në vende të tjera, mund të mësojnë ndonjë zanat ose aftësi tjetër në shkollë të mesme. Sido që të jetë, është mirë të mësosh aftësi që do të të ndihmojnë të gjesh një punë. (Vep. 18:2, 3; 20:34; Efes. 4:28) Fito reputacionin si dikush që punon pa u lodhur dhe që ngulmon ta çojë një punë deri në fund. Kështu do ta kesh më të lehtë të gjesh një punë dhe ta mbash. Veç kësaj, cilësitë dhe aftësitë që kemi shqyrtuar do t’i vlejnë një vëllai që të përmbushë rolet e së ardhmes. Le të shohim disa prej tyre.
PËRGATITU PËR ROLET QË MUND TË KESH
14. Si mund të përgatitet një vëlla i ri për shërbimin në kohë të plotë?
14 Shërbimi në kohë të plotë. Shumë vëllezër të pjekur e kanë filluar shërbimin në kohë të plotë në moshë të re. Shërbimi si pionier e ndihmon një vëlla të ri të mësojë si të bashkëpunojë me njerëz që kanë lloj-lloj personalitetesh. E ndihmon edhe të bëjë një buxhet e t’i përdorë me mençuri të ardhurat. (Filip. 4:11-13) Një trampolinë drejt shërbimit në kohë të plotë është shërbimi si pionier ndihmës. Shumë veta shërbejnë ca kohë si pionierë ndihmës, e kjo i përgatit të shërbejnë si pionierë të rregullt. Shërbimi i pionierit mund të hapë derën për forma të tjera të shërbimit në kohë të plotë, si për shembull shërbëtor ndërtimi ose bethelit.
15-16. Çfarë mund ta ndihmojë një vëlla të ri që të kualifikohet si shërbëtor kongregacioni ose plak?
15 Shërbëtor kongregacioni ose plak. Të gjithë vëllezërit duhet të përpiqen të përmbushin kërkesat për t’u shërbyer bashkëbesimtarëve si pleq kongregacioni. Bibla thotë se kush synon të marrë përsipër këtë përgjegjësi, «dëshiron një punë të shkëlqyer». (1 Tim. 3:1) Para se të shërbejë si plak, një vëlla duhet të kualifikohet për të qenë shërbëtor kongregacioni. Shërbëtorët e kongregacionit i ndihmojnë pleqtë në shumë mënyra praktike. Pleqtë dhe shërbëtorët e kongregacionit u shërbejnë me përulësi vëllezërve e motrave dhe marrin pjesë me zell në shërbim. Të rinjtë mund të kualifikohen për të qenë shërbëtorë kongregacioni edhe kur janë nga fundi i adoleshencës. Gjithashtu një shërbëtor kongregacioni mjaft i kualifikuar mund të emërohet plak edhe nëse është në fillim të të 20-ave.
16 Si mund të kualifikohesh për këto role? Nuk ka ndonjë formulë. Megjithatë, kërkesat e nevojshme për këto përgjegjësi bazohen që të gjitha te Bibla dhe te dashuria për Jehovain, për familjen dhe për kongregacionin. (1 Tim. 3:1-13; Titit 1:6-9; 1 Pjet. 5:2, 3) Përpiqu të kuptosh si mund ta përmbushësh çdo kërkesë dhe lutju Jehovait për ndihmë. c
17. Si mund të përgatitet një vëlla i ri për rolet e bashkëshortit dhe të kryefamiljarit? (Shihni edhe figurën.)
17 Bashkëshort dhe kryefamiljar. Siç e tha Jezui, disa vëllezër të pjekur zgjedhin të qëndrojnë beqarë. (Mat. 19:12) Nga ana tjetër, nëse zgjedh të martohesh, do të marrësh përsipër edhe rolet e bashkëshortit dhe të kryefamiljarit. (1 Kor. 11:3) Jehovai pret që bashkëshorti ta dojë gruan dhe të kujdeset që ajo të jetë mirë fizikisht, emocionalisht e në besim. (Efes. 5:28, 29) Cilësitë dhe aftësitë që kemi shqyrtuar në këtë artikull—si për shembull të zhvillosh aftësinë për të menduar mirë, të kesh respekt për gratë dhe të jesh i besueshëm—do të të përgatitin për rolet si bashkëshort dhe kryefamiljar.
18. Si mund të përgatitet një vëlla i ri për rolin e babait?
18 Baba. Pas martesës, mund të bëhesh baba. Si mund të të ndihmojë shembulli i Jehovait që të jesh një baba i mirë? Ka shumë mësime. (Efes. 6:4) Jehovai nuk ngurronte t’ia thoshte të Birit, Jezuit, se e donte dhe e miratonte. (Mat. 3:17) Nëse bëhesh baba, siguroji vazhdimisht fëmijët se i do. Lavdëroji shpesh për gjërat e mira që bëjnë. Baballarët që imitojnë shembullin e Jehovait, i ndihmojnë fëmijët e tyre të bëhen të krishterë të pjekur. Si mund të përgatitesh që tani për këtë rol? Kujdesu me dashuri për pjesëtarët e familjes e të kongregacionit. Gjithashtu bëje shprehi t’ua thuash sa shumë i do dhe i çmon. (Gjoni 15:9) Kjo do të të ndihmojë të përmbushësh rolet e bashkëshortit e të babait që mund të kesh në të ardhmen. Ndërsa e bën këtë, do të jesh një pasuri e vërtetë për Jehovain, familjen e kongregacionin.
ÇFARË DO TË BËSH TANI?
19-20. Çfarë do t’i ndihmojë të rinjtë të bëhen vëllezër të pjekur? (Shihni figurën e kopertinës.)
19 Vëlla i ri, mbaj parasysh se nuk do të bëhesh automatikisht vëlla i pjekur. Duhet të zgjedhësh shembuj të mirë për t’i imituar, të zhvillosh aftësinë për të menduar, të jesh i besueshëm, të mësosh aftësi praktike dhe të përgatitesh për rolet e së ardhmes.
20 Kur mendon për gjithë sa duhet të bësh, mund të të duket një punë e papërballueshme. Por mund t’ia dalësh mbanë. Mos harro se Jehovai mezi pret të të ndihmojë. (Isa. 41:10, 13) Patjetër që edhe vëllezërit e motrat në kongregacion do të të bëhen krah. Nëse e zhvillon plotësisht potencialin tënd për t’u bërë një vëlla i pjekur, do të kesh një jetë të pasur dhe domethënëse. Vëllezër të rinj, ju kemi shumë për zemër. Jehovai ju bekoftë pa masë ndërsa përpiqeni fort të bëheni vëllezër të pjekur!—Prov. 22:4.
KËNGA 65 Përparo!
a Në kongregacion ka nevojë për burra të pjekur. Në këtë artikull do të shohim si mund të bëhen të rinjtë vëllezër të pjekur.
b Shih «Shpjegimi i shprehjes» në artikullin e kaluar.
c Shih Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait, kap. 5-6.