ARTIKULLI I STUDIMIT 48
KËNGA 97 Fjala jote për ne është jetë
Çfarë na mëson mrekullia e bukëve
«Unë jam buka e jetës. Kushdo që vjen tek unë, nuk do të ketë më uri.»—GJONI 6:35.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Mësime që nxjerrim nga ngjarja e dokumentuar në kapitullin 6 të Gjonit, ku tregohet se Jezui ushqeu një turmë të madhe me pesë bukë e dy peshq nëpërmjet një mrekullie.
1. Sa e rëndësishme ishte buka në kohët kur u shkrua Bibla?
BUKA ishte ndër ushqimet bazë në kohët kur u shkrua Bibla. (Zan. 14:18; Luka 4:4) Në fakt, ishte kaq e rëndësishme, sa Bibla e përdor ndonjëherë fjalën «bukë» për ushqimin në përgjithësi. (Mat. 6:11; Vep. 20:7, shën.) Buka ishte edhe pjesë e rëndësishme e dy mrekullive të famshme të Jezuit. (Mat. 16:9, 10) Njëra prej tyre përshkruhet në kapitullin 6 të Gjonit. Ndërsa e shqyrtojmë, do të gjejmë mësime që mund t’i zbatojmë edhe sot.
2. Si lindi nevoja që të sigurohej ushqim për mijëra njerëz?
2 Pasi përfunduan një fushatë predikimi, apostujt e Jezuit u nisën me varkë bashkë me Jezuin për në anën tjetër të detit të Galilesë, që të pushonin. (Mar. 6:7, 30-32; Luka 9:10) Ata shkuan në një vend të veçuar në zonën e Betsaidës. Por pas pak, mbërritën mijëra njerëz që donin të shihnin Jezuin. E Jezui nuk i shpërfilli. Përkundrazi, i priti përzemërsisht duke u kushtuar kohë që t’i mësonte për Mbretërinë dhe të shëronte të sëmurët. Ndërkohë po binte mbrëmja, ndaj dishepujt vritnin mendjen si do t’ia bënin tërë ata njerëz për të ngrënë. Disa ndoshta kishin diçka me vete, por shumica duhej të shkonin nëpër fshatra për të blerë ushqim. (Mat. 14:15; Gjoni 6:4, 5) Ç’do të bënte Jezui?
JEZUI SIGURON BUKË ME NJË MREKULLI
3. Si reagoi Jezui kur pa se njerëzit kishin nevojë për ushqim? (Shihni edhe figurën.)
3 Jezui u dha këtë udhëzim apostujve: «S’kanë pse të ikin. Jepuni ju diçka për të ngrënë.» (Mat. 14:16) Mirëpo kjo dukej e pamundur, sepse aty ishin rreth 5.000 burra. E po t’i shtojmë këtij numri edhe gratë e fëmijët, mund të kenë qenë nja 15.000 gojë për të ushqyer. (Mat. 14:21) Andrea tha: «Këtu është një djalë i vogël që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël. Por, ç’janë këto për kaq shumë njerëz?!» (Gjoni 6:9) Bukët e elbit ishin ushqim i zakonshëm në atë kohë, dhe peshqit e vegjël mund të kenë qenë peshq të kripur e të tharë. Po, a do të dilnin vallë aq bukë e peshq për të ushqyer gjithë ata njerëz?
4. Çfarë mund të mësojmë nga Gjoni 6:11-13? (Shihni edhe figurat.)
4 Jezui donte të ishte bujar me njerëzit, prandaj u kërkoi të shtroheshin grupe-grupe në bar. (Mar. 6:39, 40; lexo Gjonin 6:11-13.) Pas kësaj, Jezui falënderoi Atin e tij për bukët dhe peshqit. Sa me vend ishte t’i shprehte mirënjohje Perëndisë, Siguruesit të atij ushqimi! Shembulli i Jezuit na kujton sa e rëndësishme është të lutemi para se të hamë, qofshim vetëm a me të tjerë përreth. Pas lutjes, Jezui u kërkoi dishepujve të shpërndanin ushqimin. Njerëzit hëngrën sa u ngopën, e madje teproi ca ushqim. Jezui nuk donte të shkonin dëm copat që tepruan, ndaj u tha dishepujve t’i mblidhnin, ndoshta për t’i përdorur më vonë. Kështu Jezui na la një shembull të mirë që të tregohemi të mençur e të mos shpërdorojmë asgjë. Nëse je prind, pse të mos e shqyrtosh këtë histori me fëmijët dhe të diskutoni çfarë mësimesh mund të nxirrni për lutjen, mikpritjen dhe bujarinë?
5. Si reaguan njerëzit kur panë gjërat e mahnitshme që bëri Jezui atë ditë, por si veproi ai?
5 Njerëzit ishin të mahnitur nga mënyra si mësonte Jezui dhe nga mrekullitë që bëri. Ata e dinin se Perëndia i kishte premtuar Moisiut që do t’u jepte një profet të madh, prandaj ndoshta pyesnin: «Mos është Jezui profeti i premtuar?» (Ligj. 18:15-18) E ka të ngjarë që e shihnin Jezuin si një qeveritar të shkëlqyer, i cili mund të siguronte ushqim për mbarë popullin. Ja pse donin «ta kapnin për ta bërë mbret». (Gjoni 6:14, 15) Po ta lejonte këtë, Jezui do të përzihej në politikën e judenjve, që asokohe ishin nën zgjedhën romake. Por ai nuk lejoi të ndodhte kjo. Përkundrazi, veproi me vendosmëri ‘duke u larguar në mal’. Pra, me gjithë presionin nga të tjerët, Jezui nuk pranoi të përzihej në politikë. Çfarë shembulli për ne!
6. Si mund ta imitojmë shembullin e Jezuit? (Shihni edhe figurën.)
6 S’do mend, neve nuk do të na kërkojë njeri të bëjmë shërime a të sigurojmë ushqim me mrekulli, as do të përpiqen të na bëjnë mbret ose udhëheqës shteti. Ama mund të përpiqen të na mbushin mendjen të përfshihemi në politikë, duke votuar ose duke përkrahur dikë që, sipas tyre, do t’i përmirësojë gjërat. Por shembulli i Jezuit është i qartë. Ai nuk pranoi të përzihej në çështje politike, e madje më vonë tha: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote.» (Gjoni 17:14; 18:36) Si të krishterë, duhet të pasqyrojmë mënyrën si mendonte e si vepronte Jezui. Ashtu si ai, ne jemi besnikë ndaj Mbretërisë së Perëndisë, japim dëshmi për të dhe lutemi që ajo të vijë. (Mat. 6:10) Le t’i kthehemi tregimit për mrekullinë e bukëve dhe të shohim ç’mund të mësojmë tjetër.
‘DOMETHËNIA E MREKULLISË SË BUKËVE’
7. Çfarë bëri Jezui, dhe si reaguan apostujt? (Gjoni 6:16-20)
7 Pasi ushqeu turmën, Jezui u tha apostujve të ktheheshin me varkë në Kapernaum, kurse vetë u ngjit në mal, pasi e dinte se turma do të përpiqej ta bënte mbret. (Lexo Gjonin 6:16-20.) Ndërsa apostujt po lundronin, shpërtheu një stuhi me furtunë e dallgë të egra. Kur ja, ata panë Jezuin t’u afrohej duke ecur mbi ujë. Pastaj Jezui ftoi apostullin Pjetër të ecte edhe ai mbi ujë. (Mat. 14:22-31) E pasi Jezui hipi në varkë, stuhia pushoi. Të entuziazmuar, dishepujt thanë: «Ti je vërtet Biri i Perëndisë!» a (Mat. 14:33) E megjithatë, nuk e kapën lidhjen mes kësaj mrekullie dhe mrekullisë së mëparshme me bukët. Marku shton këtë hollësi: «[Apostujt] u mahnitën shumë, sepse nuk e kishin kapur domethënien e mrekullisë së bukëve, ngaqë ende nuk e kishin hapur zemrën që të kuptonin.» (Mar. 6:50-52) Pra, ata nuk e kuptuan çfarë fuqie të jashtëzakonshme i kishte dhënë Jehovai Jezuit për të kryer mrekulli. Gjithsesi, pak më vonë Jezui foli sërish për mrekullinë e bukëve, e na dha një mësim me vlerë.
8-9. Pse turma e njerëzve u nis të gjente Jezuin? (Gjoni 6:26, 27)
8 Meraku kryesor i atyre që Jezui i ushqeu me një mrekulli, ishte të plotësonin dëshirat dhe nevojat fizike. Si e treguan këtë? Të nesërmen ata panë se Jezui dhe apostujt e tij kishin ikur. Kështu hipën në disa varka që kishin ardhur nga Tiberiada dhe u nisën drejt Kapernaumit për të gjetur Jezuin. (Gjoni 6:22-24) Çfarë i shtyu ta bënin këtë, dëshira që të mësonin më shumë për Mbretërinë? Jo. Ata e kishin mendjen vetëm të ngopeshin me bukë. Nga e dimë?
9 Është interesante çfarë ndodhi kur e gjetën Jezuin afër Kapernaumit. Jezui u tha shkoqur se atyre u interesonte thjesht të plotësonin nevojën e momentit për ushqim. E ua bëri të qartë se vërtet ‘hëngrën bukët dhe u ngopën’, por me një ‘ushqim që prishej’. Jezui i nxiti të punonin për «ushqimin që nuk prishet dhe të çon në jetë të përhershme». (Lexo Gjonin 6:26, 27.) U tha se atë ushqim do t’ua siguronte Ati i tij. Ideja se kishte një ushqim falë të cilit mund të jetonin përgjithmonë duhet t’i ketë lënë pa fjalë dëgjuesit e Jezuit. Ç’mund të ishte ky ushqim çudibërës, dhe si mund ta merrnin?
10. Ç’duhej të bënin judenjtë për të pasur «miratimin e Perëndisë»?
10 Dëgjuesit e Jezuit menduan se duhej të bënin diçka për ta marrë atë ushqim. Ndoshta u shkoi mendja te veprat që kërkonte Ligji i Moisiut. Mirëpo Jezui u tha: «Perëndia miraton këtë: të tregoni besim tek i dërguari i tij.» (Gjoni 6:28, 29) ‘Për të pasur jetë të përhershme’ është e domosdoshme të tregojmë besim te përfaqësuesi i Perëndisë. Jezui kishte folur edhe më parë për këtë. (Gjoni 3:16-18, 36) E më vonë zbuloi akoma më shumë ç’duhet të bëjmë për të gëzuar jetën pa fund.—Gjoni 17:3.
11. Si e treguan judenjtë se u interesonte thjesht të ngopeshin me bukë? (Psalmi 78:24, 25)
11 Judenjtë nuk e pranuan kërkesën që theksoi Jezui për të pasur «miratimin e Perëndisë». Ata e pyetën: «Çfarë shenje do të bësh, që ne ta shohim e të të besojmë?» (Gjoni 6:30) Pastaj shtuan se paraardhësit e tyre në kohën e Moisiut kishin marrë me një mrekulli manën, e cila mund të krahasohej me bukën, pasi ishte ushqimi i përditshëm. (Neh. 9:15; lexo Psalmin 78:24, 25.) Pra është e qartë se akoma u rrinte mendja te buka e mirëfilltë. Madje as i kërkuan ndonjë sqarim Jezuit kur foli më pas për «bukën e vërtetë nga qielli» që, ndryshe nga mana, mund t’u jepte jetën e përhershme. (Gjoni 6:32) Ishin aq të përqendruar te nevojat e tyre fizike, sa i shpërfillën të vërtetat jetëdhënëse që po përpiqej t’u mësonte Jezui. Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga kjo?
CILI DUHET TË JETË MERAKU YNË KRYESOR
12. Si e theksoi Jezui se cila është gjëja më e rëndësishme në jetë?
12 Ja një mësim i rëndësishëm për ne nga kapitulli 6 i Gjonit: meraku ynë kryesor duhet të jetë të plotësojmë nevojën për të pasur një marrëdhënie të mirë me Perëndinë. Jezui e bëri të qartë këtë edhe me përgjigjen e vendosur që dha kur e tundoi Satanai. (Mat. 4:3, 4) Po ashtu, në Predikimin në Mal ai nënvizoi sa rëndësi ka të kuptojmë se kemi nevojë për Perëndinë. (Mat. 5:3) Prandaj, të pyesim veten: «A tregon mënyra si jetoj se merakosem më tepër për marrëdhënien me Perëndinë sesa për dëshirat e mia?»
13. (a) Pse është me vend të gjejmë kënaqësi te ushqimi? (b) Cilit paralajmërim duhet t’i kushtojmë vëmendje? (1 Korintasve 10:6, 7, 11)
13 Është me vend të lutemi për gjërat e nevojshme materiale dhe ta shijojmë mundin e duarve tona. (Luka 11:3) Falë punës së palodhur, mund ‘të hamë, të pimë’ e të gëzojmë, dhe kjo «vjen nga dora e Perëndisë së vërtetë». (Ekl. 2:24; 8:15; Jak. 1:17) Sidoqoftë, duhet t’i mbajmë gjërat materiale në vendin e duhur. Apostulli Pavël e theksoi këtë kur u shkroi të krishterëve që jetonin afër fundit të sistemit judaik. Ai përmendi ngjarje të papëlqyeshme nga historia e Izraelit, si ajo që kishte ndodhur pranë malit Sinai. I paralajmëroi të krishterët ‘të mos dëshironin gjëra të gabuara si [izraelitët]’. (Lexo 1 Korintasve 10:6, 7, 11.) Nga grykësia e izraelitëve, edhe ushqimi i siguruar me mrekulli nga Jehovai u bë diçka ‘e gabuar’. (Num. 11:4-6, 31-34) E kur adhuruan viçin e artë, treguan se u interesonte më tepër të hanin, të pinin e të festonin, sesa t’i bindeshin Perëndisë. (Eks. 32:4-6) Pavli e përmendi shembullin e tyre si paralajmërim për të krishterët që jetuan pak para se të merrte fund sistemi judaik në vitin 70 të e.s. Sot po jetojmë në orët e fundit të këtij sistemi, ndaj duhet ta mbajmë vath në vesh këshillën e Pavlit.
14. Çfarë thotë Bibla për ushqimin në botën e re?
14 Kur na tha të lutemi që të kemi «bukën për këtë ditë», Jezui na mësoi edhe të lutemi që të bëhet vullneti i Perëndisë «si në qiell, edhe në tokë». (Mat. 6:9-11) Si e imagjinon atë kohë? Bibla tregon se vullneti i Perëndisë për tokën përfshin të kemi plot ushqime të shijshme. Sipas Isaisë 25:6-8, kur të qeverisë Mbretëria e Jehovait, do të kënaqemi me gosti ushqimesh të zgjedhura. Psalmi 72:16 parathotë: «Në tokë do të ketë drithë me bollëk e në majat e maleve drithi do të vërshojë.» A pret me padurim të bësh bukën tënde të preferuar ose të provosh receta të reja me atë drithë? Krahas kësaj, mund të shijosh edhe frytin e vreshtave që do të kesh mbjellë. (Isa. 65:21, 22) E këto të mira do t’i shijojnë të gjithë njerëzit anekënd tokës.
15. Cili program arsimimi do të zhvillohet në të ardhmen për të ringjallurit? (Gjoni 6:35)
15 Lexo Gjonin 6:35. Të kujtojmë pak ata njerëz që hëngrën nga bukët e peshqit që siguroi Jezui. Kur të ndodhë ringjallja në të ardhmen, mund të takosh disa prej tyre. Ndonëse nuk treguan besim te Jezui sa ishin gjallë, ekziston mundësia që të kthehen në jetë. (Gjoni 5:28, 29) Atyre do t’u duhet të mësojnë domethënien e fjalëve të Jezuit: «Unë jam buka e jetës. Kushdo që vjen tek unë, nuk do të ketë më uri.» Do t’u duhet të zhvillojnë besim te flijimi shpërblyes i Jezuit, pra të kenë besim se ai dha jetën për ta. Në atë kohë do të zhvillohet një program arsimimi përmes të cilit të ringjallurit dhe fëmijët e lindur në botën e re do të mësojnë të vërtetën për Jehovain e për qëllimet e tij. Çfarë gëzimi do të ndiesh ndërsa merr pjesë në atë program arsimimi! E çfarëdo kënaqësie që do të provosh atëherë nga buka ose ushqimet e shijshme, nuk do të matet me gëzimin që do të ndiesh tek ndihmon njerëzit të bëhen miq me Jehovain. Ajo lumturi do të jetë mbreti i gjithë lumturive.
16. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?
16 Kemi shqyrtuar një pjesë të kapitullit 6 të Gjonit. Por Jezui kishte akoma shumë për t’u mësuar njerëzve për «jetën e përhershme». Fjalët që tha, meritonin gjithë vëmendjen e dëgjuesve të tij në atë kohë dhe meritojnë gjithë vëmendjen tonë sot. Në artikullin tjetër do të vazhdojmë shqyrtimin e kapitullit 6 të Gjonit.
KËNGA 20 Dhe Birin tënd të shtrenjtë
a Për më shumë hollësi rreth kësaj ngjarjeje emocionuese, shih librat Jezui—Udha, e vërteta dhe jeta, f. 131, dhe Imitoni besimin e tyre, f. 185.