Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 50

KËNGA 135 Ftesa e përzemërt e Jehovait: «Ji i mençur, biri im!»

Prindër—Ndihmojini fëmijët të forcojnë besimin

Prindër—Ndihmojini fëmijët të forcojnë besimin

‘Sigurohuni cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë.’ROM. 12:2.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Të shqyrtojmë sugjerime praktike se si prindërit mund të kenë një komunikim të mirë me fëmijën dhe ta ndihmojnë të forcojë besimin te Perëndia dhe te Bibla.

1-2. Si duhet të reagojnë prindërit kur fëmija bën pyetje rreth bindjeve të bazuara në Bibël?

 SHUMË veta bien dakord se të jesh prind është punë me kohë të plotë. Nëse je prind, të lumtë që po përpiqesh me mish e me shpirt t’i forcosh besimin fëmijës tënd. (Ligj. 6:6, 7) Teksa rritet, fëmija mund të fillojë të bëjë pyetje të rëndësishme për bindjet tona të bazuara në Bibël, ku përfshihen normat e saj morale.

2 Fillimisht mund të të merakosin disi pyetjet e tij. Madje mund t’i shohësh këto pyetje si një hap mbrapa për sa i përket besimit. Por në realitet, ndërsa rriten, fëmijët kanë nevojë të pyesin, që të sigurohen për gjërat që kanë mësuar. (1 Kor. 13:11) Ndaj s’ka pse të shqetësohesh. Të gjitha pyetjet e sinqerta të fëmijës për bindjet tona, shihi si një mundësi që ta ndihmosh të zhvillojë aftësinë për të menduar.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Në këtë artikull do të shqyrtojmë si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët (1) që besimi i tyre të ketë themel të fortë, (2) që të thellojnë vlerësimin për normat morale të Biblës dhe (3) që të mbrojnë bindjet e tyre. Ndërkohë do të shohim ç’të mira vijnë kur fëmijët bëjnë pyetje, si edhe cilat aktivitete mund t’u krijojnë mundësi prindërve të bisedojnë me ta për bindjet e bazuara në Bibël.

NDIHMOJINI QË BESIMI I TYRE TË KETË THEMEL TË FORTË

4. Çfarë pyetjesh mund të ketë fëmija, dhe pse?

4 Ju prindër e dini se besimi te Perëndia nuk është diçka që trashëgohet. Ju vetë nuk lindët me besim te Jehovai, dhe kështu është edhe për fëmijën tuaj. Me kalimin e kohës, fëmija mund të vrasë mendjen për pyetje si: «Nga e di që ekziston Perëndia? A mund t’i besoj vërtet asaj që thotë Bibla?» Në fakt, Bibla na nxit të përdorim ‘fuqinë për të arsyetuar’ dhe ‘të sigurohemi për të gjitha gjërat’. (Rom. 12:1; 1 Sel. 5:21) Po si mund ta ndihmosh fëmijën të forcojë besimin?

5. Si mund ta ndihmojnë prindërit fëmijën të forcojë besimin te Bibla? (Romakëve 12:2)

5 Nxite të sigurohet se ajo që mëson Bibla është e vërtetë. (Lexo Romakëve 12:2.) Kur fëmija të bën pyetje, shfrytëzoje këtë mundësi që ta ndihmosh të gjejë përgjigjet duke përdorur mjetet e kërkimit, si Treguesi i Botimeve Watch Tower dhe Mjet kërkimesh për Dëshmitarët e Jehovait. Te Mjet kërkimesh mund të shkojë te tema «Bibla», nëntema «E frymëzuar nga Perëndia», që të shohë prova se Bibla nuk është thjesht një libër interesant i shkruar nga njerëzit. Përkundrazi, është ‘fjala e Perëndisë’. (1 Sel. 2:13) Për shembull, mund të bëjë kërkime për qytetin e lashtë asirian të Ninevisë. Në të kaluarën, disa kritikë të Biblës thoshin se qyteti i Ninevisë nuk kishte ekzistuar kurrë. Mirëpo rreth vitit 1850, arkeologët zbuluan rrënojat e këtij qyteti, çka vërtetoi se historia e Biblës është e saktë. (Sof. 2:13-15) Për të mësuar më shumë se si i përmbushi profecitë e Biblës shkatërrimi i Ninevisë, fëmija mund të lexojë artikullin «A e dini?» te Kulla e Rojës e nëntorit 2021. Ndërsa i krahason ato që mëson nga botimet tona me ato që lexon në enciklopedi dhe burime të tjera të besueshme, besimi i tij te Bibla do të ketë rrënjë më të thella.

6. Si mund ta ndihmojnë prindërit fëmijën të vërë në punë aftësinë për të menduar? Jepni një shembull. (Shihni edhe figurën.)

6 Ndihmoje të vërë në punë aftësinë për të menduar. Prindërit kanë plot mundësi që të bëjnë biseda interesante me fëmijën për Biblën ose për besimin te Perëndia. Raste të tilla mund të krijohen kur viziton një muze, një kopsht botanik ose një ekspozitë në ndonjë zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait. Kur vizitoni një muze, fizikisht ose nëpërmjet internetit, pse të mos ia drejtosh vëmendjen te ngjarje historike ose tek objekte arkeologjike që i forcojnë besimin te saktësia e Biblës? Për shembull, a e di fëmija yt se emri i Perëndisë gjendet në një pllakë guri 3.000-vjeçare, që njihet si Guri i Moabit? Pllaka origjinale është e ekspozuar në Muzeun e Luvrit në Paris, Francë. Një kopje e Gurit të Moabit gjendet edhe te ekspozita «Bibla dhe emri hyjnor», në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Uoruik, Nju-Jork. Te Guri i Moabit tregohet se Meshai, mbreti i Moabit, ngriti krye kundër Izraelit. Kjo është në harmoni me atë që thotë Bibla. (2 Mbret. 3:4, 5) Kur fëmija të shohë me sytë e tij prova se Bibla është e vërtetë dhe e saktë, besimi i tij do të hedhë rrënjë më të forta.—Krahaso 2 Kronikave 9:6.

A mund ta ndihmosh fëmijën të vërë në punë aftësinë për të menduar, duke ia drejtuar vëmendjen tek objekte që gjenden nëpër muze? (Shih paragrafin 6)


7-8. (a) Për çfarë dëshmojnë projektet e bukura në natyrë? Jepni një shembull. (Shihni edhe figurën.) (b) Cilat pyetje mund ta ndihmojnë fëmijën të forcojë besimin te Krijuesi?

7 Nxite të mendojë për krijimin. Teksa bëni një shëtitje në park ose punoni kopshtin, drejtoja vëmendjen fëmijës te modelet e mahnitshme që shihni në natyrë. Pse? Sepse janë dëshmi që dikush i ka projektuar me inteligjencë e mençuri. Për shembull, shkencëtarët kanë studiuar prej vitesh modelet spirale. Biofizikani Nikola Fameli shpjegon se po të llogaritësh numrin e spiraleve që gjenden në natyrë, do të shohësh se përsëritet e njëjta seri numrash, të cilën e kanë quajtur vargu i Fibonaçit. Modelet spirale vërehen shpesh në natyrë, si te forma e disa galaktikave, te guaska e kërmillit të detit, te gjethet e pemëve dhe te luledielli. a

8 Ndërsa fëmija mëson më shumë gjëra shkencore në shkollë, do të zbulojë se ka ligje që përcaktojnë modelin e mjaft gjërave në natyrë. Për shembull, çdo flok bore ka një model fraktal që përftohet nga shumëfishimi i një forme gjeometrike. Modelet fraktale i shohim edhe te gjëra të tjera në natyrë. Por kush i bëri ligjet falë të cilave krijohen këto modele mbresëlënëse? Kush qëndron pas gjithë rregullsisë dhe projekteve të bukura që shohim në natyrë? Sa më shpesh t’i bluajë në mendje këto pyetje fëmija, aq më shumë do t’i forcohet besimi se çdo gjë është krijuar nga Perëndia. (Hebr. 3:4) E kur të jetë më i rritur, mund ta pyesësh: «Nëse na ka krijuar Perëndia, a nuk është logjike të na ketë dhënë edhe drejtim si të sillemi për të qenë të lumtur?» Pastaj mund t’i shpjegosh se këtë drejtim të çmuar na e ka dhënë përmes Biblës.

NASA, ESA dhe Hubble Heritage (STScl/AURA)-ESA/Hubble Collaboration

Kush qëndron pas projekteve të bukura që shohim në natyrë? (Shih paragrafët 7-8)


NDIHMOJINI TË THELLOJNË VLERËSIMIN PËR NORMAT MORALE TË BIBLËS

9. Pse fëmija mund të ketë pyetje për normat morale të Biblës?

9 Nëse fëmija ka pyetje për disa norma morale të Biblës, përpiqu të dallosh shkakun e tyre. Mos nuk është dakord me normat morale të Biblës? Apo thjesht nuk di si t’i mbrojë bindjet e tij kur flet me të tjerët? Cilado qoftë arsyeja, ndihmoje të thellojë vlerësimin për normat morale të Shkrimeve duke studiuar librin Gëzoje jetën përgjithmonë. b

10. Si mund ta nxitësh fëmijën të zhvillojë një miqësi të ngushtë me Jehovain?

10 Nxite ta shohë si thesar miqësinë me Jehovain. Teksa studion Biblën me fëmijën, nxite të shprehet duke përdorur pyetje dhe ilustrime nga libri Gëzoje jetën përgjithmonë. (Prov. 20:5) Për shembull, në mësimin 8 Jehovai krahasohet me një mik të dashur, i cili na jep përkujtues që na mbrojnë dhe na sjellin dobi. Pasi të diskutoni 1 Gjonit 5:3, mund ta pyesësh: «Përderisa Jehovai është një Mik kaq i mirë, si duhet të ndihemi për gjërat që na kërkon?» Kjo mbase duket një pyetje e thjeshtë, por mund ta ndihmojë fëmijën t’i shohë ligjet e Perëndisë si provë e dashurisë së Tij.—Isa. 48:17, 18.

11. Si mund ta ndihmosh fëmijën të kuptojë se është për të mirën e tij t’i zbatojë parimet e Biblës? (Proverbat 2:10, 11)

11 Diskutoni si na sjell dobi zbatimi i parimeve të Biblës. Kur lexoni bashkë Biblën ose shkrimin e ditës, bisedoni si ju kanë ndihmuar parimet e saj si familje. Për shembull, a i kupton fëmija yt të mirat që vijnë kur je i papërtuar dhe i ndershëm? (Hebr. 13:18) Gjithashtu mund të nxjerrësh në pah si na mbron fizikisht dhe emocionalisht zbatimi i parimeve të Biblës. (Prov. 14:29, 30) Ka shumë mundësi që kur të kuptojë sa të dobishme janë mësimet e Fjalës së Perëndisë, fëmija do të ketë më shumë dëshirë t’i zbatojë.—Lexo Proverbat 2:10, 11.

12. Si e ndihmojnë prindërit Etanin të çmojë vlerën praktike të parimeve të Biblës?

12 Stivi, një baba në Francë, tregon si e ndihmojnë ai dhe e shoqja djalin adoleshent, Etanin, të kuptojë se ligjet e Jehovait kanë në themel dashurinë. Ai thotë: «I bëjmë djalit pyetje si: ‘Pse na kërkon Jehovai ta ndjekim këtë parim? Si tregon kjo se na do? Ç’do të ndodhte po të mos e zbatoje këtë parim?’» Këto biseda e kanë ndihmuar Etanin të jetë i bindur se normat morale të Jehovait janë për të mirën e tij. Stivi shton: «Synimi ynë është ta ndihmojmë Etanin të kuptojë se mençuria e Biblës qëndron ku e ku më lart se mençuria e njeriut.»

13. Si mund ta stërvitin prindërit fëmijën që t’i zbatojë parimet e Biblës? Jepni një shembull.

13 Stërvite të zbatojë parimet e Biblës. Një mundësi për ta bërë këtë është kur fëmija duhet të lexojë një libër si pjesë e një projekti në shkollë. Mënyra si është shkruar libri mund ta nxitë të imitojë personazhet që bëjnë një jetë imorale ose që kanë shpërthime zemërimi. Inkurajoje fëmijën t’i shohë veprimet e këtyre personazheve nën dritën e parimeve të Biblës. (Prov. 22:24, 25; 1 Kor. 15:33; Filip. 4:8) Kështu mund të jetë më i sigurt e më i aftë t’u japë dëshmi mësuesit dhe shokëve të klasës kur të diskutohet ai libër.

PËRGATITI QË TË MBROJNË BINDJET E TYRE

14. Cila është një temë që fëmija mund të ketë siklet ta diskutojë me të tjerët, dhe pse?

14 Hera-herës fëmijët mund të ndihen të pasigurt t’i mbrojnë bindjet e tyre para të tjerëve. Për shembull, mbase vihen në siklet kur u duhet të shpjegojnë në klasë pse nuk besojnë te teoria e evolucionit. Pse? Sepse mësuesit mund t’ua paraqesin evolucionin si fakt, jo si teori. Nëse je prind, si mund ta ndihmosh fëmijën të ketë bindje të patundur se ajo që beson është e vërtetë?

15. Ç’mund ta ndihmojë fëmijën të jetë më i sigurt për bindjet e tij?

15 Ndihmoje të jetë më i sigurt për atë që beson. Fëmijës tënd nuk ka pse t’i vijë turp që di të vërtetën për krijimin. (2 Tim. 1:8) Pse? Sepse edhe shumë shkencëtarë e kuptojnë se jeta nuk erdhi vetvetiu ose rastësisht. Ata shohin prova të qarta se format komplekse të jetës janë projektuar me inteligjencë. Prandaj nuk besojnë te teoria e evolucionit, megjithëse mësohet në shumë shkolla nëpër botë. Diçka tjetër që mund ta ndihmojë fëmijën të jetë më i sigurt për bindjet e tij, është të mendojë çfarë i ka bindur shumë vëllezër e motra të besojnë se jeta është krijuar. c

16. Si mund ta ndihmojnë prindërit fëmijën të mbrojë bindjen se ka një Krijues? (1 Pjetrit 3:15) (Shihni edhe figurën.)

16 Përgatite të mbrojë bindjen e tij se ka një Krijues. (Lexo 1 Pjetrit 3:15.) Mund të jetë e dobishme të shqyrtosh me fëmijën artikujt e serisë «Të rinjtë pyesin—Krijim apo evolucion?» në jw.org. Pastaj ai mund të zgjedhë një shpjegim që i duket më bindës, për t’i ndihmuar të tjerët të kuptojnë të vërtetën për Krijuesin. Kujtoji se s’ka pse të hyjë në debat me shokët e klasës. Nxite të përdorë një arsyetim të thjeshtë nëse disa kanë dëshirë të bisedojnë. Për shembull, një shok klase mund t’i thotë: «Unë besoj vetëm tek ajo që shoh, dhe Zotin s’e kam parë ndonjëherë.» Fëmija mund të arsyetojë kështu: «Imagjino sikur po ecën mes një pylli shumë larg zonave të banuara dhe të del para një pus me ujë të freskët. Në çfarë përfundimi do të arrije? Normal që ai pus është provë e qartë se duhet ta ketë ndërtuar një person inteligjent. A nuk duhet të jetë kështu edhe për botën e gjallë dhe planetin tonë?»

Përdor arsyetime të thjeshta kur flet me shokët e klasës (Shih paragrafët 16-17) d


17. Si mund ta inkurajojnë prindërit fëmijën që të kërkojë mundësi t’u flasë të tjerëve për Biblën? Jepni një shembull.

17 Inkurajoje të kërkojë mundësi për t’u treguar të tjerëve të vërtetat e Biblës. (Rom. 10:10) Mbase mund t’i krahasosh përpjekjet që duhen për të folur për besimin me përpjekjet që nevojiten për të luajtur në një instrument muzikor. Fillimisht dikush praktikon melodi që janë të thjeshta. Me kohë e ka më të lehtë të luajë në atë instrument. Po njësoj, në fillim një fëmijë mund të përdorë arsyetime të thjeshta kur u flet të tjerëve për besimin. Për shembull, mund t’i bëjë këtë pyetje një shoku të klasës: «A e di që shpesh inxhinierët i kopjojnë projektet e tyre nga natyra? Shiko këtë video super.» Pasi i tregon një video nga seria A është projektuar?, mund ta pyesë: «Nëse një shkencëtar merr meritën për një projekt të kopjuar nga natyra, kujt i takon merita për origjinalin?» Kjo metodë e thjeshtë mund të mjaftojë që shokut të klasës t’i ngjallet kureshtja e të ketë dëshirë që të mësojë më shumë.

VAZHDO T’I NDIHMOSH TË FORCOJNË BESIMIN

18. Si mund të vazhdojnë prindërit ta ndihmojnë fëmijën që të forcojë besimin te Perëndia?

18 Në botën ku jetojmë, pjesa dërrmuese e njerëzve nuk kanë besim te Jehovai. (2 Pjet. 3:3) Ndaj, ndërsa studion Biblën me fëmijën, nxite të ndalet tek ato tema që do t’i shtojnë vlerësimin për Fjalën e Perëndisë dhe për normat e saj morale. Nxite të vërë në punë aftësinë për të menduar, duke nxjerrë në pah aspekte mahnitëse të krijimit të Jehovait. Ndihmoje të kuptojë profecitë e jashtëzakonshme të Biblës që janë plotësuar tashmë. E mbi të gjitha, lutu me fëmijën dhe për fëmijën. Ndërsa e bën këtë, ji i sigurt se Jehovai do të të shpërblejë për tërë punën që po bën për ta ndihmuar fëmijën të forcojë besimin.—2 Kron. 15:7.

KËNGA 133 Pranë Jehovait jetoje rininë

a Për më shumë informacion, shih në jw.org videon Mrekullitë e krijimit zbulojnë lavdinë e Perëndisë—Modelet në natyrë.

b Nëse fëmija e ka mbaruar studimin e librit Gëzoje jetën përgjithmonë, mund të rishikoni bashkë disa mësime nga pjesa 3 dhe 4, të cilat flasin për normat morale të Biblës.

c Shih artikullin «Ja pse besojmë se ka një Krijues» te Zgjohuni! i shtatorit 2006 dhe broshurën Origjina e jetës: Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh. Për shembuj të tjerë, shih në jw.org serinë e videove Pikëpamje për origjinën e jetës.

d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një i ri Dëshmitar i tregon një shoku klase të interesuar për dronët një video nga seria A është projektuar?