JETËSHKRIM
S’kam reshtur kurrë së mësuari
E FALËNDEROJ Jehovain për privilegjin që ka qenë tërë jetën ‘Mësuesi i Madh’. (Isa. 30:20) Ai i mëson adhuruesit e vet me anë të Fjalës së tij, Biblës, krijimit madhështor dhe organizatës së tij. Përdor edhe vëllezërit e motrat për të na ndihmuar. Kam gati një shekull jetë dhe akoma vazhdoj të nxjerr dobi nga gjithë këto mënyra si më mëson Jehovai. Po ju tregoj më tepër.
Linda në vitin 1927 në një qytet të vogël pranë Çikagos, Ilinois, SHBA. Babai dhe nëna kishin pesë fëmijë—Xhetha, Doni, unë, Karli dhe Xhoi. Të tërë ishim të vendosur t’i shërbenim me gjithë shpirt Jehovait. Xhetha ndoqi klasën e dytë të Galadit në vitin 1943. Doni, Karli dhe Xhoi filluan shërbimin në Bethel në Bruklin, Nju-Jork, përkatësisht në vitet 1944, 1947 dhe 1951. Shembulli i tyre i shkëlqyer, si edhe ai i prindërve, më frymëzoi që të bëja më shumë në shërbim të Jehovait.
FAMILJA JONË MËSON TË VËRTETËN
Babai dhe mamaja e lexonin Biblën dhe e donin Perëndinë, e kështu mbollën po atë dashuri te ne. Megjithatë, pasi mori pjesë në Luftën I Botërore në Evropë, babai e humbi respektin për kishat. Mamaja i ishte shumë mirënjohëse Perëndisë që ai u kthye gjallë në shtëpi, ndaj i tha: «Karl, le të shkojmë në kishë si dikur.» Babai iu përgjigj: «Do të të shoqëroj deri atje, por nuk do të hyj brenda.» Ajo e pyeti: «Pse jo?» Ai iu përgjigj: «Gjatë luftës, klerikët që i përkitnin të njëjtës fe, por që ishin në anët e kundërta të konfliktit, bekonin ushtarët dhe armët e tyre. A i mbështeste vallë Perëndia të dyja palët?!»
Më vonë, ndërsa mamaja ishte në kishë, dy Dëshmitarë të Jehovait erdhën në shtëpinë tonë. Ata i ofruan babait dy vëllimet e librit Drita, ku shqyrtohej libri i Zbulesës. Babait i pëlqyen librat dhe i mori. Sapo i pa librat, mamaja filloi t’i lexonte. Një ditë, ajo pa një njoftim në gazetën lokale që i ftonte të interesuarit të studionin Biblën me ndihmën e librave Drita dhe vendosi të shkonte. Kur mbërriti, derën e hapi një grua e moshuar. Duke i treguar një nga librat, mamaja e pyeti: «Këtu studiohet ky libër?» Gruaja iu përgjigj: «Po e dashur, urdhëro brenda.» Javën pasuese na mori të gjithë ne fëmijëve me vete, e që atëherë shkonim rregullisht në ato mbledhje.
Në një nga mbledhjet, drejtuesi më kërkoi të lexoja Psalmin 144:15, që thotë se ata që e adhurojnë Jehovain janë të lumtur. Ai shkrim më bëri shumë përshtypje, ashtu si edhe dy vargje të tjera—1 Timoteut 1:11, që thotë se Jehovai është ‘Perëndi i lumtur’, dhe Efesianëve 5:1, që na nxit ‘të bëhemi imitues të Perëndisë’. Arrita në përfundimin se duhej të isha i lumtur teksa i shërbeja Krijuesit tim dhe duhej ta falënderoja për këtë privilegj—të vërteta që u bënë udhërrëfyese në jetën time.
Kongregacioni më i afërt ishte në Çikago, 32 kilometra larg. Gjithsesi, shkonim në mbledhje, e si rezultat njohuria ime për Biblën shtohej. Kujtoj që në një rast, drejtuesi i mbledhjes i dha fjalën Xhethës që të komentonte. Ndërsa e dëgjoja, mendova: «Po unë e dija këtë. Mund ta kisha ngritur dorën për të komentuar.» Kështu fillova të përgatitesha dhe të komentoja në mbledhje. Si rezultat, u lidha më fort me Jehovain, ashtu si motrat e vëllezërit e mi. Në vitin 1941 u pagëzova.
MËSOJ NGA JEHOVAI NË KONGRESE
Mbaj mend veçanërisht kongresin që u mbajt në Klivlend, Ohajo, në vitin 1942. Familja jonë qëndroi në tenda së bashku me shumë familje të tjera pranë vendit ku po mbahej kongresi. Gjithashtu, vëllezër dhe motra nga më shumë se 50 qytete në Shtetet e Bashkuara e dëgjuan programin përmes telefonit. Lufta II Botërore po bënte kërdinë dhe kundërshtimi ndaj Dëshmitarëve të Jehovait sa vinte e shtohej. Në mbrëmje pashë grupe vëllezërish që i kishin parkuar makinat në një mënyrë që dritat të ndriçonin zonën përreth kampit. Kishin rënë dakord që në çdo makinë të ishte një vëlla që do të bënte rojë gjithë natën. Nëse do të nuhasnin ndonjë rrezik, vëllezërit do të ndiznin dritat e gjata për të penguar sulmuesit dhe do t’u binin borive. Kështu të tjerët mund të shkonin me vrap për të ndihmuar. Thashë me vete: «Populli i Jehovait është i përgatitur për çdo gjë.» Ndaj isha me zemër të qetë e fjeta rehat. E në fakt nuk patëm asnjë problem.
Vite më vonë, ndërsa kujtoja atë kongres, kuptova se mamaja nuk ishte aspak në ankth ose e frikësuar. Ajo kishte besim të plotë te Jehovai dhe tek organizata e tij. Nuk do ta harroj kurrë shembullin e saj të shkëlqyer.
Jo shumë kohë para atij kongresi, mamaja kishte filluar shërbimin si pioniere e rregullt. Prandaj u kushtoi vëmendje të veçantë fjalimeve që flisnin për shërbimin në kohë të plotë. Ndërsa po ktheheshim në shtëpi, ajo na tha: «Dua të vazhdoj si pioniere, por s’arrij dot edhe të bëj shërbimin, edhe të kujdesem për shtëpinë.» Pastaj na pyeti nëse mund t’i jepnim një dorë. Ne pranuam, kështu që na caktoi secilit një ose dy dhoma që t’i pastronim para se të hanim mëngjesin. Pasi niseshim për në shkollë, ajo kontrollonte nëse shtëpia ishte në rregull dhe pastaj dilte në shërbim. Edhe pse ishte shumë e zënë, kurrë nuk na linte pas dore. Kur ktheheshim në shtëpi për drekë dhe pas mësimit, mamaja ishte gjithmonë atje. Nganjëherë pas shkolle dilnim me të në shërbim, gjë që na ndihmoi të kuptonim ç’do të thoshte të ishe pionier.
FILLOJ SHËRBIMIN NË KOHË TË PLOTË
Nisa shërbimin si pionier në moshën 16-vjeçare. Babai nuk ishte ende Dëshmitar, megjithatë interesohej si po më shkonte shërbimi. Një mbrëmje i tregova se, sado që isha përpjekur fort, akoma s’kisha gjetur dikë që donte të studionte Biblën. Pas një pauze, e pyeta: «A ke dëshirë të studiosh me mua?» Ai u mendua një çast dhe tha: «Pse jo, studiojmë.» Kështu, studenti im i parë i Biblës ishte babai im. Çfarë privilegji!
Studiuam me librin «E vërteta do t’ju lirojë». Ndërsa studionim, kuptova që babai po më ndihmonte të bëhesha studiues dhe mësues më i mirë i Biblës. Për shembull, një mbrëmje pasi lexuam një paragraf, ai më tha: «E kuptoj çfarë thuhet në libër. Por nga e di ti se ajo që thotë libri është e vërtetë?» Pyetja e tij më kapi të papërgatitur. Prandaj i thashë: «Nuk di ta shpjegoj tani, por deri herën tjetër do ta kem gjetur përgjigjen.» Dhe ashtu bëra. Gjeta vargje që e mbështetnin atë që po diskutonim. Pas kësaj, mësova të bëja kërkime e të përgatitesha më mirë për studimin tonë. Kështu na u forcua besimi si mua, edhe tim eti. Ai e zbatonte atë që mësonte, dhe në vitin 1952, u pagëzua.
SYNIME TË REJA, MË SHUMË ARSIMIM
U largova nga shtëpia kur isha 17 vjeç. Xhetha a u bë misionare, kurse Doni bethelit. Të dy e donin caktimin e tyre, e kjo më inkurajonte pa masë. Ja pse plotësova kërkesën edhe për Bethel edhe për shkollën e Galadit dhe e lashë zgjedhjen në dorë të Jehovait. Cili ishte rezultati? Në vitin 1946 më ftuan në Bethel.
Ndër vite kam pasur shumë caktime në Bethel dhe kam mësuar plot gjëra të reja. Gjatë 75 viteve këtu, kam mësuar si të shtyp libra, si të kujdesem për financat dhe si të merrem me blerjen e me dërgesat e mallrave. Por mbi të gjitha, kënaqem me arsimimin e vazhdueshëm nëpërmjet adhurimit të mëngjesit dhe programeve tjera teokratike.
Gjithashtu mësova nga vëllai im i vogël, Karli, i cili erdhi në Bethel në vitin 1947. Ai ishte një studiues dhe mësues i shkëlqyer i Biblës. Një herë i kërkova ndihmë për një fjalim që më ishte caktuar. I shpjegova se kisha mbledhur shumë material, por s’po dija si ta përdorja. Ai më ndihmoi të gjeja zgjidhjen vetëm me një pyetje: «Joel, cila është tema e fjalimit?» E kapa menjëherë ku donte të dilte
—të përdorja vetëm materialin që lidhej me temën dhe të mos e përfshija pjesën tjetër. Nuk e harrova kurrë atë mësim.Për të qenë të lumtur në Bethel, duhet të bëjmë më të mirën në veprën e predikimit. Kjo mund t’u hapë derën eksperiencave inkurajuese. Njëra prej tyre më kujtohet si sot. Në muzgun e një mbrëmjeje në Bronks, në qytetin e Nju-Jorkut, trokitëm me një vëlla në derën e një gruaje. Ajo kishte pranuar më parë revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! U prezantuam duke thënë: «Këtë mbrëmje po u tregojmë njerëzve diçka inkurajuese nga Bibla.» Ajo na e ktheu: «Nëse është për Biblën, urdhëroni brenda.» Lexuam e diskutuam disa vargje për Mbretërinë e Perëndisë dhe botën e re. Kjo i la shumë mbresa, kështu që javën tjetër kur shkuam ta takonim, kishte ftuar edhe disa nga miqtë e saj. Më vonë, ajo dhe i shoqi u bënë adhurues besnikë të Jehovait.
MËSOJ NGA BASHKËSHORTJA IME
Para se të takoja time shoqe, kisha rreth dhjetë vjet që kërkoja një bashkëshorte të mirë. Çfarë më ndihmoi të gjeja personin e duhur? I lutesha Jehovait dhe bluaja në mendje këtë pyetje: «Çfarë jete dua të bëj pas martese?»
Pas kongresit të vitit 1953 në stadiumin Jenki, takova një motër që quhej Meri Anioli. Ajo dhe Xhetha kishin ndjekur klasën e dytë të Shkollës së Galadit dhe shërbenin së bashku si misionare. Meri më tregoi plot entuziazëm për caktimin si misionare në Karaibe dhe për studimet që kishte pasur gjatë viteve. Ndërsa njiheshim, kuptuam se kishim të njëjta synime në shërbim. Dashuria jonë për njëri-tjetrin shtohej dita-ditës, dhe në prill të vitit 1955 u martuam. Meri ishte në shumë aspekte një dhuratë nga Jehovai dhe një shembull i shkëlqyer për mua. Ajo ishte e lumtur në çdo caktim. Ishte e papërtuar, kujdesej sinqerisht për të tjerët dhe e vinte gjithmonë Mbretërinë në vend të parë. (Mat. 6:33) Shërbyem në veprën qarkore për tre vjet dhe, në vitin 1958 na ftuan si çift në Bethel.
Kam mësuar shumë nga Meri. Për shembull, në fillim të martesës vendosëm të lexonim çdo ditë 15 vargje nga Bibla së bashku. Pasi njëri nga ne lexonte disa prej tyre, i komentonim dhe diskutonim si t’i zbatonim në jetën tonë. Shpesh Meri më tregonte gjëra që kishte mësuar në Galad ose gjatë shërbimit si misionare. Falë atyre bisedave, bëja fjalime më të mira dhe dija t’i inkurajoja më mirë motrat.—Prov. 25:11.
Meri im e shtrenjtë vdiq në vitin 2013. Pres me zjarr ta takoj në botën e re! Ndërkohë jam i vendosur të vazhdoj të mësoj nga Jehovai e të besoj me gjithë zemër tek ai. (Prov. 3:5, 6) Kur mendoj se ç’do të bëjë populli i Jehovait në botën e re, marr forcë dhe fluturoj nga gëzimi. Patjetër që, ndër të tjera, do të mësojmë gjëra të reja nga Mësuesi ynë i Madh dhe për të. Nuk gjej fjalë ta falënderoj Jehovain për gjithçka që më ka mësuar deri tani dhe për mënyrat e panumërta si më ka shprehur mirësi të pamerituar.
a Shih jetëshkrimin e Xhetha Sanëllit në Kullën e Rojës të 1 marsit 2003, f. 23-29.