ARTIKULLI I STUDIMIT 49
KËNGA 147 Jeta pa fund nuk është ëndërr
Ti mund të jetosh përgjithmonë—Si?
‘Kushdo që e pranon Birin dhe tregon besim tek ai, do të ketë jetë të përhershme.’—GJONI 6:40.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Si nxjerrin dobi të mirosurit dhe delet e tjera nga flijimi i Jezu Krishtit.
1. Si mund ta shohin disa mundësinë për të jetuar përgjithmonë?
SHUMË veta zgjedhin me kujdes çfarë hanë dhe përpiqen të bëjnë ushtrime rregullisht për të pasur shëndet të mirë. Gjithsesi nuk presin të jetojnë përgjithmonë. Një shpresë e tillë ndoshta u duket jorealiste dhe e padëshirueshme për shkak të problemeve që sjell mosha e shkuar. Megjithatë, Jezui e bëri të qartë se ‘jeta e përhershme’ është e mundur dhe e dëshirueshme, siç tregon për shembull Gjoni 3:16 dhe 5:24.
2. Çfarë thuhet për jetën e përhershme te kapitulli 6 i Gjonit? (Gjoni 6:39, 40)
2 Nëpërmjet një mrekullie, Jezui ushqeu me bukë dhe peshq një turmë prej mijëra njerëzish. a Kjo ishte mbresëlënëse, por ajo që tha të nesërmen ishte akoma më e mahnitshme. Turma e kishte ndjekur deri në Kapernaum, pranë bregut të detit të Galilesë, ku Jezui u tha se njerëzit mund të ringjallen e të gëzojnë jetën pa fund. (Lexo Gjonin 6:39, 40.) Mendo çfarë nënkupton kjo për miqtë dhe njerëzit e tu të dashur që nuk jetojnë më. Fjalët e Jezuit tregojnë se shumë prej atyre që kanë vdekur, do të ringjallen dhe se ti e njerëzit e tu të dashur mund të jetoni përgjithmonë. Mirëpo për shumë veta ishte dhe vazhdon të jetë e vështirë ta kuptojnë atë që tha më tej në kapitullin 6 të Gjonit. Le të ndalemi te këto fjalë të Jezuit.
3. Çfarë zbuloi Jezui për veten te Gjoni 6:51?
3 Turma në Kapernaum e kuptoi se kishte një lidhje mes bukës që u kishte siguruar Jezui me një mrekulli dhe manës që kishte siguruar dikur Jehovai për paraardhësit e tyre. Ata e dinin se Shkrimet e quanin manën ‘buka e qiellit’. (Psal. 105:40; Gjoni 6:31) Jezui e përdori manën si një themel për atë që do t’u mësonte më tej. Ndonëse mana u sigurua me një mrekulli, ata që e hëngrën, vdiqën me kalimin e kohës. (Gjoni 6:49) Në kontrast me këtë, Jezui tha se ai ishte ‘buka e vërtetë nga qielli’, «buka e Perëndisë» dhe «buka e jetës». (Gjoni 6:32, 33, 35) E Jezui theksoi një ndryshim të rëndësishëm mes manës dhe atij vetë kur tha: «Unë jam buka e jetës që zbriti nga qielli. Nëse dikush ha nga kjo bukë, do të jetojë përgjithmonë.» (Lexo Gjonin 6:51.) Judenjtë u çuditën nga këto fjalë. E si mund të thoshte Jezui se ishte «bukë» që zbriti nga qielli dhe se kjo bukë ishte më e mirë se mana që u kishte dhënë Perëndia paraardhësve të tyre?! Jezui shtoi diçka që u ngjalli edhe më shumë kureshtje: «Buka që do të jap, faktikisht është mishi i trupit tim.» Ku e kishte fjalën? Është e rëndësishme ta dimë përgjigjen, sepse kështu do të kuptojmë si mund të jetojmë përgjithmonë ne dhe njerëzit tanë të dashur. Le të shohim ç’kuptim kishin fjalët e tij.
BUKA E JETËS DHE MISHI I TRUPIT TË TIJ
4. Pse u skandalizuan disa nga fjalët e Jezuit?
4 Disa nga dëgjuesit e Jezuit u skandalizuan kur ai tha se do të jepte ‘mishin e trupit të tij, që bota të jetonte’. Mos ndoshta menduan se do t’u jepte vërtet të hanin mishin e tij, çka do të ishte kanibalizëm? (Gjoni 6:52) Sakaq Jezui shtoi këtë hollësi që duhet t’i ketë tronditur akoma më shumë: «Po të mos hani mishin e Birit të njeriut e po të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete.»—Gjoni 6:53.
5. Pse mund të jemi të sigurt se Jezui nuk po thoshte që njerëzit duhej të pinin vërtet gjakun e tij?
5 Shumë kohë më parë, në ditët e Noesë, Perëndia i kishte urdhëruar njerëzit të mos hanin gjak. (Zan. 9:3, 4) Jehovai e përsëriti atë urdhër në Ligjin që i dha Izraelit. Kushdo që hante gjak, ‘duhej shfarosur’. (Lev. 7:27) E Jezui i nxiti judenjtë t’i zbatonin të gjitha urdhërimet e Ligjit. (Mat. 5:17-19) Prandaj është e pamendueshme që tani të nxiste një turmë judenjsh të hanin në kuptimin e mirëfilltë mishin e tij ose të pinin gjakun që i rridhte në vena. Nëpërmjet atij pohimi befasues, Jezui në fakt donte t’i mësonte si të fitonin ‘jetën e përhershme’.—Gjoni 6:54.
6. Pse mund të themi se fjalët e Jezuit për të ngrënë mishin e tij e për të pirë gjakun e tij kanë kuptim të figurshëm?
6 Ç’donte të thoshte Jezui? Është e qartë se ai po përdorte një gjuhë të figurshme, ashtu si më parë me gruan samaritane kur i tha: «Kushdo që pi nga uji që do t’i jap unë, nuk do të ketë etje kurrën e kurrës, sepse uji që do t’i jap unë, do të bëhet brenda tij si një burim uji që gufon për t’i dhënë jetë të përhershme.» (Gjoni 4:7, 14) b Jezui nuk po thoshte se gruaja samaritane do të jetonte përgjithmonë thjesht duke pirë ujë nga një pus i veçantë. Po njësoj, nuk po thoshte se ata njerëz në Kapernaum do të jetonin përgjithmonë po të hanin mishin e tij e të pinin gjakun e tij në kuptimin e mirëfilltë.
DY RASTE TË NDRYSHME, DY POHIME TË NDRYSHME
7. Çfarë thonë disa për fjalët e Jezuit te Gjoni 6:53?
7 Disa thonë se fjalët e Jezuit te Gjoni 6:53 për të ngrënë mishin e tij dhe për të pirë gjakun e tij, vendosën modelin për atë që ndodhi në Darkën e Zotërisë, meqë në atë rast special Jezui përdori fjalë të ngjashme. (Mat. 26:26-28) Sipas tyre, çdo i pranishëm në Darkën e Zotërisë duhet të hajë nga buka dhe të pijë nga vera që kalojnë dorë më dorë. A kërkoi vërtet Jezui të veprojmë kështu? Është e rëndësishme ta dimë përgjigjen e saktë, sepse miliona veta përqark globit bashkohen çdo vit me ne për këtë event. Të shohim disa ndryshime mes fjalëve të Jezuit te Gjoni 6:53 dhe asaj që tha në Darkën e Zotërisë.
8. Cilat janë disa ndryshime mes dy rasteve? (Shihni edhe figurat.)
8 Le të ndalemi te dy ndryshime mes këtyre rasteve. Së pari, kur dhe ku i tha Jezui fjalët e dokumentuara te Gjoni 6:53-56? I tha në Galile në vitin 32 të e.s. Kjo ndodhi afro një vit para se të themelonte Darkën e Zotërisë në Jerusalem. Së dyti, me cilët po fliste? Shumicës së dëgjuesve të tij në Galile u interesonte më tepër që Jezui t’u siguronte ushqim për të ngopur barkun, sesa t’i ushqente nga Fjala e Perëndisë. (Gjoni 6:26) Në fakt, kur Jezui tha diçka që e patën të vështirë ta kuptonin, nuk besuan më tek ai. Madje disa nga dishepujt e tij nuk e ndoqën më. (Gjoni 6:14, 36, 42, 60, 64, 66) Sa shumë ndryshonin nga 11 apostujt besnikë, që ishin bashkë me Jezuin rreth një vit më vonë, më 33 të e.s., në Darkën e Zotërisë! Ata ishin krah tij në atë rast, ndonëse nuk e kuptonin plotësisht çdo gjë që u mësonte. Ama ndryshe nga shumica e judenjve në Galile, s’kishin fije dyshimi se Jezui ishte Biri i Perëndisë dhe kishte zbritur nga qielli. (Mat. 16:16) Jezui i lavdëroi me këto fjalë apostujt besnikë: «Pikërisht ju nuk më keni braktisur në kohë sprovash.» (Luka 22:28) Mjaftojnë edhe vetëm këto dy ndryshime për ta rrëzuar pohimin se fjalët e Jezuit te Gjoni 6:53 vendosën modelin për çka do të ndodhte në Darkën e Zotërisë. Gjithsesi ndryshimet s’mbarojnë me kaq.
FJALËT E JEZUIT DHE E ARDHMJA JOTE
9. Për cilin grup janë fjalët e Jezuit gjatë Darkës së Zotërisë?
9 Gjatë Darkës së Zotërisë, Jezui u dha apostujve të vet bukë pa maja dhe u tha se ajo paraqiste trupin e tij. Pastaj u kaloi një kupë me verë dhe u tha se vera paraqiste «gjakun e besëlidhjes». (Mar. 14:22-25; Luka 22:20; 1 Kor. 11:24) Ky është një fakt shumë domethënës. Besëlidhja e re bëhet me «shtëpinë e Izraelit», pra vetëm me ata që do të qeverisin me Jezuin «në Mbretërinë e Perëndisë», jo me njerëzimin në përgjithësi. (Hebr. 8:6, 10; 9:15) Në atë kohë, apostujt nuk kuptonin gjithçka rreth asaj besëlidhjeje. Sidoqoftë, së shpejti do të bëheshin pjesëtarë të besëlidhjes së re, e cila do të hapte rrugën të ishin bashkë me Jezuin në qiell.—Gjoni 14:2, 3.
10. Cili është një ndryshim tjetër mes asaj që tha Jezui në Galile dhe asaj që tha gjatë Darkës së Zotërisë? (Shihni edhe figurën.)
10 Vlen të theksohet se gjatë Darkës së Zotërisë, Jezui u përqendrua te një «kope e vogël». Ai grup i vogël përbëhej në fillim nga apostujt besnikë që ishin bashkë me të në dhomë. (Luka 12:32) Ata dhe të tjerë që do të bënin pjesë në atë grup, duhej të merrnin dy simbolet—bukën dhe verën. Pikërisht atyre do t’u përgatitë një vend Jezui, që të jenë me të në qiell. Ajo që u tha apostujve në atë rast, ishte për një grup të kufizuar njerëzish. Ndryshe nga kjo, fjalët që i tha turmës në Galile lidhen me një numër të pakufizuar njerëzish.
11. Pse mund të themi se në Galile Jezui nuk po fliste për një grup të kufizuar njerëzish?
11 Kur ishte në Galile në vitin 32 të e.s., Jezui po fliste me një turmë judenjsh që donin thjesht t’i ushqente me bukë. Megjithatë, ai ua drejtoi vëmendjen te diçka shumë më dobiprurëse se buka e mirëfilltë—diçka që mund t’u jepte jetën e përhershme. Madje tha se ata që vdisnin, mund të ringjalleshin në ditën e fundit e të jetonin përgjithmonë. Jezui nuk e kishte fjalën për një pakicë të zgjedhur, për një numër të kufizuar njerëzish, si në rastin e Darkës së Zotërisë që themeloi më vonë. Përkundrazi, në Galile po fliste për një bekim të mrekullueshëm që mund ta merrnin të gjithë njerëzit. Në fakt, Jezui tha: «Nëse dikush ha nga kjo bukë, do të jetojë përgjithmonë, sepse buka që do të jap, faktikisht është mishi i trupit tim, që bota të jetojë.»—Gjoni 6:51. c
12. Çfarë nevojitet për të shijuar bekimin që përmendi Jezui?
12 Jezui nuk po u thoshte judenjve në Galile se çdo njeri që ka jetuar në tokë do të gëzojë jetën e përhershme. Vetëm ata që ‘hanë nga kjo bukë’, pra që tregojnë besim tek ai, do ta gëzojnë këtë bekim. Shumë njerëz që thonë se janë të krishterë, mendojnë se do të shpëtojnë thjesht ngaqë ‘besojnë në [Jezuin]’ dhe e shohin si shpëtimtarin e tyre. (Gjoni 6:29, Diodati i Ri) Por kjo nuk mjafton. Disa judenj në Galile që fillimisht besonin te Jezui, më pas e braktisën. Pse e bënë këtë?
13. Çfarë nevojitet për të qenë vërtet dishepull i Jezuit?
13 Shumica e judenjve në turmën që ushqeu Jezui, e ndoqën me kënaqësi për sa kohë u siguroi atë që dëshironin. Atyre u interesonin shërimet e mrekullueshme, ushqimi falas ose mësimet që u kënaqnin veshin. Mirëpo Jezui e bëri të qartë se nuk erdhi në tokë thjesht për t’u plotësuar dëshirat. Erdhi për t’u mësuar se ç’duhej të bënin që të ishin vërtet dishepujt e tij. Duhej të pranonin ftesën e Jezuit që ‘të venin tek ai’, pra duhej t’ia vinin veshin e të zbatonin çdo gjë që u mësonte.—Gjoni 5:40; 6:44.
14. Ç’duhet të bëjmë për të nxjerrë dobi nga mishi dhe gjaku i Jezuit?
14 Jezui i theksoi turmës së judenjve se ishte e nevojshme të tregonin besim. Besim për çfarë? Besim se falë mishit dhe gjakut të tij, që do të sakrifikonte më pas, mund të fitonin jetën. Ai besim ishte jetësor për ata judenj dhe është jetësor edhe për ne sot. (Gjoni 6:40) Pra, për të nxjerrë dobi nga mishi dhe gjaku i Jezuit, siç thuhet te Gjoni 6:53, duhet të tregojmë besim te shpërblesa. Këtë dobi mund ta gëzojnë një numër i pakufishëm njerëzish.—Efes. 1:7.
15-16. Cilat mësime të rëndësishme nxorëm nga kapitulli 6 i Gjonit?
15 Sa të çmuara janë për ne gjërat që na zbulon kapitulli 6 i Gjonit! Aty del në pah sa merak e dhembshuri ka Jezui për njerëzit. Në Galile ai shëroi të sëmurët, u mësoi njerëzve për Mbretërinë dhe u sigurua të kishin ushqimin e nevojshëm. (Luka 9:11; Gjoni 6:2, 11, 12) Ç’është më e rëndësishmja, u mësoi se është «buka e jetës».—Gjoni 6:35, 48.
16 Ata që Jezui i quajti «delet e tjera» nuk duhet të hanë nga buka e të pinë nga vera në Darkën e Zotërisë, dhe nuk e bëjnë këtë. (Gjoni 10:16) Prapëseprapë, nxjerrin dobi nga mishi dhe gjaku i Jezu Krishtit. Si? Duke treguar besim se falë flijimit të tij, mund të gëzojnë një të ardhme të mahnitshme. (Gjoni 6:53) Kurse ata që duhet të hanë nga buka e të pinë nga vera, tregojnë me këto veprime se janë pjesëtarë të besëlidhjes së re dhe kanë shpresën të qeverisin në Mbretërinë qiellore. Pra, qofshim të mirosur, qofshim dele të tjera, kapitulli 6 i Gjonit është shumë domethënës për ne. Ai nxjerr në pah se është jetësore të tregojmë besim te shpërblesa, e kështu të fitojmë jetën e përhershme.
KËNGA 150 Jehovai të premton çlirim
a Gjoni 6:5-35 u shqyrtua në artikullin e kaluar.
b Uji që përmendi Jezui paraqet gjithë masat e Jehovait që njerëzit të jetojnë përgjithmonë.
c Kur flet për ata që mund të jetojnë përgjithmonë, kapitulli 6 i Gjonit përdor fjalë që mund të përkthehen «kushdo» dhe «çdo njeri».—Gjoni 6:35, 40, 47, 54, 56-58.