A ju kujtohet?
A i keni lexuar me kujdes numrat e Kullës së Rojës të këtij viti? Shihni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
Çfarë shembulli ka lënë Jehovai për mënyrën si duhen trajtuar gratë?
Ai i trajton me paanësi gratë, duke mos favorizuar burrat karshi grave. Jehovai i dëgjon me vëmendje dhe ka merak për ndjenjat e shqetësimet e tyre. Ai ka besim se gratë do ta kryejnë veprën e tij.—w24.01, f. 15-16.
Si mund ta zbatojmë Efesianëve 5:7: ‘Mos kini asgjë të përbashkët me ta’?
Apostulli Pavël po na paralajmëronte të mos shoqërohemi me njerëz që na e bëjnë të vështirë të jetojmë sipas standardeve të Perëndisë. Shoqëri e dëmshme mund të jenë ata me të cilët kalojmë kohë personalisht ose në mediat sociale.—w24.03, f. 22-23.
Prej cilave histori të trilluara duhet të ruhemi?
Duhet të bëjmë kujdes nga historitë e paverifikuara që na vijnë nga vëllezërit e motrat, nga email-et që na i dërgojnë të panjohurit dhe nga apostatët që shtiren si të interesuar për të vërtetën.—w24.04, f. 12.
Çfarë dimë dhe çfarë nuk dimë për mënyrën si do t’i gjykojë Jehovai mbretin Solomon dhe ata që vdiqën në Sodomë e Gomorrë, si edhe gjatë Përmbytjes?
Nuk e dimë me siguri nëse Jehovai i ka dënuar me shkatërrim të përhershëm. Ama dimë se ai njeh të gjitha faktet dhe është jashtëzakonisht i mëshirshëm.—w24.05, f. 3-4.
Për çfarë na siguron fakti që Perëndia është «Shkëmbi» ynë? (Ligj. 32:4)
Mund të kërkojmë strehë te Jehovai. Ai është i besueshëm, i mban gjithnjë premtimet. Gjithashtu është stabël; personaliteti dhe qëllimi i tij nuk ndryshojnë kurrë.—w24.06, f. 26-28.
Ç’mund të të ndihmojë të përshtatesh me një kongregacion të ri?
Mbështetu te Jehovai, i cili do të të ndihmojë siç ka ndihmuar shërbëtorët e tij në të kaluarën. Shmangi krahasimet me kongregacionin e mëparshëm. Përfshihu në kongregacionin e ri dhe përpiqu të lidhësh miqësi të reja.—w24.07, f. 26-28.
Çfarë mësojmë nga tri ilustrimet që gjejmë te kapitulli 25 i Mateut?
Ilustrimi për delet dhe cjeptë thekson sa e rëndësishme është të tregojmë besim dhe besnikëri. Ilustrimi për virgjëreshat e mençura dhe ato mendjelehta nxjerr në pah nevojën për të qenë të përgatitur dhe vigjilentë. Ndërsa ilustrimi i talentave tregon qartë sa vlerë ka të jemi të papërtuar dhe të zellshëm.—w24.09, f. 20-24.
Sa i lartë ishte portiku në tempullin e Solomonit?
Te 2 Kronikave 3:4, disa dorëshkrime të lashta thonë se portiku ishte «120 kute» i lartë, pra 53 metra. Mirëpo në dorëshkrime të tjera të besueshme thuhet se ishte «20 kute», pra 9 metra i lartë. Lartësia 9 metra duket se përshtatet më mirë me trashësinë e mureve të tempullit.—w24.10, f. 31.
Çfarë do të thotë që një shërbëtor kongregacioni duhet të jetë ‘burrë i një gruaje të vetme’? (1 Tim. 3:12)
Do të thotë se duhet të jetë i martuar vetëm me një grua dhe s’duhet të kryejë imoralitet seksual. Veç kësaj, nuk duhet t’u kushtojë kurrë vëmendje të papërshtatshme grave të tjera.—w24.11, f. 19.
Pse themi se fjalët e Jezuit te Gjoni 6:53 nuk ishin modeli për atë që do të ndodhte në Darkën e Zotërisë?
Gjoni 6:53 thotë se duhet të hamë mishin e Jezuit dhe të pimë gjakun e tij. Këto fjalë Jezui ua tha në vitin 32 të e.s. judenjve në Galile që ende nuk besonin tek ai. Mirëpo Darka e Zotërisë u themelua një vit më vonë, në Jerusalem. Aty Jezui foli me ata që do të mbretëronin me të në qiell.—w24.12, f. 10-11.