Pyetje nga lexuesit
Cilët janë ‘engjëjt e zgjedhur’ të përmendur te 1 Timoteut 5:21?
Apostulli Pavël i shkroi Timoteut, që shërbente po ashtu si plak, këto fjalë: «Të urdhëroj solemnisht përpara Perëndisë, përpara Krishtit Jezu dhe engjëjve të zgjedhur, që t’i zbatosh këto udhëzime pa paragjykim e pa anësi.»—1 Tim. 5:21.
Në fillim të shohim cilët nuk mund të jenë ‘engjëjt e zgjedhur’. Është e qartë se nuk bëhet fjalë për 144.000 të mirosurit. Kur Pavli i shkroi Timoteut, nuk kishte filluar ringjallja e të krishterëve të mirosur në qiell. Apostujt dhe të mirosur të tjerë nuk ishin bërë akoma krijesa qiellore, prandaj nuk mund të ishin ‘engjëjt e zgjedhur’.—1 Kor. 15:50-54; 1 Sel. 4:13-17; 1 Gjon. 3:2.
‘Engjëjt e zgjedhur’ nuk mund të jenë as engjëjt që u rebeluan në kohën e Përmbytjes. Ata morën anën e Satanait dhe u bënë demonë, pra janë armiq të Jezuit. (Zan. 6:2; Luka 8:30, 31; 2 Pjet. 2:4) Në të ardhmen do të izolohen në një humnerë për 1.000 vjet, e pastaj do të shfarosen bashkë me Djallin.—Jud. 6; Zbul. 20:1-3, 10.
‘Engjëjt e zgjedhur’ që përmendi Pavli duhet të kenë qenë ata engjëj në qiell që mbështetnin ‘Perëndinë dhe Krishtin Jezu’, të cilët përmenden brenda të njëjtit varg.
Ka mijëra e mijëra engjëj besnikë. (Hebr. 12:22, 23) Jo çdonjëri prej tyre ka të njëjtin caktim në të njëjtën kohë. (Zbul. 14:17, 18) Për shembull, një engjëlli të vetëm iu ngarkua detyra të vriste 185.000 ushtarë asirianë. (2 Mbret. 19:35) Një grupi engjëjsh mund t’i jetë dhënë caktimi ‘të mbledhin e të nxjerrin nga Mbretëria [e Jezuit] çdo gjë që i çon të tjerët në mëkat, bashkë me ata që bëjnë vepra të paligjshme’. (Mat. 13:39-41) Disa engjëj mund të jenë caktuar ‘të mbledhin të zgjedhurit’ në qiell. (Mat. 24:31) Engjëj të tjerë kanë marrë urdhrin ‘të na ruajnë në çdo udhë tonën’.—Psal. 91:11; Mat. 18:10; krahaso Mateun 4:11; Lukën 22:43.
Ka shumë të ngjarë që ‘engjëjt e zgjedhur’ të përmendur te 1 Timoteut 5:21, të ishin engjëj që kishin caktime të veçanta për të ndihmuar popullin e Perëndisë. Në kontekstin e këtij vargu, Pavli po jepte këshilla të mençura për pleqtë, të cilët meritojnë respektin e kongregacionit. Nga ana e tyre, pleqtë duhet t’i kryejnë përgjegjësitë që kanë «pa paragjykim e pa anësi» dhe nuk duhet të marrin një vendim ose të gjykojnë nxitimthi. Një arsye e fortë pse duhet ta ndjekin këshillën e frymëzuar të Pavlit është se shërbejnë «përpara Perëndisë, përpara Krishtit Jezu dhe engjëjve të zgjedhur». Pra, është e qartë se disa engjëj kanë caktime për të ndihmuar kongregacionin, si për shembull të sigurojnë mbrojtje, të mbikëqyrin predikimin dhe t’ia raportojnë Jehovait ato që vërejnë.—Mat. 18:10; Zbul. 14:6.