Ç’mund të bësh kur bashkëshorti shikon pornografi?
-
«Ndihesha sikur bashkëshorti im kishte kryer kurorëshkelje në mënyrë të përsëritur.»
-
«Ndihesha e poshtëruar, e padëshiruar dhe e pavlerë.»
-
«Nuk flitja dot me asnjeri. Vuaja në heshtje.»
-
«Ndihesha sikur Jehovai nuk më donte.»
Komentet e mësipërme tregojnë sa shumë vuan gruaja kur burri i saj sheh pornografi. E nëse ai e ka bërë këtë fshehurazi, mbase për muaj a vite, ajo mund të mendojë se nuk do të jetë në gjendje t’i besojë më. Një grua tha: «Vritja mendjen: ‘Kush është ky burrë që kam në krah? Çfarë gjërash të tjera më fsheh?’»
Ky artikull është përgatitur për të ndihmuar gratë, bashkëshortët e të cilave kanë rënë pre e pornografisë. a Do të trajtohen parime nga Bibla që i ngushëllojnë, i sigurojnë për mbështetjen e Jehovait dhe i ndihmojnë të kenë më shumë paqe e të qëndrojnë pranë Jehovait. b
Ç’MUND TË BËJË BASHKËSHORTJA E PAFAJSHME?
Edhe pse nuk mund të kontrollosh çdo gjë që bën yt shoq, mund të bësh disa hapa që ta lehtësosh dhembjen e ta kesh mendjen më të qetë. Shqyrto këta hapa:
Mos e fajëso veten. Gruaja mund të mendojë se është faji i saj që burri sheh ose lexon materiale pornografike. Alisa c mendonte se duhej të kishte ndonjë mangësi si grua. Vriste mendjen: «Pse burri im preferon të shohë një grua tjetër e jo mua?» Disa gra fajësojnë veten për mënyrën si reagojnë, pasi mendojnë se po e keqësojnë situatën. Daniela thotë: «Më dukej vetja grua idhnake, që po e shkatërroja vetë martesën me zemërimin tim.»
Nëse ndihesh edhe ti kështu, të jesh e sigurt se Jehovai nuk të konsideron ty përgjegjëse për veprimet e burrit. Jakovi 1:14 thotë: «Secili sprovohet, sepse tërhiqet dhe joshet nga dëshira e vet.» (Rom. 14:12; Filip. 2:12) Jehovai nuk të fajëson, përkundrazi të çmon për besnikërinë tënde.—2 Kron. 16:9.
Mund të jetë e dobishme edhe të kesh parasysh se shikimi i pornografisë nga burri nuk do të thotë se ke ndonjë mangësi si grua. Disa ekspertë theksojnë se pornografia krijon dëshira të pangopura e fantazi që asnjë grua nuk mund t’i plotësojë.
Mos u shqetëso më tepër se ç’duhet. Katerina u shpreh se shqetësimi i tepërt për faktin që i shoqi shihte pornografi, po e shkatërronte emocionalisht. Frensi tha: «Jam shumë në ankth kur nuk e di se ku është burri im. I kam nervat copë gjithë ditën.» Disa gra të tjera thonë se ndihen shumë në siklet kur janë me vëllezër e motra që e dinë problemin e të shoqit. Kurse disa të tjera kanë pranuar se ndihen shumë të vetmuara ngaqë mendojnë se askush nuk ua kupton hallin.
Këto ndjenja janë të kuptueshme. Sidoqoftë, nëse vazhdon ta mbash mendjen aty, vetëm sa do të të shtohet ankthi. Më mirë përpiqu të përqendrohesh te marrëdhënia jote me Jehovain. Me kalimin e kohës, kjo do të të ndihmojë të bëhesh më e fortë.—Psal. 62:2; Efes. 6:10.
Mund të nxjerrësh dobi nga leximi dhe meditimi për ndonjë tregim nga Bibla për gra që ishin të shqetësuara e që gjetën ngushëllim duke iu lutur Jehovait. Ai nuk ua hoqi gjithnjë problemet, por i ndihmoi të kishin paqe. Hana, për shembull, e kishte ‘shpirtin të hidhëruar’ nga situata e saj. Megjithatë, pasi ‘iu lut gjatë Jehovait’, ajo gjeti paqe, edhe pse nuk e dinte si do të venin gjërat më pas.—1 Sam. 1:10, 12, 18; 2 Kor. 1:3, 4.
Kërko ndihmë nga pleqtë e kongregacionit. Ata mund të jenë «një strehë për t’u mbrojtur nga era dhe si një vend për t’u fshehur nga shtrëngata». (Isa. 32:2) Pleqtë madje mund të të rekomandojnë një motër që mund të të ngushëllojë dhe me të cilën mund të flasësh hapur.—Prov. 17:17.
A ËSHTË E MUNDUR TA NDIHMOSH BURRIN?
A është e mundur ta ndihmosh burrin të heqë zakonin e shikimit të pornografisë? Ndoshta. Bibla tregon se për të zgjidhur një problem ose për të mposhtur një armik të fortë, «dy janë Ekl. 4:9-12) Studimet tregojnë se shpesh ka rezultate të mira kur të dy bashkëshortët bashkëpunojnë për të mposhtur varësinë ndaj pornografisë e për të rikthyer besimin në martesë.
më mirë se një». (Sigurisht, shumë varet nga dëshira dhe vendosmëria e burrit që ta luftojë prirjen për të parë pornografi. A i është përgjëruar Jehovait për forcë dhe a ka kërkuar ndihmë nga pleqtë? (2 Kor. 4:7; Jak. 5:14, 15) A ka një strategji që do ta ndihmojë të mos shohë pornografi? Për shembull, a ka vendosur kufij në përdorimin e pajisjeve elektronike dhe a i shmang situatat tunduese? (Prov. 27:12) A është i gatshëm ta pranojë ndihmën tënde dhe a është plotësisht i ndershëm me ty? Nëse po, atëherë mund të jesh në gjendje ta ndihmosh.
Si? Ja një shembull konkret. Felisha u martua me Etanin, i cili kishte krijuar varësi ndaj pornografisë që në fëmijëri. Felisha ia bën të lehtë të flasë me të kur i lindin dëshirat që t’i rikthehet pornografisë. Etani shpjegon: «Flas hapur e me zemër në dorë me gruan. Ajo më ndihmon me dashuri të vendos kufij dhe më pyet rregullisht si po venë gjërat. Më ndihmon edhe që të kontrolloj kohën dhe mënyrën si e përdor internetin.» Sigurisht, Felisha lëndohet nga fakti që Etanin e tërheq pornografia. «Por,—thotë ajo,—zemërimi dhe dhembja që ndiej nuk e ndihmojnë Etanin ta heqë këtë ves. Ama, pasi flasim për vështirësitë e tij, është gati të më ndihmojë të kapërcej dhembjen time.»
Biseda të tilla jo vetëm ndihmojnë burrin t’i rrijë larg pornografisë, por ndihmojnë edhe gruan që t’i besojë sërish atij. Tekefundit, kur një burrë është i gatshëm të flasë hapur për prirjet e tij, për aktivitetet e përditshme dhe se ku shkon gjatë ditës, ia bën më të lehtë gruas t’i besojë ngaqë nuk i mban më të fshehta.
A mendon se mund ta ndihmosh bashkëshortin në mënyrë të ngjashme? Nëse po, pse të mos e lexoni dhe ta diskutoni bashkë këtë artikull? Synimet e burrit do të jenë të mos shohë më pornografi dhe të të japë ty arsye që t’i besosh. Në vend që të mërzitet me shqetësimet e tua, ai duhet të mundohet të kuptojë si të bën të ndihesh ky problem. Synimet e tua janë ta ndihmosh ndërsa përpiqet të heqë dorë nga ky ves dhe t’i japësh mundësinë të rifitojë besimin tënd. Të dyve ju duhet të mësoni se çfarë e bën dikë të bjerë pre e pornografisë dhe si mund të kalohet ky problem. d
Nëse ke merak se bisedat do të dalin jashtë kontrollit, shqyrto mundësinë që t’i kërkosh një plaku me të cilin ndiheni rehat të dy, që të rrijë me ju gjatë bisedës dhe t’ju ndihmojë për ca kohë. Mbaj parasysh se edhe pasi bashkëshorti ta ketë mposhtur vesin e pornografisë, mund të duhet goxha kohë që të kesh përsëri besim tek ai. Mos u dorëzo! Dallo përmirësimet e vogla në marrëdhënien tuaj. Mund të presësh që me kohë e durim, martesa juaj të bëhet e fortë sërish.—PO NËSE VAZHDON?
Po nëse pas ca kohësh bashkëshorti yt sheh prapë pornografi, a do të thotë që nuk është penduar ose që situata është e pashpresë? Jo medoemos. Kjo luftë mund të vazhdojë gjithë jetën, sidomos nëse është bërë i varur nga pornografia. Mund të ndodhë që ai të shohë përsëri pornografi, edhe pasi e ka shmangur për vite me radhë. Që kjo të mos përsëritet, mund të ketë nevojë të vendosë kufij më të fortë, ndoshta duke i ndjekur strategjitë që ka vendosur edhe pasi të duket se problemi është kapërcyer. (Prov. 28:14; Mat. 5:29; 1 Kor. 10:12) Ai duhet të kultivojë një ‘prirje mendore’ të re dhe të mësojë ‘ta urrejë të keqen’, domethënë pornografinë, si edhe çdo praktikë të papastër të lidhur me këtë, si masturbimi. (Efes. 4:23; Psal. 97:10; Rom. 12:9) A është i gatshëm t’i bëjë këto përpjekje? Nëse po, situata e tij mund të mos jetë e pashpresë. e
Po sikur bashkëshorti të mos ketë dëshirë ta luftojë problemin që ka? Është normale që shpesh mund të ndihesh e zhgënjyer, e zemëruar dhe e tradhtuar. Mund të gjesh paqe duke ia hedhur ankthin tënd Jehovait. (1 Pjet. 5:7) Vazhdo t’i afrohesh Jehovait nëpërmjet studimit të thellë dhe lutjes. Teksa vepron kështu, të jesh e sigurt se edhe Jehovai po afrohet me ty. Siç thotë Isaia 57:15, ai banon me «të dërrmuarin e të brengosurin» dhe ua ngre zemrën peshë. Përpiqu të bëhesh një adhuruese sa më e mirë e Jehovait. Kërko ndihmën e pleqve. Dhe mos i humb shpresat që në të ardhmen bashkëshorti yt mund të bëjë ndryshime me gjithë zemër.—Rom. 2:4; 2 Pjet. 3:9.
a Për thjeshtësi, në këtë artikull do të thuhet se burri është ai që sheh pornografi. Sidoqoftë, shumë parime që do të trajtohen janë me vlerë edhe për burrat, gratë e të cilëve shohin pornografi.
c Emrat janë ndryshuar.
d Mund të gjesh informacione të vlefshme në jw.org dhe në botimet tona. Për shembull, shih në jw.org artikullin «Pornografia mund të të shkatërrojë martesën»; artikullin «Mund t’i rezistosh tundimit!» në Kullën e Rojës të 1 prillit 2014, f. 10-12; dhe artikullin «Pornografia—E padëmshme apo helmuese?» në Kullën e Rojës të 1 gushtit 2013, f. 3-7.
e Për shkak të varësisë që krijohet nga pornografia, disa çifte të martuara kanë vendosur të kërkojnë ndihmë nga një profesionist, përveç ndihmës baritore që u kanë dhënë pleqtë.