ARTIKULLI I STUDIMIT 36
Mbaj ngarkesën e nevojshme, flak çdo peshë tjetër
«Le të flakim edhe ne çdo peshë . . . , e të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që kemi përpara.»—HEBR. 12:1.
KËNGA 33 Ty, o Atë, ta hedh barrën time
PËRMBLEDHJE a
1. Sipas Hebrenjve 12:1, ç’duhet të bëjmë që të arrijmë vijën e finishit në garën e jetës?
BIBLA e krahason jetën tonë si shërbëtorë të Perëndisë me një garë. Vrapuesit që e përfundojnë me sukses garën marrin si shpërblim jetën e përhershme. (2 Tim. 4:7, 8) Duhet të bëjmë çmos të mos e ndalim vrapin, sidomos tani që jemi shumë afër vijës së finishit. Apostulli Pavël, i cili e përfundoi me sukses garën e jetës, na tregoi ç’do të na ndihmojë ta përfundojmë këtë garë. Ai na këshilloi «të flakim . . . çdo peshë dhe . . . të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që kemi përpara».—Lexo Hebrenjve 12:1.
2. Çfarë do të thotë ‘të flakim çdo peshë’?
2 Kur shkroi se duhet ‘të flakim çdo peshë’, a donte të thoshte Pavli se nuk duhet të mbajmë asnjë ngarkesë? Jo. Ai donte të thoshte se duhet të flakim çdo peshë të panevojshme. Këto pesha mund të na ngadalësojnë e të na lodhin. Që të qëndrojmë deri në fund, duhet të dallojmë dhe të flakim pa vonesë çdo peshë të panevojshme që mund të na ngadalësojë. Por, në të njëjtën kohë, nuk duam të heqim ato ngarkesa që duhet t’i mbajmë, përndryshe mund të skualifikohemi nga gara. (2 Tim. 2:5) Cilat janë ngarkesat që duhet të mbajmë?
3. (a) Sipas Galatasve 6:5, çfarë duhet të mbajë secili prej nesh? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull, dhe pse?
3 Lexo Galatasve 6:5. Pavli shkroi që «secili do të mbajë ngarkesën e vet». Këtu e kishte fjalën për ngarkesën personale, domethënë për përgjegjësitë që kemi para Perëndisë. Këtë ngarkesë duhet ta mbajmë vetë. Në këtë artikull, do të shqyrtojmë çfarë përfshin ‘ngarkesa jonë’ dhe si mund ta mbajmë. Gjithashtu do të flasim për disa pesha të panevojshme që mbase jemi duke i mbajtur dhe do të shohim si mund t’i flakim. Kur mbajmë ngarkesën tonë dhe flakim tej peshat e panevojshme, kjo do të na ndihmojë ta përfundojmë garën e jetës me sukses.
NGARKESA QË DUHET T’I MBAJMË
4. Pse nuk është një barrë betimi i kushtimit? (Shihni edhe figurën.)
4 Betimi i kushtimit. Kur i kushtuam jetën Jehovait, iu zotuam se do ta adhuronim dhe do të bënim vullnetin e tij. Këtë betim duhet ta mbajmë. Të jetojmë në harmoni me kushtimin tonë është një përgjegjësi me peshë, por nuk është një barrë. Në fakt, Jehovai na krijoi që të bënim vullnetin e tij. (Zbul. 4:11) Na krijoi me nevojën për ta njohur e për ta adhuruar dhe na bëri sipas imazhit të vet. Prandaj mund të afrohemi me të e të gjejmë gëzim ndërsa bëjmë vullnetin e tij. (Psal. 40:8) E kur bëjmë vullnetin e Perëndisë dhe ecim në gjurmët e Birit të tij, ‘gjejmë freskim për shpirtin’.—Mat. 11:28-30.
5. Çfarë mund të të ndihmojë të mbash betimin e kushtimit? (1 Gjonit 5:3)
5 Si ta mbash këtë ngarkesë? Mund të të ndihmojnë dy gjëra. Së pari, vazhdo të forcosh dashurinë për Jehovain. Këtë mund ta bësh duke medituar për të gjitha të mirat që ka bërë për ty dhe për bekimet që do të të derdhë në të ardhmen. Sa më shumë të të rritet dashuria për Perëndinë, aq më të lehtë do ta kesh t’i bindesh. (Lexo 1 Gjonit 5:3.) Së dyti, imito Jezuin. Ai ia doli mbanë të bënte vullnetin e Jehovait, sepse i lutej për ndihmë dhe i mbante sytë te shpërblimi që do të merrte. (Hebr. 5:7; 12:2) Ashtu si Jezui, lutju për forcë Jehovait dhe mbaje të qartë në mendje shpresën e jetës së përhershme. Ndërsa thellon dashurinë për Perëndinë dhe imiton Birin e tij, do t’ia dalësh të jetosh në harmoni me kushtimin tënd.
6. Pse duhet t’i përmbushim detyrimet familjare? (Shihni edhe figurën.)
6 Detyrimet familjare. Në garën e jetës, dashuria për Jehovain e Jezuin duhet të jetë më e fortë se dashuria për të afërmit. (Mat. 10:37) Ama, kjo nuk do të thotë se mund t’i lëmë pas dore detyrimet familjare, sikur ato na pengojnë të kënaqim Perëndinë dhe Krishtin. Përkundrazi, për t’i kënaqur Perëndinë dhe Krishtin, duhet të përmbushim rolin tonë në familje. (1 Tim. 5:4, 8) Kur e bëjmë këtë, jemi më të lumtur. Fundja, si Krijuesi i familjes, Jehovai e di se familja lulëzon kur burri dhe gruaja e trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, kur prindërit i duan e i stërvitin fëmijët dhe kur fëmijët u binden prindërve.—Efes. 5:33; 6:1, 4.
7. Si mund të përmbushësh rolin tënd në familje?
7 Si ta mbash këtë ngarkesë? Çfarëdo roli të kesh në familje, udhëhiqu nga mençuria që përmban Bibla, jo thjesht nga ajo që të duket e drejtë, nga sjellja e njerëzve përreth ose nga opinionet e të ashtuquajturve ekspertë. (Prov. 24:3, 4) Përdori mirë botimet tona të bazuara në Bibël. Ato përmbajnë sugjerime praktike si t’i zbatosh parimet e Biblës. Për shembull, seria me artikuj «Ndihmë për familjen» ka informacione fiks për sfidat që hasin sot çiftet, prindërit dhe adoleshentët. b Ji i vendosur ta vësh në zbatim atë që thotë Bibla, edhe nëse pjesëtarët e familjes nuk e bëjnë. Kështu, familja jote do të nxjerrë dobi dhe ti do të gëzosh bekimet e Jehovait.—1 Pjet. 3:1, 2.
8. Si mund të ndikojnë te ne vendimet që marrim?
8 Përgjegjësia për vendimet që marrim. Jehovai na ka dhuruar vullnetin e lirë dhe dëshiron të shijojmë dobitë që sjellin vendimet e mira. Por ndërkohë nuk na mbron nga pasojat e vendimeve të gabuara. (Gal. 6:7, 8) Ndaj, ne mbajmë përgjegjësi për pasojat e zgjedhjeve tona të gabuara, fjalëve të pamenda dhe veprimeve të nxituara. Në varësi të asaj që kemi bërë, mund të ndihemi të rënduar nga ndjenjat e fajit. Megjithatë, e dimë se jemi vetë përgjegjës për vendimet tona, e kjo mund të na shtyjë t’i rrëfejmë gabimet, t’i ndreqim dhe të përpiqemi të mos i përsëritim më. Këto hapa mund të na ndihmojnë të vazhdojmë garën e jetës.
9. Çfarë mund të bësh nëse ke marrë një vendim të gabuar? (Shihni edhe figurën.)
9 Si ta mbash këtë ngarkesë? Nëse nuk bën dot gjë për një vendim të gabuar, pranoje situatën ku ndodhesh. Të kaluarën nuk e ndryshon dot. Mos i harxho kot energjitë emocionale dhe mendore duke u justifikuar ose duke fajësuar veten a të tjerët për vendimet e këqija. Në vend të kësaj, pranoji gabimet e tua dhe përpiqu të bësh më të mirën në rrethanat ku je. Nëse ndihesh në faj për diçka që ke bërë, me përulësi lutju Jehovait, pranoje gabimin dhe kërkoji të të falë. (Psal. 25:11; 51:3, 4) Kërkoju falje edhe atyre që mund të kesh lënduar dhe, nëse është e nevojshme, kërko ndihmën e pleqve. (Jak. 5:14, 15) Mëso nga gabimet e tua dhe përpiqu të mos i përsëritësh. Kështu, mund të jesh i sigurt se Jehovai do të të tregojë mëshirë dhe do të të japë ndihmën e nevojshme.—Psal. 103:8-13.
PESHA QË DUHET ‘T’I FLAKIM’
10. Pse është një barrë e rëndë të presësh gjëra jorealiste? (Galatasve 6:4)
10 Kur pret gjëra jorealiste. Po të krahasohemi me të tjerët mund të presim gjëra jorealiste, e kështu do t’i ngarkojmë vetes një barrë të rëndë. (Lexo Galatasve 6:4.) Nëse krahasohemi vazhdimisht me të tjerët, mund të bëhemi ziliqarë e të zhvillojmë frymën e konkurrencës. (Gal. 5:26) Nëse përpiqemi të arrijmë gjërat që kanë arritur të tjerët, mund të dëmtojmë veten duke shkuar përtej asaj që na lejojnë aftësitë dhe rrethanat tona. Bibla thotë edhe se «pritja e zgjatur e ligështon zemrën». (Prov. 13:12) Imagjino, pra, sa më shumë do të shkurajohesh po të presësh nga vetja gjëra që s’i arrin dot kurrë! Kjo mund të na i shteronte fuqitë e të na ngadalësonte në garën e jetës.—Prov. 24:10.
11. Çfarë mund të të ndihmojë të mos presësh gjëra jorealiste?
11 Si ta flakesh tej këtë peshë? Mos prit nga vetja më tepër nga ç’kërkon Jehovai. Ai kurrë nuk pret të japim diçka që nuk e kemi. (2 Kor. 8:12) Ji i sigurt se Jehovai nuk e krahason atë që bën ti me atë që bëjnë të tjerët. (Mat. 25:20-23) Ai çmon shërbimin tënd me gjithë shpirt, besnikërinë tënde dhe qëndrueshmërinë tënde. Prano me modesti se mosha, shëndeti ose rrethanat e tua mund ta kufizojnë atë që mund të bësh tani për Perëndinë. Ashtu si Barzilai, mos ngurro ta refuzosh një caktim nëse mosha ose shëndeti ta bëjnë të vështirë ta kryesh. (2 Sam. 19:35, 36) Ashtu si Moisiu, prano ndihmë dhe besojua të tjerëve disa përgjegjësi kur është e përshtatshme. (Eks. 18:21, 22) Nëse je modest, nuk do të presësh nga vetja gjëra jorealiste që mund të të rraskapitin në garën e jetës.
12. A jemi përgjegjës për vendimet e gabuara të të tjerëve? Shpjegoni.
12 Kur ndihesh përgjegjës për vendimet e gabuara të të tjerëve. Nuk mund të marrim vendime për dikë tjetër, e as mund ta mbrojmë nga pasojat e vendimeve të këqija që merr. Për shembull, me kalimin e kohës djali ose vajza mund të zgjedhë të mos i shërbejë më Jehovait. Ky vendim mund t’ua copëtojë zemrën prindërve. Mirëpo, prindërit që fajësojnë veten për vendimet e gabuara të fëmijës mbajnë mbi shpatulla një barrë të rendë. Jehovai nuk pret që ta mbajnë këtë peshë.—Rom. 14:12.
13. Si mund të veprojë një prind kur fëmija merr një vendim të gabuar?
13 Si ta flakësh tej këtë peshë? Mbaj parasysh se Jehovai na ka dhënë të gjithëve vullnet të lirë. Pra, ai i jep çdokujt lirinë të marrë vendime. Këtu përfshihet edhe vendimi nëse do t’i shërbejë atij. Jehovai e di se nuk je një prind i përsosur; thjesht do që të bësh më të mirën tënde. Vendimi që merr fëmija është përgjegjësia e tij, jo e jotja. (Prov. 20:11) Prapëseprapë, mbase të rri mendja te gabimet që ke bërë si prind e ndihesh përtokë. Nëse është kështu, zbrazja zemrën Jehovait dhe kërkoji të të falë. Ai e di se nuk mund ta kthesh kohën pas e të ndryshosh gjërat që kanë ndodhur. E nuk pret të bëhesh mur mbrojtës që fëmija të mos korrë atë që ka mbjellë. Nëse fëmija yt bën përpjekje të kthehet të Jehovai, Ai do ta presë krahëhapur.—Luka 15:18-20.
14. Pse ndjenjat e tepruara të fajit janë një peshë që duhet ta flakim?
14 Kur kemi ndjenja të tepruara faji. Kur mëkatojmë, është normale të ndihemi në faj. Megjithatë, ndjenjat e tepruara të fajit janë një peshë që Jehovai nuk do aspak ta mbajmë. Këtë peshë duhet ta flakim. Si ta kuptojmë nëse ndjenjat e fajit janë të tepruara? Nëse e kemi rrëfyer mëkatin, jemi penduar dhe po bëjmë çmos të mos e përsëritim, mund të jemi të sigurt se Jehovai na ka falur. (Vep. 3:19) Pasi i kemi bërë këto hapa, Jehovai nuk do që të vazhdojmë të ndihemi në faj. Ai e di sa e dëmshme është të na torturojnë pareshtur ndjenjat e fajit. (Psal. 31:10) Po të na mbytë trishtimi, mund të dorëzohemi në garën e jetës.—2 Kor. 2:7.
15. Çfarë mund të të ndihmojë nëse të mundojnë ndjenjat e tepruara të fajit? (1 Gjonit 3:19, 20) (Shihni edhe figurën.)
15 Si ta flakësh tej këtë peshë? Kur të mundojnë pareshtur ndjenjat e fajit, përqendrohu te fakti që Perëndia «fal me të vërtetë». (Psal. 130:4) Kur i fal ata që janë penduar sinqerisht, ai premton: «Nuk do t’ua kujtoj më mëkatin.» (Jer. 31:34) Kjo do të thotë se Jehovai nuk do t’i sjellë më kurrë ndër mend ato gabime që t’i ka falur. Prandaj, mos i shih pasojat e mëkateve të tua si një provë se Jehovai nuk të ka falur. E mos e ndëshko veten nëse gabimet e së kaluarës e kanë kufizuar atë që mund të bësh tani në shërbim të tij. Jehovai nuk i bluan në mendje mëkatet e tua, e as ti nuk duhet ta bësh këtë.—Lexo 1 Gjonit 3:19, 20.
VRAPO NË ATË MËNYRË QË TË FITOSH
16. Çfarë duhet të dallojmë si vrapues?
16 Ndërsa vrapojmë në garën e jetës, duhet ‘të vrapojmë në atë mënyrë që ta fitojmë çmimin’. (1 Kor. 9:24) Për këtë duhet të bëjmë dallimin mes ngarkesave që duhet t’i mbajmë dhe peshave që duhet t’i flakim tej. Në këtë artikull u ndalëm vetëm te disa ngarkesa që duhet t’i mbajmë dhe te disa pesha që duhet t’i heqim. Por ka edhe të tjera. Jezui tha se mund ‘të na rëndohen zemrat nga të ngrënët dhe të pirët e tepërt, e nga ankthet e jetës’. (Luka 21:34) Shkrime si këto mund të të ndihmojnë të kuptosh çfarë ndryshimesh duhet të bësh ndërsa vrapon në garën e jetës.
17. Pse jemi të sigurt se do ta fitojmë garën e jetës?
17 Jemi të sigurt se do ta fitojmë garën e jetës, sepse Jehovai do të na japë forcën e nevojshme. (Isa. 40:29-31) Prandaj, mos e ngadalëso vrapin! Imito apostullin Pavël, që u përpoq me të gjitha forcat të merrte çmimin. (Filip. 3:13, 14) Në këtë garë, askush nuk mund të vrapojë në vendin tënd, ama me ndihmën e Jehovait mund t’ia dalësh. Ai mund të të ndihmojë t’i mbash ngarkesat e tua dhe t’i flakësh peshat e panevojshme. (Psal. 68:19) Me Jehovain në krah, do të vraposh me qëndrueshmëri në garë e do të fitosh!
KËNGA 65 Përparo!
a Ky artikull do të na ndihmojë të vrapojmë në garën e jetës. Si vrapues, duhet të mbajmë disa ngarkesa. Këto përfshijnë betimin e kushtimit, detyrimet familjare dhe përgjegjësinë për vendimet tona. Por duhet edhe të flakim çdo peshë të panevojshme që mund të na ngadalësojë. Cilat janë disa nga këto pesha që duhet t’i flakim? Ky artikull do t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.
b Në sitin jw.org mund të gjesh serinë me artikuj «Ndihmë për familjen». Disa artikuj për çiftet janë: «Si të tregosh respekt» e «Si të tregosh vlerësim?»; për prindërit: «Mësoje fëmijën ta përdorë me mençuri smartphonin» e «Si të komunikosh me fëmijën adoleshent»; dhe për adoleshentët: «Si t’i bësh ballë presionit të moshatarëve?» e «Si ta përballoj vetminë».