ARTIKULLI I STUDIMIT 31
KËNGA 12 Jehova, Atë i përkryer
Çfarë ka bërë Jehovai që të na shpëtojë nga mëkati dhe vdekja
«Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur.»—GJONI 3:16.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Si na ka ndihmuar Jehovai të luftojmë mëkatin dhe të gëzojmë jetën e përhershme, pa mëkat.
1-2. (a) Çfarë është mëkati dhe si mund ta fitojmë luftën kundër tij? (Shihni edhe «Shpjegimi i shprehjes».) (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull, si edhe në artikujt e tjerë të kësaj reviste? (Shihni edhe «Shënim për lexuesin» në këtë revistë.)
SA E FORTË është dashuria e Jehovait për ty? Mund ta zbulosh përgjigjen duke shqyrtuar çfarë ka bërë ai për të të shpëtuar nga mëkati dhe vdekja. Mëkati a është një armik i fuqishëm, të cilin s’mund ta mposhtim me forcat tona. Të gjithë ne mëkatojmë çdo ditë dhe si pasojë vdesim. (Rom. 5:12) Megjithatë, ka një lajm të mirë. Falë ndihmës së Jehovait, mund të triumfojmë mbi mëkatin. Madje fitorja jonë është absolutisht e sigurt!
2 Perëndia Jehova ka gati 6.000 vjet që i ndihmon njerëzit të luftojnë mëkatin, e kështu të bëhen miq me të. Pse? Ngaqë na do. Ai na ka dashur që kur na krijoi. Ja pse ka bërë gjëra të jashtëzakonshme për të na ndihmuar në këtë luftë. Perëndia e di që mëkati çon në vdekje. Ai nuk dëshiron që të vdesim, por që të jetojmë përgjithmonë. (Rom. 6:23) Këtë dëshiron edhe për ty. Në këtë artikull do të shqyrtojmë tri pyetje: (1) Çfarë shprese u ofroi Jehovai njerëzve pasi mëkatuan? (2) Si e fituan pëlqimin e Jehovait njerëzit mëkatarë në të kaluarën? (3) Çfarë bëri Jezui për të shpëtuar njerëzit nga mëkati dhe vdekja?
ÇFARË SHPRESE U OFROI JEHOVAI NJERËZVE PASI MËKATUAN?
3. Si u bënë mëkatarë prindërit tanë të parë?
3 Jehovai dëshironte që burri dhe gruaja e parë ta gëzonin jetën e të ishin të lumtur. Ja pse u dha një vend të bukur ku të jetonin, dhuratën e martesës dhe një caktim emocionues. Ata duhej të mbushnin tokën me pasardhës dhe ta kthenin të gjithë planetin në një parajsë si ajo e kopshtit të Edenit. Jehovai u dha vetëm një urdhër të thjeshtë dhe i paralajmëroi se, po ta thyenin atë urdhër duke u rebeluar ndaj tij, do të vdisnin. E dimë mirë çfarë ndodhi. Një engjëll i lig që s’kishte aspak dashuri për Perëndinë dhe njerëzit, i shtyu të mëkatonin. Adami dhe Eva bënë siç u tha ky engjëll i lig. Në vend që t’i bindeshin Atit të tyre të dashur, mëkatuan. Siç e dimë, fjalët e Jehovait dolën të vërteta. Që nga ajo ditë, Adami dhe Eva u përballën me pasojat e mëkatit: filluan të plakeshin e në fund vdiqën.—Zan. 1:28, 29; 2:8, 9, 16-18; 3:1-6, 17-19, 24; 5:5.
4. Pse e urren mëkatin Jehovai dhe si na ndihmon ta luftojmë atë? (Romakëve 8:20, 21)
4 Jehovai e ka dokumentuar atë ngjarje të trishtë në Bibël që të nxjerrim dobi. Ajo na ndihmon të kuptojmë pse ai e urren jashtëzakonisht mëkatin. Mëkati na ndan nga Ati ynë dhe sjell vdekjen. (Isa. 59:2) Ja pse Satanai, krijesa rebele që shkaktoi gjithë këtë trazirë, e pëlqen mëkatin dhe përpiqet t’i nxitë njerëzit të mëkatojnë. Mbase ai mendonte se po korrte një fitore të madhe në Eden. Por nuk e kuptonte sa i dashur është Jehovai. Perëndia nuk e ka ndryshuar kurrë qëllimin e tij për pasardhësit e Adamit dhe Evës. Ai i do njerëzit, ja pse u ofroi menjëherë një shpresë. (Lexo Romakëve 8:20, 21.) Jehovai e dinte se disa nga ata pasardhës do të zgjidhnin ta donin dhe do të kërkonin ndihmën e tij për të luftuar mëkatin. Prandaj, si Ati dhe Krijuesi i tyre, u dha mundësinë të çliroheshin nga kthetrat e mëkatit dhe të afroheshin me të. Por, si e arriti këtë?
5. Kur shndriti rrezja e parë e shpresës për njerëzimin mëkatar? Shpjego. (Zanafilla 3:15)
5 Lexo Zanafillën 3:15. Rrezja e parë e shpresës për njerëzimin shndriti kur Jehovai shpalli dënimin ndaj Satanait. Perëndia paratha se «një pasardhës» do të luante një rol kyç te kjo shpresë. Ky pasardhës do t’i shtypte kokën Satanait dhe do të zhbënte të gjitha të ligat që shkaktoi ai në Eden. (1 Gjon. 3:8) Megjithatë, pasardhësi do të hiqte edhe vuajtje. Satanai ‘do ta godiste’ duke i shkaktuar vdekjen. Kjo do ta lëndonte jashtë mase Jehovain. Ama, këto vuajtje do t’ia vlenin, sepse shumë njerëz do të shpëtonin nga mëkati dhe vdekja!
SI E FITUAN PËLQIMIN E JEHOVAIT NJERËZIT MËKATARË NË TË KALUARËN?
6. Çfarë bënë disa burra me besim, si Abeli dhe Noeja, për t’u afruar me Jehovain?
6 Gjatë shekujve që pasuan, Jehovai e bëri gjithnjë e më të qartë si mund t’i afroheshin njerëzit mëkatarë. Abeli, djali i dytë i Adamit dhe Evës, ishte i pari që tregoi besim te Jehovai pas tragjedisë në Eden. Ngaqë Abeli e donte Jehovain dhe kishte dëshirë ta kënaqte e të afrohej me të, i ofroi një flijim. Ai ishte bari, prandaj mori disa qengja, i theri dhe ia ofroi Jehovait si blatim. Si u ndie Jehovai? Ai «e pa me miratim Abelin dhe blatimin e tij». (Zan. 4:4) Jehovai pa me miratim edhe shërbëtorë të tjerë që bënë flijime të ngjashme, të shtyrë nga dashuria dhe besimi që kishin. Një ndër ta ishte edhe Noeja. (Zan. 8:20, 21) Me pranimin e flijimeve të tilla, Jehovai tregoi se njerëzit mëkatarë mund ta fitonin pëlqimin e tij dhe të afroheshin me të. b
7. Çfarë mësojmë nga gatishmëria e Abrahamit për të flijuar djalin e tij?
7 Jehovai i kërkoi Abrahamit, një burri që spikaste për besimin e tij, të bënte diçka jashtëzakonisht të vështirë—të ofronte djalin e tij, Isakun, si flijim. Pa dyshim, kjo ishte gjëja më e dhimbshme që mund të bënte Abrahami. Gjithsesi, ai iu bind Jehovait. Por Perëndia e ndali në çastin e fundit. Nga kjo ngjarje mësojmë çfarë do të bënte Jehovai në të ardhmen. Ai do të ishte i gatshëm të ofronte Birin e tij të dashur si flijim. Sa shumë i do Jehovai njerëzit!—Zan. 22:1-18.
8. Çfarë mësojmë nga flijimet e shumta që kërkonte Ligji? (Levitiku 4:27-29; 17:11)
8 Shekuj më vonë, Ligji që iu dha kombit të Izraelit, kërkonte që populli i Perëndisë të bënte shumë flijime për të shlyer mëkatet. (Lexo Levitikun 4:27-29; 17:11.) Këto flijime tregonin se Jehovai do të ofronte një flijim më të mirë, që do ta shpëtonte një herë e mirë njerëzimin nga mëkati. Profetët e Perëndisë shkruan nën frymëzim se një pasardhës i premtuar, që më vonë u zbulua se ishte Biri i veçantë i Perëndisë, do të vuante e do të vdiste. Ai do të flijohej si një qengj që çohej në thertore. (Isa. 53:1-12) Imagjino pak: Jehovai mori masa që Biri i tij i dashur të jepte jetën si flijim për të shpëtuar njerëzit—duke të përfshirë edhe ty—nga mëkati dhe vdekja!
ÇFARË BËRI JEZUI PËR TË SHPËTUAR NJERËZIT NGA MËKATI DHE VDEKJA?
9. Çfarë tha Gjon Pagëzori për Jezuin? (Hebrenjve 9:22; 10:1-4, 12)
9 Në shekullin e parë të e.s., një shërbëtor i Perëndisë, Gjon Pagëzori, pa Jezuin nga Nazareti dhe tha: «Ja Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës!» (Gjoni 1:29) Me këto fjalë të frymëzuara, Gjoni e identifikoi Jezuin si pasardhësin e premtuar kohë më parë. Jezui do të jepte jetën si flijim. Kështu, shpresa për njerëzimin mëkatar po shndriste më shumë se kurrë. Fitorja përfundimtare mbi mëkatin ishte në prag!—Lexo Hebrenjve 9:22; 10:1-4, 12.
10. Si tregoi Jezui se ‘kishte ardhur të thërriste mëkatarët’?
10 Jezui u kushtoi vëmendje të veçantë atyre që ndiheshin të rënduar nga mëkati dhe i ftoi të bëheshin dishepuj të tij. E dinte fare mirë që shkaku i vërtetë i të gjitha vuajtjeve të njerëzve ishte mëkati. Ja pse ndihmoi veçanërisht burrat e gratë që njiheshin se bënin një jetë mëkatare. Me anë të një ilustrimi, ai shpjegoi: «Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët, po.» Më tej shtoi: «Nuk erdha të thërras të drejtët, por mëkatarët.» (Mat. 9:12, 13) Jezui veproi në harmoni me këto fjalë. Ai i foli me butësi dhe ia fali mëkatet një gruaje që po ia lante këmbët me lotët e saj. (Luka 7:37-50) Përveç kësaj, i mësoi të vërteta jetësore një gruaje samaritane, ndonëse e dinte që ajo jetonte me dikë që s’ishte burri i saj. (Gjoni 4:7, 17-19, 25, 26) Madje falë fuqisë që i dha Perëndia, Jezui zhbëri pasojën më të rëndë të mëkatit, vdekjen. Si? Ai ringjalli burra, gra e fëmijë.—Mat. 11:5.
11. Pse njerëzit mëkatarë ndiheshin rehat me Jezuin?
11 Nuk habitemi pse ata që ishin zhytur në mëkate, ndiheshin rehat me Jezuin. Ai u tregonte dhembshuri dhe empati. Ata nuk kishin frikë të flisnin me të. (Luka 15:1, 2) Jezui i lavdëroi ngaqë treguan besim tek ai dhe i trajtoi me dashamirësi. (Luka 19:1-10) Ai pasqyronte në mënyrë të gjallë mëshirën e Atit të tij. (Gjoni 14:9) Me fjalë dhe vepra, tregoi se Ati i tij i dhembshur e i mëshirshëm i do njerëzit dhe dëshiron ta ndihmojë secilin prej tyre të fitojë luftën kundër mëkatit. Jezui u ngjalli njerëzve mëkatarë dëshirën për të ndryshuar jetën e tyre dhe për t’u bërë dishepuj të tij.—Luka 5:27, 28.
12. Çfarë tha Jezui se do të sillte vdekja e tij?
12 Jezui e dinte çfarë e priste. Më shumë se një herë, u tha dishepujve se do ta tradhtonin dhe do ta ekzekutonin në shtyllë. (Mat. 17:22; 20:18, 19) E dinte se me flijimin e tij do të hiqte një herë e mirë mëkatin e botës, siç kishte shpallur Gjon Pagëzori dhe siç kishin parathënë profetët. Gjithashtu, Jezui tha se pasi të vdiste, ‘do të tërhiqte te vetja njerëz të çdo lloji’. (Gjoni 12:32) Shumë njerëz mëkatarë do të kishin mundësi të fitonin miratimin e Jehovait duke e pranuar Jezuin si Zotërinë e tyre dhe duke ecur në gjurmët e tij. Në këtë mënyrë, ‘do të çliroheshin përgjithnjë nga skllavëria e mëkatit’. (Rom. 6:14, 18, 22; Gjoni 8:32) Ja pse Jezui ishte i gatshëm të jepte jetën dhe me guxim u përball me një vdekje të dhimbshme.—Gjoni 10:17, 18.
13. Si vdiq Jezui dhe çfarë na mëson vdekja e tij për Perëndinë Jehova? (Shihni edhe figurën.)
13 Jezuin e tradhtuan, e arrestuan, e shanë, e tallën, shpifën për të, e dënuan dhe madje e torturuan. Ushtarët e çuan në vendin e ekzekutimit dhe e gozhduan në një shtyllë. Ndërsa Jezui po duronte besimplotë ato çaste agonie, dikujt tjetër po i bëhej zemra copë nga dhimbja. Dhe ky ishte Ati i tij, Jehovai. Perëndia e kishte në dorë të ndalte vuajtjet e të Birit, por nuk e bëri. Pse? Çfarë e frenoi këtë Atë të dashur ta shpëtonte të Birin nga vdekja? Dashuria! Jezui tha: «Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»—Gjoni 3:16.
14. Çfarë mësojmë nga flijimi i Jezuit?
14 Flijimi i Jezuit është prova më e madhe e dashurisë së thellë që ka Jehovai për pasardhësit e Adamit dhe Evës. Ai flijim tregon sa shumë të do Jehovai ty. Ai bëri gjëra të jashtëzakonshme duke përjetuar dhimbjen më të paimagjinueshme për të të shpëtuar nga mëkati dhe vdekja. (1 Gjon. 4:9, 10) Po, ai dëshiron të ndihmojë secilin nga ne të luftojë kundër mëkatit dhe të dalë fitimtar!
15. Çfarë duhet të bëjmë për të përfituar nga flijimi shpërblyes i Jezu Krishtit?
15 Me anë të flijimit shpërblyes të Birit të tij të vetëmlindur, Perëndia na bën një dhuratë. Na jep mundësinë që të na falen mëkatet. Por, edhe ne duhet të bëjmë diçka. Çfarë? Përgjigjen e gjejmë te fjalët e Gjon Pagëzorit dhe të vetë Jezu Krishtit: «Pendohuni, sepse Mbretëria e qiejve është afruar.» (Mat. 3:1, 2; 4:17) Pra, pendimi është thelbësor nëse duam vërtet ta luftojmë mëkatin dhe të afrohemi me Atin tonë të dashur. Por, çfarë do të thotë të pendohesh dhe si mund të na ndihmojë kjo të luftojmë mëkatin e ta kënaqim Jehovain? Përgjigjen e kësaj pyetjeje do ta zbulojmë në artikullin tjetër.
KËNGA 18 Përjetë mirënjohës për shpërblesën
a SHPJEGIMI I SHPREHJES: Në Bibël, fjala «mëkat» mund t’u referohet veprimeve të gabuara që nuk janë në harmoni me standardet e Jehovait për moralin. Por disa herë i referohet edhe gjendjes mëkatare ose të papërsosur që ka trashëguar çdo njeri nga Adami. Mëkati i trashëguar është arsyeja pse vdesim.