ARTIKULLI I STUDIMIT 32
KËNGA 44 Përgjërimi i shpirtit
Jehovai dëshiron që të gjithë të pendohen
«Jehovai . . . nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të pendohen.»—2 PJET. 3:9.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Të kuptojmë çfarë është pendimi, pse kemi nevojë të gjithë të pendohemi dhe si i ka ndihmuar Jehovai njerëzit të pendohen për mëkatet e tyre.
1. Çfarë do të thotë të pendohesh?
KUR bëjmë një gabim, është jetësore të pendohemi. Sipas Biblës, kur dikush pendohet, ndryshon mendje për një sjellje të caktuar, heq dorë nga ajo sjellje dhe është i vendosur të mos e përsërisë më.—Shih «Pendim» te Fjalorthi.
2. Pse të gjithë ne duhet të mësojmë më shumë për pendimin? (Nehemia 8:9-11)
2 Çdo njeri duhet të mësojë çfarë është pendimi. Pse? Sepse të gjithë ne mëkatojmë çdo ditë. Si pasardhës të Adamit dhe Evës, secili prej nesh ka trashëguar mëkatin dhe vdekjen. (Rom. 3:23; 5:12) Askush nuk bën përjashtim. Edhe ata që shquheshin për besimin e tyre, si apostulli Pavël, luftonin me mëkatin. (Rom. 7:21-24) Por, a do të thotë kjo që gjithmonë do të jemi të mjerë për shkak të mëkateve tona? Jo, Jehovai është i mëshirshëm dhe dëshiron që të jemi të lumtur. Të mendojmë për rastin e judenjve në ditët e Nehemisë. (Lexo Neheminë 8:9-11.) Jehovai nuk donte që ata t’i mbyste trishtimi për shkak të mëkateve të së shkuarës, por donte të ishin të gëzuar teksa e adhuronin. Ai e di që, nëse pendohemi, do të jemi të lumtur. Ja pse na mëson çfarë është pendimi. Nëse pendohemi për mëkatet tona, mund të jemi të sigurt që Ati ynë i mëshirshëm do të na falë.
3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Në këtë artikull do të mësojmë më shumë për pendimin, duke shqyrtuar tri aspekte. Së pari, do të shohim çfarë u mësoi Jehovai izraelitëve për pendimin. Pastaj do të përqendrohemi te mënyra si i ndihmoi mëkatarët të pendohen. Së fundi, do të shqyrtojmë se çfarë u mësoi Jezui dishepujve për pendimin.
ÇFARË U MËSOI JEHOVAI IZRAELITËVE PËR PENDIMIN
4. Çfarë i mësoi Jehovai kombit të Izraelit për pendimin?
4 Kur Jehovai formoi kombin e Izraelit, bëri me ta një besëlidhje, pra një marrëveshje zyrtare. Nëse izraelitët do t’u bindeshin ligjeve të tij, ai do t’i mbronte dhe do t’i bekonte. Në lidhje me këto ligje, Jehovai u dha këtë siguri: «Ky urdhërim që po ju jap sot, nuk është as tepër i vështirë, as shumë larg jush.» (Ligj. 30:11, 16) Por, nëse izraelitët rebeloheshin, për shembull, duke zgjedhur të adhuronin perëndi të tjera, ai nuk do t’i bekonte më, dhe ata do të vuanin pasojat. Ama, kjo nuk do të thoshte se e kishin humbur përgjithmonë miratimin e Perëndisë. Ata mund ‘të ktheheshin te Jehovai, Perëndia i tyre, e ta dëgjonin zërin e tij’. (Ligj. 30:1-3, 17-20) Me fjalë të tjera, mund të pendoheshin. E nëse do të vepronin kështu, Jehovai do t’u afrohej dhe do t’i bekonte përsëri.
5. Si tregoi Jehovai se nuk hoqi dorë nga populli i tij? (2 Mbretërve 17:13, 14)
5 Populli i zgjedhur i Jehovait rebelohej herë pas here kundër tij. Përveçse kryenin idhujtari, ata bënin edhe gjëra të tjera të neveritshme. Ja pse edhe vuajtën pasojat. Por Jehovai nuk hoqi dorë nga populli i tij kokëfortë. Ai u dërgoi vazhdimisht profetë që t’i nxiste të pendoheshin dhe t’i shërbenin me gjithë zemër.—Lexo 2 Mbretërve 17:13, 14.
6. Si i përdori Jehovai profetët e tij për t’u mësuar izraelitëve rëndësinë e pendimit? (Shihni edhe figurën.)
6 Shpesh, Jehovai dërgonte profetët e tij që ta paralajmëronte dhe ta ndreqte popullin e tij. Për shembull, me anë të Jeremisë, u tha: «Kthehu, o Izrael tradhtar! . . . S’do t’ju përbuz gjithë zemërim, sepse jam besnik, . . . nuk do të mbaj mëri përgjithmonë. Ama pranoje fajin tënd, sepse je rebeluar kundër Jehovait.» (Jer. 3:12, 13) Nëpërmjet Joelit, Jehovai i nxiti: «Kthehuni tek unë me gjithë zemër.» (Joe. 2:12, 13) Me anë të Isaisë tha: «Pastrohuni; m’i hiqni sysh ligësitë tuaja; mjaft bëtë keq!» (Isa. 1:16-19) Dhe përmes Ezekielit u tha izraelitëve: «Mos kënaqem vallë me vdekjen e të ligut? . . . A nuk dua që ai të kthejë rrugë e të vazhdojë të jetojë? Unë nuk kënaqem aspak me vdekjen e askujt, . . . prandaj kthehuni dhe jetoni.» (Ezek. 18:23, 32) Jehovai kënaqet kur sheh që njerëzit pendohen, sepse dëshiron që ata të vazhdojnë të jetojnë—madje përgjithmonë! Ai nuk pret duarkryq që mëkatarët të pendohen, dhe pastaj t’i ndihmojë. Le të shohim disa shembuj të tjerë në lidhje me këtë.
7. Çfarë i mësoi Jehovai popullit të vet me anë të shembullit të Hozesë dhe gruas së tij?
7 Jehovai i mësoi popullit të tij sa i gatshëm është të falë, me anë të një shembulli real—atij të Gomerës, gruas së profetit Hozea. Pasi kreu kurorëshkelje, ajo e la Hozenë dhe shkoi me një burrë tjetër. A ishte kjo grua një rast i pashpresë? Jehovai, që lexon zemrat, i tha Hozesë: «Shko përsëri, dashuro gruan që e dashuron një burrë tjetër e që kryen kurorëshkelje, ashtu si ka dashuri Jehovai për popullin e Izraelit ndërkohë që ata u drejtohen perëndive të tjera.» (Hoz. 3:1; Prov. 16:2) Gruaja e Hozesë ende vazhdonte të kryente një mëkat të rëndë. E prapëseprapë, Jehovai i kërkoi Hozesë të shkonte tek ajo, ta falte dhe ta merrte sërish për grua. a Në mënyrë të ngjashme, edhe Jehovai nuk kishte hequr dorë nga populli i tij kokëfortë. Ndonëse ata ishin zhytur kokë e këmbë në mëkate të rënda, ai vazhdonte t’i donte dhe t’i ndihmonte që të pendoheshin, e kështu të kthenin rrugë. A mësojmë nga ky rast se Jehovai, ai që shqyrton zemrat, e ndihmon të pendohet dikë që vazhdon të kryejë një mëkat të rëndë? (Prov. 17:3) Le ta shohim.
SI I NDIHMON JEHOVAI MËKATARËT TË PENDOHEN
8. Çfarë bëri Jehovai që ta ndihmonte Kainin të pendohej? (Zanafilla 4:3-7) (Shihni edhe figurën.)
8 Kaini ishte djali i parë i Adamit dhe Evës. Ai kishte trashëguar prirjet mëkatare të prindërve të tij. Për më tepër, Bibla thotë për të: «Veprat e veta ishin të liga.» (1 Gjon. 3:12) Mbase kjo ishte arsyeja pse Jehovai «nuk e pa fare me miratim Kainin dhe blatimin e tij». Në vend që të kthente rrugë, «Kaini u nxeh dhe u mërzit shumë». Por, si veproi më pas Jehovai? Ai foli me Kainin. (Lexo Zanafillën 4:3-7.) Jehovai arsyetoi me dashuri me të. Ai i tha se do ta bekonte, nëse do të bënte çfarë është e drejtë, dhe e paralajmëroi për rreziqet e mëkatit. Mjerisht, Kaini nuk dëgjoi dhe nuk e lejoi Jehovain ta ndihmonte që të pendohej. Pas kësaj që ndodhi me Kainin, a vendosi Jehovai që të mos ndihmonte më mëkatarët e tjerë të pendoheshin? Absolutisht jo!
9. Si e ndihmoi Jehovai Davidin të pendohej?
9 Jehovai e donte shumë mbretin David. Ai madje e quajti «një njeri siç ma do zemra». (Vep. 13:22) Por Davidi bëri disa mëkate të rënda, duke përfshirë kurorëshkeljen dhe vrasjen. Sipas Ligjit të Moisiut, Davidi meritonte vdekjen. (Lev. 20:10; Num. 35:31) Megjithatë, me dashuri Jehovai i ofroi ndihmë që të pendohej. b Ai dërgoi profetin Natan te Davidi, ndonëse mbreti nuk kishte shfaqur ende ndonjë shenjë pendimi. Natani përdori një ilustrim të bërë enkas për Davidin, që t’i prekte zemrën. Kur kuptoi se e kishte lënduar shumë Jehovain, Davidi u pendua. (2 Sam. 12:1-14) Me fjalë prekëse, ai shkroi një psalm që zbulonte sa thellë ishte penduar. (Psal. 51, mbishkrimi) Ky psalm ka ngushëlluar sa e sa mëkatarë dhe i ka nxitur të pendohen. Sa mirënjohës jemi që Jehovai e ndihmoi me përzemërsi Davidin të pendohej!
10. Si ndihesh kur mendon se Jehovai është i duruar me ne dhe na fal?
10 Jehovai e urren mëkatin dhe nuk toleron asnjë formë të tij. (Psal. 5:4, 5) Megjithatë, ai e di që të gjithë jemi mëkatarë, ndaj nga dashuria për ne, zgjedh të na ndihmojë në luftën kundër mëkatit. Madje, përpiqet të ndihmojë edhe atë që ka kryer mëkate tepër të rënda që të pendohet dhe të afrohet me të. Sa na e ngroh zemrën kjo! Kur mendojmë për durimin dhe faljen e Jehovait, na forcohet vendosmëria për t’i qëndruar besnikë dhe për t’u penduar sa më shpejt nëse mëkatojmë. Le të shohim tani çfarë u mësoi Jezui dishepujve për pendimin.
ÇFARË U MËSOI JEZUI DISHEPUJVE PËR PENDIMIN
11-12. Cilin ilustrim bëri Jezui për t’u mësuar njerëzve sa dëshirë ka Jehovai t’i falë ata që mëkatojnë? (Shihni figurën.)
11 Në shekullin e parë të e.s., ishte koha që të shfaqej Mesia. Siç e përmendëm në artikullin e mëparshëm, Jehovai përdori Gjon Pagëzorin dhe Jezu Krishtin që t’u mësonte njerëzve sa i rëndësishëm është pendimi.—Mat. 3:1, 2; 4:17.
12 Gjatë gjithë shërbimit të tij, Jezui u mësoi njerëzve sa dëshirë ka Jehovai t’i falë ata që mëkatojnë. Një mënyrë si e bëri këtë, ishte me anë të ilustrimit mbresëlënës të djalit të humbur. Ai i ri zgjodhi të bënte një jetë mëkatare. Por, pas njëfarë kohe, «i erdhën mendtë» dhe u kthye në shtëpi. Si reagoi i ati? Jezui tha se kur djali «ishte ende goxha larg, i ati e vuri re dhe iu dhimbs aq shumë, sa vrapoi, iu hodh në qafë dhe e puthi me përzemërsi». Djali kishte menduar t’i kërkonte të atit ta bënte shërbëtorin e tij, por i ati e quajti «djali im» dhe e pranoi në gjirin e familjes. Babai tha: «Djali im . . . ishte i humbur dhe u gjet.» (Luka 15:11-32) Kur ishte në qiell, pa dyshim, Jezui e kishte parë Atin e tij t’u shfaqte mëshirë kushedi sa mëkatarëve të penduar. Me këtë histori ngushëlluese dhe zemërdhënëse Jezui tregoi sa i mëshirshëm është Ati ynë, Jehovai!
13-14. Çfarë mësoi apostulli Pjetër për pendimin dhe si ua mësoi këtë edhe të tjerëve? (Shihni edhe figurën.)
13 Apostulli Pjetër mësoi shumë nga Jezui për pendimin dhe faljen. Pjetri gaboi shpesh, por Jezui e fali me bujari. Për shembull, kur Pjetri e mohoi tri herë Zotërinë e tij, e dërrmuan ndjenjat e fajit. (Mat. 26:34, 35, 69-75) Megjithatë, pasi Jezui u ringjall, iu shfaq Pjetrit—me sa duket kur ky ishte vetëm. (Luka 24:33, 34; 1 Kor. 15:3-5) Pa dyshim që në këtë rast, Jezui e fali me dashuri dhe i dha zemër këtij apostulli të penduar.
14 Pas kësaj eksperience, Pjetri ishte në gjendje t’i mësonte të tjerët për pendimin dhe faljen. Disa kohë pas Festës së Ditës së Pesëdhjetë, Pjetri mbajti një fjalim para një turme me judenj dhe u shpjegoi se ata ishin përgjegjës për vdekjen e Mesisë. Megjithatë, me dashuri i nxiti: «Pendohuni dhe kthehuni, që t’ju fshihen mëkatet, që nga vetë Jehovai të vijnë stinë freskuese.» (Vep. 3:14, 15, 17, 19) Me këto fjalë, Pjetri tregoi se pendimi e shtyn një mëkatar të kthejë rrugë—pra, të ndryshojë mënyrën e gabuar të të menduarit e të vepruarit—dhe të fillojë të ndjekë një udhë të re që i pëlqen Perëndisë. Veç kësaj, apostulli u tregoi se Jehovai do t’ua fshinte mëkatet, sikur ato të mos kishin ekzistuar kurrë. Dekada më vonë, Pjetri i siguroi të krishterët: «Jehovai . . . është i duruar me ju, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të pendohen.» (2 Pjet. 3:9) Sa ngushëllim i madh është ky për të krishterët që mëkatojnë—madje edhe për ata që bëjnë mëkate të rënda!
15-16. (a) Në ç’mënyrë mësoi për faljen apostulli Pavël? (1 Timoteut 1:12-15) (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?
15 Pak njerëz kanë pasur aq shumë nevojë për pendim dhe për falje sa Sauli nga Tarsi. Ai ishte një përndjekës mizor i dishepujve të dashur të Krishtit. (Vep. 7:58–8:3) Shumica e të krishterëve me siguri që e shihnin si një rast të pashpresë, që nuk do të ndryshonte kurrë. Megjithatë, Jezui i ringjallur kishte një mendim krejt ndryshe nga ai i njerëzve të papërsosur. Ai dhe Ati i tij panë cilësi të mira te Sauli. Jezui tha: «Ai njeri është për mua një enë e zgjedhur, që t’ua çojë emrin tim kombeve.» (Vep. 9:15) Madje, Jezui bëri një mrekulli që ta ndihmonte Saulin të pendohej. (Vep. 9:1-9, 17-20) Pasi u bë i krishterë, Sauli, që më vonë u bë i njohur si apostulli Pavël, e shprehte shpesh sa e vlerësonte mirësinë dhe mëshirën që i ishte treguar. (Lexo 1 Timoteut 1:12-15.) Plot mirënjohje, apostulli tha: «Perëndia po përpiqet me zemërmirësi të të çojë në pendim.»—Rom. 2:4.
16 Si e trajtoi Pavli një problem skandaloz në kongregacionin e Korintit që kishte të bënte me imoralitetin? E trajtoi në një mënyrë që na mëson shumë për disiplinën e dashur të Jehovait dhe për rëndësinë e mëshirës. Në artikullin vijues do të flasim më shumë për këtë ngjarje.
KËNGA 33 Ty, o Atë, ta hedh barrën time
a Ky është një rast i veçantë. Jehovai sot nuk kërkon që viktimat e tradhtisë bashkëshortore të qëndrojnë të martuar me kurorëshkelësit. Në fakt, Jehovai e udhëzoi Birin e tij të shpjegonte se bashkëshorti i pafajshëm mund ta divorcojë bashkëshortin që ka kryer kurorëshkelje.—Mat. 5:32; 19:9.
b Shih artikullin «Ç’do të thotë për ty falja e Jehovait?» në Kullën e Rojës të 15 nëntorit 2012, f. 21-23, p. 3-10.