ARTIKULLI I STUDIMIT 35
KËNGA 123 Besnikë ndaj Jehovait dhe teokracisë
Pleq—Ndihmoni ata që janë hequr nga kongregacioni
«Do të ketë më shumë gëzim në qiell për një mëkatar që pendohet, sesa për 99 të drejtë që s’kanë nevojë të pendohen.»—LUKA 15:7.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Pse mund të hiqet dikush nga kongregacioni dhe si mund ta ndihmojnë pleqtë të pendohet dhe të rifitojë miratimin e Jehovait.
1-2. (a) Si i sheh Jehovai mëkatarët e papenduar? (b) Çfarë shpreson Jehovai për ata që kanë gabuar?
JEHOVAI është Perëndi që nuk e toleron mëkatin dhe nuk i mbyll sytë para tij. (Psal. 5:4-6) Ai kërkon që t’i respektojmë standardet e tij të drejta që gjenden në Bibël. Sigurisht, Jehovai nuk pret përsosmëri nga njerëzit e papërsosur. (Psal. 130:3, 4) Ama, ai nuk i toleron ‘ata që e shpërfillin dhe përdorin mirësinë e tij të pamerituar si justifikim për sjellje të pacipë’. (Jud. 4) Në fakt, Bibla thotë se ‘njerëzit që shpërfillin Perëndinë’, do të shkatërrohen në luftën e Armagedonit.—2 Pjet. 3:7; Zbul. 16:16.
2 Sidoqoftë, Jehovai nuk dëshiron të shkatërrohet askush. Siç kemi shqyrtuar në artikujt e kësaj serie, ai «dëshiron që të gjithë të pendohen». (2 Pjet. 3:9) Njësoj si Jehovai, pleqtë e kongregacionit përpiqen me durim t’i ndihmojnë mëkatarët të ndryshojnë rrugë dhe të rifitojnë miratimin e Jehovait. Megjithatë, jo të gjithë ata që kanë kryer një mëkat të rëndë, pendohen. (Isa. 6:9) Disa vazhdojnë në udhën e tyre të gabuar, pavarësisht nga përpjekjet e vazhdueshme të pleqve për t’i çuar drejt pendimit. Çfarë duhet bërë në raste të tilla?
«HIQENI TË LIGUN»
3. (a) Çfarë drejtimi jep Bibla për mëkatarët e papenduar? (b) Pse mund të themi se mëkatari i papenduar ka zgjedhur vetë të hiqet nga kongregacioni?
3 Kur dikush kryen një mëkat të rëndë dhe nuk pendohet, pleqtë s’kanë zgjidhje tjetër, përveçse të ndjekin drejtimin që gjendet te 1 Korintasve 5:13: «Hiqeni të ligun nga mesi juaj.» Në njëfarë kuptimi, ai që ka gabuar, e ka zgjedhur vetë këtë lloj pasoje; po korr atë që ka mbjellë vetë. a (Gal. 6:7) Pse themi kështu? Sepse nuk ka pranuar të ndryshojë edhe pas shumë përpjekjeve të pleqve për ta ndihmuar që të pendohet. (2 Mbret. 17:12-15) Sjellja e tij tregon se ka zgjedhur të mos jetojë sipas standardeve të Jehovait.—Ligj. 30:19, 20.
4. Pse bëhet një njoftim kur hiqet nga kongregacioni një mëkatar i papenduar?
4 Kur një mëkatar i papenduar hiqet nga kongregacioni, bëhet një njoftim për të lajmëruar kongregacionin se ai nuk është më Dëshmitar i Jehovait. b Ky njoftim nuk bëhet me qëllimin që të poshtërohet ai individ, por që kongregacioni të zbatojë urdhrin e Biblës që ‘të mos shoqërohet më’ me atë njeri, e ‘madje as të mos hajë’ me të. (1 Kor. 5:9-11) Ka arsye të forta pse Jehovai na ka dhënë këtë drejtim. Apostulli Pavël shkroi: «Pak majá e bën të vijë gjithë brumin.» (1 Kor. 5:6) Mëkatarët e papenduar mund ta dobësojnë vendosmërinë e atyre që përpiqen të jetojnë sipas standardeve të drejta të Jehovait.—Prov. 13:20; 1 Kor. 15:33.
5. Si duhet ta shohim dikë që është hequr nga kongregacioni, dhe pse?
5 Atëherë, si duhet ta shohim dikë që është hequr nga kongregacioni? Ndonëse nuk shoqërohemi me të, duhet ta shohim si një dele të humbur, jo si një rast të pashpresë. Një dele që është larguar nga kopeja, mund të kthehet një ditë. Të mos harrojmë se ai person ia ka kushtuar jetën Jehovait. Por, mjerisht, nuk po jeton në lartësinë e atij kushtimi, dhe kështu po e vë veten në rrezik. (Ezek. 18:31) Gjithsesi, për sa kohë që Jehovai të tregojë mëshirë, ka ende shpresë për të që të kthehet. Si mund ta ndihmojnë pleqtë dikë që është hequr nga kongregacioni?
SI I NDIHMOJNË PLEQTË ATA QË JANË HEQUR NGA KONGREGACIONI
6. Ç’duhet të bëjnë pleqtë për të ndihmuar dikë që është hequr nga kongregacioni?
6 A e braktisin pleqtë dikë që hiqet nga kongregacioni, duke mos e ndihmuar më që të kthehet te Jehovai? Absolutisht, jo! Kur pleqtë e komitetit i thonë mëkatarit të papenduar se do të hiqet nga kongregacioni, i shpjegojnë edhe çfarë hapash duhet të bëjë që të kthehet në kongregacion. Përveç kësaj, në shumicën e rasteve, i thonë edhe se kanë dëshirë të takohen me të pas pak muajsh për të parë nëse ka ndryshuar qëndrim. Nëse ai është i gatshëm të takohet me ta, pleqtë do ta inkurajojnë me përzemërsi në takimin e ardhshëm të pendohet dhe të kthehet. Edhe nëse nuk ndryshon qëndrim në atë takim, pleqtë do të përpiqen ta takojnë herë pas here në të ardhmen dhe ta inkurajojnë të pendohet.
7. Si e pasqyrojnë pleqtë dhembshurinë e Jehovait ndaj atyre që janë hequr nga kongregacioni? (Jeremia 3:12)
7 Pleqtë përpiqen të pasqyrojnë dhembshurinë e Jehovait ndaj atyre që janë hequr nga kongregacioni. Për shembull, Jehovai nuk priti sa populli i tij kokëfortë në Izraelin e lashtë të bënte hapin e parë drejt pendimit. Përkundrazi, mori iniciativën për t’i ndihmuar me anë të profetëve të tij para se izraelitët të tregonin ndonjë shenjë pendimi. Siç pamë në artikullin e dytë të kësaj serie, me anë të një shembulli, Jehovai tregoi sa i dhembshur është. Ai urdhëroi profetin e tij, Hozenë, të pajtohej me gruan e tij, ndërsa ajo vazhdonte të mëkatonte. (Hoz. 3:1; Mal. 3:7) Duke imituar Jehovain, pleqtë duan me gjithë shpirt që mëkatarët e papenduar të pendohen dhe nuk ua vështirësojnë kurrë kthimin në kongregacion.—Lexo Jereminë 3:12.
8. Çfarë na tregon ilustrimi me djalin e humbur për dhembshurinë dhe mëshirën e Jehovait ndaj atyre që janë hequr nga kongregacioni? (Luka 15:7)
8 Ju kujtohet ilustrimi me djalin e humbur që shqyrtuam në artikullin e dytë të kësaj serie? Sapo e pa nga larg djalin që po kthehej në shtëpi, babai «vrapoi, iu hodh në qafë dhe e puthi me përzemërsi». (Luka 15:20) Babai nuk priti që djali t’i përgjërohej që ta falte. Përkundrazi, hodhi hapin i pari siç do të bënte çdo baba i dhembshur. Pleqtë përpiqen të tregojnë të njëjtin qëndrim ndaj atyre që janë larguar nga kongregacioni. Ata duan që këto dele të humbura të kthehen në shtëpi. (Luka 15:22-24, 32) Sa gëzojnë qielli dhe toka bashkë kur pendohet një mëkatar!—Lexo Lukën 15:7.
9. Çfarë thirrjeje të ngrohtë u bën Jehovai atyre që kanë gabuar?
9 Nga ajo që kemi shqyrtuar deri tani, është e qartë se Jehovai nuk i toleron mëkatarët e papenduar. Megjithatë, nuk ua kthen shpinën atyre që kanë gabuar, sepse do që të kthehen. Ja si shprehen ndjenjat e Jehovait ndaj mëkatarëve të penduar te Hozea 14:4: «Unë do t’ua shëroj jobesnikërinë. Do t’i dua me vullnetin tim të lirë, sepse zemërimi im është larguar prej tyre.» Çfarë nxitjeje e fortë për pleqtë që të reagojnë menjëherë ndaj çdo shenje pendimi! Dhe çfarë nxitjeje e fortë edhe për ata që janë larguar nga Jehovai që të kthehen pa vonesë!
10-11. Si përpiqen t’i ndihmojnë pleqtë ata që janë hequr nga kongregacioni në të kaluarën?
10 Por, si mund t’i ndihmojnë pleqtë ata që janë hequr nga kongregacioni në të kaluarën, ndoshta vite më parë? Mbase ata nuk po vazhdojnë më ta praktikojnë mëkatin për shkak të të cilit u hoqën nga kongregacioni. Disa madje as e mbajnë mend pse u hoqën nga kongregacioni. Sido që të jetë, pleqtë do të përpiqen t’i kontaktojnë dhe t’i vizitojnë. Gjatë këtyre takimeve, pleqtë mund të luten bashkë me ta dhe t’i inkurajojnë përzemërsisht të kthehen në kongregacion. Kuptohet, nëse dikush është larguar nga kongregacioni prej shumë vitesh, mund të ketë nevojë të marrë njohuri për Jehovain dhe Biblën. Prandaj, nëse ai ka dëshirë të kthehet në kongregacion, pleqtë mund të marrin masa që dikush të bëjë një studim të Biblës me të, edhe pse nuk është rivendosur akoma. Në çdo rast, u takon vetëm pleqve të vendosin se kush do ta drejtojë studimin me atë që është hequr nga kongregacioni.
11 Duke imituar dhembshurinë e Jehovait, pleqtë përpiqen të kontaktojnë sa më shumë veta që janë larguar nga kongregacioni dhe t’u tregojnë se dera është ende e hapur që të kthehen. Kur një mëkatar tregon se është penduar dhe e braktis udhën e gabuar, mund të rivendoset sa më shpejt.—2 Kor. 2:6-8.
12. (a) Në cilat raste duhet të kenë shumë kujdes pleqtë? (b) Pse nuk duhet të mendojmë se disa mëkatarë nuk përfitojnë nga mëshira e Jehovait? (Shihni edhe shënimin.)
12 Në disa raste, pleqtë duhet të tregojnë shumë kujdes para se të rivendosin dikë. Për shembull, nëse një person ka qenë fajtor për abuzim me fëmijët, për apostazi ose kishte thurur plane për t’i dhënë fund martesës, ata duhet të jenë të sigurt që ai është penduar vërtet. (Mal. 2:14; 2 Tim. 3:6) Pleqtë duhet t’i mbrojnë vëllezërit e motrat në kongregacion. Nga ana tjetër, duhet të kuptojmë se Jehovai do të pranojë sërish çdo mëkatar që pendohet vërtet dhe që nuk vazhdon më të praktikojë një sjellje të gabuar. Pra, ndonëse tregojnë shumë kujdes me ata që kanë vepruar pabesisht me të tjerët, pleqtë s’duhet të dalin në përfundimin se Jehovai nuk do t’u tregojë kurrë mëshirë mëkatarëve të tillë. c—1 Pjet. 2:10.
ÇFARË MUND TË BËJË KONGREGACIONI
13. Cili është ndryshimi mes mënyrës si sillemi me dikë që është korrigjuar dhe mënyrës si sillemi me dikë që është hequr nga kongregacioni?
13 Siç shqyrtuam në artikullin e mëparshëm, ndonjëherë jepet një njoftim që dikush është korrigjuar. Në këto raste, mund të shoqërohemi me të, ngaqë e dimë se është penduar dhe se e ka braktisur udhën e tij të gabuar. (1 Tim. 5:20) Ai është ende pjesëtar i kongregacionit dhe ka nevojë për inkurajimin e vëllezërve e të motrave, që të vazhdojë të bëjë atë që është e drejtë. (Hebr. 10:24, 25) Megjithatë, ndryshon krejt situata me dikë që është hequr nga kongregacioni. Ne ‘nuk shoqërohemi më’ me atë person, e madje ‘as nuk hamë me një njeri të tillë’.—1 Kor. 5:11.
14. Çfarë mund të vendosë një Dëshmitar për sa u përket atyre që janë hequr nga kongregacioni? (Shihni edhe figurën.)
14 A do të thotë ajo që kemi shqyrtuar deri tani se duhet ta shpërfillim plotësisht dikë që është hequr nga kongregacioni? Jo. Pa diskutim, ne nuk shoqërohemi me të. Ama, vëllezërit e motrat mund të përdorin ndërgjegjen e tyre të stërvitur nga Bibla për të vendosur nëse do ta ftojnë dikë që është hequr nga kongregacioni—mbase një të afërm a dikë që kanë pasur mik—të ndjekë ndonjë mbledhje. E nëse ai vjen në mbledhje? Në të kaluarën, ne nuk e përshëndetnim dikë që ishte hequr nga kongregacioni. Edhe në këtë rast, çdo Dëshmitar duhet të arsyetojë në bazë të ndërgjegjes së tij të stërvitur nga Bibla për të vendosur për këtë çështje. Ndoshta, disa prej nesh mund të vendosin ta përshëndetin ose t’i urojnë mirëseardhjen dikujt që është hequr nga kongregacioni. Megjithatë, nuk do të bëjmë një bisedë të gjatë ose të shoqërohemi me të.
15. Për cilët mëkatarë flet Bibla te 2 Gjonit 9-11? (Shihni edhe kutinë « A e kishin fjalën për të njëjtin lloj mëkati Gjoni dhe Pavli?»)
15 Disa mund të pyesin: «Por, a nuk thotë Bibla se kur një i krishterë përshëndet një person të tillë, merr pjesë në veprat e tij të liga?» (Lexo 2 Gjonit 9-11.) Sipas kontekstit, Bibla në këtë rast po fliste për apostatët dhe për ata që i shtyjnë të tjerët drejt një sjelljeje të gabuar. (Zbul. 2:20) Prandaj, pleqtë nuk do ta vizitojnë dikë që përhap mësime apostate ose që i shtyn të tjerët drejt një sjelljeje të gabuar. Prapëseprapë, ka ende shpresë që ky person të vijë në vete e të pendohet. Derisa të ndodhë kjo, nuk do ta përshëndetim një person të tillë dhe as do ta ftojmë në mbledhje.
TË IMITOJMË DHEMBSHURINË DHE MËSHIRËN E JEHOVAIT
16-17. (a) Çfarë dëshiron Jehovai të bëjnë ata që kanë gabuar? (Ezekieli 18:32) (b) Si bashkëpunojnë pleqtë me Jehovain?
16 Çfarë kemi mësuar nga këta pesë artikuj të kësaj serie? Jehovai nuk dëshiron të shkatërrohet askush. (Lexo Ezekielin 18:32.) Ai dëshiron që mëkatarët të pajtohen me të. (2 Kor. 5:20) Ja pse përgjatë historisë, Jehovai i ka bërë thirrje të vazhdueshme popullit të tij rebel, si edhe individëve kokëfortë, të pendohen e të kthehen tek ai. Pleqtë e kongregacionit kanë privilegjin të bashkëpunojnë me Jehovain për të ndihmuar mëkatarët të pendohen.—Rom. 2:4; 1 Kor. 3:9.
17 Imagjino ç’gëzim ka në qiell kur pendohet një mëkatar! Imagjino çfarë çastesh gëzimi përjeton vetë Jehovai sa herë që një nga delet e tij të humbura kthehet në kongregacion! Na gufon zemra nga dashuria për Jehovain ndërsa mendojmë për dhembshurinë, mëshirën dhe mirësinë e tij të pamerituar!—Luka 1:78.
KËNGA 111 Arsyet për të gëzuar
a Në këtë artikull do të përdorim gjininë mashkullore për dikë që ka kryer një mëkat të rëndë. Sigurisht, materiali zbatohet po njësoj edhe për gratë ose vajzat.
b Nuk do ta përdorim më fjalën «i përjashtuar» për një mëkatar të papenduar. Në harmoni me fjalët e Pavlit te 1 Korintasve 5:13, tani e tutje do të përdorim shprehjen është hequr nga kongregacioni.
c Sipas Biblës, një mëkat i pafalshëm nuk ka të bëjë me një lloj të veçantë mëkati, por me qëndrimin e atij që kryen mëkatin. Ai që bën një mëkat të tillë, ka një qëndrim kokëfortë dhe është i vendosur të jetë kundërshtar i Perëndisë. Megjithatë, nuk na takon neve të gjykojmë nëse dikush ka kryer mëkat të pafalshëm. Kjo i takon vetëm Jehovait dhe Jezuit.—Mar. 3:29; Hebr. 10:26, 27.