Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 34

KËNGA 107 Jehovai—Modeli i praruar i dashurisë

Pleq—Përgjigjjuni mëkatit me dashuri e mëshirë

Pleq—Përgjigjjuni mëkatit me dashuri e mëshirë

«Perëndia po përpiqet me zemërmirësi të të çojë në pendim.»—ROM. 2:4.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Si i ndihmojnë pleqtë pjesëtarët e kongregacionit që kryejnë një mëkat të rëndë.

1. Çfarë shprese ka për dikë që kryen një mëkat të rëndë?

 NË ARTIKULLIN e mëparshëm shqyrtuam si e trajtoi apostulli Pavël rastin e një mëkati të rëndë në Korint. Mëkatari nuk ishte penduar dhe duhej hequr nga kongregacioni. Megjithatë, siç tregon shkrimi kryesor i artikullit, Jehovai mund ta çojë në pendim dikë që ka kryer një mëkat të rëndë. (Rom. 2:4) Si i përdor Ai pleqtë që ta ndihmojnë dikë të pendohet?

2-3. Çfarë duhet të bëjmë nëse marrim vesh se një vëlla ose motër ka kryer një mëkat të rëndë, dhe pse?

2 Që ta ndihmojnë dikë, pleqtë së pari duhet të jenë në dijeni të çështjes. Prandaj, çfarë duhet të bëjmë nëse marrim vesh se një vëlla a motër ka kryer një mëkat të rëndë? Duhet ta inkurajojmë atë që ka gabuar, të kërkojë ndihmën e pleqve.—Isa. 1:18; Vep. 20:28; 1 Pjet. 5:2.

3 Po nëse personi që ka gabuar, nuk do që të flasë me pleqtë? Atëherë duhet të flasim ne vetë me pleqtë, me qëllim që personi të marrë ndihmën e nevojshme. Kur veprojmë kështu, tregojmë se nuk duam ta humbasim vëllanë ose motrën, dhe kjo është shenjë dashurie. Nëse vëllai a motra nuk ndryshon sjellje, do ta dëmtojë edhe më shumë marrëdhënien me Jehovain. Gjithashtu, mund të prishë reputacionin e kongregacionit. Prandaj marrim guximin t’i bëjmë këta hapa, ngaqë e duam Jehovain dhe vëllanë a motrën që ka gabuar.—Psal. 27:14.

SI I NDIHMOJNË PLEQTË ATA QË BËJNË NJË MËKAT TË RËNDË?

4. Cilin synim kanë pleqtë kur takohen me dikë që ka kryer një mëkat të rëndë?

4 Kur dikush në kongregacion bën një mëkat të rëndë, trupi i pleqve zgjedh tre pleq që të shërbejnë si një komitet. a Këta burra duhet të jenë modestë dhe të përulur. Edhe pse do të përpiqen ta ndihmojnë të pendohet dikë që ka gabuar, ata mbajnë ndër mend se nuk e detyrojnë dot të ndryshojë. (Ligj. 30:19) Pleqtë nuk presin që të gjithë ata që gabojnë, të pendohen ashtu si mbreti David. (2 Sam. 12:13) Disa mund të zgjedhin të mos ua vënë veshin këshillave të Jehovait. (Zan. 4:6-8) Sidoqoftë, synimi i pleqve është ta ndihmojnë mëkatarin të pendohet. Çfarë duhet të mbajnë parasysh kur të takohen me atë që ka mëkatuar?

5. Çfarë qëndrimi duhet të kenë pleqtë kur takohen me atë që ka gabuar? (2 Timoteut 2:24-26) (Shihni edhe figurën.)

5 Pleqtë e shohin si të çmuar dhe si dele të humbur atë që ka gabuar. (Luka 15:4, 6) Prandaj, kur takohen me personin, nuk i flasin ashpër dhe nuk e trajtojnë me rreptësi. Po ashtu, pleqtë nuk e shohin takimin thjesht si një procedurë formale. Përkundrazi, shfaqin cilësitë e përmendura te 2 Timoteut 2:24-26. (Lexoje.) Pleqtë tregohen të butë, të ëmbël dhe të sjellshëm teksa përpiqen t’i prekin zemrën atij që ka gabuar.

Ashtu si barinjtë e lashtësisë, pleqtë përpiqen të gjejnë delen e humbur (Shih paragrafin 5)


6. Si do ta përgatitin zemrën pleqtë para se të takohen me atë që ka gabuar? (Romakëve 2:4)

6 Pleqtë përgatitin zemrën. Ata kujtojnë fjalët e Pavlit që tha: «Perëndia po përpiqet me zemërmirësi të të çojë në pendim.» (Lexo Romakëve 2:4.) Prandaj përpiqen të imitojnë mënyrën e dashur si i trajton Jehovai mëkatarët. Pleqtë nuk duhet të harrojnë se, mbi të gjitha, janë barinj që ndjekin drejtimin e Krishtit. (Isa. 11:3, 4; Mat. 18:18-20) Para se të takohen me atë që ka gabuar, komiteti do t’i lutet për ndihmë Jehovait, që të arrijnë ta çojnë mëkatarin në pendim. Do të bëjnë kërkime në Shkrime e në botimet tona dhe do të luten që të kenë aftësi për të kuptuar. Do të mendojnë për gjërat që duhet të dinë për personin, të cilat mund të kenë ndikuar te mënyra si mendon, te qëndrimi dhe sjellja e tij.—Prov. 20:5.

7-8. Si mund ta imitojnë pleqtë durimin e Jehovait kur takohen me atë që ka gabuar?

7 Pleqtë imitojnë durimin e Jehovait. Ata nuk harrojnë si i trajtoi Jehovai në të shkuarën ata që bënë gabime të rënda. Për shembull, Jehovai arsyetoi me durim me Kainin, e paralajmëroi për pasojat e mëkatit dhe i tha se do ta bekonte nëse do të bindej. (Zan. 4:6, 7) Jehovai e këshilloi Davidin me anë të profetit Natan, i cili i tregoi mbretit një ilustrim që i preku zemrën. (2 Sam. 12:1-7) Gjithashtu, Jehovai ‘i dërgoi vazhdimisht’ profetët e tij tek izraelitët e pabindur. (Jer. 7:24, 25) Ai nuk priti që shërbëtorët e tij të pendoheshin para se t’i ndihmonte. Jo, mori iniciativën dhe iu përgjërua që të pendoheshin.

8 Pleqtë ndjekin shembullin e Jehovait kur përpiqen të ndihmojnë ata që kanë mëkatuar. Siç thotë 2 Timoteut 4:2, ata arsyetojnë me ta «me shumë durim». Pra, një plak duhet të jetë gjithnjë i qetë dhe i duruar, e kështu ta ndihmojë mëkatarin të kthejë rrugë. Nëse plaku zemërohet ose irritohet, vëllai a motra mund të mos ia dëgjojë këshillën ose mund të mos pranojë të pendohet.

9-10. Si mund ta ndihmojnë pleqtë një mëkatar të arsyetojë për veprimet e tij?

9 Pleqtë përpiqen të kuptojnë rrethanat që çuan deri te mëkati. Për shembull, mos vallë iu dobësua gradualisht besimi vëllait a motrës ngaqë la pas dore studimin personal ose shërbimin? Mos ndoshta i lutej rrallë Jehovait, dhe lutjet e tij ishin bërë mekanike? A ishte dorëzuar para dëshirave të gabuara? A kishte zgjedhur miq të gabuar dhe zbavitje të dëmshme? Si mund të kenë ndikuar të gjitha këto te mendimet dhe dëshirat e tij? A e kupton ai si ndihet Jehovai për mendimet dhe veprimet e tij?

10 Pleqtë mund t’i bëjnë individit pyetje që e ndihmojnë të mendojë për gjërat që i kanë dëmtuar marrëdhënien me Jehovain dhe e kanë çuar në mëkat. Ata e bëjnë këtë në mënyrë të dashur dhe nuk i bëjnë pyetje për gjëra private, të cilat nuk kanë nevojë t’i dinë. (Prov. 20:5) Gjithashtu, mund të përdorin ilustrime që ta ndihmojnë personin të arsyetojë dhe të kuptojë se veprimet e tij ishin të gabuara, siç bëri Natani me Davidin. Ka të ngjarë që, në takimin e parë, individi mund të fillojë të ndiejë vërtet keqardhje për mënyrën si i ka bërë gjërat dhe si ka menduar. Madje, edhe mund të pendohet.

11. Si i trajtoi Jezui mëkatarët?

11 Pleqtë bëjnë çmos të imitojnë Jezuin. Kur foli me Saulin nga Tarsi, Jezui i ringjallur i bëri një pyetje të mençur: «Saul, Saul, pse po më përndjek?» Me anë të kësaj pyetjeje, Jezui e ndihmoi Saulin të kuptonte se ajo që po bënte, ishte e gabuar. (Vep. 9:3-6) Në rastin e ‘gruas Jezebelë’, Jezui tha: «I dhashë kohë të pendohej.»—Zbul. 2:20, 21.

12-13. Si mund t’i japin pleqtë kohë të pendohet atij që ka gabuar? (Shihni edhe figurën.)

12 Pleqtë ndjekin shembullin e Jezuit dhe nuk dalin shpejt në konkluzionin se vëllai ose motra nuk ka për t’u penduar. Disa mund të pendohen që në takimin e parë me pleqtë, të tjerë mund të duan më shumë kohë. Prandaj, pleqtë mund të takohen me mëkatarin më shumë se një herë. Mbase, pas takimit të parë, personi që ka gabuar mund të nisë të mendojë thellë për atë që i kanë thënë pleqtë. Mund të shfaqë përulësi e t’i lutet Jehovait ta falë për mëkatin që ka bërë. (Psal. 32:5; 38:18) E kështu, në takimin e radhës, mëkatari mund të ketë një qëndrim tjetër, ndryshe nga ai që kishte në takimin e parë.

13 Pleqtë shfaqin empati dhe zemërmirësi që ta çojnë mëkatarin në pendim. Ata shpresojnë dhe luten që Jehovai t’i bekojë përpjekjet e tyre dhe që vëllai ose motra të vijë në vete e të pendohet.—2 Tim. 2:25, 26.

Pleqtë mund të takohen më shumë se një herë me atë që ka mëkatuar, që t’i japin kohë të pendohet (Shih paragrafin 12)


14. Kush e merr meritën kur një mëkatar pendohet, dhe pse e themi këtë?

14 Sa shumë gëzohemi kur mëkatari pendohet! (Luka 15:7, 10) Kush e merr meritën? Pleqtë? Mos harro atë që shkroi Pavli për mëkatarët: «Ndoshta Perëndia u jep këtyre mundësi të pendohen.» (2 Tim. 2:25) Pra, merita për një ndryshim të tillë në qëndrimin dhe mënyrën e të menduarit të këtij mëkatari, i shkon Jehovait dhe jo njerëzve. Më pas, Pavli përmend disa nga gjërat e bukura që sjell një pendim i tillë—e ndihmon mëkatarin të fitojë njohuri më të saktë për të vërtetën, e ndihmon të vijë në vete dhe të dalë nga laku i Satanait.—2 Tim. 2:26.

15. Si mund të vazhdojnë ta ndihmojnë pleqtë një mëkatar të penduar?

15 Kur një mëkatar pendohet, komiteti do të programojë disa vizita baritore që individi të vazhdojë të marrë ndihmën që i duhet për të luftuar kundër lakut të Satanait dhe për t’i bërë të drejta shtigjet e këmbëve të tij. (Hebr. 12:12, 13) Sigurisht, pleqtë nuk ia tregojnë askujt gjërat që ka bërë ai që ka mëkatuar. Por, për çfarë mund të ketë nevojë të informohet kongregacioni?

‘KORRIGJOJE PARA SYVE TË TË GJITHËVE’

16. Çfarë donte të thoshte Pavli me shprehjen «para syve të të gjithëve», te 1 Timoteut 5:20?

16 Lexo 1 Timoteut 5:20. Këtë këshillë Pavli ia shkroi Timoteut, një plaku tjetër, për t’i treguar si të vepronte me ‘ata që vazhdonin të ecnin në udhën e mëkatit’. Çfarë donte të thoshte me shprehjen «para syve të të gjithëve»? Pavli nuk po nënkuptonte medoemos gjithë kongregacionin. Përkundrazi, po u referohej atyre që mund të ishin në dijeni të mëkatit. Mund të ishin dëshmitarët okularë, ose ata me të cilët personi kishte folur për mëkatin e tij. Pleqtë vetëm këtyre do t’u thoshin se çështja ishte trajtuar dhe se mëkatari ishte korrigjuar.

17. Cili njoftim do të bëhet nëse një mëkat i rëndë është marrë vesh gjerësisht në kongregacion ose ka të ngjarë të merret vesh, dhe pse?

17 Në disa raste, mëkati mund të jetë marrë vesh gjerësisht në kongregacion, ose ka të ngjarë të merret vesh. Në këto raste, shprehja «para syve të të gjithëve» do të nënkuptojë të gjithë kongregacionin. Prandaj, një plak do të njoftojë kongregacionin se vëllai ose motra është korrigjuar. Pse? Pavli tha se ky ishte «paralajmërim për të tjerët» që të mos kryenin një mëkat të rëndë.

18. Si veprojnë pleqtë kur dikush që është i pagëzuar dhe nën moshën 18 vjeç, bën një mëkat të rëndë? (Shihni edhe figurën.)

18 Çfarë bëjnë pleqtë nëse dikush që ka kryer një gabim të rëndë është i pagëzuar, por nën moshën 18 vjeç? Trupi i pleqve do të caktojë dy pleq që të takohen me të miturin dhe prindërit e tij, nëse janë Dëshmitarë. b Pleqtë do të pyesin prindërit për gjërat që kanë bërë për ta ndihmuar fëmijën të pendohet. Nëse fëmija po i dëgjon këshillat e prindërve dhe po ndryshon mënyrën si mendon dhe sjelljen e tij, dy pleqtë mund të vendosin se nuk është e nevojshme që një komitet pleqsh të takohet me fëmijën dhe prindërit. Tekefundit, përgjegjësinë për të korrigjuar me dashuri fëmijët e tyre, Perëndia ua ka besuar prindërve. (Ligj. 6:6, 7; Prov. 6:20; 22:6; Efes. 6:2-4) Më pas, pleqtë do të pyesin hera-herës prindërit që të sigurohen se i mituri po merr ndihmën e nevojshme. Por, çfarë bëjnë pleqtë nëse i mituri vazhdon të ecë pa u penduar në udhën e mëkatit? Në këtë rast, një komitet pleqsh do të takohet me të dhe me prindërit e tij, nëse janë Dëshmitarë.

Kur një i mitur bën një mëkat të rëndë, dy pleq do të takohen me të miturin dhe prindërit e tij, nëse janë Dëshmitarë (Shih paragrafin 18)


«JEHOVAI ËSHTË SHUMË I DHEMBSHUR E I MËSHIRSHËM»

19. Si përpiqen ta imitojnë Jehovain pleqtë kur dikush ka bërë një mëkat të rëndë?

19 Pleqtë që marrin pjesë në komitete kanë përgjegjësi para Jehovait ta mbajnë të pastër kongregacionin. (1 Kor. 5:7) Duan edhe t’i ndihmojnë të pendohen ata që kanë gabuar, nëse është e mundur. Për këtë qëllim, pleqtë mbajnë një pikëpamje pozitive dhe shpresojnë që një mëkatar të pendohet. Pse? Sepse duan të imitojnë Jehovain që është «shumë i dhembshur e i mëshirshëm». (Jak. 5:11) Vini re si e shprehu apostulli i moshuar Gjon një dashuri të tillë. Ai shkroi: «Fëmijët e mi të vegjël, këto gjëra po jua shkruaj që të mos kryeni mëkat. Megjithatë, edhe nëse ndonjëri kryen mëkat, ne kemi një ndihmës pranë Atit: Jezu Krishtin, që është i drejtë.»—1 Gjon. 2:1.

20. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin e fundit të kësaj serie?

20 Mjerisht, ka raste kur një Dëshmitar nuk do që të pendohet. Në këtë rast, ai duhet hequr nga kongregacioni. Si e trajtojnë pleqtë një rast të tillë? Këtë temë do ta trajtojmë në artikullin e fundit të kësaj serie.

KËNGA 103 Pleq, jeni dhuratë nga Jehovai

a Në të kaluarën, këto grupe quheshin komitete gjyqësore. Por, meqë gjykimi është vetëm një aspekt i punës së tyre, nuk do ta përdorim më atë shprehje. Në vend të kësaj, këtij grupi thjesht do t’i referohemi si komiteti i pleqve.

b Përveç prindërve, kjo vlen edhe për kujdestarët ligjorë ose të tjerë që mbajnë përgjegjësi për të miturin.