ARTIKULLI I STUDIMIT 5
«Dashuria që ka Krishti, na motivon»
«Dashuria që ka Krishti, na motivon . . . që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për veten.»—2 KOR. 5:14, 15.
KËNGA 13 Krishti është modeli ynë
PËRMBLEDHJE a
1-2. (a) Çfarë ndjenjash mund të provojmë kur meditojmë për jetën dhe shërbimin e Jezuit? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
KUR na rrëmben vdekja një njeri të dashur, na djeg malli për të. Ndërsa kujtojmë ditët e tij të fundit, ndoshta ndihemi të dërrmuar nga dhembja, sidomos nëse ai njeri i shtrenjtë vuajti para se të vdiste. Por, me kohë, ndërsa mendojmë për diçka që na mësoi ose për diçka që tha a bëri për të na dhënë zemër e për të na kthyer buzëqeshjen, mund të shfaqen prapë ca rreze gëzimi.
2 Po njësoj, kur lexojmë për vuajtjet dhe vdekjen e Jezuit, trishtohemi. Gjatë periudhës së Përkujtimit, lëmë më shumë kohë që të meditojmë për vlerën e madhe të flijimit të tij shpërblyes. (1 Kor. 11:24, 25) Njëkohësisht mbushemi me gëzim kur bluajmë në mend gjithçka që tha e që bëri Jezui ndërsa ishte në tokë. Na brof zemra edhe kur mendojmë ç’po bën ai sot dhe ç’do të bëjë për ne në të ardhmen. Meditimi për këto gjëra dhe për dashurinë që na ka treguar, mund të na nxitë ta shfaqim mirënjohjen në mënyra praktike, siç do ta shohim në këtë artikull.
MIRËNJOHJA NA NXIT TË VAZHDOJMË TA NDJEKIM JEZUIN
3. Pse jemi mirënjohës për shpërblesën?
3 Ndiejmë mirënjohje kur meditojmë për jetën dhe vdekjen e Jezuit. Gjatë gjithë shërbimit të tij në tokë, Jezui u mësoi njerëzve çfarë të mirash do të sjellë Mbretëria e Perëndisë. I çmojmë pa masë të vërtetat për Mbretërinë. Jemi mirënjohës për shpërblesën, pasi ajo na çel rrugën që të gëzojmë miqësi të ngushtë me Jehovain dhe Jezuin. Ata që tregojnë besim te Jezui kanë edhe shpresën të jetojnë përgjithmonë e të takojnë prapë njerëzit e dashur që kanë rënë në gjumin e vdekjes. (Gjoni 5:28, 29; Rom. 6:23) Nuk kemi bërë asgjë për t’i merituar këto bekime, e as mund t’ua shpërblejmë Perëndisë dhe Krishtit atë që kanë bërë për ne. (Rom. 5:8, 20, 21) Megjithatë, mund të tregojmë sa e thellë është mirënjohja që ndiejmë. Si?
4. Si e tregoi Maria-Magdalena mirënjohjen për atë që kishte bërë Jezui për të? (Shih figurën.)
4 Të mendojmë për shembullin e një gruaje judeje që quhej Maria-Magdalena. Ajo vuante tmerrësisht ngaqë e torturonin shtatë demonë. Ndoshta mendonte se askush nuk e shpëtonte dot nga ai hall. Ndaj përfytyro sa mirënjohëse u ndie kur Jezui e shpëtoi nga ndikimi i atyre demonëve! Mirënjohja e nxiti të bëhej dishepulle e tij dhe t’i përdorte kohën, energjitë e pasurinë për ta mbështetur në shërbim. (Luka 8:1-3) Ndonëse e çmonte nga zemra atë që bëri Jezui për të, ka të ngjarë që Maria të mos e dinte se Jezui do t’i bënte një dhuratë shumë më të madhe. Ai do të jepte jetën për njerëzimin, ‘që kushdo që tregonte besim tek ai’ të gëzonte jetën e përhershme. (Gjoni 3:16) Prapëseprapë, Maria tregoi mirënjohje për Jezuin duke qëndruar besnike. Ndërsa Jezui vuante në shtyllën e torturës, ajo qëndroi aty pranë, duke e përkrahur dhe duke i dhënë zemër atij e të tjerëve. (Gjoni 19:25) Pasi Jezui vdiq, Maria dhe dy gra të tjera çuan aromatikë te varri që ta përgatitnin trupin për varrim. (Mar. 16:1, 2) Jehovai e shpërbleu shumë Marinë për besnikërinë që tregoi. Ajo pati privilegjin të takonte Jezuin e ringjallur e të fliste me të—një mundësi që e patën fare pak dishepuj.—Gjoni 20:11-18.
5. Si mund ta tregojmë mirënjohjen për gjithçka që kanë bërë Jehovai e Jezui për ne?
5 Edhe ne mund ta tregojmë mirënjohjen për gjithçka që kanë bërë Jehovai e Jezui për ne duke i përdorur kohën, energjitë e të ardhurat që të përkrahim veprën e Mbretërisë. Për shembull, mund të vihemi në dispozicion për të ndihmuar në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e godinave që përdorim për adhurimin e pastër.
DASHURIA PËR JEHOVAIN DHE JEZUIN NA NXIT T’I DUAM TË TJERËT
6. Pse mund të themi se shpërblesa është një dhuratë që na është bërë personalisht?
6 Kur meditojmë sa shumë na duan Jehovai dhe Jezui, i duam edhe ne me gjithë shpirt. (1 Gjon. 4:10, 19) Dashuria për ta bëhet akoma më e fortë kur kuptojmë se Jezui vdiq për ne personalisht. Apostulli Pavël e pranoi këtë fakt dhe e shprehu mirënjohjen me këto fjalë që u shkroi galatasve: «Biri i Perëndisë . . . më deshi dhe e dorëzoi veten për mua.» (Gal. 2:20) Në bazë të shpërblesës, Jehovai të ka tërhequr drejt vetes që të jesh miku i tij. (Gjoni 6:44) A nuk të ngrohet zemra që Jehovai pa diçka të mirë te ti dhe pagoi çmimin më të lartë që të bëheshe miku i tij? Kur mediton për këtë, a nuk të thellohet dashuria për Jehovain dhe Jezuin? Kjo duhet të të nxitë të pyesësh veten: «Çfarë më motivon të bëj kjo dashuri?»
7. Siç shihet në figurë, si mund ta tregojmë dashurinë për Jehovain dhe Jezuin? (2 Korintasve 5:14, 15; 6:1, 2)
7 Dashuria për Perëndinë dhe Krishtin na shtyn të tregojmë dashuri për të tjerët. (Lexo 2 Korintasve 5:14, 15; 6:1, 2.) Një mënyrë si e shfaqim dashurinë është duke marrë pjesë me zell në veprën e predikimit. Ne flasim me këdo për lajmin e mirë. Nuk shmangim askënd për shkak të racës, etnisë, gjendjes ekonomike ose shtresës shoqërore. Kështu punojmë në harmoni me qëllimin e Jehovait «që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë për të vërtetën».—1 Tim. 2:4.
8. Si mund ta tregojmë dashurinë për vëllezërit e motrat?
8 Dashurinë për Perëndinë dhe Krishtin e shfaqim edhe duke u treguar dashuri vëllezërve e motrave. (1 Gjon. 4:21) Merakosemi nga zemra për ta dhe u bëhemi krah në sprova. I ngushëllojmë kur u vdes një njeri i dashur, i vizitojmë kur janë sëmurë dhe bëjmë më të mirën që t’u japim zemër kur janë të shkurajuar. (2 Kor. 1:3-7; 1 Sel. 5:11, 14) Vazhdojmë të lutemi për ta, sepse e dimë që «përgjërimi i të drejtit ka shumë forcë».—Jak. 5:16.
9. Cila është një mënyrë tjetër si e tregojmë dashurinë për vëllezërit e motrat?
9 Dashurinë për vëllezërit e motrat e tregojmë edhe duke u përpjekur fort të ruajmë paqen me ta. Ne bëjmë çmos të imitojmë shembullin e Jehovait që është gati të falë. Nëse Jehovai ishte i gatshëm të lejonte që Biri i tij të vdiste për mëkatet tona, a nuk duhet të jemi të gatshëm t’i falim vëllezërit e motrat për mëkatet që bëjnë ndaj nesh? Nuk duam të jemi si skllavi i lig që përmendi Jezui në një ilustrim. Edhe pse zotëria i tij i fali një borxh kolosal, ai skllav nuk deshi t’i falte një borxh shumë më të vogël një skllavi tjetër. (Mat. 18:23-35) Nëse ke pasur ndonjë keqkuptim me dikë në kongregacion, a mund të hedhësh hapin e parë për të bërë paqe para se të ndjekësh Përkujtimin? (Mat. 5:23, 24) Kështu do të tregosh sa e thellë është dashuria jote për Jehovain e Jezuin.
10-11. Si mund ta tregojnë pleqtë dashurinë për Jehovain dhe Jezuin? (1 Pjetrit 5:1, 2)
10 Si mund ta tregojnë pleqtë dashurinë për Jehovain dhe Jezuin? Një mënyrë e rëndësishme është duke u kujdesur për delet e Jezuit. (Lexo 1 Pjetrit 5:1, 2.) Jezui ia bëri të qartë këtë apostullit Pjetër. Pasi e mohoi Jezuin tri herë, Pjetri dëshironte me gjithë shpirt të tregonte se e donte Jezuin. Pasi u ringjall, Jezui e pyeti Pjetrin: «Simon, bir i Gjonit, a më do mua?» S’ka pikë dyshimi që Pjetri ishte gati të bënte çdo gjë për të provuar se e donte Zotërinë e tij. Atëherë Jezui i tha Pjetrit: «Kulloti delet e mia të vogla.» (Gjoni 21:15-17) E Pjetri u kujdes me dhembshuri për delet e Zotërisë gjatë gjithë jetës, duke treguar kështu se e donte Jezuin.
11 Pleq, si mund ta tregoni gjatë periudhës së Përkujtimit se fjalët që i tha Jezui Pjetrit janë të rëndësishme edhe për ju? Dashurinë e thellë për Jehovain e Jezuin mund ta tregoni duke lënë kohë rregullisht për veprën baritore dhe duke u përpjekur akoma më fort që t’i ndihmoni joaktivët të kthehen te Jehovai. (Ezek. 34:11, 12) Gjithashtu mund të interesoheni për studentët e Biblës dhe për të tjerë që vijnë në Përkujtim, duke bërë çmos që këta dishepuj të mundshëm të ndihen të mirëpritur.
DASHURIA PËR KRISHTIN NA NXIT TË JEMI TË GUXIMSHËM
12. Pse na jep zemër meditimi për fjalët e Jezuit natën para vdekjes? (Gjoni 16:32, 33)
12 Natën para se të vdiste, Jezui u tha dishepujve të tij: «Në botë do të keni vështirësi, por merrni zemër! Unë e munda botën.» (Lexo Gjonin 16:32, 33.) Çfarë e ndihmoi Jezuin të tregonte guxim përballë kërcënimeve të armiqve dhe të qëndronte besnik deri në vdekje? Mbështetja me besim te Jehovai. Ai e dinte se dishepujt e tij do të përballonin sprova të ngjashme, prandaj i kërkoi Jehovait t’i mbronte. (Gjoni 17:11) Pse na jep zemër kjo? Sepse Jehovai është më i fortë se çdo armik. (1 Gjon. 4:4) Asgjë nuk i shpëton syrit të tij ndërsa vigjilon mbi ne. Jemi të bindur se po të mbështetemi te Jehovai, mund të mposhtim çdo frikë dhe mund të tregojmë guxim.
13. Si tregoi guxim Jozefi nga Arimatea?
13 Të mendojmë pak për shembullin e Jozefit nga Arimatea, një burrë goxha i respektuar në shoqërinë judaike. Ai ishte anëtar i Sinedrit, gjykatës së lartë judaike. Mirëpo gjatë kohës që Jezui shërbeu në tokë, Jozefi nuk u tregua aspak i guximshëm. Gjoni tha për të se ishte «një dishepull i Jezuit, por që nuk dilte hapur nga frika e judenjve». (Gjoni 19:38) Ndonëse i pëlqente mesazhi për Mbretërinë, Jozefi ua mbajti të fshehtë të tjerëve besimin e tij te Jezui. Kuptohet që duhet të ketë pasur frikë se mos humbte vendin e nderuar që zinte në komunitet. Gjithsesi, Bibla tregon se pas vdekjes së Jezuit, Jozefi më në fund «mori guximin të shkonte para Pilatit e t’i kërkonte trupin e Jezuit». (Mar. 15:42, 43) Ai nuk e mbajti më sekret faktin që përkrahte Jezuin.
14. Ç’duhet të bësh nëse lufton me frikën nga njeriu?
14 A të ka ndodhur të kesh frikë nga njerëzit, ashtu si Jozefi? A të vjen turp ndonjëherë në shkollë ose në punë që t’u tregosh të tjerëve se je Dëshmitar i Jehovait? A heziton të bëhesh lajmëtar ose të pagëzohesh nga meraku se ç’do të mendojnë të tjerët për ty? Mos lejo që ndjenja të tilla të të pengojnë të bësh atë që e di se është e drejtë. Lutju me zjarr Jehovait. Kërkoji të të japë guxim që të bësh vullnetin e tij. Ndërsa sheh si u përgjigjet Jehovai lutjeve të tua, do të bëhesh akoma më i fortë e më i guximshëm.—Isa. 41:10, 13.
GËZIMI NA NXIT T’I SHËRBEJMË JEHOVAIT PARESHTUR
15. Çfarë bënë dishepujt nga gëzimi që ndienin pasi iu shfaq Jezui? (Luka 24:52, 53)
15 Imagjino si u ndien dishepujt kur vdiq Jezui. Ata i kaploi trishtimi. Jo vetëm kishin humbur mikun e tyre të shtrenjtë, por u dukej se kishin humbur edhe shpresat. (Luka 24:17-21) Megjithatë, Jezui iu shfaq pas ringjalljes dhe kaloi kohë me ta për t’i ndihmuar të kuptonin si i kishte përmbushur profecitë e Biblës. Gjithashtu u ngarkoi një detyrë të rëndësishme. (Luka 24:26, 27, 45-48) Pas 40 ditësh, kur Jezui u ngjit në qiell, trishtimi i dishepujve ishte kthyer në një gëzim të madh. Siguria se Zotëria i tyre ishte gjallë dhe gati t’i ndihmonte të përmbushnin caktimin e ri, i lumturonte. Gëzimi që ndienin, i nxiste ta lëvdonin Jehovain pareshtur.—Lexo Lukën 24:52, 53; Vep. 5:42.
16. Si mund t’i imitojmë dishepujt e Jezuit?
16 Si mund t’i imitojmë dishepujt e Jezuit? Duke gjetur gëzim në adhurimin e Jehovait jo vetëm në periudhën e Përkujtimit, por gjatë gjithë vitit. Kjo kërkon të vëmë në vend të parë në jetë Mbretërinë e Perëndisë. Për shembull, shumë veta e kanë rregulluar programin e punës që të kenë mundësi të dalin në shërbim, të ndjekin mbledhjet dhe të bëjnë rregullisht adhurimin familjar. Disa madje kanë hequr dorë nga ca gjëra materiale që të tjerë i shohin si të nevojshme, me qëllim që të jenë më të dobishëm në kongregacion ose që të shërbejnë ku ka më tepër nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Vërtet, na duhet qëndrueshmëri për t’i shërbyer Jehovait pareshtur, por ai premton se do të na bekojë me bollëk nëse mbajmë të parën në jetë Mbretërinë.—Prov. 10:22; Mat. 6:32, 33.
17. Çfarë je i vendosur të bësh në periudhën e Përkujtimit? (Shih figurën.)
17 Mezi presim të mbajmë Përkujtimin ditën e martë, më 4 prill. Sidoqoftë, mos prit deri atë ditë që të reflektosh për jetën dhe vdekjen e Jezuit e për dashurinë që na kanë treguar ai dhe Jehovai. Mendo sa më shpesh për këto gjëra në javët para dhe pas Përkujtimit. Për shembull, programo kohë që të lexosh e të meditosh për ngjarjet e përmendura te tabela «Java e fundit e jetës së Jezuit në tokë», në shtojcën B12 të Përkthimit Bota e Re. Ndërsa e bën këtë, ndalu te vargje që do të ta shtojnë mirënjohjen, dashurinë, guximin dhe gëzimin. Pastaj mendo për mënyra specifike si mund ta tregosh çmueshmërinë nga zemra. Ji i sigurt se për Jezuin do të jetë e çmuar çdo gjë që bën për ta kujtuar në periudhën e Përkujtimit.—Zbul. 2:19.
KËNGA 17 «Po, dua!»
a Gjatë periudhës së Përkujtimit inkurajohemi të meditojmë për jetën dhe vdekjen e Jezuit e për dashurinë që na kanë treguar ai dhe Ati i tij. Ky meditim mund të na motivojë ta tregojmë mirënjohjen me vepra. Në këtë artikull do të shohim mënyra praktike si ta tregojmë mirënjohjen për shpërblesën dhe dashurinë tonë për Jehovain e Jezuin. Do të shohim edhe si mund të na motivojë kjo dashuri t’i duam vëllezërit e motrat, të tregojmë guxim dhe të gjejmë gëzim në shërbim.