Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 4

Jehovai i bekon përpjekjet tona për të mbajtur Përkujtimin

Jehovai i bekon përpjekjet tona për të mbajtur Përkujtimin

«Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.»—LUKA 22:19.

KËNGA 19 Darka e Zotërisë

PËRMBLEDHJE a

1-2. Pse e ndjekim çdo vit Përkujtimin?

 GATI 2.000 vjet më parë, Jezui dha jetën për ne, e kështu na hapi rrugën që të gëzojmë jetën e përhershme. Natën para se të vdiste, Jezui urdhëroi që dishepujt e tij ta kujtojnë sakrificën që bëri me aq dashuri nëpërmjet një ceremonie të thjeshtë, ku përdoret bukë dhe verë.—1 Kor. 11:23-26.

2 Ne i bindemi urdhrit të Jezuit ngaqë e duam shumë. (Gjoni 14:15) Çdo vit gjatë periudhës së Përkujtimit, e tregojmë mirënjohjen për atë që bëri duke lënë kohë që të meditojmë e të lutemi për domethënien e vdekjes së tij. Gjithashtu, zemra na nxit të bëjmë akoma më tepër në shërbim, që të ftojmë sa më shumë veta të bashkohen me ne në këtë rast special. E patjetër që jemi të vendosur të mos lejojmë asgjë të na pengojë ta ndjekim Përkujtimin.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Në këtë artikull do të shqyrtojmë tri mënyra se si kanë bërë çmos shërbëtorët e Jehovait ta kujtojnë vdekjen e Jezuit: (1) duke rivendosur modelin që la Jezui, (2) duke ftuar të tjerët në Përkujtim dhe (3) duke e mbajtur Përkujtimin edhe në rrethana të vështira.

SI U RIVENDOS MODELI QË LA JEZUI

4. Mbi cilat të vërteta hidhet dritë çdo vit në Përkujtim, dhe pse nuk duhet të lejojmë të na zbehet çmueshmëria për to? (Luka 22:19, 20)

4 Çdo vit në Përkujtim dëgjojmë një fjalim të bazuar te Bibla që u përgjigjet qartë disa pyetjeve. Mësojmë pse njerëzimi ka nevojë që të paguhet një shpërblesë për të dhe si mund të shlyejë vdekja e një njeriu mëkatet e shumë njerëzve. Fjalimi na kujton çfarë paraqesin buka e vera dhe kush duhet të marrë prej tyre. (Lexo Lukën 22:19, 20.) Gjithashtu meditojmë për bekimet që i presin ata që kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në tokë. (Isa. 35:5, 6; 65:17, 21-23) Të mos lejojmë të na zbehet çmueshmëria për këto të vërteta! Miliarda njerëz nuk i dinë këto gjëra dhe nuk e kuptojnë sa vlerë ka flijimi i Jezuit. Veç kësaj, nuk e mbajnë Përkujtimin e vdekjes së tij sipas modelit që la Jezui. Pse?

5. Pasi vdiq shumica e apostujve, ç’ndodhi me modelin që kishte lënë Jezui për të kujtuar vdekjen e tij?

5 Pak pasi vdiq shumica e apostujve të Jezuit, në kongregacion u futën të krishterë të shtirur. (Mat. 13:24-27, 37-39) Ata thoshin «mësime të shtrembëruara për të tërhequr pas vetes dishepujt». (Vep. 20:29, 30) Një nga ato «mësime të shtrembëruara» që filluan të përhapnin dalëngadalë të krishterët e shtirur, ishte se Jezui nuk «u flijua një herë të vetme për të mbartur mëkatet e shumë vetave», siç thotë Bibla, por që sakrifica e tij duhet të vazhdojë të përsëritet pareshtur. (Hebr. 9:27, 28) Sot shumë njerëz të sinqertë e besojnë këtë mësim të rremë. Ata mblidhen rregullisht në kisha—ndonjëherë përditë—për të kremtuar atë që quhet «Kungimi i shenjtë» ose «Flijimi i meshës». b Organizata të tjera fetare nuk e kujtojnë kaq shpesh vdekjen e Jezuit, ama shumica e pjesëtarëve të tyre kanë vetëm një ide të mjegullt për domethënien e flijimit të Jezuit. Disa ndoshta vrasin mendjen: «A e bën vërtet të mundur vdekja e Jezuit që të falen mëkatet e mia?» Pse e bëjnë këtë pyetje? Në disa raste, ngaqë u kanë futur dyshime ata që thonë se flijimi i Jezuit nuk mund t’i falë mëkatet. Si i kanë ndihmuar dishepujt e vërtetë të Jezuit njerëzit që të lirohen nga këto mësime të shtrembëruara?

6. Çfarë kishin kuptuar në vitin 1872 një grup Studentësh të Biblës?

6 Nga fundi i shekullit të 19-të, një grup Studentësh të Biblës të drejtuar nga Çarls Tejz Rasëlli filluan një studim të thellë të Shkrimeve. Ata donin të dinin të vërtetën për vlerën që ka flijimi i Jezuit dhe si duhet kujtuar vdekja e tij. Në vitin 1872, kishin kuptuar nga Bibla se Jezui ka paguar vërtet një shpërblesë për mbarë njerëzimin. Ata nuk i mbajtën për vete gjërat që mësuan. Përkundrazi, i përhapën nëpërmjet librave, gazetave dhe revistave. E pak pas kësaj, duke imituar të krishterët e shekullit të parë, nisën të mblidheshin vetëm një herë në vit për të mbajtur Përkujtimin.

7. Si na sjellin dobi kërkimet që bënë Studentët e hershëm të Biblës?

7 Kërkimet që bënë shumë kohë më parë ata të krishterë të sinqertë na sjellin dobi sot. Si? Falë bekimit të Jehovait, na janë hapur sytë që të kuptojmë të vërtetën për flijimin e Jezuit dhe çfarë bën të mundur flijimi i tij. (1 Gjon. 2:1, 2) Gjithashtu kemi mësuar se, sipas Biblës, njerëzit që gëzojnë miratimin e Perëndisë kanë dy shpresa të ndryshme—jetën e pavdekshme në qiell për disa dhe jetën e përhershme në tokë për miliona të tjerë. Afrohemi më shumë me Jehovain ndërsa meditojmë sa fort na do dhe sa dobi nxjerrim personalisht nga flijimi i Jezuit. (1 Pjet. 3:18; 1 Gjon. 4:9) Prandaj, ashtu si vëllezërit tanë besnikë në të kaluarën, i ftojmë të tjerët ta kujtojnë bashkë me ne vdekjen e Jezuit sipas modelit që na la ai vetë.

I FTOJMË NJERËZIT NË PËRKUJTIM

Ç’mund të bësh që të përfshihesh sa më shumë në fushatën e Përkujtimit? (Shih paragrafët 8-10) e

8. Çfarë përpjekjesh kanë bërë shërbëtorët e Jehovait për t’i ftuar njerëzit në Përkujtim? (Shih figurën.)

8 Shërbëtorët e Jehovait i kanë ftuar njerëzit në Përkujtim prej dekadash. Qysh në vitin 1881, Kulla e Rojës i ftonte vëllezërit e motrat në Shtetet e Bashkuara të mblidheshin në një shtëpi në Allegeni, Pensilvani, për atë rast special. Më vonë çdo kongregacion organizohej vetë për të mbajtur Përkujtimin. Në mars të 1940-s, lajmëtarëve iu tha se mund të ftonin të gjithë ata që tregonin interes në territorin e tyre. Më 1960, Betheli u siguroi për herë të parë kongregacioneve ftesa të shtypura. Që nga ajo, kohë kemi shpërndarë miliarda ftesa Përkujtimi. Pse harxhojmë kaq shumë kohë e përpjekje për t’i ftuar të tjerët?

9-10. Cilët nxjerrin dobi nga përpjekjet që bëjmë për t’i ftuar njerëzit në Përkujtim? (Gjoni 3:16)

9 Një arsye pse i ftojmë njerëzit në Përkujtim është se duam që kush vjen për herë të parë, të mësojë të vërtetën rreth asaj që kanë bërë Jehovai e Jezui për të gjithë ne. (Lexo Gjonin 3:16.) Shpresojmë se ajo që do të shohin e do të dëgjojnë në Përkujtim, do t’i nxitë të duan të mësojnë më shumë dhe të bëhen shërbëtorë të Jehovait. Por ka edhe të tjerë që do të nxjerrin dobi duke ndjekur Përkujtimin.

10 Ne ftojmë edhe ata që nuk janë më aktivë në shërbim të Jehovait. Këtë e bëjmë sepse duam t’u kujtojmë që Perëndia vazhdon t’i dojë. Na gufon zemra kur shohim se shumë prej tyre i përgjigjen ftesës. Ardhja në Përkujtim u sjell ndër mend kohët e bukura kur i shërbenin Jehovait. Të mendojmë për shembullin e Monikës. c Ajo rifilloi predikimin gjatë pandemisë së COVID-19. Pasi ndoqi Përkujtimin në vitin 2021, tha: «Ky ka qenë një Përkujtim goxha special për mua. Dhashë dëshmi dhe i ftova njerëzit në Përkujtim për herë të parë pas 20 vjetësh. U përfshiva me gjithë shpirt, se jam mirënjohëse sa s’thuhet për atë që kanë bërë për mua Jehovai e Jezui.» (Psal. 103:1-4) Pavarësisht nëse njerëzit e pranojnë ftesën apo jo, ne bëjmë më të mirën për t’i ftuar në Përkujtim, të sigurt se Jehovai i çmon përpjekjet tona.

11. Si i ka bekuar Jehovai përpjekjet tona për t’i ftuar njerëzit në Përkujtim? (Hageu 2:7)

11 Jehovai i ka bekuar me bollëk përpjekjet tona për t’i ftuar njerëzit në Përkujtim. Në vitin 2021, me gjithë kufizimet e vëna për shkak të pandemisë së COVID-19, patëm një numër rekord prej 21.367.603 të pranishmish, pra gati dy herë e gjysmë më shumë se numri i Dëshmitarëve të Jehovait në gjithë botën! Natyrisht që Jehovait nuk i interesojnë thjesht numrat. Ai ka merak për individët. (Luka 15:7; 1 Tim. 2:3, 4) Jemi të bindur se Jehovai i bekon përpjekjet tona për t’i ftuar të tjerët në Përkujtim duke na ndihmuar të gjejmë njerëzit me zemër të sinqertë.—Lexo Hageun 2:7.

E MBAJMË PËRKUJTIMIN EDHE NË RRETHANA TË VËSHTIRA

Jehovai i bekon përpjekjet tona për të mbajtur Përkujtimin (Shih paragrafin 12) f

12. Cilat rrethana mund të na e bëjnë të vështirë të mbajmë Përkujtimin? (Shih figurën.)

12 Jezui paratha se gjatë ditëve të fundit do të përballeshim me gjithfarë vështirësish—kundërshtim nga familja, përndjekje, luftëra, epidemi dhe shumë të tjera. (Mat. 10:36; Mar. 13:9; Luka 21:10, 11) Ndonjëherë rrethana të tilla na e bëjnë të vështirë ta kujtojmë vdekjen e Jezuit. Si i kanë kapërcyer vëllezërit e motrat tona këto pengesa dhe si i ka ndihmuar Jehovai?

13. Si e bekoi Jehovai kurajën dhe vendosmërinë e Artemit për të mbajtur Përkujtimin në burg?

13 Burgosja. Vëllezërit tanë që janë në burg për shkak të besimit bëjnë gjithë sa munden për të kujtuar vdekjen e Jezuit. Të mendojmë për shembullin e Artemit. Gjatë periudhës së Përkujtimit të vitit 2020, ai ishte i mbyllur në një qeli 17 metra katrorë me katër a pesë të burgosur të tjerë. Ndonëse ishte në burg, arriti të siguronte disa gjëra që t’i përdorte për simbolet e Përkujtimit dhe planifikoi ta mbante fjalimin e Përkujtimit për vete. Mirëpo shokët e qelisë pinin duhan dhe thoshin shumë fjalë të pista. Si ia bëri Artemi? U kërkoi që, po të ishte e mundur, të mos përdornin fjalë të pista e të mos pinin duhan vetëm për një orë. Për çudinë e tij, shokët e qelisë pranuan të mos i bënin ato gjëra gjatë Përkujtimit. Artemi thotë: «Ofrova t’u shpjegoja diçka për Përkujtimin.» Thanë që nuk donin të dëgjonin për atë gjë, por pasi panë dhe dëgjuan si e mbajti Përkujtimin, e mbytën me pyetje Artemin.

14. Çfarë përpjekjesh u bënë për të mbajtur Përkujtimin gjatë pandemisë së COVID-19?

14 Pandemia e COVID-19. Pasi filloi pandemia, shërbëtorët e Jehovait nuk mund të mblidheshin fizikisht për të ndjekur Përkujtimin. Ama kjo nuk i pengoi ta kujtonin vdekjen e Jezuit. d Kongregacionet që mund të lidheshin me Internet, e mbajtën Përkujtimin me anë të videokonferencës. Po si ia bënë miliona të tjerë që s’kishin mundësi të përdornin Internetin? Në disa vende u morën masa që fjalimi të transmetohej nëpërmjet televizionit ose radios. Veç kësaj, degët e regjistruan fjalimin në mbi 500 gjuhë, që Përkujtimin të arrinin ta mbanin edhe ata që jetonin në zona të thella. Pastaj disa vëllezër besnikë ia dërguan fjalimin e regjistruar vëllezërve në ato zona.

15. Çfarë të mëson shembulli i Suzit?

15 Kundërshtimi nga familja. Pengesa më e madhe që hasin disa për të mbajtur Përkujtimin është kundërshtimi nga familja. Të mendojmë për rastin e Suzit, një studente e Biblës. Ditën para Përkujtimit të vitit 2021, ajo i tha mësueses së Biblës se nuk do ta ndiqte dot Përkujtimin ngaqë e kundërshtonin pjesëtarët e familjes. Mësuesja i lexoi Lukën 22:44. Pastaj i shpjegoi se kur hasim vështirësi duhet të ndjekim shembullin e Jezuit, duke i hapur zemrën Jehovait në lutje e duke pasur besim të plotë tek Ai. Të nesërmen, Suzi bëri gati bukën e verën dhe pa programin special të Adhurimit të Mëngjesit në jw.org. Në mbrëmje shkoi në dhomën e saj dhe e ndoqi Përkujtimin me anë të telefonit. Më vonë, Suzi i shkroi mësueses së saj të Biblës: «Dje më dhe zemër pa masë. Bëra gjithë sa kisha në dorë për të ndjekur Përkujtimin, dhe pjesën tjetër e bëri Jehovai. Nuk gjej fjalë ta shpreh sa gëzim e mirënjohje ndiej!» Mos ki pikë dyshimi që Jehovai mund të të ndihmojë edhe ty nëse has një situatë të ngjashme!

16. Pse jemi të sigurt se Jehovai do t’i bekojë përpjekjet tona për të mbajtur Përkujtimin? (Romakëve 8:31, 32)

16 Jehovai i çmon pa masë përpjekjet tona për të kujtuar vdekjen e Jezuit. Ndërsa tregojmë mirënjohje për atë që ka bërë për ne, mund të jemi të sigurt se Ai do të na bekojë. (Lexo Romakëve 8:31, 32.) Prandaj, le të jemi të vendosur ta ndjekim Përkujtimin këtë vit dhe të bëjmë çmos të përfshihemi akoma më shumë në aktivitetet teokratike gjatë periudhës së Përkujtimit.

KËNGA 18 Përjetë mirënjohës për shpërblesën

a Të martën më 4 prill 2023, miliona veta përqark globit do të mbajnë Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Shumë prej tyre do ta ndjekin për herë të parë. Të tjerë që dikur ishin Dëshmitarë aktivë do të bashkohen prapë me ne pas shumë vjetësh. Disa do të kalojnë pengesa të mëdha për të ndjekur Përkujtimin. Cilatdo qofshin rrethanat e tua, të jesh i sigurt se përpjekjet që bën për të qenë i pranishëm do t’ia bëjnë zemrën mal Jehovait.

b Adhuruesit besojnë se gjatë kësaj ceremonie, buka dhe vera shndërrohen në trupin dhe gjakun e Krishtit. Ata mendojnë se trupi dhe gjaku i Jezuit sakrifikohen sa herë që marrin pjesë në këtë ceremoni.

c Disa emra janë ndryshuar.

d Shih edhe artikujt në jw.org me titull «Përkujtimi i vdekjes së Krishtit për vitin 2021».

e PËRSHKRIMI I FIGURËS: Që nga vitet 60, ftesat e Përkujtimit kanë ardhur duke u përmirësuar dhe sot i kemi të shtypura e në format elektronik.

f PËRSHKRIMI I FIGURËS: Inskenim: vëllezër e motra që mbajnë Përkujtimin gjatë një trazire civile.