Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A i trajton gratë siç i trajton Jehovai?

A i trajton gratë siç i trajton Jehovai?

KEMI privilegjin të shërbejmë përkrah shumë grave me besim të fortë. E duam dhe e vlerësojmë secilën nga këto motra besnike dhe të palodhura. Prandaj, vëllezërit përpiqen t’i trajtojnë me mirësi, respekt e drejtësi. Por, meqë nuk jemi të përsosur, ka raste kur e kemi të vështirë t’i trajtojmë siç duhet. Disa vëllezër kanë edhe një sfidë tjetër.

Disa janë rritur në kultura ku burrat i trajtojnë gratë si inferiore. Për shembull, Hansi, që është mbikëqyrës qarkor në Bolivi, thotë se disa janë rritur në një kulturë që i inkurajon burrat të jenë shumë krenarë. Ata besojnë se janë më superiorë se gratë dhe shpesh i trajtojnë ato pa respekt. Shengshjeni, një plak në Tajvan, thotë: «Në zonën time, shumë burra mendojnë se gratë nuk duhet të ndërhyjnë në punët e burrave. Nëse një burrë përmend mendimin e një gruaje për ndonjë temë, burrat e tjerë mund ta shohin me përçmim.» Ka edhe burra që e tregojnë paragjykimin për gratë në mënyra më të holla. Për shembull, mund të tregojnë barcaleta të cilat i ulin gratë.

Por, sa mirë që asnjë burrë s’ka pse të jetë viktimë e kulturës ku është rritur. Ai mund ta ndryshojë mendimin se burrat janë më superiorë se gratë. (Efes. 4:22-24) Kjo mund të arrihet duke imituar shembullin e Jehovait. Në këtë artikull do të shqyrtojmë si i trajton Jehovai gratë, si të mësojnë vëllezërit t’i trajtojnë gratë si Jehovai dhe si lënë shembullin pleqtë me respektin që u tregojnë motrave.

SI I TRAJTON JEHOVAI GRATË?

Jehovai lë modelin e përsosur për mënyrën si duhen trajtuar gratë. Si Atë i dhembshur, ai e do gjithë familjen e tij njerëzore. (Gjoni 3:16) Dhe motrat besnike janë si bijat e tij të çmuara. Ja disa mënyra si u jep dinjitet Jehovai.

I trajton me paanësi. Jehovai i krijoi edhe burrat edhe gratë sipas imazhit të tij. (Zan. 1:27) Ai nuk i bëri burrat më inteligjentë ose më të talentuar se gratë, e as nuk mban anën e burrave. (2 Kron. 19:7) Ai i krijoi si burrat edhe gratë me të njëjtin intelekt që të kuptojnë të vërtetat e Biblës e që të pasqyrojnë cilësitë e tij të bukura. Veç kësaj, Jehovai e vlerëson njësoj besimin e burrave dhe të grave. E ai u ka dhënë të dyja palëve shpresën që të jetojnë përgjithmonë në tokën parajsore ose që të jenë mbretër e priftërinj në qiell. (2 Pjet. 1:1) Është e qartë se Jehovai nuk ka paragjykime për gratë.

I dëgjon me vëmendje. Jehovai ka merak për ndjenjat dhe shqetësimet e grave. Për shembull, ai i dëgjoi lutjet e Rakelës e të Hanës dhe iu përgjigj. (Zan. 30:22; 1 Sam. 1:10, 11, 19, 20) Gjithashtu, Jehovai i frymëzoi disa shkrimtarë të Biblës të përfshinin në Shkrime raste kur disa burra dëgjuan gratë. Për shembull, Abrahami ndoqi udhëzimin e Jehovait që ta dëgjonte gruan e tij, Sarën. (Zan. 21:12-14) Mbreti David ia vuri veshin Abigailës. Në fakt, ai ishte i sigurt se Abigailën e kishte dërguar Jehovai që t’i fliste. (1 Sam. 25:32-35) Jezui, që pasqyron në mënyrë të përsosur cilësitë e Atit të tij, e dëgjoi të ëmën, Marinë. (Gjoni 2:3-10) Këta shembuj theksojnë se një nga mënyrat si e tregon Jehovai respektin për gratë, është duke i dëgjuar me vëmendje.

Ka besim tek ato. Për shembull, Jehovai kishte besim se Eva do të bënte pjesën e saj që të kujdesej për gjithë tokën. (Zan. 1:28) Në këtë mënyrë, Ai tregoi se nuk e shihte si më inferiore se i shoqi, Adami, por si një plotësuese për të. Gjithashtu, Jehovai kishte besim te profeteshat Debora e Hulda dhe i caktoi të këshillonin popullin e tij, duke përfshirë një gjykatës dhe një mbret. (Gjyk. 4:4-9; 2 Mbret. 22:14-20) Sot Jehovai ka besim se gratë do ta kryejnë veprën e tij. Motrat besnike shërbejnë si lajmëtare, pioniere dhe misionare. Ato ndihmojnë në projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Sallave të Mbretërisë dhe të godinave të degëve. Disa shërbejnë në Bethel, të tjera në zyra rajonale përkthimi. Këto motra janë si një ushtri e madhe që Jehovai e ka mobilizuar për të kryer vullnetin e tij. (Psal. 68:11) Është e qartë se Jehovai nuk i shikon gratë si të dobëta ose si të paafta.

SI TË MËSOJNË VËLLEZËRIT T’I TRAJTOJNË GRATË SI JEHOVAI?

Vëllezër, që të kuptojmë nëse po i trajtojmë motrat në kongregacion ashtu si Jehovai, duhet të shqyrtojmë me ndershmëri mënyrën si mendojmë dhe si veprojmë. Për këtë na duhet ndihmë. Ashtu si një grafi që zbulon një problem shëndetësor në zemër, një mik i mirë dhe Fjala e Perëndisë mund të na ndihmojnë të zbulojmë ndonjë ndjenjë negative për gratë që mund të ketë zënë vend thellë brenda nesh. Si mund ta marrim këtë ndihmë?

Pyet një mik të mirë. (Prov. 18:17) Mund t’i bëjmë këto pyetje një miku tek i cili kemi besim dhe që është i dashur e i ekuilibruar: «Si mendon se i trajtoj motrat? A e dallojnë ato se i respektoj? A ka ndonjë gjë që duhet të përmirësoj në mënyrën si sillem me to?» Nëse miku yt të tregon disa gjëra që mund t’i përmirësosh, mos u justifiko, por përpiqu fort të bësh ndryshimet e nevojshme.

Studio Fjalën e Perëndisë. Mënyra më e shkëlqyer për të kuptuar a po i trajtojmë mirë motrat, është t’i shqyrtojmë qëndrimin dhe veprimet tona nën dritën e Fjalës së Perëndisë. (Hebr. 4:12) Teksa studiojmë Biblën, mësojmë për burra që i trajtonin mirë gratë e për të tjerë që nuk i trajtonin mirë. Pastaj mund t’i krahasojmë veprimet e tyre me tonat. Veç kësaj, krahasimi i vargjeve të ndryshme të Biblës na ndihmon të mos i nxjerrim padashur shkrimet nga konteksti që të mbështetim ndonjë pikëpamje të gabuar për gratë. Për shembull, sipas 1 Pjetrit 3:7, gruaja duhet ‘të nderohet si një enë më e brishtë’. a A do të thotë kjo se një grua është më inferiore, domethënë jo aq inteligjente dhe jo aq e aftë sa një burrë? Sigurisht që jo! T’i krahasojmë fjalët e Pjetrit me atë që thotë Galatasve 3:26-29, pra se Jehovai ka zgjedhur edhe burra edhe gra që të qeverisin me Jezuin në qiell. Kur studiojmë Fjalën e Perëndisë dhe kur pyesim një shok a shoqe të mirë që të na thotë si i trajtojmë gratë, mund të mësojmë t’u tregojmë respektin e duhur motrave tona.

SI TREGOJNË PLEQTË RESPEKT PËR MOTRAT?

Vëllezërit në kongregacion mund të mësojnë edhe nga shembulli i pleqve të dashur se si t’i trajtojnë me respekt motrat. Si lënë shembullin pleqtë me respektin që u tregojnë motrave? Ja disa mënyra specifike.

I lavdërojnë motrat. Apostulli Pavël la një shembull të mirë për pleqtë. Ai lavdëroi para të tjerëve mjaft motra në letrën që i shkroi kongregacionit të Romës. (Rom. 16:12) A mund ta përfytyrosh gëzimin që do të kenë ndier ato motra kur letra e Pavlit u lexua para kongregacionit? Po njëlloj, pleqtë i lavdërojnë pa kursim motrat për cilësitë e tyre të shkëlqyera dhe për atë që bëjnë në shërbim të Jehovait. Kjo i siguron motrat se janë shumë të çmuara dhe të respektuara. Fjalët inkurajuese të një plaku mund të jenë fiks ajo që u duhet motrave ndërsa vazhdojnë t’i shërbejnë Jehovait me besim të plotë.—Prov. 15:23.

Lavdëro

Pleqtë janë të sinqertë dhe specifikë kur i lavdërojnë motrat. Pse? Një motër që quhet Xhesika, thotë: «Është bukur kur vëllezërit i thonë një motre ‘bravo’. Por e vlerësojmë edhe më shumë kur vëllezërit na lavdërojnë për diçka specifike, si për shembull që i mësojmë fëmijët të rrinë urtë në mbledhje ose që bëjmë përpjekje të shoqërojmë një studente të Biblës në mbledhje.» Kur pleqtë i lavdërojnë motrat për diçka specifike, i bëjnë të ndihen të dobishme e të çmuara në kongregacion.

I dëgjojnë motrat. Pleqtë e përulur janë të vetëdijshëm se nuk janë të vetmit që kanë ide të mira. Këta pleq u kërkojnë sugjerime motrave dhe pastaj i dëgjojnë me kujdes. Kështu pleqtë i inkurajojnë motrat, por nxjerrin dobi edhe vetë. Në ç’mënyrë? Gerardo, një plak që shërben në Bethel, thotë: «Kam parë që kur i pyes motrat për mendimin e tyre, kjo më ndihmon ta bëj më mirë punën. Shpesh, ato e kanë bërë një punë për më tepër kohë se shumica e vëllezërve.» Në kongregacion, mjaft motra shërbejnë si pioniere, ndaj dinë shumë gjëra për njerëzit në zonën e tyre. Një plak që quhet Brajan, thotë: «Motrat tona kanë shumë për t’i dhënë organizatës. Prandaj përfito nga eksperienca e tyre!»

Dëgjo

Pleqtë e mençur nuk i nënvlerësojnë sugjerimet e motrave. Pse? Një plak që quhet Eduard, thotë: «Mendimet dhe eksperienca e një motre mund ta ndihmojnë një vëlla të shohë tablonë e plotë të një çështjeje dhe të zhvillojë empati.» (Prov. 1:5) Edhe nëse një plak nuk bën dot sipas sugjerimit të motrës, mund ta falënderojë për mendimet, njohurinë dhe gjykimin e mirë.

I stërvitin motrat. Pleqtë e mençur kërkojnë mundësi që t’i stërvitin motrat. Për shembull, i mësojnë si të drejtojnë mbledhjet për shërbim në rast se nuk ka vëllezër të pagëzuar. Mund t’i stërvitin të përdorin mjete ose makineri që të ndihmojnë në projekte teokratike të ndërtimit dhe të mirëmbajtjes. Në Bethel, mbikëqyrësit i kanë stërvitur motrat që të përmbushin një larmi caktimesh, si në mirëmbajtje, blerje, financë, programime kompjuterike, e të tjera. Kur i stërvitin motrat, pleqtë tregojnë se i konsiderojnë të besueshme e të afta.

Stërvit

Shumë motra e përdorin stërvitjen që marrin nga pleqtë për të ndihmuar të tjerët. Për shembull, disa motra e përdorin stërvitjen që kanë marrë në ndërtim për të ndihmuar të tjerët që të rindërtojnë shtëpitë pas ndonjë katastrofe natyrore. Kurse disa e përdorin stërvitjen që kanë marrë për dëshminë publike që të ndihmojnë motra të tjera në këtë aspekt të predikimit. Si ndihen motrat për pleqtë që i kanë stërvitur? Një motër që quhet Xhenifer, thotë: «Kur punova në ndërtimin e një Salle Mbretërie, një mbikëqyrës kaloi kohë duke më stërvitur. Ai e vinte re punën që bëja dhe më lavdëronte. Më pëlqente shumë të punoja me të, sepse e ndieja që më vlerësonte dhe kishte besim tek unë.»

DOBITË QË VIJNË KUR I SHOHIM MOTRAT SI FAMILJA JONË

Ne i duam motrat tona besnike siç i do Jehovai. Ndaj i trajtojmë si familja jonë. (1 Tim. 5:1, 2) Jemi krenarë dhe të nderuar që shërbejmë përkrah tyre. Dhe lumturohemi pa masë kur ato e ndiejnë dashurinë dhe mbështetjen tonë. Një motër që quhet Vanesa, thotë: «I jam mirënjohëse pa fund Jehovait që jam pjesë e organizatës së tij, e cila është plot me vëllezër që ma kanë freskuar shpirtin.» Një motër në Tajvan, thotë: «Jam shumë mirënjohëse që Jehovai dhe organizata e tij na vlerësojnë jashtë mase ne gratë dhe ndjenjat tona. Kjo ma forcon besimin dhe më bën ta çmoj edhe më shumë privilegjin që jam pjesë e organizatës së Jehovait.»

Sa krenar duhet të ndihet Jehovai kur vëren vëllezër besnikë që përpiqen t’i shohin e t’i trajtojnë gratë siç i trajton ai vetë! (Prov. 27:11) Benxhamini, një plak në Skoci, thotë: «Bota i nënçmon gratë. Ndaj duam që ato ta ndiejnë ndryshimin kur hyjnë në Sallën e Mbretërisë.» Le të bëjmë çmos që të imitojmë Jehovain e t’i trajtojmë motrat tona të shtrenjta me dashurinë dhe respektin që meritojnë.—Rom. 12:10.

a Për një shpjegim të hollësishëm të shprehjes «enë më e brishtë», shih artikujt «Vlera e ‘një ene më të dobët’» në Kullën e Rojës të 15 majit 2006 dhe «Këshilla të mençura për të martuarit» në Kullën e Rojës të 1 marsit 2005.