ARTIKULLI I STUDIMIT 1
KËNGA 38 Jehovai të jep fuqi
Mposhte frikën duke pasur besim te Jehovai
SHKRIMI I VITIT 2024: «Kur frika më pushton, te ti kam besim.»—PSAL. 56:3.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Mëso si mund ta forcojmë besimin te Jehovai e kështu të mposhtim çdo frikë.
1. Pse mund të ndihemi të frikësuar hera-herës?
TË GJITHË ndihemi të frikësuar hera-herës. Natyrisht, studimi i Biblës na ka çliruar prej frikës nga të vdekurit, frikës nga e mbinatyrshmja dhe frikës se ç’do të sjellë e ardhmja. Gjithsesi jetojmë në një kohë që karakterizohet nga «fenomene të frikshme», si luftëra, krime dhe sëmundje. (Luka 21:11) Gjithashtu mund të kemi frikë nga njeriu, ku përfshihen qeveritë që na shtypin a madje edhe pjesëtarët e familjes që i kundërvihen adhurimit të vërtetë. Disa kanë frikë se mos nuk do t’ia dalin të përballojnë një sprovë që po kalojnë ose një sprovë që mund të hasin në të ardhmen.
2. Përshkruani situatën e Davidit kur ishte në Gath.
2 Kishte raste kur Davidin e mbërthente frika. Për shembull, kur mbreti Saul po e ndiqte këmba-këmbës, Davidi vendosi të ikte në qytetin filistin të Gathit. S’kaloi shumë dhe mbreti i Gathit, Akishi, mori vesh që Davidi ishte luftëtari i fuqishëm që i kishin thurur këngë ngaqë kishte vrarë «dhjetëra mijë» filistinë. Davidi «u tremb shumë». (1 Sam. 21:10-12) Kishte frikë kur mendonte se ç’mund t’i bënte Akishi. Si e mposhti frikën Davidi?
3. Sipas Psalmit 56:1-3, 11, si e mposhti frikën Davidi?
3 Te Psalmi 56, Davidi shpreh ndjenjat që provoi kur ishte në Gath. Në atë psalm shohim qartë frikën që ndjeu në zemër, por edhe kuptojmë si e mposhti frikën. Kur e pushtonte frika, ai kishte besim te Jehovai. (Lexo Psalmin 56:1-3, 11.) Davidi kishte çdo arsye për të besuar te Perëndia i tij. Me bekimin e Jehovait, ai përdori një strategji të çuditshme por të efektshme: u hoq si i çmendur. Tani Akishi e shihte Davidin si një njeri të bezdisur që donte ta hiqte sysh, jo si një kërcënim, e kështu Davidi arriti t’ia mbathte.—1 Sam. 21:13–22:1.
4. Si mund ta forcojmë besimin te Jehovai? Ilustrojeni.
4 Edhe ne mund të mposhtim çdo frikë duke pasur besim te Jehovai. Por si ta forcojmë besimin te Jehovai, sidomos kur jemi të trembur? Të bëjmë një ilustrim. Nëse diagnostikohesh me një sëmundje, në fillim mund të të zërë frika. Ama nëse ke një mjek që i beson, mund të ndihesh më i qetë. Mbase ai ka trajtuar me sukses shumë pacientë me atë sëmundje. Ndoshta të dëgjon me vëmendje dhe je i sigurt se e kupton vërtet si ndihesh. Veç kësaj, mbase të sugjeron një trajtim që ka funksionuar për mjaft të tjerë. Po njësoj, ne e forcojmë besimin te Jehovai duke bluar në mendje çfarë ka bërë deri tani, çfarë po bën sot dhe ç’do të bëjë në të ardhmen për ne. Tamam kështu veproi Davidi. Ndërsa shqyrtojmë te Psalmi 56 disa nga fjalët që shkroi ai nën frymëzim, mendo si mund ta forcosh edhe ti besimin te Jehovai e të mposhtësh çdo frikë.
ÇFARË KA BËRË JEHOVAI DERI TANI?
5. Çfarë bluante në mendje Davidi që ta dëbonte frikën? (Psalmi 56:12, 13)
5 Ndonëse e kishte akoma jetën në rrezik, Davidi i përqendronte mendimet te të mirat që kishte bërë më parë Jehovai. (Lexo Psalmin 56:12, 13.) Këtë zakon e ruajti gjatë gjithë jetës. Për shembull, herë pas here Davidi mendonte për veprat e krijimit të Jehovait, që i kujtonin se Ai ka fuqi të pakufishme dhe dashuri të thellë për njerëzit. (Psal. 65:6-9) Mendonte edhe se çfarë kishte bërë Jehovai për të tjerët. (Psal. 31:19; 37:25, 26) E sidomos bluante në mendje çfarë kishte bërë Jehovai për të personalisht. Jehovai e kishte mbrojtur dhe ishte kujdesur për Davidin qysh kur ishte foshnjë. (Psal. 22:9, 10) Kushedi sa shumë i forcohej besimi te Jehovai kur mendonte për këto gjëra!
6. Ç’do të na ndihmojë të kemi besim te Jehovai kur ndihemi të frikësuar?
6 Kur ndihesh i frikësuar, pyet veten: «Çfarë ka bërë Jehovai deri tani?» Reflekto për krijimin. Për shembull, ‘vështro me kujdes’ si kujdeset Jehovai për zogjtë e lulet, ndonëse nuk janë krijuar sipas imazhit të tij dhe nuk mund ta adhurojnë. (Mat. 6:25-32) Kjo do të ta forcojë besimin se do të kujdeset edhe për ty. Mendo edhe çfarë ka bërë Jehovai për adhuruesit e tij. Mund të studiosh një personazh të Biblës që tregoi besim të patundur ose mund të lexosh historinë e një shërbëtori të Jehovait nga ditët tona. a Veç kësaj, mendo si është kujdesur Jehovai për ty. Si të tërhoqi drejt së vërtetës? (Gjoni 6:44) Si u është përgjigjur lutjeve të tua? (1 Gjon. 5:14) Si po nxjerr dobi çdo ditë nga flijimi i Birit të tij të shtrenjtë?—Efes. 1:7; Hebr. 4:14-16.
7. Si e ndihmoi Vanesën historia e profetit Daniel që ta mposhtte frikën?
7 Vanesa, b një motër në Haiti, u gjend në një situatë të frikshme. Një burrë në zonën ku jetonte e merrte në telefon dhe i dërgonte mesazhe përditë, duke i bërë presion të lidhej me të. Vanesa refuzonte prerë. Por ai burrë u bë më agresiv dhe madje e kërcënoi. «Kisha shumë frikë»,—thotë Vanesa. Si e mposhti frikën? Bëri gjithçka që kishte në dorë për t’u mbrojtur. Një plak e ndihmoi të kontaktonte autoritetet. Veç kësaj, Vanesa u përqendrua tek ajo që kishte bërë Jehovai për të mbrojtur shërbëtorët e tij në të kaluarën. «I pari që më erdhi në mendje ishte profeti Daniel,—thotë ajo.—Edhe pse ishte i pafajshëm, e hodhën në një strofkë luanësh të uritur. Gjithsesi, Jehovai u kujdes për të. Kështu i kërkova Jehovait të kujdesej për çdo gjë që nuk e kisha në dorë. Pas kësaj, frika u fashit.»—Dan. 6:12-22.
ÇFARË PO BËN JEHOVAI SOT?
8. Për çfarë ishte i sigurt Davidi? (Psalmi 56:8)
8 Edhe pse e kishte kokën në rrezik kur ishte në Gath, Davidi nuk lejoi ta vinte poshtë frika. Përkundrazi, zgjodhi të bluante në mendje çfarë po bënte Jehovai për të në atë kohë. Davidi mund ta ndiente se Jehovai po i printe e po e mbronte dhe se e kuptonte si ndihej. (Lexo Psalmin 56:8.) Gjithashtu kishte miq që e mbështetnin me besnikëri, si Jonatani, dhe mori ndihmë praktike nga kryeprifti Ahimelek. (1 Sam. 20:41, 42; 21:6, 8, 9) E ndonëse mbreti Saul e kishte vënë në shënjestër, ia kishte dalë të shpëtonte. Davidi ishte i sigurt se Jehovai e dinte fije e për pe ç’po hiqte dhe si ndikonte sprova tek ai nga ana emocionale.
9. Çfarë vëren Jehovai te secili prej nesh?
9 Nëse po përballon një sprovë që të frikëson, mos harro se Jehovai sheh me vëmendje ç’po kalon dhe si ndihesh nga ajo sprovë. Për shembull, Jehovai pa jo vetëm si keqtrajtoheshin izraelitët në Egjipt, por edhe ‘dhembjet që hiqnin’. (Eks. 3:7) Davidi tha në këngë se Jehovai kishte parë edhe ‘vuajtjet’ e tij, edhe «brengat e zemrës». (Psal. 31:7) E kur populli i Tij vuante—qoftë edhe si pasojë e vendimeve të tyre të pamenda—Jehovai ‘vuante për të gjitha vuajtjet e tyre’. (Isa. 63:9) Kur të mbërthen frika, Jehovai e kupton si ndihesh dhe do me gjithë shpirt të të ndihmojë ta mposhtësh frikën.
10. Pse je i sigurt se Jehovai ka merak për ty dhe do të të ndihmojë në çdo sprovë?
10 Megjithatë, nëse po kalon një sprovë që të frikëson, mbase e ke të vështirë të shohësh si po të mbështet Jehovai. Ç’mund të bësh? Kërkoji të të ndihmojë që ta dallosh dorën e tij. (2 Mbret. 6:15-17) Pastaj mendo: A ke marrë forcë nga ndonjë fjalim a koment në mbledhje? A je inkurajuar nga një botim, një video ose një këngë e programeve mujore? A të ka treguar dikush një shkrim a një mendim që ta ka ngrohur zemrën? Fare kollaj mund t’i shohim si diçka të zakonshme vëllazërinë tonë të dashur dhe ushqimin besimforcues. Ama këto janë dhurata të mrekullueshme nga Jehovai. (Isa. 65:13; Mar. 10:29, 30) Këto dhurata tregojnë se të do dhe kujdeset për ty. (Isa. 49:14-16) Tregojnë edhe se e meriton plotësisht besimin tënd.
11. Çfarë e ndihmoi Aidën të merrte kurajë?
11 Aida, që jeton në Senegal, pa se si e mbështeti Jehovai gjatë një sprove. Meqë është fëmija i madh, prindërit prisnin të fitonte aq para sa të mbante edhe veten, edhe ata. Por pasi e thjeshtoi jetën që të shërbente si pioniere, Aida hasi goxha vështirësi ekonomike. Familjarët ishin të inatosur me të dhe e kritikonin. Ajo thotë: «Kisha frikë se nuk do të arrija t’i ndihmoja prindërit dhe se të gjithë do të më shihnin shtrembër. Madje fajësoja Jehovain që lejoi të katandisej aq keq situata.» Pak më vonë dëgjoi një fjalim në mbledhje. «Oratori na kujtoi se Jehovai njeh mirë çdo plagë të zemrës sonë. Pak nga pak, nëpërmjet këshillave të pleqve e të të tjerëve, u ndieva e sigurt se Jehovai më do. Fillova t’i lutesha Jehovait me një besim të përtërirë se do të më mbështeste. E ndërsa shihja si u përgjigjej lutjeve të mia, ndieja një paqe të papërshkrueshme.» Me kalimin e kohës, Aida gjeti një punë që e ndihmonte jo vetëm të mbante veten ndërsa shërbente si pioniere, por edhe t’u jepte një dorë prindërve e të tjerëve. Ajo thotë: «Kam mësuar t’i besoj pa rezerva Jehovait. Tani ndodh shpesh që, pasi lutem, më fashitet çdo frikë.»
Ç’DO TË BËJË JEHOVAI NË TË ARDHMEN?
12. Sipas Psalmit 56:9, për çfarë ishte i sigurt Davidi?
12 Lexo Psalmin 56:9. Ky varg zbulon një mënyrë tjetër si e mposhti frikën Davidi: edhe pse e kishte jetën në fije të perit, ai bluante në mendje ç’do të bënte për të Jehovai. Davidi ishte i sigurt se Jehovai do ta çlironte në kohën e duhur. Fundja, vetë Jehovai kishte thënë se Davidi do të ishte mbreti i ardhshëm i Izraelit. (1 Sam. 16:1, 13) E Davidi s’kishte pikë dyshimi që nëse Jehovai premtonte diçka, ishte punë e mbaruar.
13. Çfarë jemi të sigurt se do të bëjë Jehovai?
13 Çfarë ka premtuar se do të bëjë për ty Jehovai? Nuk presim që ai të na mbrojë nga çdo problem. c Ama, çfarëdo problemesh të përballosh në këtë sistem, Jehovai do t’i zhdukë të gjitha në botën e re. (Isa. 25:7-9) Pa dyshim që Krijuesi ynë ka aq fuqi sa të kthejë në jetë të vdekurit, të na shërojë dhe të eliminojë të gjithë armiqtë.—1 Gjon. 4:4.
14. Çfarë mund të bluajmë në mendje?
14 Kur ndihesh i frikësuar, bluaj në mendje çfarë do të bëjë Jehovai në të ardhmen. Mendo si do të ndihesh kur Satanai të jetë asgjësuar, kur në vend të njerëzve të ligj të ketë vetëm njerëz të drejtë dhe kur papërsosmëria të zhduket dalëngadalë nga dita në ditë. Në kongresin rajonal të vitit 2014 ndoqëm një demonstrim ku tregohej si mund të meditojmë për shpresën tonë. Një baba diskutonte me familjen si do të formulohej 2 Timoteut 3:1-5 sikur ato vargje të parathoshin si do të ishte jeta jonë në Parajsë: «Në botën e re do të jetojmë ditët më të lumtura të jetës. Njerëzit do t’i duan të tjerët, do të jenë të dashuruar pas thesareve nga Jehovai, modestë, të përulur, që lëvdojnë Perëndinë, të bindur ndaj prindërve, mirënjohës, besnikë, që kanë përzemërsi për familjen, të gatshëm për marrëveshje, që flasin gjithmonë mirë për të tjerët, me vetëkontroll, të butë, që e duan mirësinë, të besueshëm, që hapin rrugë, të përulur në mendje, që duan Perëndinë e jo kënaqësitë, të motivuar nga përkushtimi i sinqertë ndaj Perëndisë. Me këta lidhu ngushtë.» Po ti, a bisedon me familjen tënde ose me vëllezërit e motrat se si do të jetë jeta në botën e re?
15. Ndonëse ndihej e frikësuar, si arriti ta mbante integritetin Tanja?
15 Tanja, një motër në Maqedoninë e Veriut, e mposhti frikën duke menduar për bekimet e së ardhmes. Prindërit nuk donin që të studionte Biblën dhe i kundërviheshin egërsisht. Ajo tregon: «Disa nga gjërat që kisha frikë se mos më ndodhnin, ndodhën vërtet. Mamaja më rrihte sa herë kthehesha nga mbledhja. Prindërit më kërcënuan se do të më vritnin po të bëhesha Dëshmitare e Jehovait.» Si përfundim, prindërit e nxorën nga shtëpia. Çfarë bëri Tanja? Ajo thotë: «U përqendrova te lumturia që do të provoja gjatë gjithë përjetësisë ngaqë zgjodha të ruaja integritetin. Gjithashtu e mbaja mendjen te bekimet që do të derdhë mbi mua Jehovai në botën e re për çdo gjë që mund të humbas në këtë sistem, si edhe te fakti që çdo gjë e keqe do të fshihet nga kujtesa.» Tanja arriti ta mbante integritetin. E me ndihmën e Jehovait, gjeti një vend ku të jetonte. Sot Tanja është martuar me një vëlla besnik dhe po shërbejnë të lumtur së bashku në kohë të plotë.
FORCOJE TANI BESIMIN TE JEHOVAI
16. Ç’do të na ndihmojë të mos e humbim kurajën kur të shohim ngjarjet e profetizuara te Luka 21:26-28?
16 Gjatë shtrëngimit të madh, njerëzit në përgjithësi «do të mpaken nga frika». Kurse populli i Perëndisë do të qëndrojë i palëkundur dhe plot kurajë. (Lexo Lukën 21:26-28.) Pse nuk do të biem në grackën e frikës? Sepse do të kemi mësuar që më parë t’i besojmë Jehovait. Tanja, e përmendur më sipër, thotë se sprovat e së kaluarës po e ndihmojnë të përballojë stuhi të tjera në jetë. «Kam mësuar se nuk ekziston asnjë situatë ku Jehovai nuk mund të na bëhet krah e të na bekojë,—thotë ajo.—Ndonjëherë mund të duket sikur çdo gjë e kanë në kontroll të tjerët, por realiteti është se ata kanë vetëm aq kontroll sa lejon Jehovai. E ndonëse një sprovë mund të jetë e vështirë, ka për të marrë fund.»
17. Si do të na ndihmojë shkrimi i vitit 2024? (Shihni figurën e kopertinës.)
17 Frika është e zakonshme sot. Por ashtu si Davidi, e kemi në dorë të mos ngecim në kurthin e frikës. Shkrimi ynë për vitin 2024 është lutja që i drejtoi Davidi Jehovait: «Kur frika më pushton, te ti kam besim.» (Psal. 56:3) Një vepër referimi për Biblën thotë për këtë varg se Davidi «as e ushqen frikën e as fiksohet te problemet që i kanë rënë; përkundrazi, i mban sytë plot besim te Shpenguesi i tij që do ta çlirojë». Gjatë muajve të ardhshëm, mendo për shkrimin e vitit, sidomos kur përballesh me situata që të ngjallin frikë. Lër kohë që të reflektosh për veprat e Jehovait në të kaluarën, sot dhe në të ardhmen. Kështu do të thuash edhe ti si Davidi: «Te Perëndia kam besim e nuk kam frikë.»—Psal. 56:4.
SI MUND TA MPOSHTËSH FRIKËN DUKE MENDUAR SE . . .
-
çfarë ka bërë Jehovai deri tani?
-
çfarë po bën Jehovai sot?
-
ç’do të bëjë Jehovai në të ardhmen?
KËNGA 33 Ty, o Atë, ta hedh barrën time
a Mund të gjesh materiale besimforcuese në jw.org duke shkruar në hapësirën e kërkimit «imito besimin e tyre» ose «histori personale». Në aplikacionin JW Library®, shko te seria me artikuj «Imitoni besimin e tyre» ose te «Jetëshkrimet e Dëshmitarëve të Jehovait».
b Disa emra janë ndryshuar.
c Shih librin T’i afrohemi Jehovait, kap. 7, p. 13-22.
d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Davidi meditonte për fuqinë që i kishte dhënë Jehovai për të vrarë një ari, për ndihmën praktike që po i jepte nëpërmjet Ahimelekut dhe për faktin që do ta ulte në fronin mbretëror.
e PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla i burgosur për shkak të besimit mendon për ndihmën që i dha Jehovai që të linte duhanin, për inkurajimin që po i jep nëpërmjet letrave të njerëzve të dashur dhe për jetën e përhershme që do t’i dhurojë në Parajsë.