Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 4

KËNGA 18 Përjetë mirënjohës për shpërblesën

Çfarë na mëson shpërblesa?

Çfarë na mëson shpërblesa?

«Perëndia e tregoi dashurinë ndaj nesh duke dërguar Birin e tij të vetëmlindur.»1 GJON. 4:9.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Si dalin në pah te shpërblesa cilësitë e bukura të Perëndisë Jehova dhe të Jezu Krishtit.

1. Si nxjerrim dobi kur e kujtojmë vdekjen e Krishtit çdo vit?

 PA DISKUTIM, shpërblesa është një dhuratë tejet e çmuar! (2 Kor. 9:15) Falë flijimit të Jezuit, mund të gëzosh një miqësi të ngushtë me Perëndinë Jehova. Veç kësaj, ke perspektivën të jetosh përgjithmonë. Sa shumë arsye kemi për t’i shprehur mirënjohje Jehovait që e siguroi shpërblesën nga dashuria e thellë për ne! (Rom. 5:8) Për të na ndihmuar që të mos na venitet kurrë mirënjohja për shpërblesën, Jezui urdhëroi ta kujtojmë çdo vit vdekjen e tij.—Luka 22:19, 20.

2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Këtë vit Përkujtimi do të mbahet të shtunën, më 12 prill 2025. Pa dyshim, të gjithë po planifikojmë të jemi të pranishëm. Do të nxjerrim shumë dobi nëse gjatë periudhës së Përkujtimit lëmë kohë të meditojmë a për atë që kanë bërë për ne Jehovai dhe Biri i tij. Në këtë artikull do të shqyrtojmë ç’na mëson shpërblesa për Jehovain dhe për Birin e tij. Artikulli tjetër do të na ndihmojë të kuptojmë si të nxjerrim dobi nga shpërblesa dhe si ta tregojmë mirënjohjen për të.

Ç’NA MËSON SHPËRBLESA PËR JEHOVAIN

3. Si mund të çlironte miliona veta vdekja e një njeriu të vetëm? (Shih edhe figurën.)

3 Shpërblesa flet për drejtësinë e Jehovait. (Ligj. 32:4) Në ç’mënyrë? Mendo pak: nga Adami i pabindur trashëguam mëkatin që sjell vdekjen. (Rom. 5:12) Për të na çliruar nga mëkati dhe vdekja, Jehovai dërgoi Jezuin që të jepte jetën si shpërblesë. Por si mund të paguhej çlirimi i miliona njerëzve me vdekjen e një njeriu të vetëm të përsosur? Ja si e shpjegon apostulli Pavël: «Ashtu si nëpërmjet mosbindjes së një njeriu të vetëm [Adamit], shumë u bënë mëkatarë, po ashtu, nëpërmjet bindjes së një të vetmi [Jezuit], shumë do të bëhen të drejtë.» (Rom. 5:19; 1 Tim. 2:6) Me fjalë të tjera, mjaftoi një njeri i përsosur e i pabindur që të bëheshim skllevër të mëkatit dhe të vdekjes. Kështu, mjaftoi një njeri i përsosur e i bindur për t’u çliruar nga mëkati dhe vdekja.

Një njeri i vetëm na bëri skllevër të mëkatit dhe vdekjes. E falë një njeriu të vetëm, mund të çlirohemi nga kjo skllavëri (Shih paragrafin 3)


4. Pse Jehovai nuk vendosi që pasardhësit e Adamit që i bindeshin Atij të jetonin përgjithmonë?

4 Por, a ishte vërtet e nevojshme që Jezui të vdiste për të na shpëtuar? A nuk mund të vendoste Jehovai që pasardhësit e Adamit që i bindeshin Atij të jetonin përgjithmonë? Mbase kjo do t’u dukej një zgjidhje e mirë dhe logjike njerëzve të papërsosur. Ama drejtësia e Jehovait është e përsosur. Prandaj Perëndia i drejtë nuk do t’i mbyllte kurrë sytë para atij mëkati të rëndë—mosbindjes së Adamit.

5. Pse jemi të sigurt se Jehovai do të bëjë gjithmonë atë që është e drejtë?

5 Po sikur Jehovai të mos kishte siguruar një shpërblesë, por thjesht të lejonte që fëmijët e Adamit, edhe pse të papërsosur, të jetonin përgjithmonë? Kështu do të shpërfillte standardin e vet të drejtësisë. Si pasojë, njerëzit do të ishin në merak se mos e shpërfillte prapë këtë standard në të ardhmen. Për shembull, mund të vritnin mendjen nëse Jehovai do t’i mbante të gjitha premtimet. Por nuk ka pse të shqetësohemi aspak për këtë. Fakti që Jehovai bëri atë që ishte e drejtë, edhe pse iu desh ta paguante shtrenjtë—me jetën e Birit të vet të dashur—na siguron se do të bëjë gjithmonë atë që është e drejtë.

6. Si e nxjerr në pah shpërblesa dashurinë e Jehovait? (1 Gjonit 4:9, 10)

6 Shpërblesa na ndihmon të kuptojmë se Jehovai është i drejtë, por mbi gjithçka na ndihmon të kuptojmë sa e thellë është dashuria e tij për ne. (Gjoni 3:16; lexo 1 Gjonit 4:9, 10.) Jehovai e pagoi shpërblesën sepse dëshiron të shijojmë jetën pa fund dhe të jemi pjesë e familjes së tij. Të mendojmë për këtë: kur Adami mëkatoi, Jehovai e dëboi nga familja e adhuruesve të Tij. Si pasojë, kur lindëm, asnjë nga ne nuk ishte pjesë e familjes së Perëndisë. Prapëseprapë, në bazë të shpërblesës, Jehovai na i fal mëkatet. E një ditë, të gjithë njerëzit që tregojnë besim tek ai e i binden, do të bëhen pjesë e familjes së tij. Madje që sot kemi mundësi të gëzojmë një miqësi të ngrohtë me Jehovain dhe me vëllezërit e motrat. Vërtet, Jehovai na do nga thellësia e zemrës!—Rom. 5:10, 11.

7. Si e tregojnë vuajtjet e Jezuit sa shumë na do Jehovai?

7 Mund ta kuptojmë më mirë sa fort na do Jehovai nëse mendojmë sa shtrenjtë i kushtoi shpërblesa. Satanai pretendon se asnjë shërbëtor i Perëndisë nuk do t’i qëndrojë besnik Atij kur kjo të jetë një sfidë. Që të përgënjeshtrohej kjo akuzë, Jehovai lejoi që Jezui të vuante para se të vdiste. (Jobi 2:1-5; 1 Pjet. 2:21) Jehovai pa si e tallën Jezuin kundërshtarët fetarë, si e rrahën ushtarët dhe si e gozhduan në një shtyllë. Pastaj pa se si Biri i tij i shtrenjtë vdiq në një mënyrë tmerrësisht të dhimbshme. (Mat. 27:28-31, 39) Jehovai kishte fuqinë t’i ndalte në çdo moment të gjitha këto. Për shembull, kur kundërshtarët thanë «le ta shpëtojë [Perëndia] tani, nëse e miraton», Jehovai mund të kishte bërë tamam ashtu. (Mat. 27:42, 43) Mirëpo, po të ndërhynte, nuk do të paguhej asnjë shpërblesë dhe ne s’do të kishim kurrfarë shprese. Ndaj Jehovai lejoi që Biri i tij të vuante derisa dha frymë.

8. A ndjeu dhimbje Jehovai ndërsa shihte Birin e vet të vuante? Shpjegoni. (Shih edhe figurën.)

8 Të mos mendojmë se, meqë është i plotfuqishëm, Perëndia nuk ka ndjenja. Përderisa na krijoi sipas imazhit të tij, me aftësinë që të provojmë ndjenja të ndryshme, është logjike që edhe vetë Jehovai të ketë ndjenja. Bibla flet për raste kur ai ‘u lëndua’ dhe ‘iu copëtua zemra’. (Psal. 78:40, 41) Të kujtojmë edhe historinë e Abrahamit dhe Isakut. Abrahami mori urdhrin të flijonte birin e vetëm. (Zan. 22:9-12; Hebr. 11:17-19) A i përfytyron dot gjithë ndjenjat që duhet ta kenë kapluar ndërsa përgatitej t’i ngulte thikën Isakut për ta vrarë? Sa më shumë duhet të jetë copëtuar zemra e Jehovait teksa shihte si ia torturuan dhe ia vranë mizorisht të Birin!—Shih në jw.org videon Imitoni besimin e tyre—Abrahami (Pjesa 2).

Jehovait i pikonte në shpirt tek shihte Birin e tij të vuante (Shih paragrafin 8)


9. Sa e thellë është dashuria e Jehovait për ty dhe për ata që e adhurojnë krah teje? (Romakëve 8:32, 38, 39)

9 Shpërblesa na mëson se askush nuk na do aq shumë sa Jehovai—as edhe njeriu ynë më i afërt ose miku më i ngushtë. (Lexo Romakëve 8:32, 38, 39.) E mund të jemi absolutisht të sigurt se Jehovai na do më shumë nga ç’e duam veten. A ke dëshirë të jetosh përgjithmonë? Jehovai e dëshiron këtë shumë më tepër se ti. A ke dëshirë të të falen mëkatet? Jehovai dëshiron shumë më tepër të të falë. Gjithë sa kërkon ai është ta pranojmë me mirënjohje shpërblesën, këtë dhuratë kaq të çmuar, duke treguar besim dhe duke iu bindur. Shpërblesa është një shprehje e fuqishme e dashurisë së Perëndisë. E në botën e re do të mësojmë akoma më tepër për dashurinë e Jehovait.—Ekl. 3:11.

Ç’NA MËSON SHPËRBLESA PËR JEZUIN

10. (a) Çfarë i shkaktonte më shumë dhimbje Jezuit kur mendonte për ekzekutimin e vet? (b) Në cilat mënyra e shfajësoi Jezui emrin e Jehovait? (Shih edhe kutinë « Integriteti i Jezuit shfajësoi emrin e Jehovait».)

10 Jezui ka merak të madh për reputacionin e Atit të tij. (Gjoni 14:31) Jezuit i dhimbte në shpirt kur mendonte se akuzat kundër tij për blasfemi dhe kryengritje mund të njollosnin emrin e Atit. Ja pse u lut: «Ati im, nëse është e mundur, le të mos pi nga kjo kupë.» (Mat. 26:39) Duke mbajtur integritetin ndaj Jehovait deri në vdekje, Jezui e shfajësoi një herë e mirë emrin e Atit të tij.

11. Si e tregoi Jezui se i do nga zemra njerëzit? (Gjoni 13:1)

11 Shpërblesa na mëson edhe se Jezui merakoset me gjithë zemër për njerëzit, sidomos për dishepujt e tij. (Prov. 8:31; lexo Gjonin 13:1.) Për shembull, ai e dinte se disa aspekte të shërbimit të tij në tokë do të ishin goxha sfiduese, sidomos vdekja në mënyrë të dhimbshme. Gjithsesi, nuk e kreu shërbimin në tokë thjesht nga ndjenja e detyrës ose mekanikisht. Përkundrazi, Jezui dha gjithë shpirtin ndërsa u predikonte, i mësonte dhe u shërbente të tjerëve. Madje edhe ditën e vdekjes gjeti kohë t’u lante këmbët apostujve të vet dhe t’i mësonte e t’u jepte zemër. (Gjoni 13:12-15) Pastaj, ndërsa ishte i gozhduar në shtyllë, i dha shpresë kriminelit që po vdiste krah tij, si edhe u interesua që nënës së vet të mos i mungonte kujdesi i duhur pasi ai të vdiste. (Luka 23:42, 43; Gjoni 19:26, 27) Pra Jezui e tregoi se i do nga zemra njerëzit jo vetëm duke vdekur për ta, por edhe me mënyrën si i trajtoi gjatë jetës në tokë.

12. Çfarë sakrificash po bën Jezui sot për ne?

12 Edhe pse dha jetën «një herë e mirë», Krishti akoma po bën sakrifica për ne. (Rom. 6:10) Çfarë sakrificash? Ai vazhdon të shpenzojë kohë dhe energji, në mënyrë që ne të gëzojmë të mirat që ka bërë të mundura shpërblesa. Mendo sa shumë po bën për ne: po shërben si Mbreti ynë, si Kryeprift dhe si kreu i kongregacionit. (1 Kor. 15:25; Efes. 5:23; Hebr. 2:17) Duhet të drejtojë punën që bëhet për të mbledhur të mirosurit dhe shumicën e madhe, e cila do të përfundojë para se të marrë fund shtrëngimi i madh. b (Mat. 25:32; Mar. 13:27) Veç kësaj, kujdeset që skllavi besnik të na japë ushqimin e nevojshëm për të pasur besim të fortë në këto ditë të fundit. (Mat. 24:45) E Jezui do të vazhdojë të na shërbejë pa u kursyer gjatë gjithë Mbretërimit të tij Mijëvjeçar. Po, Jehovai e dha plotësisht Birin e tij për ne!

VAZHDO TË GËRMOSH PËR XHEVAHIRE

13. Si mund të të ndihmojë meditimi që ta shohësh më qartë sa të duan Perëndia dhe Krishti?

13 Nëse mediton vazhdimisht rreth asaj që kanë bërë për ty Perëndia Jehova dhe Krishti Jezu, do ta shohësh gjithnjë e më qartë sa e thellë është dashuria e tyre për ty. Ndoshta gjatë periudhës së Përkujtimit mund të lexosh me vëmendje një a më shumë nga ungjijtë. Mos u përpiq të lexosh tepër material. Më mirë merre shtruar dhe mundohu të dallosh arsye të reja pse duhet t’i duam Jehovain dhe Jezuin. Pastaj tregojua edhe të tjerëve ato që mësove.

14. Si mund të na ndihmojnë kërkimet të mësojmë gjithnjë e më shumë për shpërblesën dhe për të vërteta të tjera? (Psalmi 119:97 dhe shënimi; shih edhe figurën.)

14 Në qoftë se ke shumë vjet në të vërtetën, mbase vret mendjen nëse mund të mësosh akoma gjëra të reja për tema kaq të njohura sa drejtësia e Perëndisë, dashuria e tij dhe shpërblesa. Në fakt, gjërat e reja që mund të mësojmë për këto e për tema të tjera s’kanë fund. Çfarë mund të bësh, atëherë? Gërmo sa më shumë në minierën e pasur të informacioneve që gjendet në botimet tona. Kur të hasësh vargje që nuk i kupton mirë, bëj kërkime. Pastaj bluaje në mendje gjatë ditës atë që studiove, si edhe çfarë zbulove për Jehovain, Birin e tij dhe dashurinë që kanë për ty.—Lexo Psalmin 119:97 dhe shënimin.

Edhe nëse kemi shumë vjet në të vërtetën, mund ta thellojmë mirënjohjen për shpërblesën (Shih paragrafin 14)


15. Pse duhet të vazhdojmë të gërmojmë në Bibël për xhevahire?

15 Mos u shkurajo nëse nuk zbulon diçka të re ose entuziazmuese sa herë që ulesh të lexosh a të bësh kërkime. Mendoje veten si një njeri që po kërkon ar. Ai duhet të punojë me durim për orë a ditë të tëra derisa të gjejë një copëz të vogël ari. Gjithsesi nuk heq dorë, sepse çdo thërrime ari është e çmuar për të. Sa më i çmuar është çdo xhevahir që zbulon ti në faqet e Biblës! (Psal. 119:127; Prov. 8:10) Prandaj ji i duruar dhe vazhdo të gërmosh për xhevahire ndërsa ndjek programin personal për leximin e Biblës.—Psal. 1:2.

16. Si mund t’i imitojmë Jehovain dhe Jezuin?

16 Ndërsa studion, përpiqu të dallosh mënyra si t’i vësh në praktikë ato që mëson. Për shembull, imito drejtësinë e Jehovait duke i trajtuar të tjerët me paanësi. Imito dashurinë e Jezuit për Atin e tij dhe të tjerët duke qenë i gatshëm të vuash për emrin e Jehovait dhe duke dhënë nga vetja për të mirën e bashkëbesimtarëve. Gjithashtu, imitoje Jezuin duke u dëshmuar të tjerëve, që edhe ata të kenë mundësi të tregojnë mirënjohje për shpërblesën, këtë dhuratë të vyer nga Jehovai.

17. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

17 Sa më e thellë të jetë njohuria dhe çmueshmëria për shpërblesën, aq më shumë do të na thellohet dashuria për Jehovain dhe Birin e tij. Si rezultat, edhe ata do të na duan akoma më fort. (Gjoni 14:21; Jak. 4:8) Prandaj të vazhdojmë të mësojmë për shpërblesën duke përdorur mirë çdo mjet që na siguron Jehovai. Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë disa bekime që vijnë falë shpërblesës dhe si mund të tregojmë mirënjohje nga zemra për dashurinë e Jehovait.

KËNGA 107 Modeli i praruar i dashurisë

a SHPJEGIMI I FJALËS: Të meditosh do të thotë të përqendrohesh dhe ta bluash mirë në mendje diçka ose ta shqyrtosh me imtësi.

b Mbledhja e ‘gjërave në qiej’, për të cilën flet Pavli tek Efesianëve 1:10, ndryshon nga mbledhja e ‘të zgjedhurve’ që përmend Jezui te Mateu 24:31 dhe te Marku 13:27. Pavli e ka fjalën për kohën kur Jehovai zgjedh bijtë e tij që do të qeverisin me Jezuin, duke i mirosur me frymë të shenjtë. Kurse Jezui e ka fjalën për kohën kur të mirosurit e mbetur në tokë mblidhen në qiell gjatë shtrëngimit të madh.