Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 5

KËNGA 108 Jehova, je plot dashuri besnike

Bekimet që vijnë falë dashurisë së Jehovait

Bekimet që vijnë falë dashurisë së Jehovait

«Krishti Jezu erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët.»1 TIM. 1:15.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Si na sjell dobi shpërblesa dhe si mund t’ia shprehim Jehovait mirënjohjen për të.

1. Si mund t’ia gëzojmë zemrën Jehovait?

 IMAGJINO sikur i dhuron një njeriut tënd të dashur diçka të bukur e praktike. Patjetër që do të mërziteshe sikur thjesht ta mbyllte diku atë dhuratë e ta harronte fare. Nga ana tjetër, s’do mend që do të të bëhej qejfi nëse do ta përdorte dhuratën e do të të falënderonte. Si lidhet kjo me shpërblesën? Jehovai ka dhënë Birin e vet për ne. Kushedi sa i gëzon zemra kur tregojmë mirënjohje për këtë dhuratë të vyer dhe për dashurinë që e shtyu të siguronte shpërblesën!—Gjoni 3:16; Rom. 5:7, 8.

2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Mirëpo, me kalimin e kohës, mund të fillojë të na zbehet çmueshmëria për shpërblesën. Kjo do të ishte si ta mbanim mbyllur diku këtë dhuratë nga Perëndia. Ndonëse jemi të kënaqur që e kemi dhuratën e shpërblesës, e mbajmë larg syve. Që të mos e lejojmë këtë, duhet ta përtërijmë vazhdimisht mirënjohjen për atë që kanë bërë Perëndia dhe Krishti për ne. Ky artikull do të na vijë në ndihmë. Do të shqyrtojmë bekimet që na sjell shpërblesa sot dhe bekimet që do të na sjellë në të ardhmen. Do të shohim edhe si mund ta tregojmë mirënjohjen për dashurinë e Jehovait, sidomos gjatë periudhës së Përkujtimit.

BEKIMET E SOTME

3. Cila është një mënyrë si nxjerrim dobi qysh sot nga shpërblesa?

3 Ne po nxjerrim dobi që sot nga flijimi shpërblyes i Krishtit. Për shembull, në bazë të shpërblesës, Jehovai na fal mëkatet. Ai nuk është i detyruar ta bëjë këtë, por ka dëshirë të na falë. Psalmisti këndoi plot mirënjohje: «Se ti, o Jehova, je i mirë dhe mezi pret të falësh.»—Psal. 86:5; 103:3, 10-13.

4. Për cilët e siguroi Jehovai shpërblesën? (Luka 5:32; 1 Timoteut 1:15)

4 Disa ndoshta ndihen sikur nuk e meritojnë që Jehovai t’i falë. Ç’është e vërteta, të gjithë jemi të padenjë për faljen e Jehovait. Apostulli Pavël e kuptonte se ‘nuk ishte i denjë të quhej apostull’. Prapëseprapë tha: «Falë mirësisë së pamerituar të Perëndisë jam ky që jam.» (1 Kor. 15:9, 10) Kur pendohemi për mëkatet tona, Jehovai na fal. Pse? Jo ngaqë e meritojmë, por ngaqë na do. Nëse të mundojnë ndjenjat e pavlefshmërisë, mos harro se Jehovai nuk e siguroi shpërblesën për njerëzit pa mëkat, por për mëkatarët e penduar.—Lexo Lukën 5:32; 1 Timoteut 1:15.

5. A duhet të mendojmë se na takon që Jehovai të na tregojë mëshirë? Shpjegoni.

5 Asnjë nga ne nuk duhet të mendojë se i takon që Jehovai t’i tregojë mëshirë, edhe sikur të ketë vite në shërbimin e tij. Natyrisht, Jehovai e çmon besnikërinë që kemi treguar në rrjedhën e viteve. (Hebr. 6:10) Ama ai na e dha Birin e vet si dhuratë, jo si pagesë për shërbimin tonë. Po të mendojmë se e meritojmë që Jehovai të na tregojë mëshirë ose konsideratë të veçantë, është si të mendojmë se Krishti vdiq më kot.—Krahaso Galatasve 2:21.

6. Pse Pavli punonte fort në shërbimin e Jehovait?

6 Pavli e dinte se, sado të përpiqej në shërbim, Perëndia nuk ishte i detyruar ta falte. Atëherë, pse punonte aq fort? Që të tregonte mirënjohje për mirësinë e pamerituar të Jehovait, jo për ta fituar mëshirën e tij. (Efes. 3:7) Ashtu si Pavli, ne vazhdojmë të shërbejmë me zell, jo për ta fituar mëshirën e Jehovait, por për t’i shprehur mirënjohjen që është kaq i mëshirshëm me ne.

7. Cila është një mënyrë tjetër si na sjell dobi sot shpërblesa? (Romakëve 5:1; Jakovi 2:23)

7 Një mënyrë tjetër si nxjerrim dobi që sot nga shpërblesa është se mund të kemi një marrëdhënie të ngushtë personale me Jehovain. a Siç u përmend në artikullin e kaluar, kur lindëm, ne nuk ishim miq të Perëndisë. Por falë shpërblesës, mund të gëzojmë «paqe me Perëndinë» dhe të bëhemi miq me të.—Lexo Romakëve 5:1; Jakovin 2:23.

8. Pse duhet t’i jemi mirënjohës Jehovait për privilegjin e lutjes?

8 Të ndalemi vetëm te një aspekt i marrëdhënies sonë me Jehovain—te privilegji i lutjes. Jehovai dëgjon jo vetëm lutjet që i bëjnë shërbëtorët e tij kur mblidhen së bashku, por edhe lutjet që i bën secili nga ne. Lutja mund të na dhurojë qetësi në zemër dhe paqe mendore, ama nuk është thjesht terapi për zemrën dhe mendjen. Ajo mund të na thellojë miqësinë me Perëndinë. (Psal. 65:2; Jak. 4:8; 1 Gjon. 5:14) Kur ishte në tokë, Jezui lutej shpesh sepse ishte i sigurt se Jehovai e dëgjonte dhe se, nëpërmjet lutjeve, do ta mbante të fortë miqësinë me Atin e tij. (Luka 5:16) Sa mirënjohës jemi që falë flijimit të Jezuit, mund të jemi miq të Jehovait e madje mund të flasim me Të në lutje!

BEKIMET E SË ARDHMES

9. Çfarë bekimi do të gëzojnë në të ardhmen shërbëtorët besnikë të Jehovait falë shpërblesës?

9 Çfarë bekimi do të gëzojnë në të ardhmen shërbëtorët besnikë të Jehovait falë shpërblesës? Do të shijojnë jetën e pafund. Shumë vetave u duket e pamundur kjo, sepse njerëzit kanë vdekur prej mijëra vjetësh, gjatë gjithë historisë. Sidoqoftë, në fillim qëllimi i Jehovait ishte që njerëzit të jetonin përgjithmonë. Sikur Adami të mos kishte mëkatuar, askush nuk do të mendonte se jeta e përhershme është tepër e bukur për të qenë e vërtetë. E ndonëse sot jeta e pafund mund të duket e paimagjinueshme, po kështu është edhe çmimi që pagoi Jehovai për të na e dhënë sërish këtë perspektivë—jeta e Birit të tij të shtrenjtë.—Rom. 8:32.

10. Çfarë presin me padurim të mirosurit dhe delet e tjera?

10 Edhe pse jeta e përhershme është një bekim i së ardhmes, Jehovai do që të mendojmë për të qysh tani. Të mirosurit e dëshirojnë me zjarr jetën aq domethënëse që do të bëjnë në qiell kur të qeverisin tokën përkrah Krishtit. (Zbul. 20:6) Delet e tjera mezi presin të jetojnë në një tokë parajsore, të lirë nga çdo dhimbje e brengë. (Zbul. 21:3, 4) A je mes deleve të tjera që kanë shpresën të jetojnë pafundësisht në tokë? Ky nuk është aspak një shpërblim i dorës së dytë! Jehovai i krijoi njerëzit për të jetuar në tokë, ndaj jeta e përhershme këtu do të na bëjë pambarimisht të lumtur.

11-12. Cilat janë disa bekime të Parajsës që i presim plot emocion? (Shih edhe figurën.)

11 Imagjino si do të jetë jeta jote në tokën parajsore. Do të jesh çliruar plotësisht nga frika e sëmundjeve ose e vdekjes. (Isa. 25:8; 33:24) Jehovai do të t’i plotësojë dorëhapur dëshirat e zemrës. Për çfarë do të doje të mësoje më shumë? Për kafshët e zogjtë? Për fizikën a kiminë? Për muzikën? Për artin? Pa dyshim, në parajsë do të kemi nevojë për arkitektë, ndërtues dhe fermerë. E doemos që do të jetë e nevojshme edhe të bëjmë punë të tilla, si të ndihmojmë në mirëmbajtje, të përgatisim ushqim, të bëjmë vegla pune ose të mbjellim kopshte e të kujdesemi për to. (Isa. 35:1; 65:21) Kur përpara teje të shtrihet gjithë përjetësia, do të kesh kohë që t’i zhvillosh tërë këto aftësi e sa e sa të tjera.

12 E çfarë lumturie do të jetë të presësh krahëhapur ata që do të kthehen në jetë! (Vep. 24:15) Përfytyro edhe ç’kënaqësi do të ndiesh ndërsa e njeh më mirë Jehovain duke eksploruar veprat e shumta të krijimit! (Psal. 104:24; Isa. 11:9) Mbi të gjitha, çfarë ndjenje e papërshkrueshme do të jetë ta adhurosh Jehovain pa të brejtur asnjë ndjenjë faji! A do t’i këmbeje këto bekime të së ardhmes me «kënaqësitë e përkohshme të mëkatit»? (Hebr. 11:25) Kurrën e kurrës! Për këto bekime ia vlen çdo sakrificë që na duhet të bëjmë sot. Mos harro, toka parajsore nuk do të jetë gjithmonë një shpresë e së ardhmes. Ajo do të bëhet në fund realiteti ynë i përditshëm. Asgjë nga këto nuk do të ishte e mundur nëse Jehovai nuk do të na kishte dashur aq shumë, sa të na dhuronte Birin e vet!

Cilat bekime të Parajsës t’i do më shumë shpirti? (Shih paragrafët 11-12)


TREGO SA E ÇMON DASHURINË E JEHOVAIT

13. Si mund ta tregojmë mirënjohjen për dashurinë e Jehovait? (2 Korintasve 6:1 dhe shënimi)

13 Si mund t’ia tregojmë Jehovait mirënjohjen e thellë për shpërblesën? Duke e bërë shërbimin e tij qendrën e jetës sonë. (Mat. 6:33) Në fund të fundit, Jezui vdiq «me qëllim që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për veten, por për atë që vdiq për ta dhe u ngrit nga të vdekurit». (2 Kor. 5:15) Sigurisht, nuk duam ta pranojmë mirësinë e pamerituar të Jehovait pa e përmbushur qëllimin e saj.—Lexo 2 Korintasve 6:1 dhe shënimin.

14. Si mund të tregojmë besim te drejtimi i Jehovait?

14 Mund ta tregojmë se e çmojmë dashurinë e Jehovait edhe duke i besuar drejtimit që na jep. Për shembull, kur na duhet të vendosim për sa vite arsimim kemi nevojë a nëse duhet ta pranojmë një punë të caktuar, duhet të peshojmë mirë çfarë do të donte Jehovai të bënim. (1 Kor. 10:31; 2 Kor. 5:7) Kur e tregojmë besimin me vepra, ndodh diçka e mrekullueshme—besimi ynë te Jehovai dhe miqësia me të hedhin rrënjë më të thella. Po ashtu, na forcohet siguria se shpresa jonë do të bëhet realitet.—Rom. 5:3-5; Jak. 2:21, 22.

15. Si mund ta shprehim mirënjohjen gjatë periudhës së Përkujtimit?

15 Ka edhe një mënyrë tjetër si të shprehim mirënjohje nga zemra për dashurinë e Jehovait: ta përdorim periudhën e Përkujtimit për t’i treguar Jehovait sa e çmojmë shpërblesën. Përveçse të bëjmë plane që ta ndjekim vetë Përkujtimin, të ftojmë edhe të tjerë të bashkohen me ne. (1 Tim. 2:4) Shpjegoju atyre që fton se çfarë ndodh në Përkujtim. Mund të jetë e dobishme t’u tregosh në jw.org videot Pse vdiq Jezui? dhe Të kujtojmë vdekjen e Jezuit. Pleqtë duhet të sigurohen të ftojnë joaktivët. Përfytyro sa gëzim ka në qiell dhe në tokë kur disa dele të humbura të Jehovait i shtyn zemra të kthehen në kopenë e tij! (Luka 15:4-7) Në Përkujtim, le të bëjmë çmos të përshëndesim jo vetëm njëri-tjetrin, por në veçanti ata që vijnë për herë të parë ose pas një kohe të gjatë, në mënyrë që të ndihen të mirëpritur.—Rom. 12:13.

16. Pse duhet të mendojmë si ta zgjerojmë shërbimin gjatë periudhës së Përkujtimit?

16 A mund ta zgjerosh shërbimin gjatë periudhës së Përkujtimit? Kjo është një mënyrë e shkëlqyer si ta shprehim mirënjohjen për gjithë sa kanë bërë Perëndia dhe Krishti për ne. Sa më shumë të japësh në shërbim, aq më shumë do ta ndiesh dorën e Jehovait, e si rezultat do të të forcohet besimi tek ai. (1 Kor. 3:9) Veç kësaj, ndiq programin e leximit të Biblës për Përkujtimin që gjendet te broshura Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë ose te tabela në fletëstudimin për mbledhjen e mesjavës. Madje, mund të vendosësh t’i përdorësh këto vargje nga Bibla për të bërë një projekt studimi.

17. Çfarë ia bën zemrën mal Jehovait? (Shih edhe kutinë « Si ta shprehësh mirënjohjen për dashurinë e Jehovait».)

17 Natyrisht, rrethanat mbase nuk të lejojnë të bësh çdo gjë që sugjerohet në këtë artikull. Sidoqoftë, mos harro se Jehovai nuk sheh sa po jep në krahasim me të tjerët; ai sheh çfarë ke në zemër. Jehovait i bëhet zemra mal kur ti shpreh mirënjohje të thellë për dhuratën e tij të çmuar, shpërblesën.—1 Sam. 16:7; Mar. 12:41-44.

18. Pse u jemi mirënjohës Perëndisë Jehova dhe Jezu Krishtit?

18 Vetëm falë shpërblesës është e mundur të na falen mëkatet, të jemi miq me Jehovain dhe të kemi shpresën e jetës pa fund. Le të tregojmë përherë mirënjohje për dashurinë e Jehovait, e cila e shtyu të na derdhte një lumë bekimesh! (1 Gjon. 4:19) Të tregojmë mirënjohje edhe për Jezuin që na deshi aq shumë, sa dha jetën për ne!—Gjoni 15:13.

KËNGA 154 Dashuria nuk shuhet kurrë

a Jehovai ua fali mëkatet adhuruesve të tij që jetuan para se Krishti të paguante shpërblesën. Këtë mund ta bënte ngaqë ishte i sigurt se Biri i tij do të qëndronte besnik deri në vdekje. Kështu, në sytë e Jehovait shpërblesa quhej e paguar.—Rom. 3:25.