Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 2

KËNGA 132 Një trup ne të dy!

Burra, nderojini gratë tuaja

Burra, nderojini gratë tuaja

«Ju burra, . . . nderojini [gratë].»1 PJET. 3:7.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Si mund të tregojë një burrë me fjalë e me vepra se e nderon gruan e tij.

1. Cila është një arsye pse e themeloi Jehovai martesën?

 JEHOVAI është ‘Perëndia i lumtur’ dhe dëshiron që edhe ne të jemi të lumtur. (1 Tim. 1:11) Ai na ka dhënë shumë dhurata që ta shijojmë jetën. (Jak. 1:17) Një prej tyre është martesa. Kur një burrë dhe një grua martohen, premtojnë se do ta duan, do ta respektojnë dhe do ta çmojnë njëri-tjetrin. E kur e mbajnë të fortë dashurinë, martesa bëhet burim lumturie.—Prov. 5:18.

2. Çfarë ndodh në shumë martesa sot?

2 Mjerisht, sot shumë çifte të martuara e harrojnë premtimin që i kanë bërë njëri-tjetrit ditën e dasmës. Si pasojë, nuk janë të lumtur. Një raport i kohëve të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, tregon se shumë burra ushtrojnë dhunë fizike, verbale dhe psikologjike ndaj grave të tyre. Madje disa, edhe pse mund ta trajtojnë gruan me respekt në sy të të tjerëve, e keqtrajtojnë kur janë në shtëpi. Veç kësaj, shumë burra shohin pornografi, dhe kjo shkakton mjaft tension në martesë.

3. Për ç’arsye mund ta keqtrajtojë një burrë gruan?

3 Për ç’arsye mund ta keqtrajtojë një burrë gruan e vet? Mbase mund të jetë rritur nga një baba i dhunshëm, ndaj mendon se një sjellje e tillë është normale. Disa janë ndikuar nga kultura përreth, që nxit idenë e gabuar se burri «i vërtetë» duhet të përdorë forcë ndaj gruas, për t’i treguar kush komandon në shtëpi. Të tjerë nuk janë mësuar t’i mbajnë nën kontroll emocionet, si për shembull zemërimin. E disa burra kanë pikëpamje të shtrembër për gratë dhe seksin, ngaqë e kanë zakon të shohin pornografi. Gjithashtu, raportet tregojnë se pandemia e COVID-19 i ka rënduar këto probleme. Kuptohet, asnjë nga këto arsye nuk e justifikon sjelljen abuzive të një bashkëshorti.

4. Për çfarë duhet të jenë syçelë bashkëshortët e krishterë, dhe pse?

4 Një burrë që i shërben Perëndisë duhet të jetë syçelë që të mos përvetësojë pikëpamjen që ka bota për gratë. a Pse? Një arsye është se shpesh mendimet çojnë në veprime. Apostulli Pavël i paralajmëroi të krishterët e mirosur në Romë që ‘të mos brumoseshin sipas kallëpit të botës’. (Rom. 12:1, 2) Kur u shkroi romakëve, kongregacioni ishte formuar prej disa vjetësh. Megjithatë, fjalët e Pavlit nënkuptonin se disa në kongregacion ishin ende të ndikuar nga zakonet dhe mentaliteti i botës. Ja pse i nxiti të ndryshonin mënyrën si mendonin dhe sjelljen. Pa dyshim, kjo këshillë vlen edhe për vëllezërit e martuar sot. Mjerisht, disa prej tyre janë ndikuar nga mentaliteti i kësaj bote dhe kanë arritur deri në atë pikë sa abuzojnë me gratë e tyre. b Por, si duhet ta trajtojë një burrë gruan e vet, sipas asaj që thotë Jehovai? Përgjigjen e gjejmë te shkrimi kryesor i këtij artikulli.

5. Sipas 1 Pjetrit 3:7, si duhet ta trajtojë burri gruan?

5 Lexo 1 Pjetrit 3:7. Jehovai i urdhëron burrat t’i nderojnë gratë e tyre. Nderimi ka të bëjë me mënyrën si e trajtojmë dikë që respektojmë. Një burrë që e nderon gruan, tregon dashuri dhe konsideratë për të. Në këtë artikull do të shqyrtojmë si mund ta nderojë një burrë gruan e vet. Por, si fillim do të diskutojmë se cilat sjellje i çnderojnë gratë.

HIDH POSHTË SJELLJET QË E ÇNDEROJNË GRUAN TËNDE

6. Si ndihet Jehovai kur një burrë e dhunon fizikisht të shoqen? (Kolosianëve 3:19)

6 Dhuna fizike. Jehovai urren këdo që është i dhunshëm. (Psal. 11:5) Ai ndien neveri sidomos për burrat që dhunojnë gratë e tyre. (Mal. 2:16; lexo Kolosianëve 3:19.) Sipas shkrimit kryesor të këtij artikulli, 1 Pjetrit 3:7, nëse një burrë nuk e trajton mirë të shoqen, kjo do të ndikojë te miqësia e tij me Perëndinë. Madje, Jehovai as nuk do t’ia dëgjojë lutjet.

7. Sipas Efesianëve 4:31, 32, ç’lloj të foluri duhet të shmangë një burrë? (Shih edhe «Shpjegimi i fjalës».)

7 Dhuna verbale. Disa burra abuzojnë me gratë e tyre duke përdorur një të folur të ashpër dhe lëndues. Mirëpo, Jehovai i urren ‘zemërimin, furinë, të bërtiturat dhe sharjet’. c (Lexo Efesianëve 4:31, 32.) Veshit të tij nuk i shpëton asgjë. Për Jehovain ka shumë rëndësi mënyra si i flet një burrë gruas, qoftë edhe kur janë vetëm në shtëpi. Kur një bashkëshort i flet ashpër gruas, dëmton jo vetëm martesën, por edhe marrëdhënien e tij me Perëndinë.—Jak. 1:26.

8. Si ndihet Jehovai për pornografinë, dhe pse?

8 Pornografia. Si ndihet Jehovai për pornografinë? E urren. Prandaj, një burrë që sheh pornografi, dëmton miqësinë me Jehovain dhe poshtëron gruan e tij. d Jehovai kërkon që një burrë t’i qëndrojë besnik gruas jo vetëm me veprime, por edhe me mendime. Jezui e bëri të qartë se një burrë që sheh me epsh një grua tjetër, tashmë ka kryer kurorëshkelje «në zemër». eMat. 5:28, 29.

9. Pse Jehovai i urren aktet seksuale që poshtërojnë gruan?

9 Aktet seksuale poshtëruese. Disa burra u bëjnë presion grave që të përfshihen në akte seksuale që i bëjnë të ndihen të pavlera, u ulin dinjitetin ose u trazojnë ndërgjegjen. Jehovai i urren sjellje të tilla egoiste, që nuk tregojnë konsideratë për ndjenjat e bashkëshortes. Ai pret që një burrë ta dojë gruan, ta çmojë dhe të marrë parasysh ndjenjat e saj. (Efes. 5:28, 29) Po nëse një bashkëshort i krishterë e keqtrajton gruan, e detyron të bëjë akte seksuale poshtëruese ose sheh pornografi? Si mund ta ndryshojë mënyrën si mendon dhe vepron?

SI TË HEQËSH DORË NGA SJELLJET ÇNDERUESE

10. Si nxjerrin dobi burrat nga shembulli i Jezuit?

10 Çfarë mund ta ndihmojë një burrë të heqë dorë nga sjellja abuzive dhe poshtëruese? Ai mund të përpiqet të imitojë Jezuin. Edhe pse Jezui nuk u martua kurrë, mënyra si i trajtoi dishepujt shërben si model për mënyrën si duhet ta trajtojë një burrë gruan. (Efes. 5:25) Për shembull, shqyrto ç’mund të mësojnë burrat nga mënyra si sillej dhe si fliste Jezui me apostujt.

11. Si i trajtonte Jezui apostujt?

11 Jezui i trajtonte apostujt me dashuri dhe dinjitet. Ai nuk tregohej kurrë i ashpër ose arrogant. Edhe pse ishte Zotëria i tyre, Jezui nuk e shihte të nevojshme të ushtronte autoritetin e tij, duke i bërë të ndiheshin më poshtë. Përkundrazi, u shërbente me përulësi. (Gjoni 13:12-17) Ai u tha: «Mësoni nga unë, se jam me natyrë të butë e i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin.» (Mat. 11:28-30) Jezui ishte me natyrë të butë. Një person i butë nuk është i dobët; përkundrazi, ka aq forcë të brendshme sa të tregojë vetëkontroll. Kur e provokojnë, ruan qetësinë dhe i mban nën kontroll emocionet.

12. Si u fliste Jezui të tjerëve?

12 Jezui i përdorte fjalët për t’i ngushëlluar dhe për t’i freskuar të tjerët. Ai nuk u fliste ashpër dishepujve të tij. (Luka 8:47, 48) Edhe kur kundërshtarët e fyenin dhe përpiqeshin ta provokonin, «nuk e kthente sharjen». (1 Pjet. 2:21-23) Ndonjëherë, madje zgjidhte të qëndronte në heshtje, në vend që t’u kthehej ashpër. (Mat. 27:12-14) Çfarë shembulli i shkëlqyer për bashkëshortët e krishterë!

13. Si «lidhet ngushtë me gruan e vet» një burrë, siç thotë Mateu 19:4-6? (Shih edhe figurën.)

13 Jezui tha se burrat duhet t’u qëndrojnë besnikë grave të tyre. Ai citoi fjalët e Atit të tij kur tha se një burrë ‘duhet të lidhet ngushtë me gruan e vet’. (Lexo Mateun 19:4-6.) Folja greke e përkthyer ‘të lidhesh ngushtë’, fjalë për fjalë do të thotë «të ngjitësh fort». Pra, lidhja martesore mes një burri e një gruaje duhet të jetë mjaft e fortë, sikur të jenë të ngjitur në mënyrë të pandashme me njëri-tjetrin. Po të prishej kjo lidhje, të dy palët do të dëmtoheshin. Një burrë që zhvillon një lidhje të fortë me gruan, hedh poshtë çdo formë pornografie dhe i largon sytë menjëherë «nga gjërat e kota». (Psal. 119:37) Në fakt, ai bën një besëlidhje me sytë e tij, që të mos shohë me dëshirim asnjë grua tjetër përveç bashkëshortes.—Jobi 31:1.

Një burrë besnik refuzon të shohë pornografi (Shih paragrafin 13) g


14. Ç’hapa duhet të bëjë një burrë që keqtrajton gruan për të ndrequr marrëdhënien me të dhe me Jehovain?

14 Një burrë që ushtron dhunë fizike a verbale ndaj gruas, ka nevojë të bëjë disa hapa të tjerë që të ndreqë marrëdhënien me Jehovain dhe me të shoqen. Cilët janë këta hapa? Së pari, duhet ta pranojë që problemi i tij është serioz. Jehovait nuk mund t’i fshehësh asgjë. (Psal. 44:21; Ekl. 12:14; Hebr. 4:13) Së dyti, duhet të ndryshojë sjellje dhe të mos abuzojë më me gruan. (Prov. 28:13) Së treti, duhet të ndiejë keqardhje që ka lënduar të shoqen dhe Jehovain e t’u kërkojë të falur nga zemra. (Vep. 3:19) Gjithashtu, duhet t’i përgjërohet Jehovait që t’i japë dëshirën të ndryshojë dhe ta ndihmojë t’i mbajë nën kontroll mendimet, të folurin dhe veprimet. (Psal. 51:10-12; 2 Kor. 10:5; Filip. 2:13) Së katërti, duhet të veprojë në harmoni me lutjet e tij, duke mësuar të urrejë të gjitha format e dhunës dhe të të folurit abuziv. (Psal. 97:10) Së pesti, duhet të kërkojë menjëherë ndihmën e barinjve të dashur në kongregacion. (Jak. 5:14-16) Së gjashti, duhet të krijojë një strategji që do ta ndihmojë të mos sillet më në një mënyrë të tillë në të ardhmen. Të njëjtët hapa duhet të ndjekë edhe një burrë që sheh pornografi. Jehovai ka për t’i bekuar përpjekjet e tij për të ndryshuar. (Psal. 37:5) Megjithatë, nuk mjafton që një burrë të heqë dorë nga sjelljet çnderuese. Ai duhet edhe të mësojë ta nderojë gruan e vet. Si mund ta bëjë këtë?

SI TA NDEROSH GRUAN

15. Si mund të shfaqë burri përzemërsi për të shoqen?

15 Shfaq përzemërsi. Disa vëllezër që kanë martesë të lumtur, e kanë zakon që çdo ditë të bëjnë diçka për t’i treguar gruas sa shumë e duan. (1 Gjon. 3:18) Një burrë mund t’i shfaqë përzemërsi gruas me gjeste të vogla, si duke i kapur dorën ose duke i dhënë një përqafim të ngrohtë. Mund edhe t’i shkruajë ndonjë mesazh, si për shembull «si po shkon dita?» ose «më mungon». Herë pas here, mund t’ia shprehë dashurinë duke i shkruar një kartolinë me fjalë të zgjedhura. Kur tregon përzemërsi në mënyra të tilla, një bashkëshort tregon nderim për gruan dhe forcon lidhjen martesore.

16. Pse burri duhet ta lavdërojë gruan?

16 Shprehja sa shumë e çmon. Një burrë që e nderon gruan, i jep zemër dhe i tregon sa e çmuar është për të. Një mënyrë si e bën këtë është duke mos harruar t’i shprehë mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme. (Kolos. 3:15) Kur burri e lavdëron sinqerisht, gruas i ngrohet zemra dhe ndihet e sigurt dhe e nderuar.—Prov. 31:28.

17. Si mund të tregojë respekt burri për gruan e tij?

17 Trego konsideratë dhe respekt. Një burrë që e do gruan, ka shumë vlerësim për të. E sheh si një dhuratë të çmuar nga Jehovai. (Prov. 18:22; 31:10) Si rezultat, i tregon konsideratë dhe respekt edhe në aspektet më intime të martesës. Nuk i bën presion që të përfshihet në akte seksuale që e vënë në siklet, që i trazojnë ndërgjegjen ose që e poshtërojnë. f Gjithashtu do të përpiqet të mbajë edhe vetë një ndërgjegje të pastër para Jehovait.—Vep. 24:16.

18. Çfarë duhet të jenë të vendosur të bëjnë bashkëshortët? (Shih edhe kutinë « Katër mënyra si ta respektosh gruan».)

18 Burra, jini të sigurt se Jehovai i sheh dhe i vlerëson përpjekjet tuaja për t’i nderuar bashkëshortet në çdo aspekt të jetës. Jini të vendosur t’i nderoni, duke shmangur sjelljet që i çnderojnë dhe duke u treguar konsideratë, respekt e përzemërsi. Në këtë mënyrë, tregoni se i doni dhe i çmoni si thesar gratë tuaja. Duke i nderuar gratë, do të mbroni marrëdhënien tuaj më të rëndësishme—miqësinë me Jehovain.—Psal. 25:14.

KËNGA 131 ‘Atë që Jehovai e ka bashkuar’

a Burrat do të nxjerrin dobi nga artikulli «A i trajton gratë siç i trajton Jehovai?» në Kullën e Rojës të janarit 2024.

b Viktimat e dhunës në familje mund të nxjerrin dobi nga artikulli «Ndihmë për viktimat e dhunës në familje» në serinë «Tema të tjera», që gjendet në sitin jw.org ose në aplikacionin JW Library®.

c SHPJEGIMI I FJALËS: ‘Sharjet’ përfshijnë nofkat fyese dhe kritikat e vazhdueshme e të ashpra. Çdo i folur keqdashës, poshtërues a fyes, është abuziv ose sharës.

d Shih në jw.org dhe në JW Library artikullin «Pornografia mund të të shkatërrojë martesën».

e Një grua, burri i së cilës shikon pornografi, mund të nxjerrë dobi nga artikulli «Ç’mund të bësh kur bashkëshorti shikon pornografi?» në Kullën e Rojës të gushtit 2023.

f Bibla nuk specifikon se cilat praktika seksuale mes bashkëshortëve duhen konsideruar të pastra ose të papastra. Vendimet që merr një çift i krishterë duhet të pasqyrojnë vendosmërinë e tyre për të nderuar Jehovain, për të kënaqur bashkëshortin dhe për të mbajtur një ndërgjegje të pastër. Në përgjithësi, një çift nuk duhet t’i diskutojë me të tjerët këto aspekte intime të martesës.

g PËRSHKRIMI I FIGURËS: Shokët e punës që nuk janë Dëshmitarë përpiqen t’i tregojnë një vëllai një revistë pornografike.