Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 1

KËNGA 2 Emri yt është Jehova

Jepi lavdi Jehovait

Jepi lavdi Jehovait

SHKRIMI I VITIT 2025: «Jepini Jehovait lavdinë që meriton emri i tij!»PSAL. 96:8.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Të mësojmë si t’i japim Jehovait lavdinë që meriton.

1. Ku përqendrohen shumë veta sot?

 E KE vënë re se shumë njerëz sot janë totalisht të përqendruar te vetja? Për shembull, disa çfarë s’bëjnë në media sociale që të tërheqin vëmendjen te vetja dhe tek arritjet e tyre. Mirëpo, relativisht pak veta i japin lavdi Perëndisë Jehova. Në këtë artikull do të shqyrtojmë çfarë do të thotë t’i japim lavdi Jehovait dhe ç’duhet të na motivojë ta bëjmë këtë. Do të mësojmë edhe si t’i japim Perëndisë lavdinë që i takon dhe si do t’i japë ai lavdi së shpejti emrit të vet.

ÇFARË DO TË THOTË T’I JAPIM LAVDI JEHOVAIT?

2. Si e zbuloi Jehovai lavdinë e vet në malin Sinai? (Shih edhe figurën.)

2 Çfarë është lavdia? Në Bibël, fjala «lavdi» mund të nënkuptojë gjithçka që e bën dikë madhështor. Jehovai ia shfaqi lavdinë e tij të jashtëzakonshme kombit të Izraelit pak pasi e çliroi nga skllavëria e Egjiptit. Përfytyro skenën: miliona izraelitë janë mbledhur rrëzë malit Sinai që të dëgjojnë se ç’ka për t’u thënë Perëndia i tyre. Malin e mbulon një re e dendur, e zezë. Papritur një tërmet i tmerrshëm—që me sa duket shoqërohet me aktivitet vullkanik—shkund tokën nën këmbët e tyre. Ndërkohë bien vetëtima, bubullima dhe dëgjohet një tingull briri shumë i fortë. (Eks. 19:16-18; 24:17; Psal. 68:8) Imagjino sa mahniten izraelitët kur Jehovai u zbulon në mënyrë madhështore lavdinë e tij!

Në malin Sinai, Jehovai u zbuloi në mënyrë madhështore izraelitëve lavdinë e tij (Shih paragrafin 2)


3. Çfarë do të thotë t’i japim lavdi Jehovait?

3 Po ne njerëzit, a mund t’i japim lavdi Jehovait? Pa diskutim që po! Një mënyrë si e bëjmë këtë është duke u treguar të tjerëve për fuqinë e tij të jashtëzakonshme dhe për cilësitë e bukura. I japim lavdi Perëndisë edhe kur i japim meritën për gjithçka që bëjmë falë forcës së tij. (Isa. 26:12) Mbreti David na la një shembull të shkëlqyer në këtë aspekt. Kur u lut para kongregacionit të Izraelit, Davidi i tha Perëndisë: «Të tuat, o Jehova, janë madhështia, fuqia, bukuria, shkëlqimi dhe lavdia, sepse çdo gjë në qiej dhe në tokë është jotja.» Në fund të lutjes, «gjithë kongregacioni nisi të lëvdonte Jehovain».—1 Kron. 29:11, 20.

4. Si i dha lavdi Jezui Jehovait?

4 Kur ishte në tokë, Jezui i dha lavdi Jehovait duke u treguar të tjerëve se Burimi i mrekullive që bënte, ishte Ati i tij. (Mar. 5:18-20) Veç kësaj, e lëvdoi Jehovain me mënyrën si fliste për të dhe si i trajtonte të tjerët. Në një rast, Jezui po mësonte në një sinagogë. Mes të pranishmëve ishte edhe një grua që e kishte pushtuar një demon prej 18 vjetësh. Demoni e kishte kërrusur shumë dhe ajo s’arrinte të drejtohej. Sa e dhimbshme! I shtyrë nga dhembshuria, Jezui iu afrua gruas dhe i tha butësisht: «O grua, je çliruar nga vuajtjet e tua.» Pastaj vuri duart mbi të, dhe në çast ajo u drejtua e «nisi t’i jepte lavdi Perëndisë». Jehovai i riktheu plotësisht shëndetin dhe dinjitetin! (Luka 13:10-13) Gruaja kishte arsye të forta për t’i dhënë lavdi Jehovait, e kjo vlen edhe për ne.

ÇFARË NA MOTIVON T’I JAPIM LAVDI JEHOVAIT?

5. Cilat janë disa arsye pse e respektojmë Jehovain?

5 I japim lavdi Jehovait, sepse e respektojmë thellësisht. Kemi plot arsye për ta respektuar Jehovain. Ai është i plotfuqishëm; ka fuqi të pallogaritshme. (Psal. 96:4-7) Mençuria e tij e pafund shihet qartë te gjërat që ka bërë. Jehovai është Burimi i jetës dhe na siguron gjithçka të nevojshme për të jetuar. (Zbul. 4:11) Ai është besnik. (Zbul. 15:4) Ka sukses në gjithçka që bën dhe i mban përherë premtimet. (Jos. 23:14) Me të drejtë profeti Jeremia tha për Jehovain: «Mes gjithë të mençurve të kombeve dhe mes tërë mbretërive të tyre, askush nuk është si ti.» (Jer. 10:6, 7) Kemi kaq shumë arsye për ta respektuar thellësisht Atin tonë qiellor. Ama Jehovai nuk meriton vetëm respektin tonë—ai meriton edhe dashurinë tonë.

6. Pse e duam Jehovain?

6 I japim lavdi Jehovait, sepse e duam me gjithë shpirt. Të ndalemi pak te disa cilësi që na e shtojnë dashurinë për Jehovain. Ai është i mëshirshëm dhe i dhembshur. (Psal. 103:13; Isa. 49:15) Ka empati; kur vuajmë ne, vuan edhe ai. (Zak. 2:8) Na e ka bërë shumë të lehtë t’i afrohemi e ta kemi Mik. (Psal. 25:14; Vep. 17:27) Është edhe i përulur; «ai përkulet për të vështruar qiellin dhe tokën, për ta ngritur të përvuajturin nga pluhuri». (Psal. 113:6, 7) E kush nga ne nuk do të donte t’i jepte lavdi këtij Perëndie të shkëlqyer?!—Psal. 86:12.

7. Çfarë mundësie të veçantë kemi?

7 I japim lavdi Jehovait, sepse dëshirojmë që ta njohin edhe të tjerët. Shumë njerëz nuk e dinë të vërtetën për Jehovain. Pse? Sepse Satanai ua ka verbuar mendjen, duke përhapur gënjeshtra të tmerrshme për të. (2 Kor. 4:4) Satanai ua ka mbushur mendjen njerëzve se Jehovai është Perëndi hakmarrës, se nuk i bëhet vonë për ne dhe se është shkaktari i shumicës së vuajtjeve që shohim sot në botë. Por ne e dimë si qëndron e vërteta. Dhe kemi mundësinë t’u hapim sytë edhe të tjerëve, e kështu t’i sjellim lavdi Jehovait. (Isa. 43:10) Tema kryesore e Psalmit 96 është t’i japim lavdi Jehovait. Ndërsa shqyrtojmë disa nga fjalët e frymëzuara të këtij psalmi, mendo në cilat mënyra mund t’i japësh Jehovait lavdinë që i takon.

SI T’I JAPIM JEHOVAIT LAVDINË QË MERITON?

8. Cila është një mënyrë si i sjellim lavdi Jehovait? (Psalmi 96:1-3)

8 Lexo Psalmin 96:1-3. Mund t’i japim lavdi Jehovait me fjalët tona. Në këto vargje, adhuruesit e Jehovait nxiten ‘të këndojnë për Jehovain’, ‘të lëvdojnë emrin e tij’, ‘të shpallin lajmin e mirë të shpëtimit që sjell ai’ dhe ‘t’i bëjnë jehonë lavdisë së tij mes kombeve’. Në këtë mënyrë i përdorim fjalët për t’i sjellë lavdi Atit tonë qiellor. Judenjtë besnikë dhe të krishterët e shekullit të parë nuk hezitonin t’u tregonin të tjerëve për gjithë të mirat që kishte bërë Jehovai për ta, si edhe të mbronin reputacionin e tij. (Dan. 3:16-18; Vep. 4:29) Si ta imitojmë shembullin e tyre?

9-10. Çfarë mësojmë nga eksperienca e Anxhelinës? (Shih edhe figurën.)

9 Le të shqyrtojmë rastin e Anxhelinës, a një motër që jeton në Shtetet e Bashkuara. Ajo e mbrojti plot guxim reputacionin e Jehovait në vendin e punës. Si punëtore e re, Anxhelinën e ftuan në një mbledhje ku të sapoardhurit në kompani kishin mundësi t’u tregonin kolegëve diçka për veten. Anxhelina mendoi të shfaqte disa fotografi ku dukej qartë gëzimi që përjeton si Dëshmitare e Jehovait. Mirëpo, pak para se t’i vinte radha, një koleg tha në prezantimin e tij se ishte rritur nga prindër Dëshmitarë të Jehovait. Ai nisi të fliste keq për bindjet tona. Anxhelina thotë: «Gati po më dilte zemra vendit. Por i thashë vetes: ‘A do të lejosh ta përbaltin emrin e Jehovait me gënjeshtra? Apo do t’u tregosh si qëndron e vërteta?’»

10 Kur kolegu mbaroi së foluri, Anxhelina bëri një lutje të shkurtër në heshtje. Pastaj i tha plot respekt: «Fëmijëria jonë është pak a shumë njësoj. Edhe unë jam rritur si Dëshmitare e Jehovait dhe vazhdoj të jem e tillë sot e kësaj dite.» Situata u tensionua, por Anxhelina ruajti qetësinë dhe vazhdoi t’u tregonte kolegëve fotografi të bukura nga evente teokratike, ndërkohë që u shpjegonte me respekt bindjet e saj. (1 Pjet. 3:15) Cili ishte rezultati? Kur Anxhelina mbaroi prezantimin, burri ishte zbutur. Madje pranoi se kishte gjëra që i kujtonte me nostalgji nga Dëshmitarët e Jehovait. Anxhelina shprehet: «Jehovai e meriton t’i dalim në mbrojtje. Është nder të tregojmë të vërtetën për të.» Po njësoj, ne kemi nderin ta lëvdojmë e t’i japim lavdi Jehovait edhe kur të tjerët tregojnë mungesë respekti për të.

Mund t’i sjellim lavdi Jehovait me fjalët tona, me gjërat tona me vlerë dhe me sjelljen tonë (Shih paragrafët 9-10, 12, 14) b


11. Gjatë historisë, si e kanë zbatuar adhuruesit e vërtetë parimin e Psalmit 96:8?

11 Lexo Psalmin 96:8. Mund t’i japim lavdi Jehovait me gjërat tona me vlerë. Adhuruesit e vërtetë e kanë nderuar gjithnjë Jehovain me gjërat e tyre me vlerë. (Prov. 3:9) Për shembull, izraelitët dhanë kontribute për të ndërtuar dhe për të mirëmbajtur tempullin. (2 Mbret. 12:4, 5; 1 Kron. 29:3-9) Disa dishepuj u shërbyen me dashuri Krishtit e apostujve «duke përdorur pasuritë e tyre». (Luka 8:1-3) Gjithashtu, të krishterët e shekullit të parë dhanë ndihma për vëllezërit e motrat që po vuanin nga një zi buke. (Vep. 11:27-29) Edhe ne sot kemi mundësi t’i japim lavdi Jehovait me anë të dhurimeve tona vullnetare.

12. Si i sjellim lavdi Jehovait me dhurimet tona? (Shih edhe figurën.)

12 Le të shohim një ngjarje që tregon si i sjellim lavdi Jehovait me anë të dhurimeve tona. Gjatë vitit 2020 në Zimbabve pati një thatësirë të madhe, dhe miliona njerëzve u rrezikohej jeta nga mungesa e ushqimit. Ndër ta ishte edhe motra jonë, Priska. Pavarësisht nga thatësira, ajo dilte në shërbim çdo të mërkurë dhe të premte siç e kishte zakon, madje edhe gjatë sezonit kur punohej toka. Prandaj fqinjët e vinin në lojë dhe i thoshin: «Ke për të vdekur urie.» Mirëpo Priska u përgjigjej plot siguri: «Jehovai nuk i ka braktisur kurrë shërbëtorët e tij.» S’kaloi shumë dhe ajo mori ndihma nga organizata—ndihma që bëhen të mundura falë dhurimeve tona. Kjo i la pa fjalë disa nga fqinjët, që i thanë: «Perëndia yt s’të ka braktisur kurrë, prandaj duam ta njohim më shumë.» Shtatë prej tyre filluan të ndiqnin mbledhjet e kongregacionit.

Mund t’i sjellim lavdi Jehovait me gjërat tona me vlerë (Shih paragrafin 12) c


13. Si mund t’i japim lavdi Jehovait me sjelljen tonë? (Psalmi 96:9)

13 Lexo Psalmin 96:9. Mund t’i japim lavdi Jehovait me sjelljen tonë. Priftërinjtë që shërbenin në shtëpinë e Jehovait duhej të ishin të pastër fizikisht. (Eks. 40:30-32) Mirëpo akoma më e rëndësishme se pastërtia fizike ishte sjellja e pastër. (Psal. 24:3, 4; 1 Pjet. 1:15, 16) Duhet të përpiqemi me të gjitha forcat ‘të zhveshim personalitetin e vjetër’—mendimet dhe praktikat e papastra. Gjithashtu duhet ‘të veshim personalitetin e ri’—pra të mendojmë e të veprojmë në atë mënyrë që pasqyron personalitetin e bukur të Jehovait. (Kolos. 3:9, 10) Falë ndihmës së Jehovait, edhe njeriu më imoral dhe i dhunshëm mund të ndryshojë e të veshë personalitetin e ri.

14. Çfarë mësojmë nga rasti i Xhekut? (Shih edhe figurën.)

14 Le të ndalemi te historia e Xhekut, një burri të dhunshëm dhe të rrezikshëm, të cilit i kishin vënë nofkën «Demoni». Për shkak të krimeve që kishte kryer, Xhekun e kishin dënuar me vdekje. Por, ndërsa priste kohën kur do të ekzekutohej, pranoi të studionte Biblën me një vëlla që shkonte të predikonte në burg. Pavarësisht nga e kaluara e tij, Xheku zhveshi personalitetin e vjetër dhe pas njëfarë kohe u kualifikua për t’u pagëzuar. Kaq shumë ndryshoi, sa ditën që do të ekzekutohej, disa roja burgu e përshëndetën me lot në sy. Një ushtarak që punonte në burg, tha: «Dikur Xheku ishte i burgosuri më i keq i këtij burgu. Tani është ndër më të mirët.» Një javë pas ekzekutimit të Xhekut, vëllezërit u kthyen për të drejtuar mbledhjen javore në burg dhe takuan një të burgosur që i ndiqte mbledhjet për herë të parë. Çfarë e nxiti të vinte? Atij i kishte lënë mbresa të thella ndryshimi i sjelljes së Xhekut dhe donte të mësonte se ç’duhej të bënte për të adhuruar Jehovain. Është e qartë se mënyra si sillemi, mund t’i sjellë lavdi Atit tonë qiellor.—1 Pjet. 2:12.

Mund t’i sjellim lavdi Jehovait me sjelljen tonë (Shih paragrafin 14) d


SI DO T’I JAPË LAVDI JEHOVAI EMRIT TË TIJ SË SHPEJTI?

15. Si do t’i japë lavdi Jehovai emrit të tij në të ardhmen e afërt? (Psalmi 96:10-13)

15 Lexo Psalmin 96:10-13. Këto vargje të fundit të Psalmit 96 e përshkruajnë Jehovain si Gjykatës të drejtë dhe si Mbret. Si do t’i japë lavdi Jehovai emrit të tij në të ardhmen e afërt? Me anë të gjykimeve të tij. Së shpejti, Jehovai do ta shkatërrojë Babiloninë e Madhe, sepse ka përbaltur emrin e tij të shenjtë. (Zbul. 17:5, 16; 19:1, 2) Disa që do të shohin shkatërrimin e Babilonisë së Madhe, mund të bashkohen me ne në adhurimin e vërtetë. Në fund, në Armagedon, Jehovai do ta asgjësojë krejt sistemin e Satanait, duke i shfarosur të gjithë ata që i kundërvihen e që thonë gënjeshtra për emrin e tij. Ama ka për t’i shpëtuar ata që e duan, që i binden dhe që e kanë për krenari t’i japin lavdi. (Mar. 8:38; 2 Sel. 1:6-10) Pas provës finale në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, Jehovai do ta ketë shenjtëruar plotësisht emrin e tij. (Zbul. 20:7-10) Në atë kohë «njohuria për lavdinë e Jehovait do të vërshojë në tokën mbarë, ashtu si ujërat mbushin detin».—Hab. 2:14.

16. Për çfarë je i vendosur? (Shih edhe figurën.)

16 Ç’kohë emocionuese do të jetë kur çdo njeri në tokë t’i japë Jehovait lavdinë që meriton emri i tij! Por derisa të vijë ajo ditë, le të shfrytëzojmë çdo rast që t’i japim lavdi Perëndisë tonë. Për të theksuar sa e rëndësishme është kjo, Trupi Udhëheqës ka zgjedhur si shkrim të vitit 2025 Psalmin 96:8: «Jepini Jehovait lavdinë që meriton emri i tij!»

Në fund, çdo njeri në tokë do t’i japë Jehovait lavdinë që meriton emri i tij (Shih paragrafin 16)

KËNGA 12 Jehova, Atë i përkryer

a Disa emra janë ndryshuar.

b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Inskenim i eksperiencës së Anxhelinës.

c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Inskenim i eksperiencës së Priskës.

d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Inskenim i eksperiencës së Xhekut.