Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 3

KËNGA 35 Cilat janë gjërat më të rëndësishme në jetë?

Merr vendime që ia gëzojnë zemrën Jehovait

Merr vendime që ia gëzojnë zemrën Jehovait

«Të kesh nderim të thellë për Jehovain, është hapi i parë drejt mençurisë, dhe të njohësh Më të Shenjtin, të jep aftësi për të kuptuar.»PROV. 9:10.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Si t’i përdorim njohurinë, aftësinë për të kuptuar dhe aftësinë dalluese për të marrë vendime të mençura.

1. Çfarë sfide hasim të gjithë?

 ÇDO ditë na duhet të marrim vendime. Disa vendime janë të thjeshta, si çfarë do të hamë për mëngjes ose në ç’orë do të flemë. Ndërsa të tjera janë më të rëndësishme dhe nuk është aq kollaj t’i marrim. Ato mund të ndikojnë te shëndeti e lumturia jonë, te njerëzit tanë të zemrës ose tek adhurimi që i bëjmë Jehovait. Dëshirojmë që vendimet tona të na sjellin dobi neve dhe familjes. Por, mbi të gjitha, shpresojmë që t’i gëzojnë zemrën Jehovait.—Rom. 12:1, 2.

2. Cilët hapa do të të ndihmojnë të marrësh vendime të mençura?

2 Ka më tepër gjasa të marrësh një vendim të mençur nëse (1) merr informacionin e nevojshëm, (2) kupton çfarë mendon Jehovai për një çështje dhe (3) peshon alternativat. Në këtë artikull do të shqyrtojmë këta tre hapa dhe do të shohim si ta stërvitim aftësinë dalluese.—Prov. 2:11.

MERR INFORMACION

3. Ilustroni pse duhet të marrim gjithë informacionin e nevojshëm para se të marrim një vendim.

3 Hapi i parë për të marrë një vendim të mirë është të marrësh informacion. Pse është e rëndësishme kjo? Të imagjinojmë një pacient që shkon të konsultohet me mjekun për një problem serioz me shëndetin. A do të vendoste mjeku çfarë kure t’i jepte pa e vizituar ose pa i bërë disa pyetje? S’do mend që jo. Edhe ti do të marrësh vendime më të mira nëse fillimisht merr gjithë informacionin që të nevojitet. Si ta bësh këtë?

4. Në harmoni me Proverbat 18:13, si mund të marrim informacionin e nevojshëm? (Shih edhe figurën.)

4 Që të kesh informacionin e nevojshëm, shpesh duhet të bësh pyetje. Ta zëmë se të ftojnë në një festë. A duhet të shkosh? Nëse nuk e njeh organizatorin ose nuk e di ç’është planifikuar, të duhet të pyesësh për gjëra, si: «Ku dhe kur do të bëhet festa? Sa veta janë ftuar? Kush do ta mbikëqyrë festën? Kush do të marrë pjesë? Çfarë do të bëhet gjatë festës? A do të ketë pije alkoolike?» Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të të ndihmojnë të marrësh një vendim të mençur.—Lexo Proverbat 18:13.

Merr informacion duke bërë pyetje (Shih paragrafin 4) a


5. Ç’duhet të bësh pasi të kesh të gjitha informacionet e nevojshme?

5 Pasi të kesh informacionet e nevojshme, përpiqu të shohësh tablonë e plotë. Për shembull, si do të veprosh nëse merr vesh se në festë do të ketë njerëz që nuk u binden parimeve të Biblës a se do të shërbehen pije alkoolike pa mbikëqyrje? A ekziston rreziku që ky grumbullim të kthehet në një festë të shfrenuar? (1 Pjet. 4:3) Nga ana tjetër, ç’do të bësh nëse festa të pengon të shkosh në mbledhje ose të dalësh në shërbim? Pasi të shohësh tablonë e plotë, do të jetë më e lehtë të marrësh vendimin e duhur. Mirëpo s’mbaron me kaq. Tani e di çfarë mendon ti për këtë situatë; por çfarë mendon Jehovai?Prov. 2:6.

KUPTO ÇFARË MENDON JEHOVAI

6. Sipas Jakovit 1:5, për çfarë duhet t’i lutemi Jehovait?

6 Lutju Jehovait të të ndihmojë të kuptosh çfarë mendon ai për një çështje. Ai na ka premtuar se do të na japë mençurinë e duhur që të dallojmë nëse i pëlqen një vendim. Jehovai ua jep këtë mençuri «të gjithëve bujarisht dhe pa i kritikuar».—Lexo Jakovin 1:5.

7. Si mund ta kuptosh mendimin e Jehovait për një çështje? Ilustrojeni.

7 Pasi i je lutur Jehovait për drejtim, ji gjithë sy e vesh të dallosh përgjigjen e tij. Ta ilustrojmë: nëse po shkon diku dhe ke humbur rrugën, mbase do t’i kërkoje ndihmë një banori të zonës. Mirëpo, a do të largoheshe para se të të përgjigjej? Normal që jo. Do të dëgjoje me vëmendje çdo fjalë të tij. Po njësoj, pasi t’i jesh lutur Jehovait për mençuri, përpiqu të dallosh përgjigjen e tij duke kuptuar cilat ligje e parime nga Bibla zbatohen në situatën tënde. Për shembull, ndërsa mendon nëse duhet të marrësh pjesë në festën e përmendur më herët, mund të shqyrtosh çfarë thotë Bibla për festat e shfrenuara, për shoqëritë e këqija dhe sa rëndësi ka të vendosim Mbretërinë para preferencave personale.—Mat. 6:33; Rom. 13:13; 1 Kor. 15:33.

8. Ç’të bësh nëse të duhet ndihmë për të gjetur informacionin e nevojshëm? (Shih edhe figurën.)

8 Prapëseprapë, ka raste kur mund të të duhet ndihmë që të gjesh informacionin që po kërkon. Mund të marrësh një mendim të pjekur nga një vëlla a motër me përvojë. Gjithsesi do të nxjerrësh shumë dobi edhe duke bërë vetë kërkime. Do të gjesh një bollëk informacionesh te mjetet tona për studim, si Mjet kërkimesh në botimet e Dëshmitarëve të Jehovait dhe Parime nga Bibla për jetën. Mos harro synimin: të marrësh një vendim që do t’ia gëzojë zemrën Jehovait.

Kupto çfarë mendon Jehovai (Shih paragrafin 8) b


9. Si mund të jemi të sigurt se vendimi ynë do t’ia gëzojë zemrën Jehovait? (Efesianëve 5:17)

9 Si mund të jemi të sigurt se vendimi ynë do t’ia gëzojë zemrën Jehovait? Para së gjithash duhet ta njohim mirë Atin tonë. Bibla thotë: «Të njohësh Më të Shenjtin, të jep aftësi për të kuptuar.» (Prov. 9:10) Vërtet, mund të fitojmë aftësi për të kuptuar teksa njohim cilësitë e Jehovait, qëllimin e tij, si edhe çfarë pëlqen ose urren. Pyet veten: «Me aq sa e njoh Jehovain, cili vendim do t’ia kënaqte zemrën?»—Lexo Efesianëve 5:17.

10. Pse parimet e Biblës janë më të rëndësishme se traditat e familjes ose kultura e vendit?

10 Për t’ia gëzuar zemrën Jehovait, ndonjëherë mund të na duhet të zhgënjejmë njerëzit tanë të dashur. Për shembull, të nisur nga e mira, disa prindër mund të këmbëngulin që vajza e tyre të martohet me dikë që është goxha në gjendje, edhe nëse ai nuk ka miqësi të fortë me Jehovain. Nuk ka asgjë të keqe të duan që vajza të jetë rehat nga ana materiale. Ama kush do ta ndihmojë që të forcojë miqësinë me Perëndinë? Cili është mendimi i Jehovait për këtë çështje? Përgjigjen e gjejmë te Mateu 6:33, ku nxitemi ‘të vazhdojmë të kërkojmë në radhë të parë Mbretërinë’. Edhe pse i nderojmë prindërit dhe i respektojmë njerëzit në komunitetin tonë, meraku ynë kryesor është të bëjmë të lumtur Jehovain.

PESHO ALTERNATIVAT

11. Cila nga cilësitë që përmenden te Filipianëve 1:9, 10 do të të ndihmojë të peshosh alternativat?

11 Pasi ke shqyrtuar parimet e Biblës që përfshihen në vendimin tënd, hapi i radhës është të peshosh alternativat. (Lexo Filipianëve 1:9, 10) Aftësia dalluese do të të ndihmojë të mendosh paraprakisht për rezultatin e secilit vendim. Disa vendime mund të jenë të lehta. Ndërsa vendime të tjera mund të jenë më të vështira. Aftësia dalluese do të të ndihmojë të marrësh vendime të mençura edhe në situata të ndërlikuara.

12-13. Si të ndihmon aftësia dalluese që të zgjedhësh me mençuri punën?

12 Imagjino këtë situatë: po kërkon një punë për të mbajtur familjen dhe ke dy mundësi. Shqyrton gjithë sa di për këto dy punë, si llojin e punës, orarin, kohën që të merr rruga vajtje-ardhje e kështu me radhë. Të dyja punët nuk bien në kundërshtim me parimet e Biblës. Mbase njëra të duket më e mirë, sepse të pëlqen lloji i punës ose pagesa. Megjithatë, para se të marrësh një vendim, të duhet të mbash parasysh edhe faktorë të tjerë.

13 Për shembull, a do të të pengonte ndonjë nga punët të ndiqje mbledhjet e kongregacionit? A do të të merrte kohën që duhet t’ia kushtosh familjes për t’u ndier të lumtur, të sigurt dhe afër Jehovait? Pyetje të tilla do të të ndihmojnë t’i vësh «gjërat më të rëndësishme»—adhurimin e Jehovait dhe nevojat e familjes—para përfitimeve materiale. Atëherë do të marrësh një vendim që do të ketë bekimin e Jehovait.

14. Si na ndihmon aftësia dalluese dhe dashuria të mos i pengojmë të tjerët?

14 Aftësia dalluese na nxit edhe të shqyrtojmë ndikimin që mund të kenë vendimet tona te të tjerët që ‘të mos i pengojmë’. (Filip. 1:10) Kjo është e rëndësishme kur marrim vendime për mënyrën si vishemi e mbahemi. Për shembull, mbase na pëlqen një stil i caktuar për veshjen dhe paraqitjen. Mirëpo, ç’duhet të bëjmë nëse të tjerë brenda a jashtë kongregacionit ndihen të ofenduar? Aftësia dalluese do të na ndihmojë t’i respektojmë ndjenjat e tyre. Dashuria do të na motivojë të kërkojmë interesin ‘e tjetrit’ dhe të jemi modestë. (1 Kor. 10:23, 24, 32; 1 Tim. 2:9, 10) Vetëm atëherë do të marrim një vendim që pasqyron dashuri dhe respekt për të tjerët.

15. Pse nevojitet planifikim para se të zbatosh një vendim të rëndësishëm?

15 Nëse po merr një vendim të rëndësishëm, mendo se çfarë do të të duhet të bësh për ta zbatuar. Jezui na mësoi ‘të llogaritim shpenzimet’. (Luka 14:28) Llogarit sa kohë, pará dhe përpjekje do të të duhen që ta vësh në jetë atë vendim. Në disa raste, mund të konsultohesh me pjesëtarët e familjes që të përcaktoni ç’mund të bëjë secili për ta zbatuar vendimin. Pse është me vlerë ky lloj planifikimi? Sepse mund të zbulosh se vendimi ka nevojë për disa rregullime a se ndoshta një opsion tjetër mund të jetë më praktik. E kur përfshin pjesëtarët e familjes dhe dëgjon idetë e tyre, ata do të jenë më të gatshëm të bashkëpunojnë që vendimi të ketë sukses.—Prov. 15:22.

MERR NJË VENDIM TË SUKSESSHËM

16. Cilët hapa të ndihmojnë të marrësh një vendim që do të ketë sukses? (Shih edhe kutinë « Si të marrësh vendime të mençura».)

16 Nëse i ke ndjekur hapat e mësipërm, je gati të marrësh një vendim të mençur. Ke gjithë informacionin e nevojshëm dhe ke analizuar parimet që do të të ndihmojnë të marrësh një vendim që ia kënaq zemrën Jehovait. Tani mund t’i lutesh Jehovait të të ndihmojë që vendimi të dalë me sukses.

17. Cili është çelësi për të marrë vendime të mira?

17 Edhe nëse shumë nga vendimet që ke marrë në të kaluarën kanë dalë të suksesshme, mos harro se çelësi për të marrë vendime të mira është të mbështetesh te mençuria e Jehovait, jo tek inteligjenca a eksperienca jote. Vetëm ai mund të të japë njohuri, aftësi për të kuptuar dhe aftësi dalluese—aspekte thelbësore të mençurisë. (Prov. 2:1-5) Jehovai mund të të ndihmojë të marrësh vendime që i gëzojnë zemrën.—Psal. 23:2, 3.

KËNGA 28 Miqësia me Jehovain—Gjithçka që zemra do!

a PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një grup motrash e vëllezërish të rinj flasin për një ftesë që u ka ardhur në telefon, që të marrin pjesë në një festë.

b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një nga vëllezërit bën kërkime para se të vendosë nëse do të shkojë në festë.