Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 31

‘Bëhu i palëkundur e i patundur’

‘Bëhu i palëkundur e i patundur’

«Vëllezërit e mi të dashur, bëhuni të palëkundur e të patundur.»—1 KOR. 15:58.

KËNGA 122 Asgjë s’më lëkund!

PËRMBLEDHJE a

1-2. Në ç’kuptim mund të krahasohet me një grataçelë një shërbëtor i Perëndisë? (1 Korintasve 15:58)

 NGA fundi i viteve 70, në Tokio, Japoni, u ndërtua një grataçelë 60-katëshe. Kur shihnin atë ndërtesë që spikaste në horizont, njerëzit vritnin mendjen si do t’u bënte ballë lëkundjeve të shpeshta të tërmeteve. Cili ishte sekreti i saj? Inxhinierët e kishin projektuar në mënyrë të tillë që të ishte e fortë dhe njëkohësisht aq elastike sa të përballonte lëkundjet sizmike. Shërbëtorët e Perëndisë janë si ajo grataçelë. Në ç’kuptim?

2 Një shërbëtor i Perëndisë duhet të mbajë ekuilibrin duke qenë njëkohësisht i palëkundur dhe elastik. Kur është fjala për të përkrahur ligjet dhe standardet e Jehovait, duhet të jetë i fortë e i patundur. (Lexo 1 Korintasve 15:58.) Ai është ‘i gatshëm të bindet’ dhe nuk bën kompromis. Në krahun tjetër, duhet të jetë ‘i arsyeshëm’, ose elastik, sa herë që është e mundur ose e nevojshme. (Jak. 3:17) Një shërbëtor i Jehovait që ka mësuar të ketë këtë pikëpamje të ekuilibruar, nuk do të shkojë në ekstrem duke qenë ose tepër strikt ose tepër tolerant. Në këtë artikull do të shohim si mund të jemi të patundur. Do të shohim edhe pesë taktika që përdor Satanai për të na dobësuar vendosmërinë që të jemi të palëkundur dhe do të mësojmë si t’i rezistojmë.

SI MUND TË JEMI TË PALËKUNDUR?

3. Cilat ligje të Ligjdhënësit Suprem përmenden te Veprat 15:28, 29?

3 Si Ligjdhënësi Suprem, Jehovai i ka dhënë përherë popullit të tij ligje të qarta. (Isa. 33:22) Për shembull, trupi udhëheqës i shekullit të parë theksoi këto tri aspekte në të cilat duhet të qëndrojnë të patundur të krishterët: (1) të hedhin poshtë idhujtarinë e të adhurojnë vetëm Jehovain, (2) të respektojnë ligjin për shenjtërinë e gjakut dhe (3) t’u binden normave të larta morale të Biblës. (Lexo Veprat 15:28, 29.) Si mund të mbajnë qëndrim të patundur në këto tri aspekte shërbëtorët e Perëndisë sot?

4. Si e tregojmë se jemi të përkushtuar vetëm ndaj Jehovait? (Zbulesa 4:11)

4 Hedhim poshtë idhujtarinë dhe adhurojmë vetëm Jehovain. Jehovai i urdhëroi izraelitët t’i përkushtoheshin vetëm atij. (Ligj. 5:6-10) Edhe Jezui e tha qartë përballë tundimit të Djallit se duhet të adhurojmë vetëm Jehovain. (Mat. 4:8-10) Prandaj, ne nuk adhurojmë idhujt ose ikonat. As nuk shohim si idhuj njerëzit duke i trajtuar si të ishin perëndi, qofshin këta krerë fetarë, udhëheqës politikë ose yje të sportit a të artit. Ne jemi në anën e Jehovait dhe adhurojmë vetëm atë që ‘ka krijuar gjithçka’.—Lexo Zbulesën 4:11.

5. Pse i bindemi ligjit të Jehovait për shenjtërinë e jetës dhe të gjakut?

5 Respektojmë ligjin e Jehovait për shenjtërinë e jetës dhe të gjakut. Pse? Sepse Jehovai thotë që gjaku paraqet jetën, e cila është një dhuratë e çmuar prej tij. (Lev. 17:14) Në fillim kur i lejoi njerëzit të hanin mish, Jehovai i urdhëroi të mos e hanin gjakun. (Zan. 9:4) Këtë urdhër e përsëriti kur i dha Izraelit Ligjin e Moisiut. (Lev. 17:10) Gjithashtu, trupit udhëheqës të shekullit të parë i dha drejtimin të nxirrte dekretin që të gjithë të krishterët ‘të vazhdojnë të rrinë larg nga gjaku’. (Vep. 15:28, 29) Ne i bindemi pa u lëkundur këtij urdhri kur marrim vendime për çështje mjekësore. b

6. Çfarë përpjekjesh bëjmë që të jetojmë sipas normave të larta morale të Jehovait?

6 U bindemi një më një normave të larta morale të Jehovait. (Hebr. 13:4) Me një gjuhë të gjallë të figurshme, apostulli Pavël na këshillon ‘t’i bëjmë të vdesin’ gjymtyrët e trupit—pra të marrim masa të forta për të çrrënjosur çdo dëshirë të gabuar. Ne bëjmë kujdes të mos i mbajmë sytë tek asgjë ose të mos veprojmë në një mënyrë që mund të çojë në imoralitet seksual. (Kolos. 3:5; Jobi 31:1) Kur përballemi me një tundim, menjëherë flakim tej çdo mendim ose sjellje që mund të na e dëmtojë miqësinë me Perëndinë.

7. Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë, dhe pse?

7 Jehovai pret ‘të bindemi me gjithë zemër’. (Rom. 6:17) Udhëheqja e tij është gjithmonë për të mirën tonë, dhe ligjet e tij janë të padiskutueshme. (Isa. 48:17, 18; 1 Kor. 6:9, 10) Ne bëjmë çmos t’ia kënaqim zemrën Jehovait dhe të kemi të njëjtin qëndrim si psalmisti, që tha: «Me gjithë zemër kam vendosur që rregullave të tua t’u bindem përherë, derisa të kem frymë.» (Psal. 119:112) Mirëpo, Satanai do të orvatet të na e dobësojë këtë vendosmëri. Çfarë taktikash përdor?

SI PËRPIQET SATANAI TË NA E DOBËSOJË VENDOSMËRINË?

8. Si e përdor Satanai përndjekjen për të na thyer?

8 Përndjekjet. Djalli përpiqet të na thyejë nëpërmjet sulmeve fizike dhe presioneve emocionale. Qëllimi i tij është ‘të na gllabërojë’, të na shkatërrojë marrëdhënien me Jehovain. (1 Pjet. 5:8) Në shekullin e parë, të krishterët i kërcënonin, i rrihnin dhe i vrisnin ngaqë ishin të vendosur të qëndronin të patundur. (Vep. 5:27, 28, 40; 7:54-60) Satanai vazhdon t’i përdorë edhe sot përndjekjet. Kjo shihet qartë te trajtimi brutal i vëllezërve e motrave në Rusi e në vende të tjera. Gjithashtu, shumë bashkëbesimtarë hasin përndjekje në mënyra të ndryshme.

9. Përmendni një shembull që tregon se duhet të ruhemi nga presionet tinëzare.

9 Presionet tinëzare. Përveç sulmeve ballore, Satanai përdor edhe ‘intriga’. (Efes. 6:11) Të marrim shembullin e një vëllai që quhej Robert, i cili ishte shtruar në spital për një operacion delikat. Ai i njoftoi mjekët se nuk do të pranonte në asnjë mënyrë transfuzion gjaku. Kirurgu ra dakord ta respektonte vendimin e tij. Mirëpo natën para operacionit, pasi familja e Robertit u largua, shkoi ta takonte anestezisti. Ai i tha se kishte shumë të ngjarë që nuk do t’i jepnin gjak, por do ta mbanin gati për çdo rast. Mbase mjeku mendonte se Roberti do të ndërronte mendje kur të mos e kishte familjen pranë. Por Roberti qëndroi i palëkundur dhe tha se nuk do të pranonte gjak në asnjë rrethanë.

10. Pse arsyetimet njerëzore janë një kurth? (1 Korintasve 3:19, 20)

10 Arsyetimet njerëzore. Po t’i shohim gjërat nga këndvështrimi njerëzor, Jehovai dhe standardet e tij mund të dalin komplet jashtë tablosë. (Lexo 1 Korintasve 3:19, 20.) «Mençuria e kësaj bote» shpesh u bën thirrje dëshirave egoiste. Disa të krishterë në Pergam dhe Tiatirë përvetësuan pikëpamjet idhujtare dhe imorale që ishin goxha të përhapura në ato qytete. Jezui u dha këshilla të forta të dyja kongregacioneve ngaqë toleronin imoralitetin seksual. (Zbul. 2:14, 20) Sot përballemi me presione për të përvetësuar ide të gabuara. Familjarët dhe të njohurit mund t’u bëjnë thirrje ndjenjave tona për të na nxitur të bëjmë kompromis. Për shembull, ata mund të thonë se s’ka ndonjë të keqe të dorëzohemi para dëshirave tona dhe se normave morale të Biblës u ka ikur koha.

11. Çfarë nuk duhet të bëjmë ndërsa qëndrojmë të patundur?

11 Mbase ndonjëherë mund të arsyetojmë se drejtimi që na jep Jehovai nuk është mjaft i qartë. Madje mund të tundohemi ‘të shkojmë përtej gjërave të shkruara’. (1 Kor. 4:6) Krerët fetarë në kohën e Jezuit bënë pikërisht këtë gabim, duke i shtuar Ligjit rregulla të sajuara vetë. Kështu u ngarkuan një barrë të rëndë njerëzve. (Mat. 23:4) Nëpërmjet Shkrimeve dhe organizatës së tij, Jehovai na jep drejtim të qartë. Nuk ka asnjë arsye t’u shtojmë diçka udhëzimeve që jep ai. (Prov. 3:5-7) Prandaj ne nuk shkojmë përtej asaj që është shkruar në Bibël, e as vendosim rregulla për bashkëbesimtarët kur bëhet fjalë për çështje personale.

12. Si përhap Satanai ‘mashtrime boshe’?

12 Mashtrimet. Satanai përdor ‘mashtrimet boshe’ dhe ‘gjërat elementare të botës’ për t’i gënjyer e për t’i përçarë njerëzit. (Kolos. 2:8) Në shekullin e parë, këto përfshinin filozofi që bazoheshin në arsyetime njerëzore, mësime judaike që binin ndesh me Shkrimet dhe mësimin se të krishterët duhej t’i bindeshin Ligjit të Moisiut. Të gjitha këto ishin mashtrime, sepse ua largonin vëmendjen njerëzve nga Burimi i vërtetë i mençurisë, Jehovai. Sot Satanai përdor mediat dhe rrjetet sociale për të përhapur teori konspirative dhe lajme të rreme të nxitura nga udhëheqësit politikë. Këtë e pamë shpesh gjatë pandemisë së COVID-19. c Dëshmitarët e Jehovait që ia vunë veshin drejtimit nga organizata, i kursyen vetes ankthin e tepërt që provuan ata që u vunë veshin informacioneve të shtrembëruara.—Mat. 24:45.

13. Pse duhet të bëjmë kujdes të mos shpërqendrohemi?

13 Shpërqendrimet. Nuk duhet t’i humbim nga sytë «gjërat më të rëndësishme». (Filip. 1:9, 10) Shpërqendrimet mund të na vjedhin jashtëzakonisht shumë kohë dhe vëmendje që do t’i përdornim për aktivitete më të dobishme. Gjëra të jetës së përditshme—si të ngrënët, të pirët, zbavitja dhe puna—mund të kthehen në shpërqendrime nëse lejojmë të bëhen boshti i jetës sonë. (Luka 21:34, 35) Veç kësaj, bombardohemi ditë për ditë me lajme për polemika sociale dhe për çështje politike. Nuk duhet të lejojmë të shpërqendrohemi nga debate të tilla. Përndryshe mund të mos jemi më asnjanës në mendje e në zemër. Satanai i përdor të gjitha këto metoda që të na dobësojë vendosmërinë për të bërë atë që është e drejtë. Le të shohim si mund t’u rezistojmë përpjekjeve të tij dhe të qëndrojmë të patundur.

SI MUND TË QËNDROJMË TË PATUNDUR?

Që të qëndrosh i patundur, reflekto për kushtimin dhe pagëzimin tënd, studio e medito për Fjalën e Perëndisë, bëje zemrën të palëkundur dhe ki besim te Jehovai (Shih paragrafët 14-18)

14. Çfarë mund të na ndihmojë të qëndrojmë të patundur në anën e Jehovait?

14 Reflekto për kushtimin dhe pagëzimin tënd. Këta hapa i hodhe ngaqë doje të merrje anën e Jehovait. Kujto pak çfarë të bindi se kishe gjetur të vërtetën. Njohe dalëngadalë Jehovain dhe t’u thellua respekti e dashuria për të si Ati yt qiellor. Besimi t’u bë gjithnjë e më i fortë dhe zemra të nxiti të pendoheshe. Kështu i le pas krahëve praktikat e gabuara dhe nise të jetoje në harmoni me vullnetin e Perëndisë. Sa i lehtësuar u ndjeve kur kuptove se Perëndia të kishte falur. (Psal. 32:1, 2) Fillove të ndiqje mbledhjet e t’ua tregoje edhe të tjerëve gjërat e mrekullueshme që kishe mësuar. Si shërbëtor i kushtuar dhe i pagëzuar i Perëndisë, tani po ecën në rrugën e jetës, i vendosur të mos largohesh kurrë prej saj.—Mat. 7:13, 14.

15. Pse është e dobishme të studiojmë dhe të meditojmë për Shkrimet?

15 Studio dhe medito për Fjalën e Perëndisë. Ashtu si një pemë që mund të qëndrojë e fortë nëse ka rrënjë të thella, edhe ne mund të qëndrojmë të patundur nëse besimi ynë i ka rrënjët thellë në Fjalën e Perëndisë. Ndërsa pema rritet, rrënjët e saj shkojnë më thellë e shtrihen më larg. Kur studiojmë dhe meditojmë, na forcohet besimi dhe jemi akoma më të bindur se udhët e Perëndisë janë më të mirat. (Kolos. 2:6, 7) Bluaj në mend si kanë nxjerrë dobi shërbëtorët e Jehovait në të kaluarën nga këshillat, drejtimi dhe mbrojtja e tij. Për shembull, Ezekieli i kushtoi shumë vëmendje një engjëlli që mati me kujdes tempullin në vegim. Ai vegim i dha forcë Ezekielit, e neve sot na jep mësime praktike si të përkrahim standardet e Jehovait për adhurimin e pastër. d (Ezek. 40:1-4; 43:10-12) Edhe ne nxjerrim dobi kur lëmë kohë të studiojmë e të bluajmë në mendje gjërat më të thella të Fjalës së Perëndisë.

16. Si e mbrojti Robertin zemra e palëkundur? (Psalmi 112:7)

16 Bëje të palëkundur zemrën tënde. Mbreti David e shprehu me këngë se nuk do t’i luhatej kurrë dashuria për Jehovain. Ai këndoi: «Zemra ime është e palëkundur, o Perëndi!» (Psal. 57:7) Edhe ne mund të kemi një zemër të palëkundur, që ka besim të plotë te Jehovai. (Lexo Psalmin 112:7.) Të mendojmë si e ndihmoi kjo Robertin, që u përmend më sipër. Kur i treguan se mjekët do të mbanin gjak gati për çdo rast, Roberti tha menjëherë që nëse ekzistonte një mundësi sado e vogël për t’i dhënë gjak, do të largohej në çast nga spitali. Më vonë ai u shpreh: «Nuk kisha fije ngurrimi ose meraku.»

Nëse themeli i besimit tonë është i fortë, mund të qëndrojmë të palëkundur në çfarëdo sprove (Shih paragrafin 17)

17. Ç’mund të mësojmë nga shembulli i Robertit? (Shihni edhe figurën.)

17 Roberti ishte i palëkundur sepse vendimin për të qëndruar i patundur e kishte marrë shumë kohë para se të shtrohej në spital. Së pari, ai kishte dëshirën ta bënte të lumtur Jehovain. Së dyti, studioi me kujdes se çfarë thonë Bibla dhe botimet tona për shenjtërinë e jetës e të gjakut. Së treti, s’kishte pikë dyshimi se bindja ndaj drejtimit të Jehovait do të ishte për të mirën e tij të përhershme. Edhe ne mund të kemi një zemër të palëkundur në çfarëdo sprove që mund të përballojmë.

Baraku dhe luftëtarët e tij plot guxim ndoqën këmba-këmbës ushtrinë e Siserës (Shih paragrafin 18)

18. Si na nxit shembulli i Barakut të kemi besim te Jehovai? (Shihni figurën e kopertinës.)

18 Ki besim te Jehovai. Të mendojmë si i solli fitore Barakut besimi te drejtimi i Jehovait. Ndërkohë që në mbarë Izraelin nuk të zinte syri asnjë mburojë ose heshtë, Jehovai e udhëzoi të dilte në luftë kundër komandantit kananit Sisera dhe ushtrisë së tij të armatosur gjer në dhëmbë. (Gjyk. 5:8) Profetesha Debora i tha Barakut të zbriste në luginë për të luftuar kundër Siserës dhe 900 karrocave të tij. Ndonëse karrocat do të kishin epërsi në fushë të hapur, Baraku u bind. Ndërsa ushtarët zbritnin nga mali Tabor, Jehovai derdhi nga qielli një shi të rrëmbyer. Karrocat e Siserës ngecën në baltë, dhe Jehovai i dha Barakut fitoren. (Gjyk. 4:1-7, 10, 13-16) Jehovai do të na dhurojë edhe ne fitoren nëse kemi besim tek ai dhe te drejtimi që jep nëpërmjet përfaqësuesve të tij.—Ligj. 31:6.

JI I VENDOSUR TË QËNDROSH I PALËKUNDUR

19. Pse dëshiron të qëndrosh i palëkundur?

19 Lufta jonë për të qëndruar të patundur do të vazhdojë për sa kohë të jetojmë në këtë sistem. (1 Tim. 6:11, 12; 2 Pjet. 3:17) Le të jemi të vendosur të mos lëkundemi nga përndjekjet, presionet tinëzare, arsyetimet njerëzore, mashtrimet dhe shpërqendrimet. (Efes. 4:14) Përkundrazi, të qëndrojmë të paepur, duke pasur dashuri të patundur për Jehovain dhe duke iu bindur pa u lëkundur urdhërimeve të tij. Në të njëjtën kohë, duhet të jemi të arsyeshëm. Në artikullin tjetër do të shohim si na lënë shembullin e përsosur Jehovai dhe Jezui duke qenë të arsyeshëm.

KËNGA 129 Qëndrojmë të palëkundur

a Që nga koha e Adamit dhe Evës, Satanai ka reklamuar idenë se njerëzit duhet të vendosin vetë çfarë është e drejtë ose e gabuar. Ai do që këtë qëndrim ta kemi edhe ndaj ligjeve të Jehovait dhe ndaj drejtimit që jep organizata e tij. Ky artikull do të na ndihmojë të ruhemi nga fryma e pavarësisë që mbizotëron në botën e Satanait dhe të forcojmë vendosmërinë për të qëndruar të patundur në anën e Jehovait.

b Për informacione se si mund ta respektojmë pikëpamjen e Jehovait për gjakun, shih mësimin 39 të librit Gëzoje jetën përgjithmonë.

c Shih artikullin «Ruhu nga informacionet e rreme» në jw.org.