ARTIKULLI I STUDIMIT 32
Imito Jehovain—Ji i arsyeshëm
«Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit.»—FILIP. 4:5.
KËNGA 89 Bindju Jehovait dhe gjej lumturi
PËRMBLEDHJE a
1. Në ç’kuptim duhet të jemi si një pemë? (Shihni edhe figurën.)
«NJË pemë që mund të përkulet, nuk e thyen dot era.» Ky proverb thekson një cilësi të rëndësishme që i ndihmon disa pemë të qëndrojnë të forta përballë stuhive: elasticiteti. Që të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait me gëzim, edhe ne duhet të jemi elastikë përballë vështirësive. Si? Të jemi të arsyeshëm, duke u përshtatur kur na ndryshojnë rrethanat e duke respektuar pikëpamjet dhe vendimet e të tjerëve.
2. Cilat cilësi do të na ndihmojnë të përshtatemi kur ndryshojnë rrethanat, dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
2 Si shërbëtorë të Jehovait, duam të jemi të arsyeshëm. Duam të jemi edhe të përulur e të dhembshur. Në këtë artikull do të shohim si i ndihmuan këto cilësi disa vëllezër e motra kur u ndryshuan rrethanat. Do të shqyrtojmë si mund të na ndihmojnë edhe ne këto cilësi. Por në fillim të shohim si na lënë shembullin e përsosur Jehovai dhe Jezui duke qenë të arsyeshëm.
JEHOVAI DHE JEZUI JANË TË ARSYESHËM
3. Çfarë provash kemi se Jehovai është i arsyeshëm?
3 Jehovai quhet «Shkëmbi» sepse është i palëkundur. (Ligj. 32:4) Por ai është edhe i arsyeshëm. Ndërsa gjërat në botë ndryshojnë, Perëndia ynë vazhdon të përshtatet, për t’u siguruar që të plotësohet qëllimi i tij. Jehovai i krijoi njerëzit sipas imazhit të vet, me aftësinë që të përshtaten kur ndryshojnë rrethanat. Ai dha parime të qarta në Fjalën e tij, të cilat na ndihmojnë të marrim vendime të mençura çfarëdo sfidash të ndeshim. Vetë shembulli i Jehovait dhe parimet që na ka dhënë, janë prova të qarta se ndërkohë që është «Shkëmbi», Jehovai është edhe i arsyeshëm.
4. Jepni një shembull që tregon se Jehovai është i arsyeshëm. (Levitiku 5:7, 11)
4 Mënyra si vepron Jehovai është e përsosur dhe e arsyeshme. Ai nuk është strikt në marrëdhëniet me njerëzit. Të mendojmë, për shembull, si u tregua i arsyeshëm Jehovai me izraelitët. Ai nuk kërkonte të njëjtat blatime nga të gjithë, si nga të pasurit edhe nga të varfrit. Në disa raste, Jehovai jepte mundësinë që çdokush të paraqiste flijime sipas rrethanave.—Lexo Levitikun 5:7, 11.
5. Jepni një shembull që tregon se Jehovai është i përulur dhe i dhembshur.
5 Përulësia dhe dhembshuria e shtyjnë Jehovain të jetë i arsyeshëm. Për shembull, përulësia e Jehovait doli në pah kur do të shfaroste banorët e ligj të Sodomës. Me anë të engjëjve të tij, Jehovai e udhëzoi Lotin e drejtë të ikte në rajonin malor. Mirëpo Loti kishte frikë të shkonte atje, ndaj iu lut Jehovait ta lejonte të ikte bashkë me familjen në Zoar, një qytezë që do të shkatërrohej. Jehovai mund të kishte ngulur këmbë që Loti t’u bindej udhëzimeve të Tij fije e për pe. Por në vend të kësaj, ia plotësoi kërkesën Lotit, ndonëse kjo nënkuptonte të mos e shkatërronte Zoarin. (Zan. 19:18-22) Shekuj më vonë, Jehovai tregoi dhembshuri për banorët e Ninevisë. Ai dërgoi profetin Jona që të njoftonte se qytetin dhe banorët e tij të ligj i priste shkatërrimi. Por kur ninevitët u penduan, Jehovait i erdhi keq për ta dhe nuk e shkatërroi qytetin.—Jonai 3:1, 10; 4:10, 11.
6. Përmendni një rast kur Jezui u tregua i arsyeshëm si Jehovai.
6 Jezui imitoi Jehovain duke u treguar edhe ai i arsyeshëm. Vërtet, Jezui ishte dërguar në tokë që t’u predikonte ‘deleve të humbura të shtëpisë së Izraelit’. Megjithatë, u tregua i arsyeshëm ndërsa kryente atë caktim. Në një rast, një grua joizraelite iu përgjërua t’i shëronte të bijën që ‘vuante tmerrësisht prej demonëve’. Me dhembshuri, Jezui ia plotësoi kërkesën dhe ia shëroi vajzën. (Mat. 15:21-28) Të mendojmë për një shembull tjetër. Më parë gjatë shërbimit të tij, Jezui kishte thënë: «Këdo që më mohon . . . , edhe unë do ta mohoj.» (Mat. 10:33) Por çfarë bëri Jezui kur Pjetri e mohoi tri herë, a e mohoi edhe ai? Jo. Jezui mbajti parasysh pendimin dhe besimin e Pjetrit. Pasi u ringjall, Jezui iu shfaq Pjetrit dhe ka shumë mundësi që e siguroi se e kishte falur dhe e donte akoma.—Luka 24:33, 34.
7. Në harmoni me Filipianëve 4:5, çfarë reputacioni duam të kemi?
7 Kemi parë se Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti janë të arsyeshëm. Po ne? Jehovai pret që edhe ne të jemi të arsyeshëm. (Lexo Filipianëve 4:5.) Në një version tjetër të Biblës, ky varg është përkthyer: «Kini reputacionin si njerëz të arsyeshëm.» Mund të pyesim veten: «A më shohin të tjerët si njeri të arsyeshëm, tolerant dhe që hap rrugë? Apo më shohin si njeri strikt, të vrazhdë ose kokëfortë? A ngul këmbë që të tjerët t’i bëjnë gjërat fiks siç mendoj unë se duhen bërë? Apo i dëgjoj dhe u hap rrugë dëshirave të tyre kur është e mundur?» Sa më të arsyeshëm të jemi, aq më shumë po imitojmë Jehovain dhe Jezuin. Le të shohim dy situata ku është e rëndësishme të jemi të arsyeshëm—kur na ndryshojnë rrethanat dhe kur pikëpamjet e vendimet e të tjerëve janë ndryshe nga tonat.
JI I ARSYESHËM KUR NDRYSHOJNË RRETHANAT
8. Çfarë mund të na ndihmojë të jemi të arsyeshëm kur ndryshojnë rrethanat? (Shihni edhe shënimin.)
8 Një njeri i arsyeshëm tregohet elastik kur ndryshojnë rrethanat. Ndryshimet në jetë mund të na sjellin probleme që s’na i kishte marrë mendja. Për shembull, befas mund të kemi një problem të rëndë shëndetësor. Ose ndryshimet e papritura në ekonomi a në situatën politike mund të na e vështirësojnë goxha jetën. (Ekl. 9:11; 1 Kor. 7:31) Edhe ndryshimi i një caktimi teokratik mund të jetë një sfidë. Në çfarëdo vështirësie, mund të përshtatemi me sukses me rrethanat e reja nëse bëjmë këta katër hapa: (1) pranojmë realitetin, (2) i mbajmë sytë nga e ardhmja, (3) përqendrohemi te gjërat pozitive dhe (4) bëjmë për të tjerët. b Le të shohim disa shembuj realë që tregojnë si mund të na ndihmojnë këta hapa.
9. Çfarë e ndihmoi një çift misionar të përballonte sprovat e papritura?
9 Prano realitetin. Emanuele dhe Françeska u caktuan misionarë në një vend tjetër. Tamam kur filluan të mësonin gjuhën dhe të njiheshin me kongregacionin e ri, shpërtheu pandemia e COVID-19 dhe duhej të izoloheshin. Pastaj vdiq papritur mamaja e Françeskës. Françeska donte shumë të ishte me familjen e saj, por pandemia e bënte të pamundur të udhëtonte. Çfarë e ndihmoi t’i përballonte ato situata shkurajuese? Së pari, Emanuele dhe Françeska luteshin bashkë për të pasur mençurinë që t’i merrnin ditët një nga një. Jehovai u përgjigjej tamam në kohën e duhur atyre lutjeve nëpërmjet dhuratave nga organizata e tij. Për shembull, morën zemër nga këto fjalë të një vëllai në një intervistë: «Sa më shpejt të pranojmë rrethanat e reja, aq më shpejt do të na kthehet gëzimi dhe do të kuptojmë si të nxjerrim më të mirën nga kjo situatë.» c Së dyti, vunë synimin të bëheshin më të aftë në dëshminë me telefon, e madje nisën një studim. Së treti, pranonin me mirënjohje inkurajimin dhe mbështetjen që u jepnin me dashuri vëllezërit vendës. Një motër zemërmirë u dërgonte çdo ditë një mesazh të shkurtër me një varg nga Bibla, dhe këtë e bëri për një vit rresht. Nëse pranojmë realitetin kur na ndryshojnë rrethanat, edhe ne do të gjejmë gëzim tek ajo që kemi mundësi të bëjmë.
10. Si u përshtat një motër kur ndodhi një ndryshim i madh në jetën e saj?
10 Mbaji sytë nga e ardhmja dhe përqendrohu te gjërat pozitive. Kristina, një motër rumune që jeton në Japoni, mbeti e zhgënjyer kur u shpërbë kongregacioni i gjuhës angleze ku bënte pjesë. Megjithatë nuk e mbajti mendjen tek e kaluara. Përkundrazi vendosi të jepte më të mirën në kongregacionin vendës, duke u përpjekur me gjithë shpirt në fushën e gjuhës japoneze. Ajo i kërkoi një ish-kolegeje që ta ndihmonte për ta mësuar më mirë gjuhën. Shoqja e saj pranoi të përdorte Biblën dhe broshurën Gëzoje jetën përgjithmonë për t’i mësuar Kristinës japonishten. Kështu Kristina mësoi të fliste më mirë japonisht por, ç’është më e rëndësishmja, shoqja e saj filloi të tregonte interes për të vërtetën. Kur shohim para dhe kemi qëndrim pozitiv, ndryshimet e papritura mund të çojnë në bekime të papritura.
11. Çfarë e ndihmoi një çift kur u përball me probleme ekonomike?
11 Bëj për të tjerët. Një çift që jeton në një shtet ku vepra është e ndaluar humbi të ardhurat fikse kur vendi pësoi një kolaps ekonomik. Si u përshtatën? Së pari, hodhën hapa për ta thjeshtuar jetën. Veç kësaj, vendosën të mos përqendroheshin te problemet e tyre, por te ndihma që mund t’u jepnin të tjerëve duke marrë pjesë me zell në veprën e predikimit. (Vep. 20:35) Burri tha: «Ngaqë merrnim pjesë me zell në shërbim, kishim më pak kohë për të bluar mendime negative dhe më shumë kohë për t’u përqendruar te gjërat që dëshiron Perëndia të bëjmë.» Kur na ndryshojnë rrethanat, duhet të mbajmë parasysh sa e rëndësishme është të vazhdojmë të ndihmojmë të tjerët, sidomos nëpërmjet shërbimit tonë.
12. Si na ndihmon shembulli i apostullit Pavël që të jemi elastikë në shërbim?
12 Në shërbim duhet të jemi elastikë. Takojmë njerëz që kanë gjithfarë bindjesh e pikëpamjesh dhe që vijnë nga lloj-lloj vendesh a kulturash. Apostulli Pavël dinte të përshtatej. Ne mund të mësojmë nga shembulli i tij. Jezui e caktoi Pavlin të shërbente si «apostull i kombeve». (Rom. 11:13) Në atë rol, Pavli u predikoi judenjve, grekëve, intelektualëve, fshatarëve të thjeshtë, funksionarëve të lartë dhe mbretërve. Për t’u prekur zemrën gjithë atyre dëgjuesve aq të ndryshëm nga njëri-tjetri, Pavli u bë «çdo gjë për njerëz të çdo lloji». (1 Kor. 9:19-23) Ai i kushtonte vëmendje kulturës, prejardhjes dhe bindjeve të dëgjuesve të tij. Kështu mund të tregohej elastik e të fliste me çdo njeri në një mënyrë që do ta ndihmonte të afrohej me Perëndinë. Edhe ne mund të jemi më të efektshëm në shërbim nëse tregohemi elastikë dhe mendjeshkathët, duke menduar cila mund të jetë mënyra më e mirë për të ndihmuar çdo njeri.
RESPEKTO PIKËPAMJET E TË TJERËVE
13. Çfarë rreziku shmangim nëse respektojmë pikëpamjet e të tjerëve? (1 Korintasve 8:9)
13 Kur jemi të arsyeshëm, e kemi më të lehtë edhe të respektojmë pikëpamjet e të tjerëve. Për shembull, disa motrave u pëlqen të lyhen, kurse të tjera preferojnë të mos bëjnë tualet. Disa nga ne kanë qejf të pinë alkool me masë, ndërsa të tjerë vendosin të mos vënë në gojë pije alkoolike. Të gjithë shërbëtorët e Jehovait duan të kenë shëndet të mirë, por zgjedhin mënyra të ndryshme si të kujdesen për shëndetin. Nëse jemi të bindur se vetëm zgjedhjet tona janë më të mirat e ua imponojmë edhe vëllezërve e motrave, mund të bëhemi pengesë për ta e të shkaktojmë përçarje. Kurrsesi nuk duam ta bëjmë këtë! (Lexo 1 Korintasve 8:9; 10:23, 24) Le të shohim dy shembuj që tregojnë si na ndihmon zbatimi i parimeve të Biblës që të jemi të ekuilibruar e të ruajmë paqen.
14. Cilat parime të Biblës duhet të na drejtojnë kur marrim vendime për veshjen dhe paraqitjen?
14 Veshja dhe paraqitja. Jehovai nuk ka vënë rregulla të prera për mënyrën si vishemi, por na ka dhënë parime për të na drejtuar. Duhet të vishemi në një mënyrë që u ka hije shërbëtorëve të Perëndisë, duke qenë të arsyeshëm, modestë dhe me «mendje të shëndoshë». (1 Tim. 2:9, 10; 1 Pjet. 3:3) Ndaj nuk duam të tërheqim vëmendje të papërshtatshme te vetja me mënyrën si vishemi. Parimet e Biblës i ndihmojnë edhe pleqtë që të mos vënë rregulla sipas mendjes së tyre për veshjen dhe modelet e flokëve. Për shembull, pleqtë në një kongregacion donin të ndihmonin disa vëllezër të rinj në moshë që i mbanin flokët në një model goxha të përhapur, të shkurtra por krejt të çrregullta. Si mund t’i ndihmonin pleqtë pa nxjerrë ndonjë rregull? Mbikëqyrësi qarkor u sugjeroi pleqve t’u thoshin atyre vëllezërve: «Nëse jeni në podium dhe auditori i kushton më tepër vëmendje pamjes suaj sesa asaj që po thoni, atëherë ka një problem te veshja dhe paraqitja juaj.» Ky shpjegim i thjeshtë e ndreqi situatën pa qenë nevoja të vihej ndonjë rregull. d
15. Cilat ligje dhe parime të Biblës duhet të na drejtojnë kur marrim vendime për shëndetin? (Romakëve 14:5)
15 Kujdesi për shëndetin. Secili nga ne duhet të vendosë vetë si do të kujdeset për shëndetin. (Gal. 6:5) Në Bibël ka vetëm pak ligje specifike që duhet t’i ndjekim kur zgjedhim trajtimet mjekësore—si urdhrat për të qëndruar larg nga gjaku dhe nga spiritizmi. (Vep. 15:20; Gal. 5:19, 20) Kurse në aspekte të tjera, secili e ka vetë në dorë të zgjedhë ç‘lloj trajtimi do të pranojë. Disa kërkojnë ndihmë vetëm nga personeli mjekësor, ndërsa të tjerë preferojnë trajtime alternative. Sado bindje të forta të kemi për një lloj trajtimi, duhet të respektojmë të drejtën e vëllezërve dhe motrave që të vendosin vetë si do të kujdesen për shëndetin. Kur bëhet fjalë për kujdesin shëndetësor, duhet të mbajmë parasysh këto pika: (1) Vetëm Mbretëria e Perëndisë do të sjellë shërim të plotë e të përhershëm. (Isa. 33:24) (2) Çdo shërbëtor i Perëndisë duhet të jetë «plotësisht i bindur» se çfarë është më e mira për të. (Lexo Romakëve 14:5.) (3) Nuk i gjykojmë të tjerët dhe nuk bëhemi pengesë për ta. (Rom. 14:13) (4) Tregojmë dashuri dhe nuk e vëmë lirinë për të marrë vendime personale para unitetit të kongregacionit. (Rom. 14:15, 19, 20) Nëse i fiksojmë në mendje këto pika, do të mbajmë miqësi të forta me vëllezërit e motrat dhe do të ndihmojmë të ruhet paqja në kongregacion.
16. Si mund të tregohet i arsyeshëm një plak në marrëdhënie me pleqtë e tjerë? (Shihni edhe figurat.)
16 Pleqtë duhet të lënë një shembull të mirë duke qenë të arsyeshëm. (1 Tim. 3:2, 3) Për shembull, një plak nuk duhet të presë që opinionet e tij të pranohen gjithmonë thjesht ngaqë është më i madh në moshë se pleqtë e tjerë. Ai e kupton se fryma e Jehovait mund të nxitë çdo pjesëtar të trupit të pleqve të bëjë një koment që do t’i ndihmojë të marrin një vendim të mençur. E nëse nuk shkelet ndonjë parim i Biblës, një plak i arsyeshëm do ta mbështetë vendimin e trupit të pleqve, edhe nëse do të kishte preferuar një vendim tjetër.
DOBITË QË VIJNË KUR JE I ARSYESHËM
17. Çfarë bekimesh shijojmë kur jemi të arsyeshëm?
17 Kur jemi të arsyeshëm, korrim shumë bekime. Gëzojmë marrëdhënie më të mira me vëllezërit e motrat dhe në kongregacion ka paqe. Kënaqemi me larminë e bukur të personaliteteve dhe të zakoneve mes familjes së bashkuar të Jehovait. Mbi të gjitha, jemi të lumtur se e dimë që po imitojmë Perëndinë tonë të arsyeshëm, Jehovain.
KËNGA 90 T’i japim zemër njëri-tjetrit
a Jehovai e Jezui janë të arsyeshëm dhe duan që edhe ne ta zhvillojmë këtë cilësi. Nëse jemi të arsyeshëm, do ta kemi më kollaj të përshtatemi kur na ndryshojnë rrethanat, si për shembull përballë ndonjë ndryshimi në gjendjen tonë ekonomike ose shëndetësore. Gjithashtu do të ndihmojmë të ruhet paqja dhe uniteti në kongregacion.
b Shih artikullin «Si t’i përballosh ndryshimet?» te revista Zgjohuni! nr. 4 2016.
c Linku për të parë videon Intervistë me vëlla Dimitri Mihajlovin gjendet tek artikulli «Jehovai e kthen persekutimin në dëshmi» te Fletëstudimi për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi» për muajt mars-prill 2021.
d Për më shumë informacion rreth veshjes dhe paraqitjes, shih mësimin 52 në librin Gëzoje jetën përgjithmonë.