JETËSHKRIM
Interesi i sinqertë sjell bekime jetëgjata
«KISHA Anglikane nuk u mëson të tjerëve të vërtetën. Vazhdo ta kërkosh gjetkë.» Pasi gjyshja që i përkiste Kishës Anglikane tha këtë, nëna ime nisi të kërkonte fenë e vërtetë. Por i shmangte Dëshmitarët e Jehovait dhe më thoshte të fshihesha kur të vinin te dera jonë. Asokohe jetonim në Toronto të Kanadasë. Megjithatë, në vitin 1950, kur tezja ime nisi të studionte me Dëshmitarët, në studim shkonte edhe nëna. Studimin e bënin te shtëpia e tezes. Më vonë u pagëzuan.
Babai ishte pastor lokal në Kishën e Bashkuar të Kanadasë, prandaj çdo javë na çonte mua dhe motrën në shkollën e së dielës që mbante kisha për fëmijët. Pas saj, nga ora 11.00, ndiqnim shërbesën kishtare bashkë me babanë. Pasdite shkonim me nënën në Sallën e Mbretërisë. Nuk ishte hiç e vështirë të shihje kontrastin mes këtyre dy feve.
Nëna u foli për besimin e saj të ri dy miqve të vjetër, Bob dhe Marion Haçensonit, të cilët më pas u bënë Dëshmitarë të Jehovait. Në vitin 1958, Haçensonët më morën me vete bashkë me tre djemtë e tyre në kongresin ndërkombëtar tetëditor «Vullneti hyjnor», që u mbajt në qytetin e Nju-Jorkut. Vetëm tani arrij të kuptoj sa shumë përpjekje bënë që të më merrnin edhe mua me vete. Ama nga ai kongres kam kujtimet më të bukura.
INTERESIMI I SINQERTË I TË TJERËVE NDIKON TEK E ARDHMJA IME
Në vitet e adoleshencës, me familjen jetonim në një fermë. Më pëlqente të kujdesesha për kafshët dhe kisha si synim të studioja për veterinari. Nëna i kishte folur për këtë një plaku të kongregacionit. Ai më kujtoi me takt se jetojmë në «ditët e fundit» dhe më pyeti si do të ndikonte ndjekja e universitetit për disa vite te marrëdhënia ime me Jehovain. (2 Tim. 3:1) Si përfundim, vendosa të mos e bëja universitetin.
Ende nuk e dija se ç’do të bëja pasi të mbaroja të mesmen. Edhe pse predikoja çdo fundjavë, nuk më pëlqente shërbimi dhe mendoja që s’mund të bëhesha pionier. Në krahun tjetër, babi dhe xhaxhai, që nuk ishin Dëshmitarë, më inkurajonin të punoja me
orar të plotë për një kompani të madhe sigurimesh në Toronto. Xhaxhai kishte një pozicion të rëndësishëm tek ajo kompani, e kështu pranova një vend pune.Në Toronto punoja rregullisht jashtë orarit dhe shoqërohesha me njerëz që nuk ishin Dëshmitarë, e kjo më merrte kohë nga mbledhjet e nga shërbimi. Fillimisht jetoja me gjyshin që nuk ishte Dëshmitar por, pasi ai vdiq, më duhej të gjeja një shtëpi tjetër ku të jetoja.
Haçensonët, që më kishin marrë me vete në kongresin e vitit 1958, i kisha si prindër. Ata më ftuan të jetoja në shtëpinë e tyre dhe më ndihmuan të forcoja miqësinë me Jehovain. Më 1960 u pagëzova bashkë me Xhonin, djalin e tyre. Xhoni nisi shërbimin si pionier, e kjo më nxiti edhe mua të dilja më shumë në predikim. Vëllezërit në kongregacion vunë re që po bëhesha më i pjekur dhe erdhi momenti që më caktuan si mbikëqyrës të mbledhjes që sot quhet Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë.
NJË BASHKËSHORTE E MREKULLUESHME DHE NJË «ZBULIM»
Më 1966, u martova me Rendi Bergën, një pioniere e zellshme që kishte shumë dëshirë të shërbente ku kishte më tepër nevojë. Mbikëqyrësi udhëtues na ndenji pranë dhe na inkurajoi të ndihmonim kongregacionin në Orilia të Ontarios. Kështu, bëmë valixhet e u nisëm.
Sapo mbërritëm në Orilia, edhe unë nisa shërbimin si pionier i rregullt. Entuziazmi i Rendit më ishte ngjitur edhe mua. Kur u dhashë me gjithë shpirt pas shërbimit si pionier, zbulova çfarë kënaqësie ishte të përdorja Biblën dhe t’i ndihmoja të tjerët të kuptonin të vërtetën. Ç’gëzim ishte të ndihmonim një çift të shkëlqyer në Orilia që të bënin ndryshime në jetë e të bëheshin shërbëtorë të Jehovait!
GJUHË E RE DHE MENDËSI E RE
Gjatë një vizite në Toronto, takova Arnold Meknamarën, një nga vëllezërit përgjegjës
në Bethel. Ai na pyeti nëse kishim dëshirë të shërbenim si pionierë specialë. Në çast ia ktheva: «Me gjithë qejf! Vetëm jo në Kuebek!» Isha ndikuar nga ndjenjat negative që kishte pjesa anglishtfolëse e Kanadasë për provincën frëngjishtfolëse të Kuebekut. Në atë kohë, njerëzit protestonin kundër qeverisë dhe kërkonin pavarësinë e Kuebekut nga Kanadaja.Arnoldi më tha se në atë moment zyra e degës po dërgonte pionierë specialë vetëm në Kuebek. Menjëherë pranova të shkoja. E dija që Rendi donte të shërbente atje. Më vonë kuptova se ky ishte një nga vendimet më të mira që kemi marrë në jetë.
Pas një kursi pesëjavor për gjuhën frënge, me Rendin dhe një çift tjetër shkuam në Rimuski, nja 540 kilometra në verilindje të Montrealit. Një mbledhje ku m’u desh të lexoja ca njoftime, e tregoi qartë se kishim akoma shumë për të mësuar. Me frëngjishten time, thashë gabimisht se në kongresin e ardhshëm do të kishim «delegatë struca» në vend se «delegatë austriakë».
Në Rimuski, bashkë me ne erdhën të shërbenin katër motra beqare të zellshme, si edhe çifti Hjuberdo me dy vajzat e tyre. Çifti Hjuberdo mori me qira një shtëpi të madhe me shtatë dhoma gjumi, dhe të gjithë ne pionierët që banonim atje, ndihmonim për pagimin e qirasë. E quanim «Shtëpia e Bardhë» ngaqë kolonat dhe fasadën i kishte të bardha. Zakonisht aty bëheshim 12 deri në 14 veta. Si pionierë specialë, Rendi dhe unë ishim gjithë ditën në predikim, ndaj e vlerësonim shumë të kishim dikë që të na shoqëronte rregullisht në shërbim, madje edhe mbrëmjeve të ftohta të dimrit.
U lidhëm aq shumë me ata pionierë besnikë, sa na u bënë si familje. Ndonjëherë rrinim jashtë rreth zjarrit. Herë të tjera kishim «ditën e piteve», kur të gjithë bënim peta brumi të mbushura me lloj-lloj gjërash. Një nga vëllezërit ishte muzikant, ndaj të shtunave në mbrëmje shpesh këndonim e kërcenim.
Territori i Rimuskit dha fryt. Brenda pesë viteve, patëm kënaqësinë të shikonim mjaft studentë të Biblës të përparonin e të pagëzoheshin. Në kongregacion u bëmë rreth 35 lajmëtarë.
Në Kuebek morëm një stërvitje të shkëlqyer si ungjillëzues. Pamë dorën e Jehovait edhe në shërbim, edhe në plotësimin e nevojave tona. Veç kësaj, mësuam t’i donim njerëzit që flitnin frëngjisht, të donim gjuhën dhe kulturën e tyre. Kjo na mësoi të donim edhe kultura të tjera.—2 Kor. 6:13.
Papritur dega na kërkoi të transferoheshim në qytezën e Trakadisë, në bregun lindor të Nju-Brunsuikut. Kjo ishte sfidë, sepse sapo kishim firmosur qiranë e një apartamenti, dhe unë kisha një kontratë pune me orar të pjesshëm si mësues në një shkollë. Veç kësaj, disa nga studentët tanë të Biblës sapo ishin bërë lajmëtarë dhe ishim në mes të punës për ndërtimin e një Salle Mbretërie.
U lutëm gjithë fundjavën për transferimin në Trakadi, që ishte shumë ndryshe nga Rimuski. Por e ndamë mendjen. Nëse Jehovai na donte aty, aty do të shkonim. E vumë Jehovain në provë dhe pamë si na hoqi çdo Mal. 3:10) Si gjithnjë, marrëdhënia e fortë e Rendit me Jehovain, fryma vetësakrifikuese dhe humori i saj e bënë më të lehtë transferimin.
pengesë. (Robert Rosi ishte plaku i vetëm në kongregacionin e ri. Bashkë me gruan e tij, Lindën, kishin qenë pionierë dhe kishin vendosur të qëndronin aty pas lindjes së djalit të tyre të parë. Edhe pse duhej të kujdeseshin për djalin e tyre të vogël, na inkurajonin pa masë me mikpritjen e ngrohtë, me vendosmërinë e tyre dhe zellin për shërbimin.
BEKIMET E SHËRBIMIT KUDO QË KA NEVOJË
Pas dy viteve si pionierë në Trakadi, na erdhi një surprizë tjetër, një ftesë për të shërbyer në veprën udhëtuese. Vizituam qarqet e gjuhës angleze për shtatë vjet, e më pas u caktuam në një qark të gjuhës frënge në Kuebek. Mbikëqyrësi ynë krahinor në Kuebek, Leons Krepo, më lavdëronte për fjalimet. Por më pas, më bënte gjithmonë këtë pyetje: «Si mund t’i bësh më praktike?» a Këshillat e tij më ndihmuan të isha më specifik dhe më i thjeshtë kur mësoja të tjerët.
Një nga caktimet që nuk do ta harroj kurrë, ishte në kongresin ndërkombëtar të vitit 1978, «Besimi ngadhënjyes», që u mbajt në Montreal. Punova në shërbimin e ushqimit. Prisnim të na vinin 80.000 njerëz, dhe ushqimi do të shërbehej në një mënyrë të re. Çdo gjë ishte e re: pajisjet, menuja dhe metoda e përgatitjes. Kishim rreth 20 frigoriferë të mëdhenj, që ndonjëherë nuk punonin mirë. Ditën para kongresit, në stadium kishte një event sportiv, ndaj instalimet i nisëm në mesnatë. Gjithashtu, furrat duhej t’i ndiznim që pa gdhirë për të përgatitur mëngjesin. U lodhëm, por mësova shumë nga puna e papërtuar, pjekuria dhe humori i vullnetarëve të tjerë. Shkuam aq mirë me njëri-tjetrin, saqë krijuam miqësi që i kemi ruajtur deri sot e kësaj dite. Ç’gëzim ishte të merrnim pjesë në këtë kongres historik në Kuebek, fiks në provincën ku ndodhën përndjekjet e egra të viteve 40 dhe 50!
Mësova shumë nga mbikëqyrësit e tjerë gjatë kongreseve të mëdha që u mbajtën në Montreal. Në një nga kongreset, Dejvid
Splejni, që tani shërben në Trupin Udhëheqës, ishte mbikëqyrësi i kongresit. Në një kongres tjetër, kur atë përgjegjësi ma caktuan mua, Dejvidi më mbështeti plotësisht.Më 2011, pasi kishim kaluar 36 vite të bukura në veprën udhëtuese, u caktova si instruktor në Shkollën për Pleqtë e Kongregacionit. Gjatë dy viteve, unë dhe Rendi e ndryshuam 75 herë krevatin, por sakrifica ia vlejti. Në fund të çdo jave, pleqtë ishin plot mirënjohje për kujdesin e madh që tregonte Trupi Udhëheqës për marrëdhënien e tyre me Jehovain.
Më vonë, shërbeva si instruktor në Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë. Shpesh studentët ndiheshin të mbingarkuar me programin e ngjeshur: në shkollë për shtatë orë në ditë, detyra shtëpie për tre orë çdo mbrëmje dhe katër a pesë caktime çdo javë. Bashkë me instruktorin tjetër u thoshim se pa ndihmën e Jehovait nuk do ta bënin dot këtë. E kujtoj gjithnjë sa habiteshin studentët kur shikonin se duke u mbështetur te Jehovai, arrinin të bënin shumë më tepër se ç’ua rrokte mendja.
INTERESI I SINQERTË PËR TË TJERËT SJELL BEKIME JETËGJATA
Interesi i sinqertë i nënës sime i ndihmoi studentët e saj të Biblës të përparonin, e madje e bëri edhe tim atë të ndryshonte mendim për të vërtetën. Tri ditë pas vdekjes së nënës, për habinë tonë ai erdhi në Sallën e Mbretërisë që të dëgjonte fjalimin për publikun. Im atë vazhdoi t’i ndiqte mbledhjet për 26 vjetët që pasuan. Edhe pse nuk u pagëzua kurrë, pleqtë më thanë se babai vinte gjithnjë i pari në mbledhje çdo javë.
Nëna la një shembull të shkëlqyer edhe për ne fëmijët. Të tri motrat e mia dhe bashkëshortët e tyre i shërbejnë me besnikëri Jehovait. Dy nga motrat shërbejnë në Bethel, njëra në Portugali dhe tjetra në Haiti.
Rendi dhe unë tani shërbejmë si pionierë specialë në Hamilton, Ontario. Kur shërbenim në veprën udhëtuese, na pëlqente të shoqëronim të tjerët kur rivizitonin të interesuarit dhe kur drejtonin studime të Biblës. Por tani kënaqemi shumë të shohim studentët tanë të përparojnë në të vërtetën. Dhe teksa forcojmë miqësitë me vëllezërit e motrat në kongregacionin e ri, marrim zemër kur shohim si i mbështet Jehovai ata në të mirë e në të keq.
Teksa mendoj për të kaluarën, mbushem gjithë mirënjohje për interesin e sinqertë që na kanë treguar shumë veta. Ndaj edhe ne jemi përpjekur të shprehim ‘merakun e sinqertë’ për të tjerët, duke i inkurajuar t’i shërbejnë Jehovait sa më mirë që munden. (2 Kor. 7:6, 7) Për shembull, gruaja, djali dhe vajza e një familjeje shërbenin si pionierë. E pyeta të atin nëse kishte menduar ndonjëherë të shërbente edhe ai si pionier. Më tha se tashmë po mbështeste tre pionierë. E pyeta: «A mund t’i mbështetësh ti më mirë se Jehovai?» E inkurajova të kënaqej siç po kënaqeshin ata. Pas gjashtë muajsh, filloi shërbimin si pionier.
Rendi dhe unë vazhdojmë ‘t’i tregojmë brezit tjetër’ për ‘veprat e mrekullueshme’ të Jehovait. Shpresojmë që edhe ata të kënaqen duke i shërbyer Jehovait po aq sa jemi kënaqur ne.—Psal. 71:17, 18.
a Shih jetëshkrimin e Leons Krepos në Kullën e Rojës të shkurtit 2020, f. 26-30.