Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 30

Vazhdo të rritesh në dashuri

Vazhdo të rritesh në dashuri

«Le të rritemi me dashuri në çdo gjë.»—EFES. 4:15.

KËNGA 2 Emri yt është Jehova

PËRMBLEDHJE a

1. Çfarë të vërtetash mësove kur fillove të studioje Biblën?

 A TË kujtohet koha kur fillove të studioje Biblën? Mbase u habite kur more vesh se Perëndia ka një emër. Ndoshta u ndjeve i lehtësuar kur mësove se Perëndia nuk i torturon njerëzit në një ferr të zjarrtë. E ka shumë mundësi që të mahniti perspektiva për të parë njerëzit e dashur që nuk janë më dhe për të jetuar me ta në një tokë parajsore.

2. Përveç mësimit të të vërtetave të Biblës, si vazhdove të bëje më shumë përparim? (Efesianëve 5:1, 2)

2 Sa më shumë e studioje Fjalën e Perëndisë, aq më shumë rritej dashuria jote për Jehovain. Kjo dashuri të motivoi ta zbatoje atë që mësoje. Fillove të merrje vendime më të mira duke u bazuar në parimet e Biblës. Përmirësove mënyrën si mendoje dhe veproje, sepse doje të kënaqje Perëndinë. Ashtu si një fëmijë që imiton prindin e tij të dashur, ti fillove të imitoje Atin tënd qiellor.—Lexo Efesianëve 5:1, 2.

3. Çfarë pyetjesh mund t’i bëjmë vetes?

3 Mbase pyesim veten: «A është sot dashuria ime për Jehovain më e thellë sesa kur u bëra Dëshmitar? Që nga pagëzimi, a e kam imituar gjithnjë e më shumë mënyrën si mendon e vepron Jehovai, sidomos duke u treguar dashuri vëllezërve e motrave?» Nëse ‘dashuria e fillimit’ të është ftohur disi, mos u shkurajo. Diçka e ngjashme ndodhi me të krishterët në shekullin e parë. Ama Jezui nuk hoqi dorë prej tyre e nuk heq dorë as prej nesh. (Zbul. 2:4, 7) Ai e di se mund ta rindezim dashurinë që kishim kur morëm të vërtetën.

4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Në këtë artikull do të shohim si mund të vazhdojmë ta rritim dashurinë për Jehovain e për të tjerët. Pastaj do të flasim për disa bekime që na vijnë neve dhe të tjerëve kur e forcojmë këtë dashuri.

RRITE DASHURINË PËR JEHOVAIN

5-6. Çfarë sfidash hasi apostulli Pavël gjatë shërbimit, por çfarë e motivoi të mos dorëzohej?

5 Apostulli Pavël bënte një jetë të bukur në shërbim të Jehovait, por duhej të përballonte edhe plot sprova. Shpesh i duhej të bënte udhëtime të gjata, dhe në atë kohë kjo nuk ishte e lehtë. Kur udhëtonte, ndonjëherë Pavli ishte «i rrezikuar nga lumenjtë» dhe «i rrezikuar nga kusarët». E në disa raste kundërshtarët ushtruan dhunë ndaj tij. (2 Kor. 11:23-27) Veç kësaj, në kongregacione kishte vëllezër që nuk tregonin gjithnjë vlerësim për përpjekjet me gjithë shpirt të Pavlit që t’i ndihmonte.—2 Kor. 10:10; Filip. 4:15.

6 Çfarë e ndihmoi Pavlin të mos dorëzohej në shërbim të Jehovait? Ai mësoi shumë gjëra për personalitetin e Jehovait nga Shkrimet dhe nga përvojat e tij. Pavli u bind se Perëndia Jehova e donte. (Rom. 8:38, 39; Efes. 2:4, 5) E si rezultat, dashuria e tij për Jehovain bëhej gjithnjë e më e fortë. Këtë dashuri Pavli e tregoi «duke u shërbyer të shenjtëve» pareshtur.—Hebr. 6:10.

7. Cila është një mënyrë si mund ta thellojmë dashurinë për Jehovain?

7 Edhe ne mund ta thellojmë dashurinë për Perëndinë duke studiuar me kujdes Fjalën e tij. Ndërsa lexon Biblën, përpiqu të kuptosh çfarë të mëson për Jehovain çdo fragment. Pyet veten: «Si më tregojnë këto vargje se Jehovai më do? Çfarë arsyesh për ta dashur më shumë Jehovain gjej këtu?»

8. Si mund të na ndihmojnë lutjet ta thellojmë dashurinë për Perëndinë?

8 Një mënyrë tjetër si ta thellojmë dashurinë për Jehovain është duke e bërë zakon t’i flasim hapur në lutje. (Psal. 25:4, 5) Jehovai do t’u përgjigjet lutjeve tona. (1 Gjon. 3:21, 22) Kania, një motër në Azi, thotë: «Në fillim, dashuria ime për Jehovain bazohej te njohuria. Por ndërsa shihja si u përgjigjej lutjeve të mia, dashuria për të u bë më e thellë. Kjo më nxiti të bëja gjërat që i pëlqejnë atij.» b

RRITE DASHURINË PËR TË TJERËT

9. Nga e dimë se dashuria e Timoteut për vëllezërit e motrat u rrit gjithnjë e më shumë?

9 Shumë vite pasi u bë i krishterë, Pavli takoi një të ri të shkëlqyer që quhej Timote. Timoteu kishte dashuri të thellë për Jehovain dhe për të tjerët. Më vonë, Pavli u tha filipianëve: «Nuk kam askënd tjetër me natyrë si [e Timoteut], që të kujdeset sinqerisht për ju.» (Filip. 2:20) Këtu Pavli nuk foli për aftësitë e Timoteut si organizator ose si orator, por tregoi se i kishte lënë shumë mbresë dashuria e tij për vëllezërit e motrat. Pa dyshim, kongregacionet mezi i prisnin vizitat e Timoteut si mbikëqyrës.—1 Kor. 4:17.

10. Si e treguan Ana dhe bashkëshorti i saj dashurinë për vëllezërit e motrat?

10 Edhe ne kërkojmë mënyra si t’i ndihmojmë bashkëbesimtarët. (Hebr. 13:16) Mendo për shembullin e Anës, që u përmend në artikullin e kaluar. Pas një stuhie të egër, ajo me të shoqin shkuan te një familje Dëshmitarësh dhe panë që çatia e shtëpisë së tyre ishte shembur. Për pasojë, familja s’kishte rroba të pastra. Ana kujton: «I morëm rrobat e tyre, i lamë dhe ua çuam të hekurosura e të palosura. Për ne ishte një gjë e vogël, por falë kësaj lidhëm një miqësi të ngushtë që vazhdon sot e kësaj dite.» Dashuria për vëllezërit e motrat i nxiti Anën dhe bashkëshortin e saj t’u jepnin ndihmë praktike.—1 Gjon. 3:17, 18.

11. (a) Si mund të ndikojnë te të tjerët përpjekjet tona për t’u treguar dashuri? (b) Sipas Proverbave 19:17, si reagon Jehovai kur u tregojmë dashuri të tjerëve?

11 Kur i trajtojmë të tjerët me dashuri dhe mirësi, shpesh ata i vërejnë përpjekjet tona dhe e dallojnë se po përpiqemi të pasqyrojmë mënyrën si mendon e vepron Jehovai. E mund ta vlerësojnë mirësinë tonë më shumë se ç’na e merr mendja. Kania, që u përmend më sipër, ka kujtime të bukura nga ata që e ndihmuan. Ajo thotë: «U jam mirënjohëse pa fund të gjitha motrave të dashura që dilnin me mua në shërbim. Ato vinin më merrnin te shtëpia, më ftonin për të ngrënë ndonjë gjë të vogël ose për drekë dhe siguroheshin të më çonin deri në shtëpi. Tani e kuptoj sa shumë përpiqeshin për mua. E këtë e bënin nga dashuria.» Natyrisht që nuk do të na falënderojnë të gjithë për gjërat që bëjmë për ta. Kania shprehet kështu për ata që e ndihmuan: «Sa do të doja t’i shpërbleja për tërë ato gjëra të dashura, por nuk e di ku jetojnë tani të gjithë ata. Megjithatë Jehovai e di, dhe lutem që t’i shpërblejë.» Është tamam kështu. Jehovai vëren edhe gjënë më të vogël që bëjmë me dashuri për të tjerët. Ai e sheh si një sakrificë me vlerë të madhe, ndihet borxhli ndaj nesh e do të na shpërblejë.—Lexo Proverbat 19:17.

Kur dikush bën përparim në të vërtetën, kërkon mënyra si të ndihmojë të tjerët (Shih paragrafin 12)

12. Si mund të tregojnë dashuri vëllezërit për pjesëtarët e kongregacionit? (Shihni edhe figurat.)

12 Nëse je vëlla, si mund t’u tregosh dashuri të tjerëve dhe t’u ofrosh ndihmë? Xhordani, një vëlla i ri, pyeti një plak si mund të ndihmonte më tepër në kongregacion. Plaku e lavdëroi për përparimin që kishte bërë dhe i dha disa sugjerime se ç’mund të bënte më shumë. Për shembull, i sugjeroi të vinte herët në Sallën e Mbretërisë që të përshëndeste vëllezërit e motrat, të komentonte në mbledhje, të dilte rregullisht me grupin e shërbimit në predikim dhe të kërkonte mënyra praktike si t’i ndihmonte të tjerët. Kur i zbatoi këto sugjerime, Xhordani jo vetëm që u bë më i zoti në këto aspekte, por edhe forcoi dashurinë për vëllezërit e motrat. Ai mësoi se kur një vëlla bëhet shërbëtor kongregacioni nuk fillon t’i ndihmojë të tjerët, por vazhdon t’i ndihmojë.—1 Tim. 3:8-10, 13.

13. Si e motivoi dashuria Kristianin që të shërbente përsëri si plak?

13 Po nëse ke shërbyer në të kaluarën si shërbëtor kongregacioni ose si plak? Jehovai nuk i harron veprat e tua dhe dashurinë që të motivoi. (1 Kor. 15:58) Ai vëren edhe dashurinë që vazhdon të shfaqësh. Një vëlla që quhet Kristian u zhgënjye kur e çemëruan si plak. Prapëseprapë, ai thotë: «Vendosa të bëja gjithë sa mundesha që t’i shërbeja Jehovait i motivuar nga dashuria—pavarësisht nëse kisha privilegje shërbimi ose jo.» Me kalimin e kohës, ai u emërua përsëri plak. Kristiani pranon: «Isha pak në ankth të shërbeja sërish si plak. Por Jehovai po lejonte me mëshirë të shërbeja prapë si plak, ndaj vendosa ta pranoja këtë caktim nga dashuria për të dhe për vëllezërit e motrat.»

14. Çfarë mëson nga shembulli i Elenës?

14 Shërbëtorët e Jehovait u tregojnë dashuri edhe atyre që nuk janë Dëshmitarë. (Mat. 22:37-39) Për shembull, Elena, një motër në Gjeorgji, thotë: «Në fillim, gjëja e vetme që më motivonte për të predikuar ishte dashuria për Jehovain. Por sa më shumë më rritej dashuria për Atin tim qiellor, aq më shumë rritej edhe dashuria për të tjerët. Përpiqesha të imagjinoja hallet që kishin dhe çfarë teme mund t’u prekte zemrën. Kjo më ndihmoi të kisha gjithnjë e më tepër dëshirë për t’i ndihmuar.»—Rom. 10:13-15.

BEKIMET QË VIJNË KUR U TREGOJMË DASHURI TË TJERËVE

Një veprim i dashur mund t’u sjellë bekime shumë vetave (Shih paragrafët 15-16)

15-16. Çfarë bekimesh vijnë kur u tregojmë dashuri të tjerëve, siç tregon inskenimi te figurat?

15 Kur tregojmë dashuri për vëllezërit e motrat, nuk nxjerrin dobi vetëm ata. Pasi filloi pandemia e COVID-19, një vëlla që quhej Paolo dhe bashkëshortja e tij ndihmuan shumë motra të moshuara të mësonin si të përdornin pajisjet elektronike që të jepnin dëshmi. Një motër e kishte të vështirë ta përdorte pajisjen e saj, por më në fund arriti ta mësonte. Nëpërmjet saj ftoi të afërmit në Përkujtim. Gjashtëdhjetë prej tyre e ndoqën Përkujtimin me anë të videokonferencës! Motra e moshuar dhe të afërmit e saj nxorën dobi nga përpjekjet e Paolos e të bashkëshortes së tij. Më vonë, motra i shkroi Paolos: «Faleminderit që na mësuat ne të moshuarit. S’kam për t’i harruar kurrë merakun e Jehovait dhe përpjekjet tuaja të palodhura.»

16 Nga këto përvoja, Paolo nxori një mësim me vlerë: dashuria është më e rëndësishme se njohuria ose aftësitë. Ai kujton: «Në të kaluarën kam shërbyer si mbikëqyrës qarkor. Tani e kuptoj që edhe pse lajmëtarët mund t’i kenë harruar fjalimet e mia, kujtojnë akoma ndihmën praktike që u kam dhënë.»

17. Kush tjetër nxjerr dobi kur tregojmë dashuri?

17 Kur u tregojmë dashuri të tjerëve, nxjerrim edhe vetë dobi në mënyra që s’na i pret mendja. Xhonatani, që jeton në Zelandën e Re, e ka provuar sa e vërtetë është kjo. Një të shtunë pasdite që bënte shumë vapë, ai pa një pionier që po predikonte në rrugë. Xhonatani vendosi të dilte në shërbim me vëllanë çdo të shtunë pasdite. Por nuk e kishte idenë sa shumë dobi do të nxirrte edhe vetë nga ky gjest i dashur që bëri. Xhonatani thotë: «Gjatë asaj periudhe nuk e kisha me shumë qejf shërbimin. Por ndërsa dëgjoja mënyrën si mësonte ai pionier dhe shihja sa i efektshëm ishte në shërbim, fillova ta doja predikimin. Gjithashtu fitova një mik të mirë që më ndihmoi ta shijoja shërbimin dhe të forcoja miqësinë me Jehovain.»

18. Çfarë dëshiron Jehovai të bëjmë?

18 Jehovai do që të gjithë ne ta rritim dashurinë për të dhe për të tjerët. Siç e kemi parë në këtë artikull, dashurinë për Jehovain mund ta forcojmë duke lexuar e medituar për Fjalën e tij dhe duke folur rregullisht me të në lutje. Dashurinë për vëllezërit e motrat mund ta thellojmë duke i ndihmuar në mënyra praktike. Ndërsa dashuria jonë rritet, do të lidhemi gjithnjë e më fort me Jehovain dhe me familjen tonë të besimit. E këto miqësi kemi për t’i shijuar në përjetësi!

KËNGA 109 Ta duam me gjithë zemër njëri-tjetrin

a Pavarësisht nëse jemi në të vërtetën nga pak kohë apo i shërbejmë Jehovait nga shumë vite, të gjithë mund të vazhdojmë të bëjmë përparim. Në këtë artikull do të shohim një mënyrë të rëndësishme si të përparojmë: duke rritur dashurinë për Jehovain dhe për të tjerët. Ndërsa mediton për këtë artikull, shqyrto çfarë përparimi ke bërë dhe si mund të vazhdosh të përmirësohesh në të ardhmen.

b Disa emra janë ndryshuar.