Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 23

Mbajeni ndezur ‘flakën e Jah’

Mbajeni ndezur ‘flakën e Jah’

«[Dashuria] është si zjarr flakërues, vetë flaka e Jah.»—KËNG. 8:6.

KËNGA 131 ‘Atë që Jehovai e ka bashkuar’

PËRMBLEDHJE a

1. Si e përshkruan Bibla dashurinë e vërtetë?

 DASHURIA «është si zjarr flakërues, vetë flaka e Jah. Ujërat e trazuara nuk e shuajnë dot dashurinë, as lumenjtë s’e marrin dot me vete.» b (Këng. 8:6, 7) Çfarë përshkrimi i bukur për dashurinë e vërtetë! Këto fjalë i sigurojnë çiftet e martuara për këtë të vërtetë: është e mundur ta mbani të fortë dashurinë për njëri-tjetrin.

2. Çfarë duhet të bëjë një çift që dashuria mes tyre të mos ftohet?

2 Është në dorë të çiftit të kenë një dashuri të pashuar për njëri-tjetrin për sa kohë të jenë gjallë. Ta ilustrojmë: një zjarr mund të rrijë ndezur pambarimisht—por vetëm nëse i hedhim dru. Nëse askush nuk kujdeset për të, me kalimin e kohës zjarri do të shuhet. Po njësoj, dashuria mes një burri dhe një gruaje mund të qëndrojë e fortë pambarimisht—por vetëm nëse çifti e ushqen. Ndonjëherë, një çift mund të ndiejë që dashuria e tyre po ftohet, sidomos kur janë të rënduar nga vështirësitë ekonomike, problemet shëndetësore ose streset që sjell rritja e fëmijëve. Pra, nëse je i martuar, si mund ta mbash ndezur ‘flakën e Jah’ në martesën tënde? Në këtë artikull do të shohim tri mënyra si ta mbani të fortë lidhjen mes jush dhe të keni një martesë të lumtur. c

VAZHDONI TË FORCONI MIQËSINË ME JEHOVAIN

Ashtu si Jozefi dhe Maria, burri dhe gruaja duhet të kenë një miqësi të fortë me Jehovain (Shih paragrafin 3)

3. Si i ndihmon çiftet miqësia e fortë me Jehovain që ta mbajnë ndezur dashurinë? (Eklisiastiu 4:12) (Shihni edhe figurën.)

3 Për ta mbajtur ndezur ‘flakën e Jah’, burri dhe gruaja duhet të punojnë që të kenë një miqësi të fortë me Jehovain. Si i ndihmon kjo miqësi e fortë në martesë? Kur e çmojnë miqësinë me Atin e tyre qiellor, bashkëshortët i zbatojnë pa ngurruar këshillat e tij, e kjo i ndihmon të shmangin ose të kapërcejnë probleme që mund t’ua ftohin dashurinë për njëri-tjetrin. (Lexo Eklisiastiun 4:12.) Veç kësaj, kush ka një miqësi të fortë me Jehovain, bën çmos ta imitojë dhe të kultivojë cilësitë që shfaq ai, si zemërmirësia, durimi dhe gatishmëria për të falur. (Efes. 4:32–5:1) Kur çifti shfaq cilësi të tilla, krijohet një ambient ku dashuria mund të lulëzojë. Një motër që quhet Lena dhe që ka mbi 25 vjet e martuar, thotë: «Është e lehtë të duash dhe të respektosh dikë që është mik i ngushtë i Jehovait.»

4. Pse Jehovai zgjodhi Jozefin dhe Marinë që të ishin prindërit e Mesisë së ardhshëm?

4 Të mendojmë për një shembull nga Bibla. Kur duhej të zgjidhte një çift që të ishin prindërit e Mesisë së ardhshëm, mes gjithë pasardhësve të Davidit, Jehovai zgjodhi Jozefin dhe Marinë. Pse? Sepse secili kishte një marrëdhënie personale me Jehovain, dhe Jehovai e dinte se dashuria për të do të ishte në themel të martesës së tyre. Ç’mund të mësoni si çift i martuar nga Jozefi dhe Maria?

5. Ç’mund të mësojnë burrat nga Jozefi?

5 Jozefi e ndiqte pa ngurruar drejtimin e Jehovait, dhe kjo e bëri një bashkëshort më të mirë. Të paktën në tri raste, ai mori udhëzime nga Perëndia në lidhje me familjen e tij. Në çdo rast u bind menjëherë, edhe kur kjo kërkonte sakrifica të mëdha. (Mat. 1:20, 24; 2:13-15, 19-21) Duke ndjekur drejtimin e Perëndisë, Jozefi e mbrojti Marinë, u kujdes për të dhe i siguroi gjërat e nevojshme. Imagjino si thellohej dashuria dhe respekti i Marisë për Jozefin kur shihte si vepronte ai! Ju burra mund ta imitoni Jozefin duke kërkuar këshilla të bazuara në Bibël se si të kujdeseni për familjen. d Kur i zbatoni këto këshilla, edhe nëse kjo kërkon sakrifica, po tregoni dashuri për gruan tuaj dhe po forconi martesën. Një motër në Vanuatu që ka mbi 20 vjet e martuar, thotë: «Kur im shoq kërkon dhe ndjek drejtimin e Jehovait, e respektoj akoma më shumë. Ndihem e sigurt dhe kam besim te vendimet e tij.»

6. Ç’mund të mësojnë gratë nga Maria?

6 Maria kishte një miqësi personale me Jehovain dhe besimi i saj nuk varej nga çfarë bënte Jozefi. Ajo i njihte mirë Shkrimet. e Gjithashtu linte kohë të meditonte për to. (Luka 2:19, 51) Pa dyshim që miqësia me Jehovain e bëri Marinë një bashkëshorte të shkëlqyer. Shumë gra sot bëjnë çmos të imitojnë shembullin e Marisë. Për shembull, një motër që quhet Emiko thotë: «Kur isha beqare, kisha një program adhurimi personal. Por pasi u martova, bashkëshorti lutej për ne dhe merrte drejtimin në adhurim. Kuptova se kisha filluar të varesha prej tij për ta forcuar besimin. Gjithashtu kuptova se duhej të mbaja përgjegjësinë personale për të forcuar miqësinë me Jehovain. Ndaj tani programoj kohë që të jem vetëm me Perëndinë—që të lutem, të lexoj Shkrimet dhe të bluaj në mendje mendimet e tij.» (Gal. 6:5) Teksa ju gra vazhdoni ta forconi miqësinë me Jehovain, burrat tuaj do të kenë më shumë arsye që t’ju lëvdojnë dhe t’ju duan.—Prov. 31:30.

7. Si i nxit çiftet shembulli i Jozefit dhe Marisë që ta adhurojnë Jehovain së bashku?

7 Gjithashtu, Jozefi dhe Maria punonin së bashku që ta mbanin të fortë miqësinë me Jehovain. Ata e kuptonin sa rëndësi kishte ta adhuronin Jehovain si familje. (Luka 2:22-24, 41; 4:16) Ndonëse kjo mund të ketë qenë sfidë, sidomos ndërsa familja rritej, ia dolën mbanë. Çfarë shembulli i shkëlqyer për çiftet e martuara sot! Nëse keni fëmijë si Jozefi dhe Maria, mbase është një sfidë të ndiqni mbledhjet ose të programoni kohë për adhurimin familjar. Mund të jetë akoma më e vështirë të gjeni kohë për të studiuar dhe për t’u lutur bashkë si çift. Gjithsesi, mos harroni se kur adhuroni Jehovain së bashku, afroheni më shumë me të dhe me njëri-tjetrin. Prandaj jepini përparësi në jetë adhurimit të Jehovait.

8. Nëse lidhja martesore është e tensionuar, ç’mund të bëjë çifti për të nxjerrë më shumë dobi nga adhurimi familjar?

8 Po nëse lidhja juaj martesore është e tensionuar? Mendimi që të rrini bashkë për të bërë adhurimin familjar ndoshta nuk ju tërheq edhe aq. Pse të mos filloni duke trajtuar diçka të shkurtër që ju pëlqen dhe që bini dakord të dy ta shqyrtoni? Ky hap mund ta forcojë marrëdhënien mes jush dhe mund t’jua shtojë dëshirën për ta adhuruar Jehovain si çift.

KALONI KOHË BASHKË

9. Pse bashkëshortët duhet të kalojnë kohë së bashku?

9 Ju çifte të martuara mund ta mbani ndezur dashurinë edhe duke kaluar kohë bashkë. Kështu ka më pak gjasa të largoheni nga njëri-tjetri, domethënë të mos dini si mendon dhe si ndihet tjetri. (Zan. 2:24) Të shohim çfarë zbuluan Lilja dhe Rusllani pak pasi u martuan, mbi 15 vjet më parë. Ajo thotë: «Kuptuam se nuk do të kishim aq shumë kohë për njëri-tjetrin sa ç’kishim menduar. Thuajse gjithë ditën na e merrte puna, punët e shtëpisë dhe pastaj fëmijët. Kuptuam se po të mos gjenim kohë për të ndenjur bashkë, mund të largoheshim nga njëri-tjetri.»

10. Si mund ta zbatojnë çiftet e martuara parimin e Efesianëve 5:15, 16?

10 Çfarë mund të bëni si çift që të kaloni më shumë kohë bashkë? Ndoshta duhet të programoni kohë për njëri-tjetrin. (Lexo Efesianëve 5:15, 16.) Uzondu, një vëlla në Nigeri, thotë: «Kur programoj aktivitetet e ditës, përfshij edhe kohën që do të kaloj me gruan dhe i jap përparësi kësaj.» (Filip. 1:10) Të shohim edhe çfarë bën Anastasia, gruaja e një mbikëqyrësi qarkor në Moldavi, për ta shfrytëzuar sa më mirë kohën. Ajo thotë: «Mundohem t’i bëj aktivitetet e mia ndërkohë që im shoq është i zënë me përgjegjësitë e veta. Kjo na jep mundësi që më pas të kalojmë kohë së bashku.» Po nëse programet që keni jua bëjnë të vështirë të gjeni kohë për njëri-tjetrin?

Çfarë aktivitetesh mund të bëni së bashku si çift? (Shih paragrafët 11-12)

11. Çfarë aktivitetesh bënin bashkë Akuila dhe Prishila?

11 Të martuarit mund të mësojnë nga shembulli i Akuilës dhe Prishilës, një çift i dashur për shumë të krishterë në shekullin e parë. (Rom. 16:3, 4) Ndonëse nuk jep shumë detaje për martesën e tyre, Bibla tregon se ata punonin, predikonin dhe i ndihmonin të tjerët së bashku. (Vep. 18:2, 3, 24-26) Në fakt, Shkrimet i përmendin gjithmonë bashkë Akuilën dhe Prishilën.

12. Ç’mund të bëjnë bashkëshortët që të kalojnë më shumë kohë me njëri-tjetrin? (Shihni edhe figurën.)

12 Si mund ta imitoni si çift Akuilën dhe Prishilën? Mendoni për gjithë punët që duhet të bëni gjatë ditës. A mund t’i bëni disa prej tyre si çift, në vend se veç e veç? Për shembull, Akuila dhe Prishila predikonin së bashku. Po ju, a bëni plane rregullisht që të dilni në shërbim bashkë? Gjithashtu, Akuila dhe Prishila punonin së bashku. Mbase ti dhe bashkëshortja nuk keni të njëjtën punë, por a mund t’i bëni bashkë punët e shtëpisë? (Ekl. 4:9) Ndërsa ndihmoni njëri-tjetrin, do të ndiheni më shumë si një skuadër dhe do të keni mundësi të bisedoni. Roberti dhe Linda kanë mbi 50 vjet martesë. Ai thotë: «Me thënë të drejtën, nuk na mbetet shumë kohë e lirë për ta kaluar bashkë. Ama, kur unë laj enët dhe gruaja i than ose kur heq barërat e këqija dhe ajo vjen e më ndihmon, ndihem shumë i lumtur. Kur bëjmë gjëra së bashku, afrohemi më shumë me njëri-tjetrin. Kështu dashuria jonë vazhdon të forcohet.»

13. Çfarë duhet të bëjnë burri dhe gruaja që të jenë të lidhur fort?

13 Gjithsesi, mos harroni se thjesht të rrini bashkë nuk do të thotë medoemos që do të lidheni më shumë me njëri-tjetrin. Një grua në Brazil thotë: «Sot, me gjithë këto shpërqendrime, fare lehtë mund të na gënjejë mendja se po kalojmë kohë bashkë vetëm ngaqë jetojmë nën të njëjtën çati. Kam kuptuar se të jemi bashkë është veç gjysma e ekuacionit. Gjysma tjetër përfshin t’i kushtoj bashkëshortit vëmendjen e nevojshme.» Çfarë bëjnë Bruno dhe e shoqja, Taisa, që t’i kushtojnë vëmendje njëri-tjetrit? Ai thotë: «Në kohën e lirë, i lëmë larg telefonat dhe shijojmë kohën që kalojmë me njëri-tjetrin.»

14. Çfarë mund të bëjë një çift nëse nuk u pëlqen të kalojnë kohë bashkë?

14 Po në rast se nuk ju pëlqen të kaloni kohë bashkë si çift? Ndoshta ju interesojnë gjëra të ndryshme a mbase e acaroni njëri-tjetrin. Ç’mund të bëni? Kujtoni zjarrin që u përmend më sipër. Ai nuk bëhet menjëherë zjarr bubulak. Duhet t’i hedhësh avash-avash copa druri gjithnjë e më të mëdha. Po njësoj, pse të mos ia filloni duke kaluar vetëm pak kohë bashkë çdo ditë? Mundohuni të bëni diçka që ju pëlqen të dyve, jo diçka që mund të krijojë fërkime. (Jak. 3:18) Duke nisur me gjëra të vogla, mund ta rindizni dashurinë mes jush.

TRAJTOJENI NJËRI-TJETRIN ME RESPEKT

15. Pse respekti është jetësor për ta mbajtur ndezur dashurinë në martesë?

15 Respekti është jetësor në martesë. Është si oksigjeni që e kthen një zjarr të vogël në një zjarr flakërues. Pa oksigjen, zjarri shuhet shpejt. Po njësoj, pa respekt, dashuria mes një çifti mund të ftohet shpejt. Kurse bashkëshortët që përpiqen t’i tregojnë respekt njëri-tjetrit, punojnë për ta mbajtur ndezur dashurinë e tyre. Gjithsesi, mbaj parasysh se nuk është puna nëse ti mendon që po tregon respekt, por nëse bashkëshorti ndihet i respektuar. Peni dhe i shoqi, Areti, kanë mbi 25 vjet të martuar. Ajo thotë: «Respekti reciprok krijon një atmosferë të ngrohtë në familjen tonë. Ndihemi rehat të shprehim çfarë mendojmë ngaqë e dimë se e vlerësojmë mendimin e njëri-tjetrit.» Çfarë mund të bësh, pra, që burri ose gruaja ta ndiejë se e respekton vërtet? Të shohim shembullin e Abrahamit dhe Sarës.

Një burrë i krishterë duhet të tregojë respekt për ndjenjat e gruas duke e dëgjuar me vëmendje (Shih paragrafin 16)

16. Çfarë mund të mësojnë burrat nga shembulli i Abrahamit? (1 Pjetrit 3:7) (Shihni edhe figurën.)

16 Abrahami e trajtonte Sarën me respekt. Ai i merrte parasysh mendimet e Sarës dhe i respektonte ndjenjat e saj. Në një rast, Sara ishte e stresuar dhe iu zbraz Abrahamit, madje ia hodhi fajin atij. A ia ktheu me nerva Abrahami? Jo. Ai e dinte që Sara si bashkëshorte ishte e nënshtruar dhe e mbështeste. Abrahami e dëgjoi me vëmendje dhe u përpoq ta zgjidhte problemin. (Zan. 16:5, 6) Ç’mund të mësojmë? Ju burra keni autoritetin të merrni vendime për familjen tuaj. (1 Kor. 11:3) Megjithatë, është gjë e dashur të merrni parasysh mendimin e gruas, sidomos nëse vendimi do të ndikojë tek ajo. (1 Kor. 13:4, 5) Në raste të tjera, gruaja jote ndoshta është e stresuar dhe ka nevojë të shprehë si ndihet. A i respekton ndjenjat e saj duke e dëgjuar me vëmendje? (Lexo 1 Pjetrit 3:7.) Anxhela dhe Dimitri kanë gati 30 vjet të martuar. Anxhela tregon si vepron i shoqi që ajo të ndihet e respektuar: «Dimitri është gjithnjë i gatshëm të më dëgjojë kur jam e mërzitur ose kur thjesht dua të flas. Është i duruar me mua, edhe kur nuk flas dot me qetësi ngaqë kam ndjenja të trazuara.»

17. Çfarë mund të mësojnë gratë nga shembulli i Sarës? (1 Pjetrit 3:5, 6)

17 Sara e respektonte Abrahamin duke i mbështetur vendimet e tij. (Zan. 12:5) Në një rast, Abrahami vendosi të mikpriste disa vizitorë të papritur. Ai i kërkoi Sarës të linte çdo punë që kishte në dorë dhe të bënte një sasi të madhe bukësh. (Zan. 18:6) Sara e mbështeti menjëherë vendimin e Abrahamit. Ju gra mund ta imitoni Sarën duke i mbështetur vendimet e burrave tuaj. Në këtë mënyrë, do ta forconi martesën. (Lexo 1 Pjetrit 3:5, 6.) Dimitri, që u përmend në paragrafin e kaluar, tregon si vepron e shoqja që ai të ndihet i respektuar. Ai thotë: «I vlerësoj përpjekjet e Anxhelës për të mbështetur vendimet e mia, edhe kur nuk jemi në një mendje. Nëse gjërat nuk dalin edhe aq mirë, ajo s’më kritikon.» Sa e lehtë është të duash dikë që të respekton!

18. Cilat dobi vijnë ku çiftet e martuara përpiqen ta mbajnë ndezur dashurinë e tyre?

18 Satanai do që ta shuajë dashurinë mes bashkëshortëve të krishterë. Ai e di që nëse nuk kanë më dashuri për njëri-tjetrin, mund të fillojnë të largohen nga Jehovai. Por, dashuria e vërtetë nuk mund të shuhet! Prandaj le të jetë dashuria mes jush si dashuria që përshkruhet te Kënga e Solomonit. Jini të vendosur të keni Jehovain në qendër të martesës suaj, të gjeni kohë për njëri-tjetrin dhe të respektoni ndjenjat e nevojat e njëri-tjetrit. Kështu, martesa juaj do t’i japë lavdi Burimit të dashurisë së vërtetë, Jehovait, dhe ashtu si një zjarr që i kushtohet kujdes, flakët e dashurisë suaj nuk do të shuhen kurrë.

KËNGA 132 Një trup ne të dy!

a Jehovai u dha njerëzve dhuratën e martesës, në të cilën burri dhe gruaja mund të gëzojnë një dashuri unike. Ama ndonjëherë kjo dashuri mund të ftohet. Nëse je i martuar, ky artikull do të të ndihmojë ta mbash ndezur dashurinë dhe të kesh një martesë të lumtur.

b Dashuria e vërtetë, që është e palëkundshme dhe jetëgjatë, quhet «flaka e Jah» ngaqë Burimi i saj është Jehovai.

c Edhe nëse bashkëshorti yt nuk është Dëshmitar, këto sugjerime mund të të ndihmojnë ta forcosh martesën.—1 Kor. 7:12-14; 1 Pjet. 3:1, 2.

d Mund të shqyrtoni, për shembull, këshillat praktike në serinë me artikuj «Ndihmë për familjen» që gjendet te siti jw.org dhe në JW Library®.