Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 20

Si ta përmirësojmë cilësinë e lutjeve

Si ta përmirësojmë cilësinë e lutjeve

«Atij zbrazja zemrën!»—PSAL. 62:8.

KËNGA 45 Mendimet e thella të zemrës

PËRMBLEDHJE a

Mund t’i lutemi rregullisht Jehovait dhe t’i kërkojmë drejtim për të gjitha aspektet e jetës sonë (Shih paragrafin 1)

1. Çfarë ftese u bën Jehovai adhuruesve të tij? (Shihni edhe figurën.)

 TE KUSH mund të shkojmë kur kemi nevojë për ngushëllim dhe drejtim? E dimë mirë përgjigjen. Mund t’i hapim zemrën në lutje Perëndisë Jehova. Ai vetë na fton ta bëjmë këtë. Jehovai dëshiron t’i lutemi shpesh—«pa pushim». (1 Sel. 5:17) Mund t’i lutemi pa ngurruar dhe t’i kërkojmë drejtim për të gjitha aspektet e jetës sonë. (Prov. 3:5, 6) Si Perëndi bujar, Jehovai na fton t’i lutemi sa herë të duam, pa vënë asnjë kufi.

2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Lutja për ne është një dhuratë e çmuar. Por prapë, me tërë këto gjëra që kemi për të bërë, mund ta kemi të vështirë të gjejmë kohë për t’u lutur. Veç kësaj, ndoshta kuptojmë se kemi nevojë të përmirësojmë cilësinë e lutjeve. Nuk jemi pa ndihmë, se Shkrimet na japin goxha inkurajim e drejtim. Në këtë artikull do të shohim si na ndihmon shembulli i Jezuit të lëmë mënjanë kohë për t’u lutur. Do të shqyrtojmë edhe si mund ta përmirësojmë cilësinë e lutjeve duke përfshirë në to pesë argumente të rëndësishme.

JEZUI LINTE KOHË PËR T’U LUTUR

3. Çfarë kuptoi Jezui për lutjet?

3 Jezui kuptoi se lutjet janë shumë të rëndësishme për Jehovain. Shumë kohë para se të vinte në tokë, ai pa si u përgjigjej Ati i tij lutjeve të burrave e grave besnike. Për shembull, Jezui ishte përkrah Atit kur Ai iu përgjigj lutjeve të sinqerta të Hanës, të Davidit dhe të Elijas, sa për të përmendur vetëm disa. (1 Sam. 1:10, 11, 20; 1 Mbret. 19:4-6; Psal. 32:5) Ja pse Jezui u mësoi dishepujve të tij të luteshin shpesh dhe me besim të plotë!—Mat. 7:7-11.

4. Çfarë mësojmë për lutjet nga shembulli i Jezuit?

4 Me lutjet që i bëri Jehovait, Jezui u la një shembull dishepujve të tij. Gjatë gjithë shërbimit në tokë, ai lutej shpesh. Jezuit i duhej të rezervonte kohë për t’u lutur, ngaqë shpesh ishte i zënë dhe kishte shumë njerëz përreth. (Mar. 6:31, 45, 46) Ai ngrihej herët në mëngjes, që të kishte mundësi të ishte vetëm për t’u lutur. (Mar. 1:35) E të paktën në një rast, u lut gjithë natën para se të merrte një vendim të rëndësishëm. (Luka 6:12, 13) Veç kësaj, Jezui u lut pareshtur natën para se të vdiste, ndërsa ishte i përqendruar plotësisht te përmbushja e pjesës më të vështirë të caktimit të tij në tokë.—Mat. 26:39, 42, 44.

5. Si mund ta imitojmë shembullin e Jezuit kur lutemi?

5 Shembulli i Jezuit na mëson se, sado të ngarkuar qofshim, duhet të lëmë kohë për t’u lutur. Ashtu si Jezui, mund të na duhet të rezervojmë kohë për lutjet, ndoshta duke u ngritur herët në mëngjes ose duke fjetur pak më vonë në darkë. Kështu i tregojmë Jehovait mirënjohjen për këtë dhuratë speciale. Një motër që quhet Lina kujton sa u prek kur mësoi për privilegjin e lutjes. Ajo thotë: «Mësova se mund të flisja me Jehovain në çfarëdo momenti, e kjo më ndihmoi ta shihja si Mikun tim të ngushtë dhe të kisha dëshirë t’i përmirësoja lutjet.» Pa dyshim që shumë prej nesh ndihen njësoj. Prandaj le të shqyrtojmë pesë gjëra të rëndësishme që mund të përfshijmë në lutjet tona.

PESË GJËRA TË RËNDËSISHME QË MUND TË PËRFSHIJMË NË LUTJE

6. Sipas Zbulesës 4:10, 11, çfarë është i denjë të marrë Jehovai?

6 Lëvdoje Jehovain. Apostulli Gjon pa në një vegim mahnitës 24 pleq në qiell që adhuronin Jehovain. Ata e lëvdonin Perëndinë duke pranuar se është i denjë të marrë «lavdinë, nderimin dhe fuqinë». (Lexo Zbulesën 4:10, 11.) Edhe engjëjt besnikë kanë arsye të panumërta që ta lëvdojnë e ta nderojnë Jehovain. Ata janë me të në qiell dhe kanë pasur mundësi ta njohin mirë. Engjëjt shohin si shpalosen cilësitë e Jehovait te gjërat që bën. E ndërsa shohin veprat e tij, zemra i nxit ta lëvdojnë.—Jobi 38:4-7.

7. Për çfarë mund ta lëvdojmë Jehovain?

7 Edhe ne duam ta lëvdojmë Jehovain në lutje, duke i thënë cilat cilësi të tij na mbushin me dashuri ose çfarë admirojmë tek ai. Ndërsa lexon dhe studion Biblën, përpiqu të veçosh ato cilësi të Jehovait që janë më tërheqëse për ty. (Jobi 37:23; Rom. 11:33) Pastaj thuaja Jehovait si ndihesh për to. Mund ta lëvdojmë Jehovain edhe për ndihmën që na jep ne vetë dhe gjithë vëllezërve e motrave. Ai punon pareshtur që të kujdeset për ne e të na mbrojë.—1 Sam. 1:27; 2:1, 2.

8. Cilat janë disa nga arsyet e shumta për ta falënderuar Jehovain? (1 Selanikasve 5:18)

8 Falënderoje Jehovain. Kemi plot arsye për ta falënderuar Jehovain në lutje. (Lexo 1 Selanikasve 5:18.) Mund ta falënderojmë për çdo gjë të mirë që kemi, sepse ai është burimi i çdo dhurate të mirë. (Jak. 1:17) Për shembull, mund t’i themi sa i çmojmë bukuritë e tokës dhe mrekullitë e krijimit. Gjithashtu mund t’i shprehim mirënjohje për jetën, për familjen tonë, për miqtë dhe për shpresën që kemi. Duam ta falënderojmë Jehovain edhe për mundësinë që të gëzojmë një miqësi të çmuar me të.

9. Pse mund të jetë e nevojshme ta ushqejmë mirënjohjen për Jehovain?

9 Ndoshta duhet të bëjmë përpjekje për të kujtuar arsyet pse i jemi personalisht mirënjohës Jehovait. Jetojmë në një botë mosmirënjohëse. Zakonisht njerëzit e kanë mendjen vetëm si të marrin atë që duan, jo si të tregojnë mirënjohje për ato që kanë. Nëse fillojmë të përvetësojmë këtë qëndrim, lutjet tona mund të kthehen në një listë kërkesash. Që të mos lejojmë të ndodhë kështu, duhet të vazhdojmë ta ushqejmë e ta shprehim mirënjohjen për gjithë sa bën Jehovai për ne.—Luka 6:45.

Zakoni për të falënderuar Jehovain na e bën më të lehtë të tregojmë qëndrueshmëri (Shih paragrafin 10)

10. Si e ndihmoi mirënjohja një motër në një situatë të vështirë? (Shihni edhe figurën.)

10 Një zemër mirënjohëse mund të na ndihmojë t’u bëjmë ballë vështirësive. Të mendojmë për shembullin e Kjung-sukut, që u përmend në Kullën e Rojës të 15 janarit 2015. Pasi u diagnostikua me kancer të përparuar në mushkëri, ajo pranoi: «Ky problem shëndetësor më ra si bombë. Ndihesha sikur kisha humbur gjithçka dhe isha e tmerruar.» Çfarë e ndihmoi t’i bënte ballë? Ajo tha se e bëri zakon që çdo natë para se të flinte, të shkonte në tarracë e të lutej me zë për pesë gjëra të asaj dite për të cilat ishte mirënjohëse. Kjo ia ngrohte zemrën dhe e nxiste t’i shprehte Jehovait sa shumë e donte. Ajo motër provoi si i mban fort Jehovai shërbëtorët e tij besnikë në kohë të vështira dhe kuptoi se bekimet tona janë ku e ku më të shumta se sprovat. Ashtu si Kjung-suku, ne kemi plot arsye për ta falënderuar Jehovain, madje edhe kur jemi në mes të një sprove. Zakoni për ta falënderuar Jehovain na e bën më të lehtë të përballojmë vështirësitë dhe të mbajmë ekuilibrin emocional.

11. Pasi Jezui u kthye në qiell, pse u duhej guxim dishepujve të tij?

11 Kërkoji Jehovait të të japë guxim në shërbim. Pak para se të kthehej në qiell, Jezui u kujtoi dishepujve se u kishte ngarkuar detyrën të jepnin dëshmi për të «në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës». (Vep. 1:8; Luka 24:46-48) Vetëm pak kohë më vonë, krerët judenj arrestuan apostujt Pjetër e Gjon dhe i çuan para Sinedrit. Pastaj i urdhëruan ata burra besnikë të mos predikonin më, e madje i kërcënuan. (Vep. 4:18, 21) Si reaguan Pjetri dhe Gjoni?

12. Sipas Veprave 4:29, 31, çfarë bënë dishepujt?

12 Kërcënimeve të krerëve fetarë judenj, Pjetri dhe Gjoni iu përgjigjën me këto fjalë: «Gjykojeni vetë nëse është e drejtë në sytë e Perëndisë t’ju dëgjojmë ju dhe jo Perëndinë; sepse ne s’rrimë dot pa folur për ato që kemi parë dhe kemi dëgjuar.» (Vep. 4:19, 20) Pasi Pjetrin dhe Gjonin i lanë të lirë, dishepujt i bënë Jehovait një lutje ku shprehën merakun e tyre kryesor: të bëhej vullneti i Tij. Ata iu përgjëruan: «Bëj që skllevërit e tu ta thonë fjalën tënde plot guxim.» Jehovai iu përgjigj asaj lutjeje nga zemra.—Lexo Veprat 4:29, 31.

13. Ç’mund të mësojmë nga shembulli i Xhin-hjukut?

13 Mund t’i imitojmë dishepujt duke vazhduar të predikojmë edhe kur autoritetet na kërkojnë të mos predikojmë më. Të mendojmë për shembullin e Xhin-hjukut, një vëlla që e burgosën për shkak të asnjanësisë. Në burg e caktuan të kujdesej për disa të burgosur që ishin në izolim, por nuk i lejohej t’u fliste për asgjë që s’kishte të bënte me caktimin e tij, pra as për Biblën. Xhin-hjuku i kërkoi Jehovait t’i jepte guxim që të fliste me takt për të vërtetën sa herë të krijohej mundësia. (Vep. 5:29) Ai thotë: «Jehovai iu përgjigj lutjeve të mia duke më dhënë kurajën dhe mençurinë për të nisur studime 5-minutëshe te dyert e qelive. Kurse në mbrëmje shkruaja letra dhe të nesërmen ua jepja të burgosurve.» Edhe ne mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na ndihmojë ta kryejmë shërbimin tonë. Ashtu si Xhin-hjuku, mund t’i kërkojmë të na japë guxim e mençuri.

14. Çfarë mund të na ndihmojë kur kalojmë probleme? (Psalmi 37:3, 5)

14 Kërkoji Jehovait ndihmë për të përballuar problemet. Shumë prej nesh vuajnë nga sëmundje, probleme emocionale, vdekja e një njeriu të dashur, ndonjë situatë e vështirë familjare, përndjekja ose nga ndonjë problem tjetër. E gjëra të tilla si pandemia dhe luftërat i kanë rënduar shumë nga këto probleme. Tregoji Jehovait gjithçka që ndien. Foli për situatën tënde siç do të flisje me një mik të ngushtë. Të jesh i sigurt se Jehovai «do të veprojë për të mirën tënde».—Lexo Psalmin 37:3, 5.

15. Si mund të na ndihmojnë lutjet ‘të qëndrojmë në shtrëngime’? Jepni një shembull.

15 Lutjet ngulmuese na ndihmojnë ‘të qëndrojmë në shtrëngime’. (Rom. 12:12) Jehovai e di çfarë heqin adhuruesit e tij dhe «i dëgjon thirrjet e tyre për ndihmë». (Psal. 145:18, 19) Një pioniere 29-vjeçare që quhet Kristi e provoi vetë se kjo është e vërtetë. Krejt papritur, ajo pati probleme shëndetësore serioze, e si pasojë ra në depresion të rëndë. Më vonë, mori vesh se e ëma ishte diagnostikuar me një sëmundje vdekjeprurëse. Kristi thotë: «Iu luta me zjarr Jehovait të më jepte forcën që më nevojitej çdo ditë. U përpoqa t’i përmbahesha një programi të mirë adhurimi duke ndjekur mbledhjet e duke bërë studimin personal.» Gjithashtu shton: «Lutjet më ndihmuan të përballoja momentet më të errëta. E dija se Jehovain e kisha gjithmonë pranë, e ky mendim ishte një burim i jashtëzakonshëm ngushëllimi. Ndonëse problemet e mia shëndetësore nuk u zgjidhën sa hap e mbyll sytë, Jehovai iu përgjigj lutjeve të mia duke më dhënë paqe të brendshme dhe një zemër të qetë.» Të mos harrojmë kurrë se «Jehovai di t’i çlirojë nga sprovat njerëzit e përkushtuar ndaj tij».—2 Pjet. 2:9.

Që t’i rezistosh tundimit (1) lutju Jehovait për ndihmë, (2) vepro në harmoni me lutjet e tua dhe (3) forcoje miqësinë me Jehovain (Shih paragrafët 16-17)

16. Pse kemi nevojë për ndihmën e Jehovait që t’u rezistojmë tundimeve?

16 Kërkoji Jehovait ndihmë për t’u rezistuar tundimeve. Si njerëz të papërsosur, luftojmë pareshtur me tundimin për të bërë atë që është e gabuar. Satanai përdor çdo mjet që të na e bëjë sa më të vështirë këtë luftë. Një mënyrë si përpiqet të na e korruptojë mendjen është nëpërmjet zbavitjeve të degjeneruara. Zbavitje të tilla mund të na e mbushin mendjen me mendime të papastra—mendime që na ndotin nga brenda dhe që mund të na shtyjnë drejt mëkateve serioze.—Mar. 7:21-23; Jak. 1:14, 15.

17. Si mund të veprojmë në harmoni me lutjet tona për t’i shmangur tundimet? (Shihni edhe figurën.)

17 Që ta luftojmë me sukses tundimin për të bërë të keqen, kemi nevojë për ndihmën e Jehovait. Në lutjen model, Jezui përfshiu kërkesën: «Mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i Ligu.» (Mat. 6:13) Jehovai dëshiron të na vijë në ndihmë, por duhet ta kërkojmë ndihmën e tij. Duhet edhe të veprojmë në harmoni me lutjet tona. Mund të marrim masa praktike për t’i shmangur në maksimum mentalitetin dhe idetë e gabuara, që janë kaq të përhapura në botën e Satanait. (Psal. 97:10) Gjithashtu ta mbushim mendjen me mendime të dobishme duke lexuar dhe studiuar Biblën. Edhe pjesëmarrja në mbledhje e në shërbim do të na e mbrojë mendjen. Ndërkohë Jehovai ka premtuar se nuk do të lejojë të sprovohemi përtej asaj që mund të mbajmë.—1 Kor. 10:12, 13.

18. Në lidhje me lutjet, çfarë kemi nevojë të bëjmë të gjithë?

18 Secili nga ne ka nevojë të lutet më shumë se kurrë që t’i qëndrojë besnik Jehovait në këto ditë të fundit të vështira. Lër kohë çdo ditë për t’i treguar Jehovait gjithçka që ke në zemër. Ai dëshiron ‘t’ia zbrazim zemrën’ në lutje. (Psal. 62:8) Lëvdoje Jehovain dhe falënderoje për çdo gjë që bën. Kërkoji të të ndihmojë të jesh i guximshëm në shërbim. Përgjëroju për ndihmë që të përballosh çdo problem dhe t’i rezistosh çdo tundimi që has. Mos lejo asgjë ose askënd të të pengojë t’i lutesh rregullisht Jehovait. Por, si u përgjigjet Jehovai lutjeve tona? Kësaj pyetjeje të rëndësishme do t’i përgjigjemi në artikullin tjetër.

KËNGA 42 I lutemi Jehovait

a Duam që lutjet tona të jenë si letra plot ndjenjë që ia shkruajmë një miku të shtrenjtë. Por nuk është gjithnjë e lehtë të gjejmë kohë për t’u lutur. Mund ta kemi të vështirë edhe të dimë për çfarë të lutemi. Në këtë artikull do të flasim për të dyja këto pika të rëndësishme.