Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 21

Si u përgjigjet Jehovai lutjeve tona

Si u përgjigjet Jehovai lutjeve tona

«E dimë . . . se do t’i marrim ato që kërkuam, sepse ia kërkuam atij.»—1 GJON. 5:15.

KËNGA 41 Atë, ma dëgjo lutjen e zemrës!

PËRMBLEDHJE a

1-2. Çfarë meraku mund të kemi ndonjëherë për lutjet tona?

 A KE vrarë ndonjëherë mendjen nëse Jehovai u përgjigjet lutjeve të tua? Nëse po, nuk je i vetmi. Shumë vëllezër e motra e kanë shprehur një merak të tillë, sidomos ndërsa kalonin një periudhë të vështirë. Kur vuajmë, mund ta kemi më të vështirë të dallojmë si u përgjigjet Jehovai lutjeve tona.

2 Le të shohim pse mund të jemi të sigurt se Jehovai u përgjigjet lutjeve të adhuruesve të tij. (1 Gjon. 5:15) Do të shqyrtojmë edhe këto pyetje: Pse ndonjëherë mund të duket sikur Jehovai nuk u përgjigjet lutjeve tona? Në cilat mënyra u përgjigjet Jehovai lutjeve sot?

JEHOVAI MUND TË MOS PËRGJIGJET NË ATË MËNYRË QË PRISNIM

3. Pse Jehovai na fton t’i lutemi?

3 Shkrimet na sigurojnë se Jehovai na do pa masë dhe na sheh si thesar. (Hag. 2:7; 1 Gjon. 4:10) Ja pse na fton t’i kërkojmë ndihmë në lutje. (1 Pjet. 5:6, 7) Ai dëshiron të na ndihmojë të qëndrojmë të lidhur ngushtë me të dhe t’i përballojmë me sukses hallet e jetës.

Jehovai iu përgjigj lutjeve të Davidit duke e shpëtuar nga armiqtë e tij (Shih paragrafin 4)

4. Nga e dimë se Jehovai u përgjigjet lutjeve të adhuruesve të tij? (Shihni edhe figurën.)

4 Kemi plot shembuj në Bibël që tregojnë se Jehovai u përgjigjet lutjeve të adhuruesve të tij. A të kujtohet ndonjë rast? Mbreti David është një shembull i mirë. Ai pati shumë armiq të rrezikshëm gjatë gjithë jetës dhe i lutej shpesh për ndihmë Jehovait. Në një rast, iu përgjërua: «O Jehova, dëgjoje lutjen time! Vërja veshin përgjërimit tim për ndihmë! Përgjigjmu për hir të besnikërisë e të drejtësisë sate!» (Psal. 143:1) Jehovai iu përgjigj lutjeve të Davidit për ta shpëtuar. (1 Sam. 19:10, 18-20; 2 Sam. 5:17-25) E Davidi mund të thoshte me siguri të plotë: «Jehovai u rri pranë tërë atyre që e thërrasin.» Edhe ne mund të jemi të sigurt për këtë.—Psal. 145:18.

Jehovai iu përgjigj lutjeve të Pavlit duke i dhënë fuqinë e nevojshme për të qëndruar në sprovë (Shih paragrafin 5)

5. Në të kaluarën, a u përgjigjej gjithmonë Jehovai lutjeve të adhuruesve të tij ashtu siç e pritnin? Jepni një shembull. (Shihni edhe figurën.)

5 Jehovai mund të mos u përgjigjet lutjeve tona ashtu siç e presim. Kështu ndodhi me apostullin Pavël. Ai i kërkoi Perëndisë t’i hiqte «një gjemb në trup». Në tri raste, Pavli u lut në mënyrë specifike për atë problem stresues. A iu përgjigj Jehovai lutjeve të tij? Po, por jo ashtu siç kishte shpresuar Pavli. Në vend që t’ia hiqte problemin, Jehovai i dha fuqinë që i nevojitej për të vazhduar besnik në shërbimin e Tij.—2 Kor. 12:7-10.

6. Pse nganjëherë mund të duket sikur Jehovai nuk u përgjigjet lutjeve tona?

6 Ndonjëherë edhe ne mund të marrim një përgjigje të ndryshme nga ajo që pritnim. Ama mund të jemi të sigurt se Jehovai e di cila është mënyra më e shkëlqyer për të na ndihmuar. Madje ai mund «të bëjë shumë e shumë më tepër nga sa kërkojmë a konceptojmë ne». (Efes. 3:20) Ja pse përgjigjja që u jep lutjeve tona mund të vijë në një kohë ose në një mënyrë që s’na e merrte mendja.

7. Pse mund të jetë e nevojshme t’i ndryshojmë lutjet që i bëjmë Jehovait? Jepni një shembull.

7 Ndërsa dallojmë më qartë cili është vullneti i Jehovait, mund të jetë e nevojshme t’i kërkojmë diçka tjetër në lutje. Të mendojmë për shembullin e Martin Pocingerit. Pak pas martesës, vëllanë Pocinger e burgosën në një kamp përqendrimi nazist. Në fillim, ai i kërkoi Jehovait ta nxirrte nga kampi i përqendrimit, që të kishte mundësi të kujdesej për të shoqen dhe t’i kthehej veprës së predikimit. Mirëpo kaluan dy javë e nuk po shihte asnjë shenjë se Jehovai po i hapte rrugën që të dilte prej andej. Ndaj filloi të lutej: «O Jehova, të lutem më trego çfarë dëshiron të bëj.» Pas asaj lutjeje, nisi të mendonte se ç’po kalonin vëllezërit e tjerë në kamp. Shumë prej tyre i brente meraku për gruan dhe fëmijët. Atëherë vëllai Pocinger u lut: «O Jehova, faleminderit për caktimin e ri. Më ndihmo t’u jap forcë e zemër vëllezërve të mi.» E tamam atë bëri gjatë nëntë viteve në kampe përqendrimi!

8. Cilin fakt të rëndësishëm duhet të mbajmë në mendje kur lutemi?

8 Të mbajmë ndër mend se Jehovai ka një qëllim dhe do ta përmbushë në kohën që ka vendosur. Qëllimi i tij përfshin të zhdukë me rrënjë dhe njëherë e mirë të gjitha problemet që sjellin kaq vuajtje sot—probleme si katastrofat natyrore, sëmundjet dhe vdekja. Jehovai do ta realizojë këtë qëllim nëpërmjet Mbretërisë së tij. (Dan. 2:44; Zbul. 21:3, 4) Por derisa të vijë ajo ditë, Jehovai po lejon që botën ta sundojë Satanai. b (Gjoni 12:31; Zbul. 12:9) Nëse Jehovai do t’i zgjidhte tani problemet e njerëzimit, do të dukej sikur sundimi i Satanait ka njëfarë suksesi. Megjithatë, ndonëse na duhet të presim që Jehovai t’i plotësojë disa premtime, kjo s’do të thotë se na ka lënë pa ndihmë. Le të shohim disa mënyra si na vjen në ndihmë Jehovai.

MËNYRA SI U PËRGJIGJET JEHOVAI LUTJEVE TONA

9. Si mund të na ndihmojë Jehovai kur duhet të marrim vendime? Jepni një shembull.

9 Na jep mençuri. Jehovai premton të na japë mençurinë që na duhet për të marrë vendime të mira. Kemi nevojë për mençurinë e tij veçanërisht kur marrim vendime që do të ndikojnë në gjithë jetën tonë, si për shembull kur vendosim nëse do të martohemi apo jo. (Jak. 1:5) Të mendojmë për rastin e një motre beqare që quhet Maria. c Ndërsa po shërbente me gëzim si pioniere e rregullt, takoi një vëlla. Ajo thotë: «Sa më shumë miqësoheshim, aq më shumë ndjenja kishim për njëri-tjetrin. E dija se duhej të merrja një vendim. Iu përgjërova dhe iu luta gjatë Jehovait për këtë. Kisha nevojë për drejtimin e tij, por e dija se Jehovai nuk do ta merrte atë vendim për mua.» Maria e dalloi se Jehovai iu përgjigj lutjeve të saj për mençuri. Si? Ndërsa bënte kërkime në botimet tona, arriti të gjente artikuj që e ndihmuan t’u përgjigjej tamam atyre pyetjeve që kishte. Gjithashtu ua vuri veshin këshillave të mençura të mamasë së saj besnike. Ato këshilla e ndihmuan të analizonte ndjenjat e veta. Kështu Maria arriti të merrte një vendim të mençur.

Si na jep Jehovai fuqi për të qëndruar mes sprovave? (Shih paragrafin 10)

10. Sipas Filipianëve 4:13, çfarë do të bëjë Jehovai për t’i ndihmuar adhuruesit e tij? Jepni një shembull. (Shihni edhe figurën.)

10 Na jep fuqi të qëndrojmë. Ashtu siç i dha fuqi apostullit Pavël, Jehovai do të na japë edhe ne fuqinë që na nevojitet për t’u bërë ballë sprovave. (Lexo Filipianëve 4:13.) Të shohim si e mbështeti Jehovai në rrethana të vështira një vëlla që quhet Benxhamin. Ai e kaloi thuajse gjithë rininë nëpër kampe refugjatësh në Afrikë bashkë me familjen. Benxhamini thotë: «I lutesha pareshtur Jehovait të më jepte fuqinë të veproja në një mënyrë që ai e sheh me buzëqeshje miratimi. Jehovai iu përgjigj lutjeve të mia duke më dhënë paqe mendore, guxim për të vazhduar të predikoja dhe botime për të qëndruar i lidhur fort me të.» Gjithashtu thotë: «Kur lexoja historitë dhe jetëshkrimet e Dëshmitarëve të tjerë, shihja si i ndihmonte Jehovai të tregonin qëndrueshmëri. Kjo ma forconte vendosmërinë të qëndroja besnik.»

A e ke ndier dorën e Jehovait nëpërmjet vëllezërve e motrave? (Shih paragrafët 11-12) d

11-12. Si mund t’i përdorë Jehovai vëllezërit dhe motrat për t’iu përgjigjur lutjeve tona? (Shihni edhe figurën.)

11 Përdor familjen tonë të besimit. Natën para se të jepte jetën, Jezui u lut me zjarr. Iu përgjërua Jehovait të mos lejonte ta përbaltnin me akuzën se blasfemonte kundër Tij. Por në vend të kësaj, Jehovai e ndihmoi duke dërguar te Jezui një nga vëllezërit e tij, një engjëll, që t’i jepte forcë. (Luka 22:42, 43) Jehovai mund të na ndihmojë edhe ne nëpërmjet një telefonate ose vizite inkurajuese nga një vëlla a motër. Të gjithë ne mund të kërkojmë mundësi për t’u thënë ‘një fjalë të mirë’ bashkëbesimtarëve.—Prov. 12:25.

12 Të mendojmë për shembullin e një motre që quhet Miriam. Pak javë pasi i vdiq i shoqi, Miriami ishte vetëm në shtëpi, e mbytur nga shkurajimi dhe dëshpërimi. Nuk pushonte dot së qari dhe kishte nevojë të fliste me dikë. Ajo thotë: «Nuk gjeja forcë as të merrja ndonjë në telefon, prandaj iu luta Jehovait. Akoma po lutesha e po qaja, kur ra telefoni. Ishte një plak, një mik i dashur.» Ai plak dhe gruaja e tij ia ngushëlluan zemrën. Miriami është e sigurt se Jehovai e nxiti atë vëlla ta merrte në telefon.

Si mund t’i nxitë Jehovai të tjerët për të na ardhur në ndihmë? (Shih paragrafët 13-14)

13. Tregoni një shembull si mund t’i përdorë Jehovai ata që nuk e adhurojnë për t’iu përgjigjur lutjeve tona.

13 Mund të përdorë njerëz që nuk e adhurojnë. (Prov. 21:1) Ndonjëherë Jehovai u përgjigjet lutjeve tona duke nxitur njerëz që nuk janë adhurues të tij për të na mbështetur. Për shembull, ai e nxiti mbretin Artakserks që ta lejonte Neheminë të kthehej në Jerusalem për të ndihmuar në rindërtimin e qytetit. (Neh. 2:3-6) Edhe sot Jehovai mund të përdorë njerëz që nuk e adhurojnë për të na ardhur në ndihmë kur kemi nevojë.

14. Pse të jep zemër historia e Su Hingut? (Shihni edhe figurën.)

14 Një motër që quhet Su Hing pa si e ndihmoi Jehovai me anë të mjekut të saj. I biri vuan nga disa probleme shëndetësore mendore. Pasi u dëmtua keq në një aksident të tmerrshëm, ajo dhe burri lanë punën që të kujdeseshin për të. Si pasojë, patën probleme ekonomike. Su Hingu tha se ndihej si një copë llastiku që ishte tendosur në maksimum. Ajo ia zbrazi zemrën Jehovait dhe i kërkoi ndihmë. Mjeku me të cilin konsultoheshin, bëri maksimumin për t’i ndihmuar. Si rezultat, përfituan nga shërbimet që ofronte shteti dhe morën një shtëpi me qira të përballueshme. Su Hingu tha: «Pamë dorën e Jehovait në atë situatë. Ai është vërtet ‘Dëgjuesi i lutjes’.»—Psal. 65:2.

TREGO BESIM DUKE E KËRKUAR DHE PRANUAR PËRGJIGJEN E JEHOVAIT

15. Çfarë e ndihmoi një motër të kuptonte se lutjet e saj po merrnin përgjigje?

15 Zakonisht Jehovai nuk u përgjigjet lutjeve tona në mënyra spektakolare. Ama përgjigjet që marrim, janë fiks ajo që na duhet për t’i qëndruar besnikë Atit tonë qiellor. Prandaj, ji syçelë për të dalluar si u përgjigjet Jehovai lutjeve të tua. Një motër që quhet Joko mendonte se Jehovai nuk po u përgjigjej lutjeve të saj, por pastaj filloi të mbante shënim çfarë i kërkonte Jehovait në lutje. Pas njëfarë kohe, kur shfletoi bllokun e shënimeve, kuptoi se Jehovai i ishte përgjigjur shumicës së lutjeve të saj, madje edhe disave që ajo i kishte harruar. Pra, herë pas here kemi nevojë të ndalemi e të reflektojmë si u përgjigjet Jehovai lutjeve tona.—Psal. 66:19, 20.

16. Si mund të tregojmë besim kur lutemi? (Hebrenjve 11:6)

16 Tregojmë besim jo vetëm duke iu lutur Jehovait, por edhe duke e pranuar përgjigjen e tij, në çfarëdo mënyre të vijë. (Lexo Hebrenjve 11:6.) Të mendojmë për shembullin e Majkut dhe gruas së tij, Krisit. Ata kishin synimin të shërbenin në Bethel. Majku thotë: «Për vite të tëra bëmë kërkesën si çift dhe iu lutëm kushedi sa herë Jehovait për atë synim, por nuk na erdhi asnjëherë ftesa.» Gjithsesi, Majku dhe Krisi ishin të sigurt se Jehovai e dinte cila ishte mënyra më e mirë për t’i përdorur në shërbimin e tij. Ata vazhduan të jepnin pa u kursyer duke shërbyer si pionierë të rregullt ku kishte më shumë nevojë dhe duke ndihmuar në projekte ndërtimi teokratike. Sot shërbejnë në veprën udhëtuese. Majku thotë: «Jehovai nuk u është përgjigjur gjithmonë lutjeve tona në atë mënyrë që prisnim, ama u është përgjigjur, madje në mënyra shumë më të mira nga ç’mund të kishim imagjinuar.»

17-18. Sipas Psalmit 86:6, 7, për çfarë mund të jemi të sigurt?

17 Lexo Psalmin 86:6, 7. Psalmisti David s’kishte fije dyshimi se Jehovai i dëgjonte lutjet e tij dhe u përgjigjej. Edhe ti mund të jesh i sigurt për këtë. Shembujt që shqyrtuam në këtë artikull na sigurojnë se Jehovai mund të na japë mençurinë dhe fuqinë që na nevojitet për të përballuar vështirësitë. Ai mund të përdorë familjen tonë të besimit, a madje edhe njerëz që tani nuk e adhurojnë, për të na ndihmuar në ndonjë mënyrë.

18 Vërtet, Jehovai mund të mos u përgjigjet gjithmonë lutjeve tona në atë mënyrë që presim, por jemi të sigurt se do t’u përgjigjet. Ai do të sigurojë fiks atë që na duhet dhe tamam kur na duhet. Prandaj vazhdo të lutesh plot besim, i sigurt se Jehovai do të kujdeset për ty sot dhe se së shpejti ‘do të plotësojë dëshirën e çdo krijese’ në botën e re.—Psal. 145:16.

KËNGA 46 Të falënderoj, Jehova!

a Jehovai na siguron se do t’u përgjigjet lutjeve tona që janë në harmoni me vullnetin e tij. Kur kalojmë sprova, mund të jemi të sigurt se do të na japë ndihmën e nevojshme për t’i qëndruar besnikë. Le të shohim si u përgjigjet Jehovai lutjeve tona.

b Për të kuptuar pse Jehovai ka lejuar që botën ta sundojë Satanai, shih artikullin «Fiksoji sytë te çështja jetësore», në Kullën e Rojës të qershorit 2017.

c Disa emra janë ndryshuar.

d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një mama dhe e bija shkojnë si refugjate në një vend tjetër. Vëllezërit e motrat i mirëpresin me ngrohtësi dhe u japin ndihmë praktike.