Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 24

Ti mund t’i arrish synimet e tua në adhurim

Ti mund t’i arrish synimet e tua në adhurim

«Të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer, sepse në kohën e duhur do të korrim, nëse nuk lodhemi.»—GAL. 6:9.

KËNGA 84 Përherë i gatshëm

PËRMBLEDHJE a

1. Çfarë vështirësie hasin shumë prej nesh?

 A KE vënë ndonjëherë një synim teokratik, por pastaj e kishe të vështirë ta arrije? b Nëse po, s’je i vetmi. Për shembull, Filipi donte të lutej më shpesh dhe ta përmirësonte cilësinë e lutjeve, mirëpo mezi gjente kohë të lutej. Erika kishte synimin të ishte e përpiktë në mbledhjet e shërbimit, por prapëseprapë shkonte me vonesë thuajse në çdo mbledhje. Tomasi u përpoq disa herë të lexonte gjithë Biblën. Ai thotë: «Nuk e kisha fare me qejf leximin e Biblës. Tri herë e nisa, por çdo herë lexoja vetëm deri te Levitiku dhe e lija në mes.»

2. Pse nuk duhet të shkurajohemi nëse s’po e arrijmë dot një synim teokratik?

2 Nëse nuk po e arrin dot një synim që ke vënë, mos u shkurajo. Shpesh edhe një synim i thjeshtë kërkon kohë dhe mjaft punë për t’u arritur. Fakti që akoma dëshiron ta realizosh synimin, tregon se e çmon miqësinë me Jehovain dhe se do që t’i japësh më të mirën. Jehovai i vlerëson përpjekjet e tua. E natyrisht nuk pret prej teje më shumë se ç’mund të bësh. (Psal. 103:14; Mik. 6:8) Ndaj vër një synim të arsyeshëm, sipas rrethanave të tua. Po ç’mund të bësh që ta arrish një synim të tillë? Le të shohim disa sugjerime.

MOTIVI LUAN ROL KYÇ

Lutu që të ndihesh më i motivuar (Shih paragrafët 3-4)

3. Pse është e rëndësishme të ndihesh i motivuar për t’i arritur synimet?

3 Motivi për t’i arritur synimet në adhurim të Jehovait është tepër i rëndësishme. Kur je i motivuar, ke dëshirë të fortë që të punosh për ta arritur synimin. Motivin mund ta krahasojmë me një erë që shtyn një varkë me vela drejt destinacionit të saj. Nëse era vazhdon të fryjë, ka shumë gjasa që marinari të mbërrijë në destinacion. E madje kur era fryn fort, mund të mbërrijë më shpejt. Po njësoj, sa më të motivuar të ndihemi, aq më tepër gjasa ka t’i arrijmë synimet tona. Davidi, një vëlla në Salvador, thotë: «Kur ndihesh i motivuar, bën më shumë përpjekje. Nuk lejon asgjë të të pengojë të arrish synimin tënd.» Atëherë, ç’mund të bësh që të ndihesh më i motivuar?

4. Për çfarë mund të lutemi? (Filipianëve 2:13) (Shihni edhe figurën.)

4 Lutu që të ndihesh më i motivuar. Nëpërmjet frymës së tij, Jehovai mund të të motivojë ta arrish synimin. (Lexo Filipianëve 2:13.) Ndonjëherë vëmë një synim ngaqë e dimë se ashtu duhet, e kjo është gjë e mirë. Por mund të mos kemi edhe aq dëshirë ta arrijmë. Kështu ndihej Norina, një motër në Ugandë. Ajo kishte si synim të niste një studim të Biblës, por i mungonte dëshira ngaqë mendonte se nuk ishte mësuese e aftë. Çfarë e ndihmoi? Ajo thotë: «Fillova t’i lutesha përditë Jehovait që të më ndihmonte të kisha më shumë dëshirë për të drejtuar një studim. Në harmoni me lutjet, punova që të isha mësuese më e zonja. Pas disa muajsh, kuptova që ndihesha më e motivuar ta arrija synimin. Po atë vit, fillova dy studime.»

5. Për çfarë mund të meditojmë që të ndihemi më të motivuar?

5 Medito për gjithë sa ka bërë Jehovai për ty. (Psal. 143:5) Apostulli Pavël meditonte si i kishte treguar mirësi të pamerituar Jehovai, dhe kjo e motivonte t’i shërbente pa u kursyer. (1 Kor. 15:9, 10; 1 Tim. 1:12-14) Po njësoj, sa më shumë të meditosh për gjithë sa ka bërë Jehovai për ty, aq më i motivuar do të ndihesh për ta arritur synimin. (Psal. 116:12) Të shohim çfarë e ndihmoi një motër në Honduras që të arrinte synimin për t’u bërë pioniere e rregullt. Ajo thotë: «Meditoja sa e thellë është dashuria e Jehovait për mua. Ai më tërhoqi drejt popullit të tij. Ai kujdeset për mua dhe më mbron. Ky meditim më thelloi dashurinë për të dhe më shtoi dëshirën për ta realizuar synimin tim.»

6. Ç’gjë tjetër mund të na ndihmojë të ndihemi më të motivuar?

6 Përqendrohu te bekimet që vijnë kur e arrin synimin. Të shohim çfarë e ndihmoi Erikën, që u përmend më sipër, të arrinte synimin për të qenë e përpiktë. Ajo thotë: «Kuptova se po humbja shumë duke shkuar me vonesë në mbledhjet e shërbimit. Po të mbërrija më herët, do të kisha mundësi të takoja vëllezërit e motrat e të kaloja pak kohë me ta. Gjithashtu do të dëgjoja sugjerime praktike që do të më ndihmonin ta shijoja shërbimin dhe të përmirësoja aftësitë si lajmëtare.» Erika u përqendrua te dobitë që vijnë kur je i përpiktë dhe e arriti synimin e saj. Po ti, te cilat bekime mund të përqendrohesh? Nëse synimi yt lidhet me leximin e Biblës ose me lutjen, mendo se si do ta forcojë kjo miqësinë tënde me Jehovain. (Psal. 145:18, 19) Nëse synon të kultivosh një cilësi të krishterë, mendo si do të të ndihmojë ky synim të kesh marrëdhënie më të mira me të tjerët. (Kolos. 3:14) Pse të mos bësh një listë me të gjitha arsyet pse dëshiron ta arrish synimin tënd? Hidhi një sy herë pas here listës. Tomasi i përmendur më lart thotë: «Sa më shumë arsye të kem për ta arritur një synim, aq më pak gjasa ka të dorëzohem.»

7. Çfarë i ndihmoi Hulion dhe gruan e tij ta arrinin synimin?

7 Kalo kohë me ata që të motivojnë t’i arrish synimet. (Prov. 13:20) Vër re çfarë e ndihmoi Hulion dhe gruan e tij të arrinin synimin për të zgjeruar shërbimin. Ai thotë: «Zgjodhëm miq që na inkurajonin të punonim për synimin tonë dhe me të cilët mund të bisedonim për atë synim. Shumë prej tyre kishin arritur synime të ngjashme, prandaj mund të na jepnin sugjerime praktike. Gjithashtu, miqtë na pyesnin si po shkonin planet tona dhe na jepnin zemër kur kishim nevojë.»

KUR NUK NDIHEMI TË MOTIVUAR

Puno që ta arrish synimin (Shih paragrafin 8)

8. Ç’do të ndodhte sikur të punonim për të arritur një synim vetëm kur jemi të motivuar? (Shihni edhe figurën.)

8 Për të qenë realistë, të gjithë kemi ditë kur nuk ndihemi të motivuar. A do të thotë kjo se nuk mund të punojmë për synimin tonë? Jo. Mendo pak për ilustrimin e mëparshëm: era mund të ndihmojë shumë që varka të shkojë drejt destinacionit të saj. Mirëpo forca e erës mund të ndryshojë e mund të ketë ditë që nuk fryn fare. A do të thotë kjo se marinari nuk mund ta vazhdojë udhëtimin? Jo medoemos. Për shembull, disa varka kanë një motor, të tjera kanë rrema. Marinari mund t’i përdorë këto mjete për të vazhduar udhëtimin drejt destinacionit. Motivi është si puna e erës. Ka ditë kur ndihemi më të motivuar, por ka edhe ditë kur s’ndihemi aspak të motivuar që të punojmë për synimin tonë. Po të punojmë për ta arritur synimin vetëm kur ndihemi të motivuar, mund të mos e realizojmë kurrë. Por, ashtu si marinari që gjen mënyra të tjera për të mbërritur në destinacion, ne mund të punojmë për ta arritur synimin edhe kur nuk jemi të motivuar. Ndonëse kjo kërkon vetëdisiplinë, ia vlen barra qiranë. Para se të shohim se çfarë mund të bëjmë, le të shqyrtojmë një pyetje që mund të na lindë.

9. A është e gabuar të vazhdojmë të punojmë për një synim kur nuk ndihemi të motivuar? Shpjegoni.

9 Jehovai do që t’i shërbejmë me gëzim e me dëshirë. (Psal. 100:2; 2 Kor. 9:7) Atëherë, nëse nuk na vjen të punojmë për një synim, a duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë? Mendo për shembullin e apostullit Pavël. Ai tha: «E disiplinoj rreptësisht trupin tim dhe e nënshtroj si skllav.» (1 Kor. 9:25-27, shën.) Pavli e detyronte veten të bënte atë që ishte e drejtë edhe kur nuk i vinte natyrshëm. A ishte i kënaqur Jehovai me shërbimin e Pavlit? Absolutisht po! E Jehovai e shpërbleu për përpjekjet e tij.—2 Tim. 4:7, 8.

10. Cilat dobi vijnë kur punojmë për të arritur një synim edhe kur nuk ndihemi të motivuar?

10 Pra, Jehovait i gëzon zemra kur sheh që përpiqemi ta arrijmë një synim edhe kur nuk ndihemi të motivuar. Pse? Sepse e di që, ndonëse mund të mos na pëlqejë gjithmonë ajo që bëjmë, prapë e bëjmë ngaqë duam atë. Ashtu siç bekoi Pavlin, Jehovai do të na bekojë edhe ne për përpjekjet tona. (Psal. 126:5) E ndërsa shijojmë bekimet e Jehovait, kjo mund të na motivojë që të vazhdojmë të përpiqemi. Një motër nga Polonia që quhet Lucina, thotë: «Ndonjëherë s’kam qejf të dal në shërbim, sidomos kur jam e lodhur. Mirëpo, gëzimi që provoj pasi dal në shërbim është një dhuratë e mrekullueshme.» Të shohim ç’mund të bëjmë kur nuk ndihemi të motivuar që të punojmë për synimet tona.

11. Si na ndihmon Jehovai të kemi më shumë vetëkontroll?

11 Lutu për vetëkontroll. Vetëkontrolli është aftësia për të mbajtur nën kontroll ndjenjat dhe veprimet. Shpesh kjo fjalë përcjell idenë që ta frenojmë veten për të mos bërë diçka të keqe. Mirëpo, vetëkontrolli na duhet edhe që ta motivojmë veten për të bërë të mirën, sidomos kur një detyrë është e vështirë ose kur nuk ndihemi të motivuar. Mos harro se vetëkontrolli është cilësi e frytit të frymës, ndaj lutju Jehovait për frymën e shenjtë që të të ndihmojë ta zhvillosh këtë cilësi të rëndësishme. (Luka 11:13; Gal. 5:22, 23) Davidi, që u përmend më lart, shpjegon si e ndihmuan lutjet. Ai dëshironte ta bënte më rregullisht studimin personal. Davidi thotë: «I lutesha Jehovait të më ndihmonte të zhvilloja vetëkontroll. Me ndihmën e tij, arrita të filloja një program të mirë studimi dhe ta ndiqja rregullisht.»

12. Si na ndihmon parimi i Eklisiastiut 11:4 t’i arrijmë synimet teokratike?

12 Mos prit rrethana të përsosura. Në këtë botë, ka shumë mundësi të mos kemi kurrë rrethana ideale. Po të presim rrethana të tilla, mund të mos e arrijmë asnjëherë synimin tonë. (Lexo Eklisiastiun 11:4.) Një vëlla që quhet Daniel, thotë: «Rrethana të përsosura nuk ka. Thjesht duke e filluar diçka, krijojmë rrethanat më të mira.» Një vëlla në Ugandë që quhet Pol përmend një arsye tjetër pse nuk duhet t’i zvarritim gjërat: «Kur nisim të punojmë për një synim pavarësisht nga rrethanat e vështira, i japim Jehovait mundësinë të na bekojë.»—Mal. 3:10.

13. Pse mund të jetë e dobishme të fillojmë me synime të vogla?

13 Fillo me synime të vogla. Ndoshta nuk ndihemi të motivuar ta arrijmë një synim ngaqë na duket tepër e vështirë. Nëse është kjo arsyeja, pse të mos e ndash synimin tënd në synime më të vogla? Për shembull, nëse synon të zhvillosh një cilësi, pse të mos fillosh duke bëra gjëra të vogla për ta shfaqur? Nëse synimi yt është të lexosh gjithë Biblën, pse të mos lexosh si fillim nga pak çdo ditë? Tomasi, i përmendur në fillim të artikullit, e kishte të vështirë ta arrinte synimin për ta lexuar Biblën brenda një viti. Ai thotë: «Kuptova se ritmi që kisha zgjedhur, ishte tepër i shpejtë. Ndaj vendosa ta provoja përsëri, por kësaj here programova të lexoja pak vargje çdo ditë e të meditoja për to. Si rezultat, nisa ta shijoja leximin e Biblës.» E ndërsa e shijonte gjithnjë e më shumë, Tomasi filloi t’i kushtonte më tepër kohë leximit të Biblës. Si përfundim e lexoi të gjithë Biblën. c

MOS U SHKURAJO NGA NJË «RRËZIM»

14. Cilat vështirësi mund të na rrëzojnë në rrugën drejt synimit?

14 Mjerisht, sado të motivuar ose të disiplinuar të jemi, mund të ndodhë të rrëzohemi në rrugën drejt synimit. Për shembull, «ngjarjet e papritura» mund të na vjedhin kohën e nevojshme që të punojmë për synimin tonë. (Ekl. 9:11) Mund të përballemi me një problem që na shkurajon dhe na pret krahët. (Prov. 24:10) Papërsosmëria mund të na shtyjë të veprojmë në një mënyrë që na e bën shumë më të vështirë ta arrijmë synimin. (Rom. 7:23) Ose thjesht mund të ndihemi të lodhur. (Mat. 26:43) Ç’mund të bëjmë që të ngrihemi e ta vazhdojmë udhëtimin?

15. Nëse rrëzohemi, a do të thotë kjo se kemi dështuar? Shpjegoni. (Psalmi 145:14)

15 Mos harro se të rrëzohesh nuk do të thotë që ke dështuar. Bibla tregon se mund të hasim shpesh probleme ose vështirësi. Por njëkohësisht e bën të qartë se, po të biem, mund të ngrihemi përsëri, sidomos kur na bëhet krah Jehovai. (Lexo Psalmin 145:14.) Vëlla Filipi, që u përmend më sipër, e mat kështu suksesin: «Suksesi im nuk varet nga sa herë rrëzohem. Përkundrazi varet nga sa herë ngrihem për të vazhduar rrugën.» Davidi i përmendur më lart thotë: «Përpiqem që një rrëzim ose një ditë të keqe të mos e shoh si pengesë, por si një mundësi për t’i treguar Jehovait sa shumë e dua.» Po, kur vazhdon rrugën edhe pse je rrëzuar, i tregon Jehovait se dëshiron ta kënaqësh. Kushedi sa i lumtur ndihet Jehovai kur sheh që nuk dorëzohesh, por vazhdon të punosh për synimin tënd!

16. Ç’mund të mësojmë nëse rrëzohemi në rrugën drejt një synimi?

16 Përpiqu të mësosh nga një rrëzim. Mendo për arsyen pse u rrëzove dhe pyet veten: «Ç’mund të bëj që të mos bie prapë?» (Prov. 27:12) Gjithsesi, kur rrëzohesh rrugës drejt një synimi, ka të ngjarë që kjo tregon se ai synim nuk ishte aq realist. Nëse është kështu, shqyrtoje edhe një herë synimin që të kuptosh nëse është i arsyeshëm për ty. d Jehovai nuk do të mendojë se ke dështuar ngaqë nuk arrite një synim të paarritshëm për ty.—2 Kor. 8:12.

17. Pse duhet të mbajmë parasysh çfarë kemi arritur deri më sot?

17 Mbaj parasysh çfarë ke arritur deri tani. Bibla thotë: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprat tuaja.» (Hebr. 6:10) Prandaj, as ti nuk duhet t’i harrosh. Medito sa shumë ke arritur deri tani—ndoshta ke zhvilluar një miqësi me Jehovain, po u flet të tjerëve për të ose je pagëzuar. Ashtu siç ke bërë përparim dhe ke arritur synime teokratike në të shkuarën, mund të vazhdosh të përparosh e t’i arrish edhe synimet që ke sot.—Filip. 3:16.

Shijo udhëtimin (Shih paragrafin 18)

18. Çfarë duhet të mbajmë parasysh ndërsa punojmë për të arritur synimin tonë? (Shihni edhe figurën.)

18 Me ndihmën e Jehovait, ti mund ta arrish synimin që ke e të jesh si një marinar që mbërrin i gëzuar në destinacionin e tij. Por mos harro edhe se mjaft marinarë shijojnë udhëtimin. Pra, ndërsa vazhdon të punosh për një synim teokratik, përpiqu të shohësh si po të ndihmon e po të bekon Jehovai—kështu do ta shijosh udhëtimin. (2 Kor. 4:7) Nëse nuk dorëzohesh, do të marrësh bekime akoma më të mëdha.—Gal. 6:9.

KËNGA 126 Rri syçelë, i fuqishëm, i patundur

a Inkurajohemi vazhdimisht të vëmë synime teokratike. Po nëse tashmë kemi vënë një synim me vlerë dhe nuk po e arrijmë dot? Ky artikull do të na japë disa sugjerime si t’i arrijmë synimet tona.

b SHPJEGIMI I SHPREHJES: Një synim teokratik mund të përfshijë çdo gjë për të cilën punon fort ta përmirësosh ose ta arrish, nga dëshira që t’i shërbesh më plotësisht Jehovait dhe ta bësh të lumtur. Për shembull, mund të vësh synimin që të kultivosh një cilësi të krishterë ose të përmirësosh një aspekt të adhurimit, si leximi i Biblës, studimi personal ose shërbimi.

c Shih librin Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik, f. 10-11, p. 4.

d Për më tepër informacion, shih artikullin «Ji i arsyeshëm me veten dhe ruaj gëzimin» në Kullën e Rojës të 15 korrikut 2008.