Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 22

Vazhdo të ecësh në ‘Udhën e Shenjtërisë’

Vazhdo të ecësh në ‘Udhën e Shenjtërisë’

«Do të ketë një rrugë të gjerë, . . . Udha e Shenjtërisë.»—ISA. 35:8.

KËNGA 31 Do të eci me Perëndinë tim!

PËRMBLEDHJE a

1-2. Cilin vendim të rëndësishëm duhej të merrnin judenjtë që jetonin në Babiloni? (Ezdra 1:2-4)

 LAJMI mori dhenë! Judenjtë që kishin qenë robër në Babiloni për 70 vjet, ishin të lirë të ktheheshin në atdheun e tyre, në Izrael. (Lexo Ezdrën 1:2-4.) Këtë mund ta bënte vetëm Jehovai! Pse themi kështu? Sepse zakonisht Babilonia nuk i lironte robërit e saj. (Isa. 14:4, 17) Por Babilonia ishte mposhtur, dhe mbreti i ri nxori shpalljen që judenjtë mund të largoheshin nga ai vend. Prandaj të gjithë judenjtë, sidomos kryefamiljarët, duhej të merrnin një vendim: ose të largoheshin nga Babilonia, ose të rrinin aty. Ai nuk duhet të ketë qenë një vendim i lehtë. Pse?

2 Shumë judenj nuk i përballonin dot vështirësitë e udhëtimit për shkak të moshës së thyer. Gjithashtu, shumica e judenjve kishin lindur në Babiloni, pra ajo ishte shtëpia e tyre, kurse Izraeli ishte vetëm vendi i të parëve. E disa judenjve duket se u kishte ecur goxha mbarë në Babiloni, prandaj ndoshta e kishin të vështirë të linin shtëpinë e rehatshme dhe biznesin e të shpërnguleshin në një vend të panjohur.

3. Cili bekim e priste mbetjen e judenjve besnikë që do të kthehej në Izrael?

3 Për judenjtë besnikë, dobitë e kthimit në Izrael tejkalonin çdo sakrificë që do të bënin. Bekimi më i madh lidhej me adhurimin e Jehovait. Në qytetin e Babilonisë kishte mbi 50 tempuj paganë, por nuk kishte asnjë tempull të Jehovait. E nuk kishte asnjë altar ku izraelitët të bënin flijimet që kërkonte Ligji i Moisiut, as priftëri të organizuar që t’i paraqiste ato flijime. Veç kësaj, adhuruesit e Jehovait ishin shumë pak krahasuar me banorët paganë, të cilët nuk kishin fare respekt për Jehovain ose për standardet e tij. Ndaj dhjetëra mijë judenj me nderim të thellë për Perëndinë mezi pritnin të ktheheshin në atdhe, ku mund të rivendosnin adhurimin e pastër.

4. Çfarë ndihme u premtoi Jehovai judenjve që do të ktheheshin në Izrael?

4 Udhëtimi i vështirë nga Babilonia në Izrael mund të zgjaste rreth katër muaj, por Jehovai premtoi se do të hiqej çdo pengesë nga rruga e kthimit. Isaia shkroi: «Përgatitni udhën për Jehovain. Bëni për Perëndinë tonë një rrugë të drejtë përmes shkretëtirës. . . . Toka me gunga duhet të rrafshohet dhe terreni i thyer të bëhet i rrafshët.» (Isa. 40:3, 4) Vetëm ta përfytyrosh: një rrugë përmes shkretëtirës, një rrafshinë. Çfarë kënaqësie për udhëtarët të ecnin në atë rrugë! Udhëtimi në një rrugë të drejtë do të ishte shumë më i lehtë sesa të hipnin e të zbritnin nëpër male, kodra e lugina. Gjithashtu do të zgjaste më pak.

5. Si u quajt rruga e figurshme nga Babilonia për në Izrael?

5 Sot shumica e rrugëve kanë një emër ose një numër. Edhe rruga e figurshme që përshkroi Isaia kishte një emër. Ai tha: «Do të ketë një rrugë të gjerë, po, një udhë që quhet Udha e Shenjtërisë. Asnjë i papastër nuk do të kalojë nëpër të.» (Isa. 35:8) Çfarë nënkuptonte ky premtim për izraelitët në atë kohë? Çfarë nënkupton për ne sot?

«UDHA E SHENJTËRISË»—DJE DHE SOT

6. Pse u quajt e shenjtë kjo rrugë?

6 «Udha e Shenjtërisë»—çfarë emri i bukur! Pse u quajt e shenjtë kjo rrugë? Sepse mes kombit të rikthyer në Izrael nuk kishte vend për ‘asnjë të papastër’—për asnjë jude që nuk donte të hiqte dorë nga imoraliteti, nga idhujtaria ose nga mëkate të tjera të rënda. Judenjtë e rikthyer do të bëheshin «një popull i shenjtë» për Perëndinë e tyre. (Ligj. 7:6) Ama kjo s’do të thoshte se ata që do të largoheshin nga Babilonia s’kishin nevojë të bënin ndryshime për të kënaqur Jehovain.

7. Çfarë ndryshimesh duhej të bënin disa judenj? Jepni një shembull.

7 Siç u përmend, shumica e judenjve kishin lindur në Babiloni, dhe shumë prej tyre me sa duket ishin mësuar me mentalitetin dhe standardet e babilonasve. Dekada pas kthimit të judenjve të parë në Izrael, Ezdra mori vesh se disa judenj ishin martuar me gra pagane. (Eks. 34:15, 16; Ezd. 9:1, 2) Kohë më vonë, guvernatori Nehemia u trondit kur pa se disa fëmijë që kishin lindur në Izrael nuk dinin ta flisnin gjuhën e judenjve. (Ligj. 6:6, 7; Neh. 13:23, 24) E si mund të mësonin ta donin dhe ta adhuronin Jehovain nëse nuk kuptonin hebraisht—gjuha kryesore në të cilën ishte shkruar Fjala e Perëndisë?! (Ezd. 10:3, 44) Prandaj, ata judenj duhej të bënin ndryshime rrënjësore në jetë. Por do ta kishin shumë më të lehtë t’i bënin ato ndryshime ngaqë jetonin në Izrael, ku po rivendosej gradualisht adhurimi i pastër.—Neh. 8:8, 9.

Që nga viti 1919, miliona burra, gra dhe fëmijë kanë dalë nga Babilonia e Madhe dhe kanë nisur të udhëtojnë në ‘Udhën e Shenjtërisë’ (Shih paragrafin 8)

8. Pse duhet të na interesojnë sot ngjarjet e së kaluarës? (Shihni figurën e kopertinës.)

8 Ndoshta thua me vete: «Histori interesante. Por, a ka ndonjë lidhje me ne sot ajo që ndodhi me judenjtë në lashtësi?» Po, ka, sepse në kuptimin e figurshëm edhe ne po ecim në ‘Udhën e Shenjtërisë’. Pavarësisht nëse jemi të mirosur apo nga ‘delet e tjera’, duhet të qëndrojmë në ‘Udhën e Shenjtërisë’, sepse duke ecur në të do të vazhdojmë të gëzojmë sot parajsën e figurshme dhe në fund bekimet që do të sjellë Mbretëria. b (Gjon 10:16) Që nga viti 1919, miliona burra, gra dhe fëmijë kanë dalë nga Babilonia e Madhe, perandoria botërore e fesë së rreme, e kanë nisur të udhëtojnë në këtë rrugë të figurshme. Ka shumë mundësi që edhe ti je mes tyre. Ndonëse kjo rrugë u hap rreth 100 vjet më parë, puna për ta shtruar kishte filluar shekuj përpara.

SI U SHTRUA RRUGA

9. Si e tregon Isaia 57:14 se do të punohej për ta shtruar ‘Udhën e Shenjtërisë’?

9 Jehovai u sigurua të hiqej çdo pengesë nga rruga e judenjve që u larguan nga Babilonia. (Lexo Isainë 57:14.) Po ç’të themi për ‘Udhën e Shenjtërisë’ sot? Për shumë shekuj para vitit 1919, Jehovai përdori burra me nderim të thellë për Të që të përgatitnin rrugën për të dalë nga Babilonia e Madhe. (Krahaso Isainë 40:3.) Ata bënë punën e nevojshme për ta shtruar atë rrugë, që njerëzit me zemër të sinqertë të dilnin nga Babilonia e Madhe dhe të hynin në parajsën e figurshme, ku është rivendosur adhurimi i pastër i Jehovait. Çfarë përfshinte puna për ta shtruar rrugën? Të shohim disa nga përgatitjet që u bënë.

Për shumë shekuj, burra të përkushtuar ndihmuan të përgatitej rruga për të dalë nga Babilonia e Madhe (Shih paragrafët 10-11)

10-11. Si kanë ndihmuar shtypja dhe përkthimi i Biblës që të përhapet njohuria për Biblën? (Shihni edhe figurën.)

10 Shtypja. Deri në mesin e shekullit të 15-të, Bibla kopjohej me dorë. Kjo ishte një punë që zgjaste shumë, dhe kopjet e Biblës ishin të rralla e kushtonin goxha. Mirëpo pasi u shpik shtypshkronja me germa të lëvizshme, botimi dhe qarkullimi i Biblës u përshpejtua.

11 Përkthimi. Për shekuj me radhë, Bibla ishte në dispozicion kryesisht në latinisht, një gjuhë që mund ta kuptonin vetëm njerëz mjaft të arsimuar. Por kur filluan të përdoreshin më gjerësisht shtypshkronjat, njerëz me nderim të thellë për Perëndinë iu përveshën më me zell punës për përkthimin e Biblës në gjuhët e njerëzve të thjeshtë. Tani lexuesit e Biblës kishin mundësi ta krahasonin atë që u mësonin klerikët me atë që mëson vërtet Bibla.

Burra të përkushtuar ndihmuan të përgatitej rruga për të dalë nga Babilonia e Madhe (Shih paragrafët 12-14) c

12-13. Jepni një shembull se si studiuesit e sinqertë të Biblës në shekullin e 19-të filluan të demaskonin mësimet e rreme fetare.

12 Mjete për të studiuar Biblën. Studiuesit e kujdesshëm të Fjalës së Perëndisë mësuan shumë nga leximi i saj. Sa u acarua kleri kur ata nisën t’ua tregonin edhe të tjerëve gjërat që kishin zbuluar! Për shembull, në shekullin e 19-të, shumë nga ata që po kërkonin të vërtetën filluan të botonin broshura që demaskonin mësimet e rreme të kishës.

13 Aty rreth vitit 1835, Henri Gru, një burrë me nderim të thellë për Perëndinë, botoi një broshurë që fliste për gjendjen e të vdekurve. Në të jepte prova nga Shkrimet se pavdekësia është një dhuratë nga Perëndia dhe nuk lindim me një shpirt të pavdekshëm, siç mësonte shumica e kishave. Në vitin 1837, një pastor që quhej Xhorxh Stors e gjeti atë broshurë ndërsa udhëtonte me tren. Pasi e lexoi, u bind se kishte zbuluar një të vërtetë të rëndësishme. Vendosi t’ua tregonte edhe të tjerëve atë që kishte mësuar. Më 1842-in, ai mbajti një seri fjalimesh me këtë temë që ngjallte kureshtje: «Një hulumtim: A janë të pavdekshëm të ligjtë?» Shkrimet e Xhorxh Storsit ndikuan goxha te një i ri që quhej Çarls Tejz Rasëll.

14. Si nxorën dobi vëlla Rasëlli dhe shokët e tij nga puna që ishte bërë për ta shtruar rrugën? (Shihni edhe figurën.)

14 Si nxorën dobi vëlla Rasëlli dhe shokët e tij nga puna që ishte bërë në të kaluarën për ta shtruar rrugën? Gjatë studimit, ata mund të bënin kërkime në fjalorë, tregues alfabetikë dhe përkthime të ndryshme të Biblës, që i kishin përgatitur të tjerë para tyre. Nxorën dobi edhe nga kërkimet që kishin bërë në Bibël studiues si Henri Gru, Xhorxh Stors e të tjerë. Vëlla Rasëlli dhe shokët e tij dhanë ndihmën e tyre për t’u shtruar kjo rrugë, duke botuar shumë libra dhe broshura që trajtonin tema nga Bibla.

15. Cilat ngjarje të rëndësishme ndodhën në vitin 1919?

15 Në vitin 1919, populli i Perëndisë u lirua nga pushteti i Babilonisë së Madhe. Po atë vit u emërua «skllavi besnik dhe i mençur», tamam në kohë për të mirëpritur në ‘Udhën e Shenjtërisë’ udhëtarët e parë—njerëz që ishin në kërkim të së vërtetës. (Mat. 24:45-47) Falë përpjekjeve të punëtorëve besnikë të së kaluarës, ata që nisnin udhëtimin mund të mësonin më shumë për qëllimet e Jehovait. (Prov. 4:18) Gjithashtu mund të mësonin të jetonin në harmoni me kërkesat e Jehovait. Jehovai nuk ka pritur që populli i tij t’i bënte njëherësh të gjitha ndryshimet e nevojshme, por e ka rafinuar dalëngadalë ndër vite. (Shih kutinë « Jehovai e rafinon gradualisht popullin e tij».) Sa të lumtur do të ndihemi kur të jemi në gjendje t’ia gëzojmë zemrën Perëndisë tonë me gjithçka që bëjmë!—Kolos. 1:10.

«UDHA E SHENJTËRISË» ËSHTË AKOMA E HAPUR

16. Çfarë pune është bërë për ta mirëmbajtur ‘Udhën e Shenjtërisë’ që nga 1919-a? (Isaia 48:17; 60:17)

16 Çdo rrugë ka nevojë të mirëmbahet rregullisht. Që nga viti 1919, ka nisur mirëmbajtja në ‘Udhën e Shenjtërisë’, që sa më shumë njerëz të kenë mundësi të dalin nga Babilonia e Madhe. Fill pasi u emërua, skllavi besnik dhe i mençur iu përvesh punës, e në 1921-shin nxori një botim për t’i ndihmuar ata që s’kishin njohuri nga Bibla të mësonin të vërtetën. Ai botim, Harpa e Perëndisë, pati një tirazh total prej gati 6 milionë kopjesh në 36 gjuhë, dhe shumë veta e mësuan të vërtetën nëpërmjet tij. Sot kemi në duar një botim të ri të shkëlqyer për të drejtuar studime, Gëzoje jetën përgjithmonë. Gjatë ditëve të fundit, Jehovai ka përdorur organizatën e tij që të sigurojë pareshtur ushqim besimforcues për të na ndihmuar të gjithëve të vazhdojmë të ecim në ‘Udhën e Shenjtërisë’.—Lexo Isainë 48:17; 60:17.

17-18. Cili është destinacioni i ‘Udhës së Shenjtërisë’?

17 Kur dikush pranon të studiojë Biblën, mund të themi se nis rrugëtimin në ‘Udhën e Shenjtërisë’. Disa udhëtojnë vetëm për pak, e pastaj largohen nga kjo rrugë. Të tjerë janë të vendosur ta vazhdojnë udhëtimin derisa të arrijnë në destinacion. Cili është destinacioni?

18 Për ata që kanë shpresë qiellore, destinacioni i ‘Udhës së Shenjtërisë’ është ‘parajsa e Perëndisë’ në qiell. (Zbul. 2:7) Për ata që kanë shpresë tokësore, destinacioni është përsosmëria në fund të 1.000 vjetëve. Nëse po ecën në këtë rrugë sot, mos e kthe kokën nga gjërat që ke lënë pas. As mos u largo prej saj, por çoje deri në fund rrugëtimin tënd në botën e re! Me gjithë zemër të urojmë: «Udhëtim të mbarë!»

KËNGA 24 Eja ngjitu në malin e Jehovait

a Jehovai e quajti rrugën e figurshme nga Babilonia për në Izrael «Udha e Shenjtërisë». A ka hapur Jehovai një udhë edhe për popullin e tij në kohët moderne? Po! Që nga viti 1919, miliona veta kanë dalë nga Babilonia e Madhe dhe kanë nisur të ecin në ‘Udhën e Shenjtërisë’. Të gjithë duhet të qëndrojmë në këtë udhë derisa të arrijmë në destinacionin tonë.

c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Vëlla Rasëlli dhe shokët e tij përdorën mjete për studimin e Biblës që i kishin përgatitur të tjerë para tyre.