Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 21

KËNGA 107 Jehovai—Modeli i praruar i dashurisë

Si të gjesh një bashkëshort të mirë

Si të gjesh një bashkëshort të mirë

«Kush mund të gjejë një grua të zonjën? Ajo vlen ku e ku më shumë se koralet.»PROV. 31:10.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Do të shqyrtojmë disa parime nga Bibla si mund të gjejë dikush një bashkëshort të mirë dhe si mund t’i mbështetin të tjerët në kongregacion ata që duan të martohen.

1-2. (a) Çfarë duhet të shqyrtojë një vëlla a motër para se të fillojë të njihet me dikë? (b) Çfarë nënkupton shprehja «periudhë njohjeje»? (Shihni «Shpjegimi i shprehjes».)

 A KE dëshirë të martohesh? Martesa nuk është e domosdoshme për të qenë i lumtur. Gjithsesi, shumë vëllezër e motra të pamartuar, pavarësisht nga mosha, duan të gjejnë një shok a një shoqe jete. Kuptohet, para se të njihesh me dikë, duhet të kesh një marrëdhënie të fortë me Jehovain, ta njohësh mirë veten dhe të jesh në gjendje të mbash përgjegjësitë financiare që sjell martesa. a (1 Kor. 7:36) Kështu ka më shumë gjasa të kesh një martesë të suksesshme.

2 Megjithatë nuk është gjithnjë e lehtë të gjesh një bashkëshort të mirë. (Prov. 31:10) Edhe nëse gjen dikë me të cilin të pëlqen të fillosh një periudhë njohjeje, b mund të mos jetë kollaj të hedhësh hapin e parë. Në këtë artikull do të shohim se çfarë mund ta ndihmojë një Dëshmitar të pamartuar të gjejë një bashkëshort të përshtatshëm dhe të fillojë ta njohë. Do të shqyrtojmë edhe si mund t’i mbështetin të tjerët në kongregacion ata që duan të martohen.

SI TË GJESH NJË BASHKËSHORT TË PËRSHTATSHËM

3. Çfarë duhet të shqyrtojë një vëlla a motër kur kërkon një bashkëshort të mundshëm?

3 Nëse dëshiron të martohesh, është e rëndësishme të dish çfarë kërkon te një bashkëshort para se të fillosh ta njohësh. c Përndryshe mund të mos e vëresh dikë që ka të ngjarë të jetë bashkëshort i mirë. Ose mund të fillosh të njihesh me dikë që nuk është i përshtatshëm për ty. Sigurisht, çdo bashkëshort i mundshëm duhet të jetë një Dëshmitar i pagëzuar. (1 Kor. 7:39) Ama jo çdo i pagëzuar do të jetë një bashkëshort i mirë për ty. Prandaj pyet veten: «Çfarë synimesh kam në jetë? Cilat cilësi janë thelbësore për mua te një bashkëshort i mundshëm? A është e arsyeshme ajo që pres?»

4. Çfarë përfshijnë disa në lutjet e tyre?

4 Pa dyshim, nëse dëshiron të gjesh një shok a shoqe jete, je lutur për këtë. (Filip. 4:6) Sigurisht, Jehovai nuk premton se të gjithë shërbëtorët e tij do të gjejnë një bashkëshort. Ama, ai ka merak për ndjenjat e nevojat e tua dhe do të të ndihmojë ndërkohë që përpiqesh të gjesh një bashkëshort. Prandaj vazhdo t’i hapesh për dëshirat dhe ndjenjat e tua. (Psal. 62:8) Lutju për durim dhe mençuri. (Jak. 1:5) Xhoni, d një vëlla beqar nga Shtetet e Bashkuara, tregon se çfarë përfshin në lutjet e tij: «I tregoj Jehovait çfarë cilësish kërkoj te shoqja e jetës dhe i lutem që të krijohen mundësi për të takuar një bashkëshorte të mundshme. I kërkoj edhe të më ndihmojë të zhvilloj cilësi që do të më bëjnë një bashkëshort të mirë.» Kurse Tania, një motër nga Sri-Lanka, thotë: «Ndërsa kërkoj një bashkëshort të përshtatshëm, i lutem Jehovait të më ndihmojë që të vazhdoj të jem besnike ndaj tij, pozitive dhe e lumtur.» Edhe sikur të mos gjesh menjëherë një bashkëshort të përshtatshëm, Jehovai premton se do të vazhdojë të të sigurojë gjërat e nevojshme materiale dhe dashurinë e vëmendjen që të nevojitet.—Psal. 55:22.

5. Çfarë mundësish kanë Dëshmitarët beqarë për të takuar dikë që e do Jehovain? (1 Korintasve 15:58) (Shihni edhe figurat.)

5 Bibla na nxit të kemi «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë». (Lexo 1 Korintasve 15:58.) Ndërsa jepesh me gjithë shpirt pas shërbimit dhe kalon kohë me vëllezër e motra të ndryshëm, do të shijosh shoqërinë e tyre inkurajuese. Njëkohësisht do të kesh mundësi të takosh beqarë të tjerë, që njësoj si ti, e kanë bërë shërbimin e Jehovait boshtin e jetës. E teksa bën më të mirën për ta kënaqur Jehovain, do të jesh vërtet i lumtur.

Ndërsa jepesh me gjithë shpirt pas shërbimit dhe kalon kohë me vëllezër e motra të ndryshëm, mund të takosh beqarë të tjerë që kanë dëshirë të martohen (Shih paragrafin 5)


6. Çfarë duhet të mbajë parasysh një Dëshmitar beqar ndërsa kërkon një bashkëshort?

6 Ama bëj kujdes: mos lejo që kërkimi i një bashkëshorti të të bëhet gjëja më e rëndësishme në jetë. (Filip. 1:10) Lumturia e vërtetë nuk varet nga statusi si beqar a i martuar, por nga miqësia jote me Jehovain. (Mat. 5:3) Si beqar, ke më shumë liri të zgjerosh shërbimin. (1 Kor. 7:32, 33) Shfrytëzoje sa më mirë këtë kohë. Xhesika, një motër nga Shtetet e Bashkuara që u martua nga fundi i të 30-ave, thotë: «Jepesha pa u kursyer pas shërbimit, dhe kjo më ndihmoi të isha e kënaqur edhe pse dëshiroja të martohesha.»

LËR KOHË QË TË VËZHGOSH ME MATURI

7. Pse është e mençur ta vëzhgosh dikë që të duket bashkëshort i përshtatshëm para se t’i thuash se të intereson? (Proverbat 13:16)

7 Po nëse dikush të duket bashkëshort i përshtatshëm? A duhet t’ia thuash menjëherë se ke interes për të? Bibla tregon se një njeri i mençur merr njohuri para se të veprojë. (Lexo Proverbat 13:16.) Prandaj është gjë e mençur ta vëzhgosh me maturi për njëfarë kohe para se t’i thuash se të intereson. Eshuini nga Holanda thotë: «Ndjenjat mund të lulëzojnë shpejt, por edhe të veniten po aq shpejt. Prandaj nëse lë kohë ta vëzhgosh dikë, nuk do të fillosh një periudhë njohjeje i shtyrë nga impulsi.» Veç kësaj, ndërsa e vëzhgon dikë, mund të kuptosh se nuk do të ishte bashkëshort i përshtatshëm për ty.

8. Si mund ta vëzhgojë një vëlla a motër një bashkëshort të mundshëm? (Shihni edhe figurat.)

8 Si mund ta vëzhgosh me maturi dikë që të intereson? Në mbledhje ose në aktivitete të kohës së lirë, mund të vëresh çfarë marrëdhënieje ka me Jehovain, si edhe personalitetin dhe sjelljen e tij. Cilët ka miq dhe për çfarë bisedon? (Luka 6:45) A janë të ngjashme synimet e tij me të tuat? Mund të pyesësh pleqtë e kongregacionit të tij ose vëllezër e motra të tjerë të pjekur që e njohin mirë. (Prov. 20:18) Mund të pyesësh për reputacionin dhe cilësitë e tij. (Rutha 2:11) Ndërsa e vëzhgon, bëj kujdes të mos e vësh në siklet. Respekto ndjenjat dhe privatësinë e tij dhe lëri hapësirë.

Para se t’i thuash dikujt se të intereson, vëzhgoje me maturi për njëfarë kohe (Shih paragrafët 7-8)


9. Për çfarë duhet të jesh i bindur para se t’i thuash dikujt se të intereson?

9 Për sa kohë duhet ta vëzhgosh dikë para se t’i thuash se të intereson? Nëse ia thua tepër shpejt, mund të dukesh impulsiv. (Prov. 29:20) Nga ana tjetër, po të lësh tepër kohë, mund të dukesh i pavendosur, sidomos nëse tjetrit i ka rënë në sy interesimi yt. (Ekl. 11:4) Para se t’ia thuash dikujt se të intereson, mbaj parasysh që nuk është e nevojshme të jesh i bindur se do të martohesh me të. Ama duhet të jesh i bindur se je gati për martesë dhe se ai person mund të jetë një bashkëshort i përshtatshëm për ty.

10. Çfarë duhet të bësh nëse kupton se dikush është i interesuar për ty, por nuk ndihesh njësoj për të?

10 Po nëse kupton se dikush është i interesuar për ty? Nëse ndjenja nuk është reciproke, përpiqu t’ia bësh të qartë këtë me veprimet e tua. Nuk do të ishte aspak e dashur ta bësh tjetrin të mendojë se do të kishe dëshirë të njiheshe me të, ndërkohë që nuk është kështu.—1 Kor. 10:24; Efes. 4:25.

11. Çfarë duhet të shqyrtosh me kujdes nëse të kërkohet të gjesh një bashkëshort të mundshëm për dikë?

11 Në disa vende pritet që prindërit ose të afërm të tjerë të zgjedhin një bashkëshort për dikë që s’është i martuar. Në vende të tjera, familja ose miqtë gjejnë një bashkëshort të mundshëm për dikë që është beqar dhe e rregullojnë që ata të dy të takohen për të parë nëse dëshirojnë të njihen. Nëse të kërkohet të gjesh një bashkëshort të mundshëm për dikë, merr parasysh preferencat dhe nevojat e të dyja palëve. E nëse mendon se ke gjetur dikë të përshtatshëm, njihe sa më mirë atë person, çfarë cilësish ka dhe mbi të gjitha si është marrëdhënia e tij me Jehovain. Një miqësi e ngushtë me Jehovain është shumë më e rëndësishme se paratë, arsimimi dhe shtresa shoqërore. Sidoqoftë, mos harro se vendimin nëse do të martohen duhet ta marrin vëllai dhe motra beqare.—Gal. 6:5.

SI TA FILLOSH PERIUDHËN E NJOHJES

12. Nëse dëshiron të njihesh me dikë, si mund t’ia thuash se të intereson?

12 Nëse dëshiron të njihesh me dikë, si mund t’ia thuash se të intereson? e Mund t’i kërkosh të bisedoni në një vend publik ose me telefon. Shprehja qartë synimet që ke. (1 Kor. 14:9) Lëri kohë tjetrit të mendohet para se të përgjigjet, nëse ka nevojë. (Prov. 15:28) Dhe nëse nuk dëshiron të njihet, respektoji ndjenjat e tij ose të saj.

13. Çfarë mund të bësh nëse dikush të thotë se ka interes për ty? (Kolosianëve 4:6)

13 Po nëse dikush të thotë se ka interes për ty? Ka shumë të ngjarë që iu desh guxim të ta thoshte, prandaj ji i sjellshëm dhe trego respekt. (Lexo Kolosianëve 4:6.) Nëse të duhet kohë të mendohesh, thuaja. Megjithatë përpiqu t’i kthesh përgjigje sa më shpejt. (Prov. 13:12) Nëse nuk dëshiron të njihesh me të, thuaja me mirësjellje dhe qartë. Të shohim si veproi Hansi, një vëlla nga Austria, kur një motër shprehu interesimin për të. Ai tregon: «Ia thashë me takt por qartë çfarë kisha vendosur. E bëra këtë pa vonesë, sepse nuk doja ta mbaja kot me shpresa. Gjithashtu bëja kujdes të mos thosha ose të mos bëja diçka që do t’i krijonte idenë se mund të ndryshoja mendje.» Nga ana tjetër, nëse ke dëshirë ta njohësh, thuaja këtë, e pastaj bisedoni për gjërat që prisni nga njëri-tjetri gjatë periudhës së njohjes. Për shkak të kulturës ose arsyeve të tjera, gjërat që pret ti mund të ndryshojnë nga ato që pret tjetri.

SI MUND TA MBËSHTETIM NJË VËLLA A MOTËR TË PAMARTUAR?

14. Si mund t’i mbështetim të pamartuarit me atë që themi?

14 Si mund t’i mbështetim bashkëbesimtarët që duan të martohen? Një mënyrë është duke bërë kujdes se çfarë themi. (Efes. 4:29) Mund të pyesim veten: «A i ngacmoj me fjalë ata që duan të martohen? Kur shoh një vëlla dhe një motër beqare duke biseduar, a nxjerr përfundimin se kanë interes romantik për njëri-tjetrin?» (1 Tim. 5:13) Gjithashtu nuk duhet t’i bëjmë kurrë beqarët të ndihen sikur u mungon diçka ngaqë nuk janë të martuar. Hansi, që u përmend më lart, thotë: «Disa vëllezër e motra thonë: ‘Pse nuk martohesh? Po të ikën edhe mosha.’ Komente të tilla i bëjnë të pamartuarit të ndihen sikur të tjerët nuk i çmojnë dhe ua shtojnë presionin për t’u martuar.» Është shumë më bukur të kërkosh mundësi për t’i lavdëruar vëllezërit e motrat beqare!—1 Sel. 5:11.

15. (a) Sipas parimit te Romakëve 15:2, çfarë duhet të mbajmë parasysh para se të ndihmojmë dikë të gjejë një bashkëshort? (Shihni edhe figurën.) (b) Çfarë mësimesh të rëndësishme nxore nga videoja? (Shihni shënimin.)

15 Çfarë duhet të bëjmë nëse mendojmë se një vëlla dhe një motër do të shkonin si çift? Bibla na nxit të mbajmë parasysh ndjenjat e të tjerëve. (Lexo Romakëve 15:2.) Shumë beqarë nuk duan që dikush t’u prezantojë një bashkëshort të mundshëm, dhe duhet t’i respektojmë dëshirat e tyre. (2 Sel. 3:11) Të tjerë mund të duan t’i ndihmojmë, por nuk duhet të ndërhyjmë pa na e kërkuar. f (Prov. 3:27) Disa beqarë preferojnë t’i ndihmojmë me lezet. Lidia, një motër beqare nga Gjermania, thotë: «Mund t’i përfshish vëllanë dhe motrën në një grup të madh. Thjesht krijoju mundësinë që të takohen dhe pjesën tjetër lërja në dorë atyre.»

Në një grup të madh, motrat e vëllezërit beqarë kanë mundësi të takohen me njëri-tjetrin (Shih paragrafin 15)


16. Çfarë duhet të mbajnë parasysh motrat e vëllezërit beqarë?

16 Të gjithë ne—beqarë a të martuar—mund të kemi një jetë të lumtur dhe domethënëse! (Psal. 128:1) Ndaj nëse dëshiron të martohesh, por nuk ke gjetur akoma dikë, vazhdo të përqendrohesh te shërbimi i Jehovait. Një motër nga Makao që quhet Sin-Ji, thotë: «Koha që kalon si e pamartuar, është relativisht e shkurtër krahasuar me kohën që mund të kalosh me bashkëshortin tënd në Parajsë. Shijoje këtë kohë dhe nxirr sa më shumë dobi prej saj.» Po nëse ke gjetur një bashkëshort të mundshëm dhe keni filluar të njiheni? Në artikullin tjetër do të shohim çfarë mund të të ndihmojë që periudha e njohjes të jetë e suksesshme.

KËNGA 137 Besnike, të dashura, të vyera

a Që të kuptosh nëse je gati për t’u martuar, mund të të ndihmojë artikulli në jw.org «Njohjet—Pjesa 1: A jam gati të njihem me dikë?»

b SHPJEGIMI I SHPREHJES: Në këtë artikull dhe në tjetrin, shprehja «periudhë njohjeje» nënkupton kohën gjatë së cilës një burrë dhe një grua njihen më mirë për të kuptuar nëse do të ishin bashkëshortë të përshtatshëm për njëri-tjetrin. Periudha e njohjes fillon kur e bëjnë të qartë se kanë interes romantik për njëri-tjetrin dhe vazhdon derisa vendosin të martohen ose derisa i japin fund njohjes.

c Për thjeshtësi, në paragrafët e mëposhtëm, do të përdorim kryesisht gjininë mashkullore për bashkëshortin e mundshëm. Sigurisht, këto parime zbatohen po njësoj edhe për motrat.

d Disa emra janë ndryshuar.

e Në disa kultura, zakonisht është djali ai që i kërkon vajzës të fillojnë të njihen. Megjithatë, nuk ka problem edhe nëse një vajzë i kërkon një djali të fillojnë periudhë njohjeje. (Rutha 3:1-13) Për më shumë informacion, shih artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Si t’ia them çfarë ndiej?» te Zgjohuni!, 22 tetor 2004.