Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 12

A e sheh atë që pa Zakaria?

A e sheh atë që pa Zakaria?

«‘Jo me ndonjë forcë ushtarake, as me fuqinë e njeriut, por me frymën time’,—thotë Jehovai i ushtrive.»—ZAK. 4:6.

KËNGA 73 Jehova, na jep guxim!

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë perspektive drithëruese i priste mërgimtarët judenj?

 ANEKËND ndihej një atmosferë gëzimi. Perëndia Jehova ‘kishte nxitur mbretin Kir të Persisë’ t’i lironte izraelitët, që kishin qenë robër në Babiloni për dekada të tëra. Mbreti nxori një shpallje që judenjtë të ktheheshin në atdhe e ‘të rindërtonin shtëpinë e Jehovait, Perëndisë së Izraelit’. (Ezd. 1:1, 3) Judenjtë s’i mbante vendi, sepse ai dekret nënkuptonte se do ta adhuronin sërish Perëndinë e vërtetë në vendin që u kishte dhënë.

2. Çfarë arritën të bënin në fillim judenjtë e kthyer nga mërgimi?

2 Në vitin 537 p.e.s., mërgimtarët e parë mbërritën në Jerusalem, që kishte qenë kryeqyteti i mbretërisë jugore të Judës. Ata judenj iu përveshën pa vonesë punës për rindërtimin e tempullit, e në vitin 536 p.e.s. i kishin hedhur themelet e tij.

3. Çfarë kundërshtimi ndeshën judenjtë?

3 Mirëpo pasi filloi rindërtimi i tempullit, nisën edhe kundërshtimet e forta për ish-mërgimtarët. Popujt përreth «e shkurajonin dhe ia ligështonin pareshtur zemrën popullit të Judës që të mos ndërtonin». (Ezd. 4:4) Ajo situatë e rëndë u rëndua akoma më keq në vitin 522 p.e.s., kur në Persi mori pushtetin një mbret tjetër, Artakserksi. * Kundërshtarët e panë atë ndryshim në qeveri si shansin e tyre për t’i dhënë fund një herë e mirë rindërtimit ‘duke kurdisur të keqen në emër të ligjit’. (Psal. 94:20) Ata i thanë mbretit Artakserks se judenjtë, ndër të tjera, po komplotonin të rebeloheshin kundër tij. (Ezd. 4:11-16) Mbreti i besoi gënjeshtrat e tyre e dha urdhër të ndalej ndërtimi i tempullit. (Ezd. 4:17-23) Për pasojë, judenjtë që po ndërtonin tempullin tërë gëzim, u detyruan ta ndalnin punën.—Ezd. 4:24.

4. Çfarë bëri Jehovai kur kundërshtarët e ndalën rindërtimin e tempullit? (Isaia 55:11)

4 Banorët paganë përreth dhe disa në qeverinë perse ishin të vendosur ta ndalonin rindërtimin e tempullit. Por Jehovai ishte i vendosur ta çonte deri në fund atë punë dhe ai e realizon gjithmonë qëllimin e tij. (Lexo Isainë 55:11.) Jehovai zgjodhi një profet sypatrembur që quhej Zakaria e i dha tetë vegime emocionuese, nëpërmjet të cilave duhej të inkurajonte judenjtë. Ato vegime zemërdhënëse i siguruan se nuk kishte pse t’u frikësoheshin kundërshtarëve dhe i frymëzuan të vazhdonin me vendosmëri punën që u kishte caktuar Jehovai. Në vegimin e pestë, Zakaria pa një shandan dhe dy pemë ulliri.

5. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

5 Hera-herës të gjithëve na lëshon zemra. Ndaj mund të nxjerrim dobi duke shqyrtuar vegimin e pestë të Zakarisë, nëpërmjet të cilit Jehovai inkurajoi izraelitët. Ky vegim mund të na ndihmojë t’i shërbejmë besnikërisht Jehovait kur hasim kundërshtime, kur na ndryshojnë rrethanat dhe kur marrim ndonjë drejtim që nuk e kuptojmë.

KUR HASIM KUNDËRSHTIME

Zakaria pa një vegim për dy pemë ulliri që furnizonin me vaj një shandan me shtatë llamba (Shih paragrafi 6)

6. Si u dha kurajë judenjve vegimi te Zakaria 4:1-3 për shandanin dhe dy pemët e ullirit? (Shih figurën e kopertinës.)

6 Lexo Zakarinë 4:1-3. Vegimi për shandanin dhe dy pemët e ullirit u dha judenjve kurajë që të mos dorëzoheshin para kundërshtimit. Si? A e vure re se shandani furnizohej vazhdimisht me vaj? Dy pemë ulliri mbushnin me vaj një rezervuar në formë kupe, e prej atje vaji rridhte te secila nga shtatë llambat e shandanit. Falë atij vaji, llambat ndriçonin pareshtur. Zakaria pyeti: «Ç’kuptim kanë këto gjëra?» Engjëlli iu përgjigj me këtë mesazh nga Jehovai: «‘Jo me ndonjë forcë ushtarake, as me fuqinë e njeriut, por me frymën time’,—thotë Jehovai i ushtrive.» (Zak. 4:4, 6) Vaji që rridhte nga pemët paraqiste frymën e fuqishme të Jehovait, një burim që nuk shteron kurrë. Tërë forcat ushtarake të Perandorisë Perse ishin një hiç krahasuar me fuqinë që vjen nga fryma e Perëndisë. Me Jehovain në krah, ndërtuesit e tempullit do t’i bënin ballë çdo kundërshtimi dhe do ta çonin deri në fund punën. Çfarë mesazhi zemërdhënës! Gjithë sa duhej të bënin judenjtë ishte të tregonin besim te Jehovai dhe t’i futeshin punës. E tamam kështu bënë, edhe pse ndalimi ishte akoma në fuqi.

7. Cili ndryshim u solli njëfarë lehtësimi ndërtuesve të tempullit?

7 Më pas, ndodhi një ndryshim që u solli njëfarë lehtësimi ndërtuesve të tempullit. Çfarë ndryshimi? Në Persi kishte filluar të qeveriste një mbret tjetër, Dari I. Vitin e dytë të mbretërimit, më 520 p.e.s., ai zbuloi se ndalimi për ndërtimin e tempullit ishte i paligjshëm. Atëherë Dari dha miratimin që punimet të përfundonin. (Ezd. 6:1-3) Vendimi i mbretit i befasoi të gjithë. Por s’mbaroi me kaq: mbreti urdhëroi që popujt përreth të mos e pengonin më rindërtimin e tempullit dhe të siguronin të ardhura e çdo gjë të nevojshme për t’i mbështetur punimet. (Ezd. 6:7-12) Si rezultat, pak më shumë se katër vjet më vonë, në vitin 515 p.e.s., judenjtë e përfunduan ndërtimin e tempullit.—Ezd. 6:15.

Kur has kundërshtime, mbështetu te fuqia që jep Jehovai (Shih paragrafin 8)

8. Pse duhet të marrësh guxim kur has kundërshtime?

8 Edhe sot, shumë adhurues të Jehovait hasin kundërshtime. Për shembull, disa jetojnë në vende ku vepra jonë është e kufizuar. Atje vëllezërit mund t’i arrestojnë dhe mund ‘t’i nxjerrin përpara guvernatorëve e mbretërve’, të cilëve u jepet dëshmi për lajmin e mirë. (Mat. 10:17, 18) Ndonjëherë një ndryshim në qeveri mund ta lehtësojë gjendjen. Ose një gjykatës i paanshëm mund të japë një vendim në favor të veprës sonë. Dëshmitarë të tjerë që jetojnë në shtete ku janë të lirë ta adhurojnë Jehovain, përballen me një lloj tjetër kundërshtimi. Ata hasin kundërshtime nga pjesëtarët e familjes, që janë të vendosur të mos i lejojnë t’i shërbejnë Perëndisë. (Mat. 10:32-36) Në shumë raste, kur e kuptojnë se përpjekjet për t’i shkurajuar të afërmit Dëshmitarë po u shkojnë kot, kundërshtarët i lënë të qetë. Madje në disa raste, ata që ishin dikur kundërshtarë të flaktë janë bërë Dëshmitarë të zellshëm. Prandaj, kur has kundërshtime, mos u dorëzo! Ji guximtar. Ti ke përkrahjen e Jehovait dhe të frymës së tij të fuqishme, prandaj s’ke pse të frikësohesh aspak.

KUR NA NDRYSHOJNË RRETHANAT

9. Pse disa judenj u zhgënjyen pasi u hodhën themelet e tempullit të ri?

9 Pasi u hodhën themelet e tempullit të ri, disa judenj të moshuar qanë. (Ezd. 3:12) Ata kishin parë tempullin e lavdishëm të ndërtuar nga Solomoni dhe mendonin se tempulli i ri do të ishte ‘asgjë në krahasim me të mëparshmin’. (Hag. 2:2, 3) Tek meditonin për kontrastin mes tempullit të vjetër e të riut, i mbyste trishtimi. Vegimi i Zakarisë do t’i ndihmonte ta mposhtnin zhgënjimin. Si?

10. Si i ndihmuan judenjtë fjalët e engjëllit të dokumentuara te Zakaria 4:8-10 që ta mposhtnin zhgënjimin?

10 Lexo Zakarinë 4:8-10. Ku e kishte fjalën engjëlli kur tha se judenjtë ‘do të gëzonin kur të shihnin plumbçen në dorën e Zorobabelit’, guvernatorit të Judës? Plumbçja është një mjet që tregon nëse diçka është krejtësisht pingule, ose e drejtë. Engjëlli po e siguronte popullin e Perëndisë se, sado i thjeshtë t’u dukej disave, tempulli do të përfundonte dhe do të plotësonte standardet e Jehovait. Jehovai do të gjente kënaqësi tek ai tempull, prandaj pse nuk duhej të ndiheshin të kënaqur edhe ata?! Gjëja më e rëndësishme për Jehovain ishte ta adhuronin siç dëshironte ai në tempullin e ri. Nëse gjëja kryesore për judenjtë ishte të adhuronin Jehovain siç kërkonte ai dhe të kishin miratimin e tij, do ta rifitonin gëzimin.

Përpiqu të kesh pikëpamje pozitive për rrethanat e reja (Shih paragrafët 11-12) *

11. Çfarë vështirësish hasin sot disa adhurues të Jehovait?

11 Për shumë nga ne, një ndryshim në jetë është sfidues. Disa që shërbenin për një kohë të gjatë në ndonjë formë të shërbimit special në kohë të plotë, kanë marrë një caktim tjetër. Kurse disave iu është dashur që, për shkak të moshës, të ndërpresin një caktim që e kishin për zemër. Është normale të ndihemi të zhgënjyer kur një ndryshim i tillë na prek personalisht. Në fillim ndoshta nuk e kuptojmë plotësisht vendimin ose nuk jemi dakord me të. Mund të ndiejmë nostalgji për të kaluarën. Gjithashtu mund të shkurajohemi ngaqë mendojmë se në rrethanat e reja jemi fare pak të dobishëm për Jehovain. (Prov. 24:10) Si mund të na ndihmojë vegimi i Zakarisë të vazhdojmë t’i japim më të mirën Perëndisë tonë?

12. Si mund të na ndihmojë vegimi i Zakarisë të përballojmë zhgënjimin që vjen nga ndryshimi i rrethanave?

12 E kemi më të lehtë ta përballojmë një ndryshim kur i shohim gjërat nga këndvështrimi i Jehovait. Ai po realizon gjëra madhështore sot, dhe ne kemi privilegjin unik të jemi bashkëpunëtorët e tij. (1 Kor. 3:9) Caktimet tona mund të ndryshojnë, por dashuria e Jehovait për ne s’ka për të ndryshuar. Prandaj, nëse një ndryshim në organizatë të prek personalisht, mos u fikso te qysh e tek ndodhi ndryshimi. Në vend që të përmallohesh për «ditët e kaluara», lutu për të parë të mirat që ka ai ndryshim. (Ekl. 7:10) Në vend që të mendosh për gjërat që s’mund të bësh më, mendo për gjithë gjërat që mund të bësh. Nga vegimi i Zakarisë mësojmë sa rëndësi ka të mbajmë një qëndrim pozitiv. Kështu do të ruajmë gëzimin dhe do të qëndrojmë besnikë edhe kur na ndryshojnë rrethanat.

KUR ËSHTË E VËSHTIRË TË NDJEKIM NJË DREJTIM

13. Pse disa izraelitëve mund t’u jetë dukur i pamatur udhëzimi për të rifilluar punimet?

13 Rindërtimin e tempullit e kishin ndaluar. Gjithsesi, burrat e caktuar për të marrë drejtimin—kryeprifti Jeshua (Josi) dhe guvernatori Zorobabel—«nisën të rindërtonin shtëpinë e Perëndisë». (Ezd. 5:1, 2) Disa judenjve mund t’u jetë dukur i pamatur ai vendim. Punimet për rindërtimin s’kishte si të mos u binin në sy armiqve, dhe ata s’do të linin gur pa luajtur për t’i penguar. Dy burrat përgjegjës, Josiu dhe Zorobabeli, kishin nevojë për sigurinë se Jehovai i mbështeste. E Jehovai ua dha atë siguri. Si?

14. Çfarë sigurie u dhanë kryepriftit Josi dhe guvernatorit Zorobabel fjalët e Zakarisë 4:12, 14?

14 Lexo Zakarinë 4:12, 14. Në këtë pjesë të vegimit të Zakarisë, engjëlli i zbulon profetit besnik të Perëndisë se dy pemët e ullirit paraqesin «dy të mirosurit»—Josiun dhe Zorobabelin. Në kuptimin e figurshëm, ata dy burra ‘qëndronin pranë Zotërisë së mbarë tokës’, Jehovait. Çfarë nderi i pashoq! Jehovai kishte besim tek ata. Prandaj, bashkatdhetarët duhej të kishin plotësisht besim te vendimet e tyre dhe te drejtimi i Perëndisë, sido që të ishte ai drejtim.

15. Si mund ta tregojmë se e respektojmë drejtimin që na jep Jehovai me anë të Fjalës së tij?

15 Një mënyrë si vazhdon ta drejtojë Jehovai popullin e tij sot është me anë të Fjalës së tij, Biblës. Në këtë libër të shenjtë na tregon si ta adhurojmë ashtu siç dëshiron ai. Si mund ta tregojmë se e respektojmë drejtimin që na jepet në Fjalën e Perëndisë? Duke i kushtuar shumë vëmendje dhe duke lënë kohë ta kuptojmë. Pyet veten: «Kur lexoj Biblën ose një nga botimet tona, a ndalem të meditoj? A bëj kërkime për domethënien e të vërtetave të Biblës që janë ‘të vështira për t’u kuptuar’? Apo e kaloj materialin përciptas?» (2 Pjet. 3:16) Nëse lëmë kohë të bluajmë në mendje atë që na mëson Jehovai, do t’i bindemi drejtimit të tij dhe do ta çojmë deri në fund veprën e predikimit.—1 Tim. 4:15, 16.

Trego besim te drejtimi që jep «skllavi besnik dhe i mençur» (Shih paragrafin 16) *

16. Ç’do të na ndihmojë t’i bindemi një drejtimi nga «skllavi besnik dhe i mençur» kur nuk e kuptojmë plotësisht?

16 Një mënyrë tjetër si na drejton Jehovai është me anë të ‘skllavit besnik dhe të mençur’. (Mat. 24:45) Ndonjëherë mund të mos e kuptojmë plotësisht një drejtim që jep skllavi. Për shembull, mund të marrim udhëzime specifike si të përgatitemi për një katastrofë natyrore që, për mendimin tonë, nuk ka gjasa të ndodhë në zonën ku jetojmë. Ose mund të mendojmë se skllavi po tregon kujdes të tepruar gjatë një pandemie. Çfarë duhet të bëjmë nëse nuk na duken praktike udhëzimet që marrim? Mund të meditojmë si nxorën dobi izraelitët kur ia vunë veshin drejtimit që morën nëpërmjet Josiut dhe Zorobabelit. Mund të meditojmë edhe për ngjarje të tjera nga Bibla. Në disa raste, popullit të Perëndisë i jepej një drejtim që nuk dukej praktik nga këndvështrimi njerëzor, por që në fund ishte jetëshpëtues.—Gjyk. 7:7; 8:10.

SHIKO ATË QË PA ZAKARIA

17. Si ndikoi te judenjtë vegimi për shandanin dhe dy pemët e ullirit?

17 Vegimi i pestë i Zakarisë, ndonëse mund të ketë qenë i shkurtër, i ndihmoi judenjtë ta shihnin në një dritë tjetër punën që u ishte caktuar dhe adhurimin e tyre. E kur vepruan në harmoni me atë që pa Zakaria, provuan si i mbështeste me dashuri dhe si u printe Jehovai. Nëpërmjet frymës së tij të fuqishme, Jehovai i ndihmoi ta vazhdonin punën dhe ta rifitonin gëzimin.—Ezd. 6:16.

18. Si mund të të ndihmojë vegimi i Zakarisë?

18 Vegimi i Zakarisë për shandanin dhe dy pemët e ullirit mund të ketë ndikim të fuqishëm te ti. Siç e kemi parë, falë tij mund të fitosh forcën që të nevojitet kur has kundërshtime, gëzimin që të nevojitet kur të ndryshojnë rrethanat dhe besimin që të nevojitet kur merr një drejtim që nuk e kupton. Çfarë duhet të bësh, pra, kur përplasesh me vështirësi në jetë? Së pari, shiko atë që pa Zakaria—dëshmitë se Jehovai kujdeset për shërbëtorët e Tij. Pastaj vepro në harmoni me atë që sheh, duke u mbështetur me besim te Jehovai e duke vazhduar ta adhurosh me gjithë zemër. (Mat. 22:37) Atëherë Jehovai do të të ndihmojë t’i shërbesh me gëzim në përjetësi.—Kolos. 1:10, 11.

KËNGA 7 Jehova, je forca jonë

^ par. 5 Jehovai i dha profetit Zakaria një varg vegimesh emocionuese. Ajo që pa, i dha Zakarisë dhe popullit të Jehovait forcën për t’u bërë ballë vështirësive ndërsa përpiqeshin të rivendosnin adhurimin e pastër. Këto vegime mund të na ndihmojnë edhe ne t’i shërbejmë besnikërisht Jehovait mes vështirësive. Në këtë artikull do të shohim disa mësime me vlerë që nxjerrim nga vegimi i Zakarisë për një shandan dhe dy pemë ulliri.

^ par. 3 Vite më vonë, në ditët e guvernatorit Nehemia, qeveriste një mbret tjetër që quhej Artakserks, i cili i shihte me sy të mirë judenjtë.

^ par. 60 PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Një vëlla kupton se duhet të përshtatet tani që i kanë ndryshuar rrethanat për shkak të moshës dhe shëndetit të dobët.

^ par. 62 PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Një motër mediton se si po e mbështet Jehovai ‘skllavin besnik dhe të mençur’ ashtu si mbështeti Josiun dhe Zorobabelin.