Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 13

Adhurimi i Jehovait na shton lumturinë

Adhurimi i Jehovait na shton lumturinë

«Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë.»—ZBUL. 4:11.

KËNGA 31 Do të eci me Perëndinë tim!

PËRMBLEDHJE *

1-2. Çfarë lloj adhurimi pranon Jehovai?

 ÇFARË të vjen ndër mend kur dëgjon fjalën «adhurim»? Mbase përfytyron një vëlla të përulur që i zbraz zemrën Jehovait në lutje, i ulur në gjunjë pranë shtratit. Ose ndoshta imagjinon një familje të lumtur që po shijojnë studimin e Biblës.

2 Në të dyja rastet, këta persona po adhurojnë Jehovain. A do ta pranojë Jehovai adhurimin e tyre? Patjetër që po, nëse është në harmoni me qëllimin e tij dhe motivohet nga dashuria e respekti. Ne e duam me gjithë shpirt Jehovain. E dimë se e meriton ta adhurojmë dhe dëshirojmë që adhurimi ynë të jetë një dhuratë e cilësisë më të lartë.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Në këtë artikull do të shohim ç’lloj adhurimi pranonte Jehovai në kohët e lashta, si edhe do të shqyrtojmë tetë aspekte të adhurimit që miraton Jehovai sot. Ndërsa e bëjmë këtë, mund të mendojmë si të përmirësohemi dita-ditës në adhurimin e Jehovait. Gjithashtu do të shqyrtojmë arsyet pse adhurimi i vërtetë na bën të lumtur.

ADHURIMI QË PRANONTE JEHOVAI NË LASHTËSI

4. Në kohët para Krishtit, si treguan adhuruesit e Jehovait se e respektonin dhe e donin Perëndinë e tyre?

4 Në kohët para Krishtit, burra besnikë si Abeli, Noeja, Abrahami dhe Jobi treguan se e respektonin dhe e donin Jehovain. Si? Duke iu bindur, duke treguar besim dhe duke i ofruar flijime Perëndisë. Bibla nuk tregon çdo detaj si e adhuruan Jehovain. Por s’ka dyshim se ata bënë më të mirën që ta nderonin, dhe Ai e pranoi adhurimin e tyre. Më vonë, Jehovai u dha pasardhësve të Abrahamit Ligjin e Moisiut. Ai përmbante udhëzime specifike se si duhej ta adhuronin Jehovain në mënyrë të pranueshme.

5. Çfarë ndryshoi në adhurimin e vërtetë pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezuit?

5 Pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezuit, Jehovai nuk priste më nga shërbëtorët e tij që t’i bindeshin Ligjit të Moisiut. (Rom. 10:4) Të krishterët duhej të zbatonin një ligj të ri, «ligjin e Krishtit». (Gal. 6:2) Që t’i bindeshin këtij ‘ligji’, nuk kërkohej ta mësonin përmendsh ose të ndiqnin një listë të gjatë me gjëra që duheshin bërë e s’duheshin bërë, por të imitonin shembullin e Jezuit dhe të vinin në jetë mësimet e tij. Edhe sot, shërbëtorët e Jehovait bëjnë çmos të imitojnë Krishtin që ta kënaqin Perëndinë e tyre dhe ‘të gjejnë freskim’ për shpirtin.—Mat. 11:29.

6. Si do të nxjerrim dobi nga ky artikull?

6 Ndërsa shqyrton çdo aspekt të adhurimit, pyet veten: «Sa kam përparuar unë në këtë aspekt?» Ose: «A mund të përmirësohem në adhurimin e Jehovait?» Patjetër, ke arsye të ndihesh i kënaqur për përparimin tënd, por është mirë edhe t’i lutesh Jehovait që të kuptosh ku të përmirësohesh.

ÇFARË PËRFSHIN ADHURIMI I JEHOVAIT?

7. Si ndihet Jehovai kur i lutemi me gjithë zemër?

7 E adhurojmë Jehovain kur i lutemi. Shkrimet i krahasojnë lutjet me temjanin e përgatitur me merak që ofrohej në tabernakull, e më vonë në tempull. (Psal. 141:2) Ky temjan lëshonte një aromë të pëlqyeshme për Perëndinë. Po njësoj, lutjet tona me gjithë zemër janë ‘të pëlqyeshme’ për të, edhe nëse përdorim fjalë të thjeshta. (Prov. 15:8; Ligj. 33:10) Kemi plot arsye të besojmë se Jehovait i gufon zemra kur na dëgjon t’i shprehim dashurinë dhe mirënjohjen. Ai do vërtet t’i flasim për çdo merak, shpresë dhe dëshirë që kemi. Ndaj, para se t’i lutesh Jehovait, pse të mos mendosh me kujdes se çfarë do t’i thuash? Në këtë mënyrë, do t’i ofrosh ‘temjanin’ e cilësisë më të lartë Atit tënd qiellor.

8. Cila është një mundësi e shkëlqyer për të lëvduar Perëndinë?

8 E adhurojmë Jehovain kur e lëvdojmë. (Psal. 34:1) E lëvdojmë Jehovain duke folur me çmueshmëri për veprat dhe cilësitë e tij të mrekullueshme. Lavdet burojnë nga një zemër mirënjohëse. Kur kalojmë kohë duke medituar për mirësinë e Jehovait—për gjithë sa ka bërë për ne—nuk do të na shterojnë kurrë arsyet për ta lëvduar. Predikimi na ofron një mundësi të shkëlqyer që ‘t’i paraqitim Perëndisë një flijim lëvdimi, frytin e buzëve tona’. (Hebr. 13:15) Ashtu siç duhet të mendojmë me kujdes se çfarë do t’i themi Jehovait në lutje, po ashtu duhet të mendojmë mirë se çfarë do t’u themi njerëzve që takojmë në shërbim. Duam që ky «flijim lëvdimi» të jetë më e mira jonë. Ndaj jemi entuziastë kur u flasim të tjerëve për të vërtetën.

9. Ashtu si izraelitët e lashtë, si nxjerrim dobi kur marrim pjesë në mbledhje? Trego si ke nxjerrë ti dobi.

9 E adhurojmë Jehovain kur ndjekim mbledhjet. Izraelitët e lashtë morën këtë urdhër: «Çdo mashkull duhet të paraqitet tri herë në vit para Jehovait, Perëndisë tënd, në vendin që Ai do të zgjedhë.» (Ligj. 16:16) Atyre u duhej t’i linin të pambrojtura shtëpitë dhe fushat. Por Jehovai u kishte dhënë fjalën: «Askush nuk do ta dëshirojë vendin tuaj kur të ngjiteni për t’u paraqitur para Jehovait, Perëndisë tuaj.» (Eks. 34:24) Me besim të patundur, izraelitët që e nderonin thellësisht Jehovain, i ndiqnin festat çdo vit. Kjo u sillte bekime të pasura: kuptonin më mirë Ligjin, meditonin për mirësinë e Perëndisë dhe merrnin zemër nga shoqëria me bashkëbesimtarët. (Ligj. 16:15) Edhe ne shijojmë bekime të ngjashme kur bëjmë sakrifica për të ndjekur mbledhjet. E imagjino sa lumturohet Jehovai kur shkojmë në mbledhje të përgatitur që të bëjmë komente të shkurtra dhe domethënëse.

10. Pse këndimi është pjesë e rëndësishme e adhurimit tonë?

10 E adhurojmë Jehovain kur këndojmë bashkë me vëllezërit e motrat. (Psal. 28:7) Për izraelitët, këndimi zinte një vend të rëndësishëm në adhurim. Mbreti David caktoi 288 levitë të shërbenin si këngëtarë në tempull. (1 Kron. 25:1, 6-8) Sot, mund ta shprehim dashurinë për Jehovain kur këndojmë këngë lëvdimi. Dhe s’ka nevojë të kemi zë të bukur për ta bërë këtë. Të mendojmë për këtë: «të gjithë ne gabojmë shumë herë» në të folur, ama kjo s’na pengon të flasim në mbledhje dhe në shërbim. (Jak. 3:2) Po njësoj, të mos lejojmë që meraku se nuk këndojmë bukur të na pengojë ta lëvdojmë Jehovain me këngë.

11. Në harmoni me Psalmin 48:13, pse duhet të rezervojmë kohë që ta studiojmë Biblën si familje?

11 E adhurojmë Jehovain kur studiojmë Fjalën e tij dhe u mësojmë fëmijëve për të. Sabati u jepte mundësi izraelitëve të linin mënjanë aktivitetet e përditshme dhe të përqendroheshin te miqësia me Jehovain. (Eks. 31:16, 17) Izraelitët besnikë u flisnin fëmijëve të tyre për Jehovain dhe për mirësinë e tij. Edhe ne duhet të rezervojmë kohë për të lexuar dhe studiuar Fjalën e Perëndisë. Ky është një nga aspektet e adhurimit tonë dhe na ndihmon të afrohemi më shumë me Jehovain. (Psal. 73:28) E ndërsa studiojmë si familje, mund t’i ndihmojmë fëmijët tanë—brezin e ri—të krijojnë miqësi të ngushtë e të ngrohtë me Atin tonë të dashur.—Lexo Psalmin 48:13.

12. Çfarë mësimi nxjerrim nga mënyra si e shihte Jehovai punën e atyre që bënë orenditë e tabernakullit?

12 E adhurojmë Jehovain kur ndërtojmë dhe mirëmbajmë vendet e adhurimit. Bibla thotë se puna për të ndërtuar tabernakullin dhe për të bërë orenditë e tij ishte ‘punë e shenjtë’. (Eks. 36:1, 4) Edhe sot, Jehovai e konsideron shërbim të shenjtë punën që bëhet për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë dhe të godinave të tjera teokratike. Disa vëllezër e motra u kushtojnë orë të panumërta këtyre projekteve. A nuk e çmojmë pa masë kontributin e tyre të vyer në veprën e Mbretërisë? Natyrisht, ata kalojnë kohë edhe në predikim. Disa prej tyre mund të kenë dëshirë edhe që të bëhen pionierë. Pleqtë e kongregacionit mund të tregojnë se e mbështetin veprën e ndërtimit duke mos hezituar t’i emërojnë pionierë këta burra e gra punëtorë nëse janë të kualifikuar. Pavarësisht nëse kemi aftësi në ndërtim ose jo, të gjithë mund të bëjmë pjesën tonë për të pastruar dhe mirëmbajtur godinat teokratike.

13. Si duhet t’i shohim dhurimet që bëjmë për të mbështetur veprën e Mbretërisë?

13 E adhurojmë Jehovain kur bëjmë dhurime për të mbështetur veprën e Mbretërisë. Izraelitët s’duhej të shkonin duarbosh para Jehovait. (Ligj. 16:16) Ata duhej të çonin një dhuratë, sipas mundësive që kishin. Kështu mund të shprehnin mirënjohjen për gjithë sa po bënte Jehovai për ta. Si mund ta tregojmë sot se e duam Jehovain dhe se i çmojmë masat që merr për të na forcuar besimin? Një mënyrë është duke bërë kontribute për të mbështetur kongregacionin tonë dhe veprën mbarëbotërore, me aq sa mundemi. Apostulli Pavël tha: «Perëndia është veçanërisht i kënaqur kur japim me gatishmëri, me aq sa kemi, dhe jo me atë që nuk kemi.» (2 Kor. 8:4, 12) Jehovai e vlerëson jashtëzakonisht çdo dhurim që bëjmë me gjithë zemër, sado i vogël qoftë.—Mar. 12:42-44; 2 Kor. 9:7.

14. Sipas Proverbave 19:17, si e sheh Jehovai ndihmën që u japim bashkëbesimtarëve kur janë në hall?

14 E adhurojmë Jehovain kur ndihmojmë bashkëbesimtarët që janë në nevojë. Jehovai premtoi se do t’i shpërblente izraelitët që ndihmonin bujarisht të varfrit. (Ligj. 15:7, 10) Po, sa herë ndihmojmë një bashkëbesimtar që është në hall, Jehovai e sheh si një dhuratë që ia bëjmë Atij. (Lexo Proverbat 19:17.) Për shembull, kur të krishterët nga Filipia i dërguan një dhuratë Pavlit ndërkohë që ishte në burg, ai e quajti «një flijim të pranueshëm, një aromë erëmirë e të pëlqyeshme për Perëndinë». (Filip. 4:18) Mendo për vëllezërit e motrat në kongregacion dhe pyet veten: «A mund të ndihmoj dikë?» Jehovai kënaqet kur i përdorim kohën, energjitë, aftësitë dhe të mirat materiale për të ndihmuar ata që kanë nevojë. Këtë e sheh si pjesë e adhurimit të vërtetë.—Jak. 1:27.

ADHURIMI I VËRTETË NA BËN TË LUMTUR

15. Ndonëse adhurimi i vërtetë kërkon kohë dhe përpjekje, pse nuk është një barrë?

15 Adhurimi i vërtetë kërkon kohë dhe përpjekje, por nuk është një barrë. (1 Gjon. 5:3) Pse jo? Sepse ne e adhurojmë Jehovain ngaqë e duam. Mendo pak për një fëmijë të vogël që dëshiron t’i bëjë një dhuratë babit. Mbase kalon orë të tëra duke bërë një vizatim për të. Ama nuk është pishman për kohën e harxhuar, sepse e do babin dhe dëshiron nga zemra t’i dhurojë diçka. Po njësoj, ngaqë e duam Jehovain, ne jemi të lumtur t’i përdorim kohën dhe energjitë për ta adhuruar.

16. Siç tregon Hebrenjve 6:10, si ndihet Jehovai për çdo përpjekje që bëjmë për ta kënaqur?

16 Prindërit e dashur nuk presin të njëjtën dhuratë nga çdo fëmijë. Ata e kuptojnë që secili është unik dhe ka aftësi të ndryshme. Po njësoj, Ati ynë qiellor e kupton se kemi rrethana të ndryshme. Mbase ti je në gjendje të bësh më tepër se shumë motra e vëllezër të dashur. Ose ndoshta nuk bën dot aq sa të tjerët për shkak të moshës, shëndetit a përgjegjësive familjare. Gjithsesi, mos u shkurajo. (Gal. 6:4) Jehovai s’ka për t’i harruar veprat e tua. Për sa kohë jep më të mirën me motivin e duhur, atij i bëhet zemra mal. (Lexo Hebrenjve 6:10.) Madje, Jehovai e di çfarë ke thellë në zemër. Ai dëshiron të jesh i lumtur e i kënaqur me atë që ke mundësi të bësh për ta adhuruar.

17. (a) Çfarë hapash mund të bëjmë nëse e kemi të vështirë ndonjë aspekt të adhurimit? (b) Trego si të ka ndihmuar një nga aspektet në kutinë « Provo më shumë lumturi».

17 Po nëse e kemi të vështirë të marrim pjesë në ndonjë aspekt të adhurimit, si studimi personal ose shërbimi? Ka goxha të ngjarë që, sa më shumë të përfshihemi në këto aktivitete, aq më shumë do t’i shijojmë e do të nxjerrim dobi prej tyre. Mund ta krahasojmë adhurimin me bërjen e ushtrimeve ose me mësimin e një instrumenti muzikor. Nëse ushtrohemi tek-tuk, mund të bëjmë fare pak përparim. Por ta zëmë se vendosim të ushtrohemi çdo ditë. Ndoshta nisim me pak minuta dhe avash-avash i kushtojmë më shumë kohë. Dora-dorës që shohim frytet e punës sonë, mezi do t’i presim këto momente dhe do t’i shijojmë. E njëjta gjë vlen edhe për adhurimin.

18. Si e përmbushim qëllimin për të cilin kemi ardhur në jetë, dhe me çfarë rezultati?

18 Kur e adhurojmë Jehovain me gjithë zemër, përmbushim qëllimin për të cilin kemi ardhur në jetë. Si rezultat gëzojmë një jetë të lumtur e domethënëse dhe kemi shpresën ta adhurojmë Jehovain përgjithmonë. (Prov. 10:22) Që tani kemi paqe mendore, sepse e dimë që Jehovai i ndihmon adhuruesit e vet kur janë në hall. (Isa. 41:9, 10) Pa diskutim, kemi plot arsye për të qenë të lumtur teksa adhurojmë Atin tonë të dashur, që është i denjë ‘të marrë lavdinë dhe nderimin’ nga i gjithë krijimi.—Zbul. 4:11.

KËNGA 24 Eja ngjitu në malin e Jehovait

^ par. 5 Si Krijuesi i gjithçkaje, Jehovai meriton ta adhurojmë. Ai e pranon adhurimin tonë kur u bindemi ligjeve të tij dhe jetojmë në harmoni me parimet e tij. Në këtë artikull do të shqyrtojmë tetë aspekte të adhurimit tonë. Do të mësojmë si mund të përmirësohemi në këto aspekte dhe si mund të na e shtojnë ato lumturinë.