Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 11

Vazhdo të veshësh «personalitetin e ri» pas pagëzimit

Vazhdo të veshësh «personalitetin e ri» pas pagëzimit

«Vishni personalitetin e ri.»—KOLOS. 3:10.

KËNGA 49 Do t’ia gëzoj zemrën Jehovait

PËRMBLEDHJE *

1. Nga çfarë modelohet kryesisht personaliteti ynë?

 PAVARËSISHT nëse jemi pagëzuar nga pak ditë a nga shumë dekada, të gjithë duam të kemi një personalitet që ia kënaq zemrën Jehovait. Që ta arrijmë këtë, duhet të mbajmë nën kontroll mendimet. Pse? Sepse personaliteti ynë modelohet kryesisht nga mendimet që bluajmë në mendje. Nëse e kemi zakon të mendojmë për gjëra që na duken tërheqëse si njerëz mëkatarë, do të themi dhe do të bëjmë gjëra të këqija. (Efes. 4:17-19) Nga ana tjetër, nëse e mbushim mendjen me gjëra të mira, ka më shumë mundësi të flasim dhe të veprojmë në një mënyrë që e kënaq Atin tonë, Jehovain.—Gal. 5:16.

2. Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Siç e përmendëm në artikullin e kaluar, është e pamundur të ndalojmë çdo mendim të keq që të hyjë në mendjen tonë. Ama e kemi në dorë të mos veprojmë sipas mendimeve të tilla. Para se të pagëzohemi, duhet të mos flasim dhe të mos veprojmë më në një mënyrë që Jehovai e urren. Ky është hapi i parë dhe kryesor për të zhveshur personalitetin e vjetër. Por, që ta kënaqim plotësisht Jehovain, duhet edhe t’i bindemi urdhrit: «Vishni personalitetin e ri.» (Kolos. 3:10) Në këtë artikull, do t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve: Çfarë është ‘personaliteti i ri’? Si mund ta veshim dhe ta mbajmë veshur personalitetin e ri?

ÇFARË ËSHTË ‘PERSONALITETI I RI’?

3. Në harmoni me Galatasve 5:22, 23, çfarë është ‘personaliteti i ri’, dhe si e veshim?

3 Të veshësh «personalitetin e ri» do të thotë të mendosh dhe të veprosh në një mënyrë që reflekton personalitetin e Jehovait. Kush vesh personalitetin e ri, shfaq frytin e frymës së Perëndisë, duke e lejuar frymën e shenjtë të ndikojë te mendimet, ndjenjat dhe veprimet e tij. (Lexo Galatasve 5:22, 23.) Për shembull, ai ka dashuri për Jehovain dhe për adhuruesit e Tij. (Mat. 22:36-39) Gjithashtu nuk e humb gëzimin as përballë sprovave. (Jak. 1:2-4) Është paqebërës. (Mat. 5:9) Është i duruar e zemërmirë me të tjerët. (Kolos. 3:12, 13) E do të mirën dhe vepron me mirësi. (Luka 6:35) Me mënyrën si vepron, tregon se ka besim të fortë tek Ati i tij qiellor. (Jak. 2:18) Reagon me butësi përballë provokimeve dhe tregon vetëkontroll përballë tundimeve.—1 Kor. 9:25, 27; Titit 3:2.

4. Për të veshur personalitetin e ri, pse duhet t’i zhvillojmë të gjitha cilësitë e përmendura te Galatasve 5:22, 23?

4 Që të veshim personalitetin e ri, duhet të zhvillojmë të gjitha cilësitë e përmendura te Galatasve 5:22, 23 dhe në shkrime të tjera. * Këto cilësi nuk janë si veshje që s’kanë lidhje me njëra-tjetrën. Në fakt, disa aspekte të një cilësie mund të gjenden edhe te cilësi të tjera. Për shembull, nëse i do vërtet të tjerët, do të tregohesh i duruar dhe zemërmirë me ta. E nëse ke kultivuar mirësi të vërtetë, do të tregosh butësi dhe vetëkontroll.

SI MUND TA VESHIM PERSONALITETIN E RI?

Sa më shumë mësojmë të mendojmë si Jezui, aq më mirë do ta pasqyrojmë personalitetin e tij (Shih paragrafët 5, 8, 10, 12, 14)

5. Ç’do të thotë të kemi «mendjen e Krishtit», dhe pse duhet ta studiojmë me kujdes jetën e tij? (1 Korintasve 2:16)

5 Lexo 1 Korintasve 2:16. Që të veshim personalitetin e ri, duhet të kemi «mendjen e Krishtit». Me fjalë të tjera, duhet të mësojmë si mendon Jezui, e pastaj duhet ta imitojmë. Jezui e shfaq në mënyrë të përsosur frytin e frymës së Perëndisë. Si një pasqyrë pa asnjë defekt, ai i pasqyron cilësitë e Jehovait tamam siç janë. (Hebr. 1:3) Sa më shumë të mendojmë si Jezui, aq më shumë do të veprojmë si ai dhe aq më mirë do ta pasqyrojmë personalitetin e tij.—Filip. 2:5.

6. Çfarë duhet të mbajmë parasysh ndërsa përpiqemi të veshim personalitetin e ri?

6 A është vërtet e mundur ta imitojmë shembullin e Jezuit? Ndoshta mendojmë: «Epo, Jezui është i përsosur. Nuk do të arrij kurrë të jem plotësisht si ai!» Nëse ndihesh kështu, mbaj parasysh këto fakte. Së pari, ti je krijuar në mënyrë të tillë që t’i ngjash Jehovait e Jezuit, ndaj mund të zgjedhësh t’i imitosh dhe mund t’ia dalësh mbanë, të paktën deri në njëfarë mase. (Zan. 1:26) Së dyti, fryma e shenjtë e Perëndisë është forca më e fuqishme në univers. Me ndihmën e saj, mund të realizosh gjëra që nuk do t’i bëje dot kurrë me forcat e tua. Së treti, Jehovai nuk pret ta shfaqësh në mënyrë të përkryer frytin e frymës sot. Në fakt, Ati ynë i dashur u ka lënë 1.000 vjet atyre me shpresë tokësore që të bëhen të përsosur. (Zbul. 20:1-3) Ajo që kërkon Jehovai tani nga ne është të përpiqemi të bëjmë më të mirën dhe të mbështetemi tek ai për ndihmë.

7. Çfarë do të shqyrtojmë më tej?

7 Si mund ta imitojmë konkretisht Jezuin? Do të ndalemi shkurtimisht te katër aspekte të frytit të frymës së Perëndisë. Në secilin rast do të shqyrtojmë çfarë mund të mësojmë nga mënyra si i shfaqte Jezui këto cilësi. Gjithashtu do të shohim disa pyetje që mund të na ndihmojnë të kuptojmë se ku kemi nevojë ta përmirësojmë personalitetin e ri.

8. Si tregoi dashuri Jezui?

8 Dashuria e thellë për Jehovain e motivoi Jezuin të bënte sakrifica për Atin e tij dhe për ne. (Gjoni 14:31; 15:13) Me mënyrën si jetoi në tokë, tregoi sa e thellë është dashuria e tij për njerëzit. Çdo ditë ishte i dashur e i dhembshur me të tjerët, edhe kur disa i kundërviheshin. Një mënyrë e rëndësishme si tregoi dashuri për njerëzit ishte duke i mësuar për Mbretërinë e Perëndisë. (Luka 4:43, 44) Jezui shfaqi dashuri vetëmohuese për Perëndinë e për njerëzit edhe duke qenë i gatshëm të vuante dhe të vritej mizorisht nga mëkatarët. Kështu na hapi rrugën të gjithëve ne që të gëzojmë jetën e përhershme.

9. Si mund të tregojmë dashuri si Jezui?

9 Ia kushtuam jetën Jehovait dhe u pagëzuam ngaqë e duam Atin tonë qiellor. Prandaj, ashtu si Jezui, duhet ta tregojmë dashurinë për Jehovain me mënyrën si i trajtojmë të tjerët. Apostulli Gjon shkroi: «Ai që nuk do vëllanë e vet, të cilin e sheh, nuk mund të dojë as Perëndinë, të cilin nuk e sheh.» (1 Gjonit 4:20) Mund të pyesim veten: «A kam zhvilluar dashuri të thellë për të tjerët? A tregoj dhembshuri edhe kur dikush nuk sillet mirë me mua? A më motivon dashuria t’i përdor kohën dhe të ardhurat që t’i ndihmoj të tjerët të mësojnë për Jehovain? A jam i gatshëm ta bëj këtë edhe kur shumica e njerëzve nuk i vlerësojnë përpjekjet e mia ose më kundërshtojnë? A mund të gjej mënyra për t’i kushtuar më shumë kohë veprës së predikimit?»—Efes. 5:15, 16.

10. Si e tregoi Jezui se ishte paqebërës?

10 Jezui ishte njeri paqësor. Kur të tjerët e keqtrajtonin, nuk ua kthente me të njëjtën monedhë. Por jo vetëm kaq. Ai merrte iniciativën të bënte paqe dhe i nxiste të tjerët t’i sheshonin mosmarrëveshjet. Për shembull, u mësoi se duhej të bënin paqe me vëllanë nëse donin që Jehovai ta pranonte adhurimin e tyre. (Mat. 5:9, 23, 24) Gjithashtu i ndihmoi sa e sa herë apostujt të mos debatonin se kush prej tyre ishte më i madhi.—Luka 9:46-48; 22:24-27.

11. Si mund të jemi paqebërës?

11 Që të jemi paqebërës, nuk mjafton të mos ndezim konflikte. Duhet edhe të marrim iniciativën të bëjmë paqe me të tjerët dhe t’i nxitim vëllezërit e motrat t’i sheshojnë mosmarrëveshjet. (Filip. 4:2, 3; Jak. 3:17, 18) Mund t’i bëjmë vetes këto pyetje: «Çfarë jam i gatshëm të sakrifikoj që të bëj paqe me të tjerët? A mbaj mëri kur një vëlla a motër më lëndon? A pres ta marrë tjetri iniciativën për të rivendosur paqen, apo hedh hapin e parë, edhe nëse duket se problemin e ka shkaktuar ai? Kur është e përshtatshme, a i nxit ata që kanë mosmarrëveshje të bëjnë paqe me njëri-tjetrin?»

12. Si shfaqte zemërmirësi Jezui?

12 Jezui ishte zemërmirë. (Mat. 11:28-30) E tregonte këtë duke qenë i butë e duke hapur rrugë, edhe në rrethana të vështira. Për shembull, kur një grua fenikase iu përgjërua t’i shëronte fëmijën, Jezui në fillim nuk pranoi t’ia plotësonte kërkesën; por kur pa besimin e saj të madh, ia shëroi fëmijën me zemërmirësi. (Mat. 15:22-28) Edhe pse ishte zemërmirë, Jezui nuk verbohej nga sentimentalizmi. Në disa raste e shfaqi zemërmirësinë duke u treguar i vendosur me njerëzit që donte. Për shembull, kur Pjetri u përpoq ta shkurajonte që të mos bënte vullnetin e Jehovait, Jezui e qortoi para dishepujve të tjerë. (Mar. 8:32, 33) Nuk e bëri këtë që ta poshtëronte Pjetrin, por që ta stërviste dhe që t’i paralajmëronte dishepujt e tjerë të mbanin me modesti vendin e tyre. Edhe pse mund të jetë ndier disi në siklet, Pjetri nxori dobi nga ajo disiplinë.

13. Si mund të jemi vërtet zemërmirë?

13 Që të jesh vërtet zemërmirë me njerëzit që do, ndonjëherë mund të të duhet t’u flasësh hapur. Në ato raste, imito Jezuin duke i bazuar këshillat e tua te parimet e Fjalës së Perëndisë. Sillu me butësi. Mendo më të mirën për të tjerët, duke pasur besim se ata që kanë dashuri për Jehovain e për ty, do të reagojnë mirë ndaj këshillës sate të dashur. Pyet veten: «A kam kurajë të flas kur shoh se dikush që e dua, po bën diçka të gabuar? Nëse është e nevojshme të jap një këshillë, a do të flas me mirëdashje, apo do të flas ashpër? Cili është motivi që më shtyn ta jap këshillën? A po e bëj këtë ngaqë jam i acaruar me atë person, apo ngaqë i dua të mirën?»

14. Si e shfaqte mirësinë Jezui?

14 Jezui jo vetëm e di çfarë është e mirë, por edhe tregon mirësi. E këtë e bën gjithmonë me motivin e duhur—nga dashuria për Atin e tij. Mirësia duket nga efekti që ka te të tjerët. Është një cilësi aktive që shfaqet duke u treguar i gjindshëm. Pra, nuk mjafton të dimë cila është gjëja e duhur; duhet edhe të bëjmë gjënë e duhur me motivin e duhur. Ndoshta pyesim: «Po a është e mundur të bësh gjënë e duhur me motivin e gabuar?!» Po, është. Për shembull, Jezui përmendi rastin e disave që u jepnin lëmoshë të varfërve, por ndërkohë siguroheshin që të tjerët ta merrnin vesh këtë. Ndonëse veprat e tyre ishin të mira, në sytë e Jehovait nuk kishin vlerë.—Mat. 6:1-4.

15. Si mund të jesh vërtet i mirë?

15 Mund të jemi vërtet të mirë vetëm nëse bëjmë gjënë e duhur me motiv altruist. Prandaj mund të pyesësh veten: «Kur e di cila është gjëja e duhur, a veproj në harmoni me këtë duke treguar mirësi? Cili është motivi që më shtyn të bëj gjëra të mira?»

SI MUND TA MBROJMË PERSONALITETIN E RI?

16. Çfarë duhet të bëjmë çdo ditë, dhe pse?

16 Të mos mendojmë se puna për të veshur personalitetin e ri përfundon kur pagëzohemi. Personaliteti i ri është si një veshje e re dhe e bukur që duhet ta mirëmbajmë ose ta mbrojmë. Këtë mund ta bëjmë, për shembull, duke kërkuar çdo ditë mënyra si ta shfaqim frytin e frymës së Perëndisë. Pse? Sepse Jehovai është Perëndi i veprimit, dhe fryma e tij është forcë vepruese. (Zan. 1:2) Prandaj, çdo aspekt i frytit të frymës mund dhe duhet të na shtyjë të veprojmë. Për shembull, dishepulli Jakov shkroi: «Besimi pa vepra është i vdekur.» (Jak. 2:26) E njëjta gjë mund të thuhet për gjithë aspektet e tjera të frytit të frymës së Perëndisë. Çdo herë që i shfaqim këto cilësi, tregojmë se fryma e Perëndisë po vepron brenda nesh.

17. Si duhet të reagojmë nëse ndonjëherë nuk shfaqim frytin e frymës?

17 Edhe ata që janë pagëzuar prej vitesh, ndonjëherë nuk arrijnë të shfaqin frytin e frymës. Gjithsesi, ajo që ka rëndësi është të mos dorëzohemi. Të bëjmë një ilustrim. Sikur të të grisej pak veshja jote e preferuar, a do ta hidhje menjëherë? Jo. Ka shumë gjasa që do të përpiqeshe ta ndreqje dëmin me merak. E pas kësaj do të tregoheshe më i kujdesshëm. Po njësoj, nëse ndonjëherë nuk arrin të tregohesh zemërmirë, i duruar ose i dashur me dikë, mos u shkurajo. Duke kërkuar falje me gjithë zemër, mund ta ndreqësh dëmin, e kështu mund të ruash një marrëdhënie të mirë me tjetrin. Pas kësaj, ji i vendosur të përmirësohesh.

18. Për çfarë mund të jesh i sigurt?

18 Sa mirënjohës jemi që Jezui na ka lënë një shembull! Sa më shumë ta imitojmë mënyrën si mendon dhe qëndrimin e tij, aq më të lehtë do ta kemi të veprojmë si ai. E sa më shumë të veprojmë si Jezui, aq më mirë do ta veshim personalitetin e ri. Në këtë artikull jemi ndalur vetëm te katër aspekte të frytit të frymës së Perëndisë. Pse të mos lësh kohë të shqyrtosh aspekte të tjera të frytit të frymës dhe të meditosh si po i shfaq këto cilësi? Do të gjesh një listë me artikuj për këtë argument te Mjet kërkimesh për Dëshmitarët e Jehovait. Mund të shkosh te tema «Jeta e krishterë», e pastaj te nëntema «Fryti i frymës». Të jesh i sigurt se po të bësh pjesën tënde, Jehovai do të të ndihmojë ta veshësh personalitetin e ri dhe ta mbash veshur.

KËNGA 127 Qofsha thesar për ty, Jehova!

^ par. 5 Ne mund ta veshim «personalitetin e ri» pavarësisht nga prejardhja ose e kaluara jonë. Për ta bërë këtë, duhet të ndreqim vazhdimisht mënyrën si mendojmë dhe duhet të përpiqemi të imitojmë Jezuin. Në këtë artikull do të shqyrtojmë me anë të disa shembujve si mendonte dhe si vepronte Jezui. Do të shohim edhe si mund të vazhdojmë ta imitojmë pas pagëzimit.

^ par. 4 Galatasve 5:22, 23 nuk jep një listë të plotë të cilësive të bukura që na ndihmon të zhvillojmë fryma e Perëndisë. Për të ditur më shumë, shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të qershorit 2020.