Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 13

Përdore krijimin që t’u mësosh fëmijëve për Jehovain

Përdore krijimin që t’u mësosh fëmijëve për Jehovain

«Kush i krijoi këto gjëra?»—ISA. 40:26.

KËNGA 11 Krijimi i këndon Jehovait

PËRMBLEDHJE a

1. Çfarë dëshirojnë prindërit për fëmijët e tyre?

 JU PRINDËR keni dëshirë t’i ndihmoni fëmijët ta njohin dhe ta duan Jehovain. Por Perëndia është i padukshëm. Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta shohin si një Person real dhe të afrohen me të?—Jak. 4:8.

2. Si mund t’i mësojnë prindërit fëmijët për cilësitë e Jehovait?

2 Një mënyrë e rëndësishme për t’i ndihmuar fëmijët të afrohen me Jehovain është të studioni Biblën me ta. (2 Tim. 3:14-17) Por, Bibla tregon edhe një mënyrë tjetër se si mund të mësojnë fëmijët për Jehovain. Në librin e Proverbave, një baba i kujton të birit të mos i humbë kurrë nga sytë cilësitë e Jehovait që dalin në pah te krijimi. (Prov. 3:19-21) Do të shohim disa mënyra si mund ta përdorin krijimin prindërit që t’u mësojnë fëmijëve për personalitetin e Jehovait.

SI TA PËRDORËSH KRIJIMIN PËR TË MËSUAR FËMIJËT?

3. Çfarë ndihme duhet t’u japin prindërit fëmijëve?

3 Bibla thotë se «cilësitë e padukshme [të Perëndisë] shihen qartë që nga krijimi i botës, sepse dallohen nga gjërat që ka bërë». (Rom. 1:20) Ju prindër patjetër kënaqeni kur kaloni kohë në natyrë me fëmijët. Shfrytëzojini ato raste që t’i ndihmoni fëmijët të dallojnë cilësitë e mrekullueshme të Jehovait te «gjërat që ka bërë». Le të shohim çfarë mund të mësojnë prindërit nga shembulli i Jezuit.

4. Si e përdori krijimin Jezui që të mësonte dishepujt e tij? (Luka 12:24, 27-30)

4 Si e përdori Jezui krijimin për të mësuar të tjerët? Në një rast, ai u kërkoi dishepujve të tij t’u kushtonin vëmendje korbave dhe zambakëve. (Lexo Lukën 12:24, 27-30.) Jezui mund të kishte përmendur çfarëdo kafshe ose bime, por zgjodhi të fliste për një zog e një lule që dishepujt i njihnin mirë. Ata mund të kishin parë korba që fluturonin në qiell dhe lule që çelnin lëndinave. Mund ta përfytyrojmë Jezuin duke treguar me dorë nga korbat dhe zambakët ndërsa flet për to. Po çfarë bëri pas kësaj? Ai u dha dishepujve një mësim të rëndësishëm për bujarinë dhe zemërmirësinë e Atit të tyre qiellor: Jehovai do t’i ushqejë dhe do t’i veshë shërbëtorët e tij besnikë ashtu siç ushqen korbat dhe vesh lulet e fushës.

5. Si mund ta përdorin krijimin prindërit që t’i mësojnë fëmijës për Jehovain?

5 Si mund ta imitosh ti si prind mënyrën si mësonte Jezui? Mund t’i tregosh fëmijës diçka nga krijimi që të pëlqen, si për shembull kafshën ose bimën tënde të preferuar. Ndërsa e bën këtë, shpjegoji çfarë na mëson për Jehovain ky aspekt i krijimit. Pastaj mund ta pyesësh fëmijën cila është kafsha ose bima e tij e preferuar. Ka shumë mundësi që po t’i përmendësh një aspekt të krijimit që e ka qejf, fëmija do të të kushtojë më shumë vëmendje kur i flet për cilësitë e Jehovait.

6. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i mamasë së Kristoferit?

6 A ka nevojë që prindërit të harxhojnë tepër kohë duke bërë kërkime për një kafshë ose bimë para se t’i tregojnë fëmijës se çfarë zbulon ajo për Jehovain? Jo medoemos. Jezui nuk bëri ndonjë shpjegim të stërholluar për zakonet e të ushqyerit të korbit ose për përbërjen qelizore të zambakut. Natyrisht, hera-herës fëmijës mund t’i pëlqejë një bisedë më e thellë për natyrën, por ndonjëherë mjafton një koment a pyetje e thjeshtë për të theksuar një pikë. Të shohim çfarë kujton nga fëmijëria një vëlla që quhet Kristofer: «Shpesh mamaja bënte komente të thjeshta për të na ndihmuar të çmonim krijimin përreth. Për shembull, kur ishim pranë maleve mund të na thoshte: ‘Shihni çfarë malesh të bukura e madhështore! A s’është i mrekullueshëm Jehovai?’ Ose kur ishim pranë oqeanit mund të na thoshte: ‘Shihni çfarë fuqie kanë këto dallgë! A s’është i fuqishëm Perëndia?’» Kristoferi thotë: «Ato komente të thjeshta na futnin në mendime dhe ndikonin thellë te ne.»

7. Si mund ta stërvitësh fëmijën të meditojë për krijimin?

7 Ndërsa fëmija rritet, mund ta stërvitësh të mendojë më shumë për krijimin dhe të nxjerrë përfundime për cilësitë e Jehovait. Për shembull, pasi ia drejton vëmendjen te një vepër e Perëndisë, mund ta pyesësh: «Çfarë të mëson kjo për Jehovain?» Mendimet që shpreh mund të të surprizojnë.—Mat. 21:16.

KUR MUND TA PËRDORËSH KRIJIMIN PËR TË MËSUAR FËMIJËT?

8. Çfarë mundësie kishin prindërit izraelitë kur ‘ecnin rrugës’?

8 Jehovai i nxiti prindërit izraelitë që t’ua mësonin fëmijëve urdhërimet e tij kur ‘ecnin rrugës’. (Ligj. 11:19) Rrugët në Izrael përshkonin fusha ku mund të shihje lloj-lloj kafshësh, zogjsh dhe lulesh. Ndërsa udhëtonin në ato rrugë, prindërit kishin mundësi t’u ngjallnin kureshtjen fëmijëve për krijimin e Jehovait. Edhe ju prindër keni mundësi të ngjashme që t’i mësoni fëmijët nëpërmjet krijimit. Të shohim si e kanë bërë këtë disa prindër.

9. Ç’mund të mësojmë nga Punita dhe Katja?

9 Një mama që quhet Punita dhe që jeton në një qytet të madh në Indi, thotë: «Kur shkojmë te familja në fshat, i shfrytëzojmë ato raste që t’u mësojmë fëmijëve për krijimin e mahnitshëm të Jehovait. Mendoj se fëmijët arrijnë ta çmojnë më shumë krijimin kur janë larg rrugëve të rrëmujshme dhe trafikut të qytetit.» Prindër, ka shumë gjasa që fëmijët tuaj s’do ta harrojnë kurrë kohën që kalojnë me ju mes bukurive të natyrës. Katja, një motër nga Moldavia, thotë: «I kam si të gjalla në mendje ditët që kaloja me prindërit në fshat gjatë fëmijërisë. U jam mirënjohëse që më mësuan qysh në vogëli të ndalesha e të soditja gjërat që ka bërë Jehovai dhe ta njihja nëpërmjet krijimit.»

Edhe në qytet mund të gjesh aspekte të krijimit që mund t’i përdorësh për t’i mësuar fëmijët për Jehovain (Shih paragrafin 10)

10. Çfarë mund të bëjnë prindërit nëse e kanë të vështirë të udhëtojnë jashtë qytetit? (Shih kutinë « Ndihmë për prindërit».)

10 Po nëse nuk keni mundësi të shkoni në fshat? Amoli, që po ashtu jeton në Indi, thotë: «Aty ku jetoj, prindërit duhet të punojnë me orë të tëra dhe një udhëtim për në fshat mund të kushtojë goxha. Por prapë ke mundësi të soditësh krijimin dhe të flasësh për cilësitë Jehovait kur je në një park të vogël ose në ballkonin e shtëpisë.» Po të shihni me vëmendje, ka gjasa që pranë shtëpisë tuaj të gjeni shumë aspekte të krijimit që mund t’ua tregoni fëmijëve, si zogj, insekte, bimë e plot gjëra të tjera. (Psal. 104:24) Karina nga Gjermania thotë: «Mamit tim i pëlqejnë shumë lulet. Prandaj, kur isha e vogël dhe shëtitnim bashkë, ma tërhiqte vëmendjen te lulet e bukura.» Ju prindër mund t’i mësoni fëmijët edhe me anë të videove dhe botimeve të shumta që ka nxjerrë organizata jonë. Pra, në çfarëdo rrethanash të ndodheni, mund t’i ndihmoni fëmijët t’u kushtojnë vëmendje gjërave që ka bërë Perëndia. Le të shohim tani disa cilësi të Jehovait që mund të nxirrni në pah gjatë bisedave me fëmijët.

‘CILËSITË E PADUKSHME TË PERËNDISË SHIHEN QARTË’

11. Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët që të dallojnë dashurinë e Jehovait?

11 Për t’i ndihmuar fëmijët të dallojnë dashurinë e Jehovait, mund të theksoni me sa butësi kujdesen shumë kafshë për të vegjlit e tyre. (Mat. 23:37) Mund t’ua tërhiqni vëmendjen edhe te larmia e mrekullueshme e krijimit që na gëzon zemrën. Karina e përmendur më sipër thotë: «Kur dilnim shëtitje, mami më inkurajonte të ndalesha e të vëreja sa unike është çdo lule dhe të kuptoja se bukuria e saj pasqyron dashurinë e Jehovait. Edhe pse kanë kaluar vite, prapë i shoh me vëmendje lulet—ngjyrat, mënyrën si janë projektuar dhe sa të larmishme janë. Ato vazhdojnë të më kujtojnë sa shumë na do Jehovai.»

Mund t’u theksosh fëmijëve mënyrën e mrekullueshme si është projektuar trupi i njeriut që t’u mësosh sa i mençur është Perëndia (Shih paragrafin 12)

12. Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët të dallojnë sa i mençur është Perëndia? (Psalmi 139:14) (Shih edhe figurën.)

12 Ndihmojini fëmijët të dallojnë mençurinë e Perëndisë. Pa dyshim që Jehovai është pafundësisht më i mençur se ne. (Rom. 11:33) Mund t’u përmendni, për shembull, se retë plot ujë pluskojnë pa kurrfarë vështirësie nga një vend në tjetrin. (Jobi 38:36, 37) Gjithashtu mund t’u theksoni në ç’mënyrë të mrekullueshme është projektuar trupi i njeriut. (Lexo Psalmin 139:14.) Të shohim si e bëri këtë një baba që quhet Vladimir. Ai thotë: «Një ditë, djali u rrëzua nga biçikleta dhe vrau gjurin. Pas pak ditësh, plaga u shërua. Unë dhe gruaja i shpjeguam se Jehovai i ka krijuar qelizat tona me aftësinë për t’u riparuar vetë. Pastaj theksuam se kjo nuk ndodh tek asnjë nga gjërat që kanë bërë njerëzit. Për shembull, një makinë nuk riparohet vetë pas një aksidenti. Kjo përvojë e ndihmoi djalin të kuptonte sa i mençur është Jehovai.»

13. Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët të dallojnë fuqinë e Perëndisë te krijimi? (Isaia 40:26)

13 Jehovai na fton t’i ngremë sytë drejt qiellit dhe të meditojmë se si fuqia e tij e mahnitshme i mban trupat qiellorë në vendin e tyre. (Lexo Isainë 40:26.) Mund t’i inkurajoni fëmijët të soditin qiellin dhe të mendojnë për atë që shohin. Ndërsa sjell ndër mend fëmijërinë, një motër nga Tajvani thotë: «Një herë shkova për kamping me mamin dhe po shihnim qiellin plot yje, që shndritnin më fort larg dritave të qytetit. Në atë periudhë isha e shqetësuar nga presioni i shoqërisë dhe dyshoja nëse do të arrija t’i shërbeja me besnikëri Jehovait. Mami më nxiti të mendoja se çfarë fuqie kishte përdorur Jehovai për të krijuar gjithë ato yje dhe të kujtoja se mund ta përdorte atë fuqi për të më ndihmuar të përballoja çdo sprovë. Pasi sodita krijimin gjatë atij udhëtimi, doja ta njihja më mirë Jehovain dhe m’u forcua vendosmëria për t’i shërbyer.»

14. Si mund ta përdorin prindërit krijimin për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë se Jehovai është një Perëndi i lumtur?

14 Krijimi i Jehovait flet edhe për gëzimin e tij dhe për ndjenjën e humorit. Shkencëtarët kanë vërejtur se shumica e kafshëve, zogjve dhe peshqve luajnë. (Jobi 40:20) A janë shkrirë ndonjëherë së qeshuri fëmijët tuaj ndërsa shihnin një kafshë që lodronte? Mbase kanë parë një kotele që ndiqte një top leshi ose kone që bënin mundje bashkë. Herën tjetër kur fëmijët të qeshin me gjërat e lezetshme që bën një kafshë, pse të mos u kujtoni se i shërbejmë një Perëndie të lumtur?—1 Tim. 1:11.

SHIJOJENI KRIJIMIN E JEHOVAIT SI FAMILJE

Fëmijët mund të ndihen më rehat e më të gatshëm të flasin për ndjenjat e tyre kur jeni bashkë në natyrë (Shih paragrafin 15)

15. Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët që të ndihen rehat të shprehin çfarë mendojnë? (Proverbat 20:5) (Shih edhe figurën.)

15 Në disa raste, fëmijët ngurrojnë të flasin me prindërit për problemet që kalojnë. Në një situatë të tillë, ndoshta duhet t’i ndihmoni fëmijët të ndihen rehat që të shprehin çfarë mendojnë. (Lexo Proverbat 20:5.) Disa prindër e kanë më kollaj ta bëjnë këtë kur shijojnë krijimin me fëmijët. Pse? Një arsye është se në natyrë ka më pak shpërqendrime si për fëmijët, edhe për prindërit. Një baba në Tajvan që quhet Masahiko përmend një arsye tjetër: «Kur jemi së bashku në natyrë, si në një ekskursion në mal ose në një shëtitje anës detit, zakonisht fëmijët ndihen më të relaksuar. Kështu e kemi më të lehtë t’i ndihmojmë të hapen dhe të mësojmë çfarë mendojnë.» Katja e përmendur më sipër thotë: «Pas shkollës, mami më çonte zakonisht në një park të bukur. Në atë ambient të qetë, e kisha më të lehtë t’i tregoja ç’kishte ndodhur në shkollë e çfarë më merakoste.»

16. Çfarë mundësish kanë familjet që të çlodhen e të zbaviten mes krijimit të Jehovait?

16 Krijimi i Jehovait u jep mundësi familjeve edhe të çlodhen e të argëtohen së bashku, e kështu forcohen lidhjet familjare. Bibla thotë se ka «një kohë për të qeshur» dhe «një kohë për të kërcyer nga gëzimi». (Ekl. 3:1, 4, shën.) Me veprat e duarve të tij, Jehovai ka krijuar ambiente të mrekullueshme ku të bëjmë aktivitete që na kënaqin. Shumë familjeve u pëlqen të shkojnë bashkë në një park natyror, në fshat, në mal ose në plazh. Disa fëmijë kanë qejf të vrapojnë dhe të luajnë në park, të vëzhgojnë kafshët ose të notojnë në lumë, liqen a det. Çfarë mundësish fantastike kemi për t’u zbavitur në natyrë, të rrethuar nga veprat e duarve të Jehovait!

17. Pse prindërit duhet t’i ndihmojnë fëmijët ta shijojnë krijimin e Perëndisë?

17 Në botën e re të Perëndisë, prindërit dhe fëmijët do ta shijojnë si kurrë më parë krijimin e Jehovait. Atëherë nuk do të ketë arsye të frikësohemi nga kafshët, e as kafshët nuk do të kenë frikë nga ne. (Isa. 11:6-9) Do të kemi kohë pa fund për t’u kënaqur me gjërat që ka krijuar Jehovai. (Psal. 22:26) Por mos prisni deri atëherë që t’i ndihmoni fëmijët tuaj ta shijojnë krijimin. Ndërsa e përdorni krijimin që t’u mësoni fëmijëve për Jehovain, ka shumë gjasa që ata të ndihen si mbreti David, i cili tha: «O Jehova . . . nuk ka si veprat e tua.»—Psal. 86:8.

KËNGA 134 Fëmijët—dhuratë e çmuar nga Jehovai!

a Shumë vëllezër e motra kanë kujtime të bukura nga fëmijëria kur shijonin krijimin me prindërit e tyre. Ata nuk e kanë harruar si i përdornin prindërit ato raste që t’u mësonin për personalitetin e Jehovait. Nëse ke fëmijë, si mund ta përdorësh krijimin që t’u mësosh për cilësitë e Perëndisë? Artikulli do t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje.